Kryesore

Thaçi: Kurti e uzurpoi zyrën e kryeministrit

15:44 - 25.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se ushtruesi i detyrës kryeministër Albin Kurti, “po sillet si njeri jashtë ligjit” dhe se e ka uzurpuar zyrën e kryeministrit.




Në fjalimin para gazetarëve në Dubravë, ku mori pjesë në përkujtimin e të burgosurve shqiptarë të vrarë në luftën e vitit 1999, Thaçi porositi se aktorët politikë në vend duhet të përqëndrohen në respektimin e tërësishëm të Kushtetutës së Kosovës.

“Për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. Sido që të jetë duhet me qetësi dhe durim të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të publikohet në ditët në vijim”, deklaroi Thaçi.

Gjykata Kushtetuese publikoi se deri më 29 maj do të marrë vendim lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetvendosje, e kryeministrit në dorëheqje, Kurti, për interpretimin e ligjshmërisë së vendimit të Thaçit, që t’ia ndajë mandatin për formimin e qeverisë së rë, kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Më 25 mars, me iniciativë të LDK-së, Kuvendi i Kosovës i votoi mosbesim Kabinetit të Kurtit, pas çka presidenti i shtetit disa herë kërkoi nga VV të emërojë kandidatë për formimin e qeverisë së re.

Pasi partia e Kurtit nuk iu përgjigj kërkesave të tij, Thaçi, pas konsultimeve me partitë tjera parlamentare, më 30 prill ia ndau mandatin Hotit, si kandidat i partisë së dytë të rradhitur në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.

Më 1 maj, VV e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese dekretin e Thaçit, duke pohuar se qeveria e re, sipas interpretimit të tyre të Kushtetutës, mund të formohet vetëm pas zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të mbaheshin pasi të kalojë pandemia e Kovid-19.

Pas marrjes së mandatit, Hoti dhe LDK-ja publikuan se në bashkëpunim me disa parti opozitare, si dhe me ato të bashkësisë serbe dhe të tjera joshumicë etnike, e kanë siguruar përkrahjen e nevojshme nga deputetët shumicë në Kuvendin e Kosovës për formimin e qeverisë së re. (MIA)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.