SHËNDET

“Ushqimet që duhet të konsumoni kur vuani nga çrregullimet motorike të ezofagut”

14:00 - 25.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga mjeku internist, Gerald Kola – Funksioni parësor i ezofagut është transportimi i materialit të përtypur nga goja dhe faringu drejt stomakut dhe në të njëjtën kohë të parandalojë kalimin retrograd të përmbajtjes së stomakut drejt ezofagut dhe traktit respirator. Çrregullimet motorike të ezofagut ndahen në çrregullime me mosfunksionim të rajonit të qafës (muskulatura e strijuar) dhe çrregullime të rajonit të trupit të ezofagut dhe sfinkterit të poshtëm të ezofagut. Çrregullimet motorike të rajonit të qafës shkaktohen kryesisht nga ndryshimet neurologjike (goditje, sëmundja e Parkinsonit, skleroza laterale amyotrofike, korea e Huntingtonit, paraliza e nervit rekurrent të laringut) ose sëmundjeve muskulore (myopatitë inflamatore, polymyositis, distrofia muskulare, myasthenia gravis ). Në përgjithësi, këto kushte karakterizohen nga disfagia oro-faringeale, me paaftësi për të përparuar bolusin (përmbajtjen, masën) ushqimor nga faringu në ezofag, të cilat, shpesh shoqërohen me fenomene aspirimi trakeo-bronkiale.




Me përdorimin e manometrisë me rezolucion të lartë (HRM), është vënë në pah njohja e çrregullimeve motorike të trupit të ezofagut, dhe rrjedhimisht janë ndryshuar përkufizimet e çrregullimeve të ndryshme.
Kohët e fundit ato janë klasifikuar në një version të ri (i treti në rreth 8 vjet) i Klasifikimit të Çikagos (Chicago Classification).
Ky klasifikim përshkruan anomalitë e mëposhtme: Akalazia esofageale. Kjo është një gjendje e karakterizuar nga mungesa e relaksimit të koordinuar dhe të plotë të sfinkterit të poshtëm të ezofagut (SPE) pas një akti të gëlltitjes. Kjo gjendje mund të prekë të gjitha moshat dhe arrin majat midis moshave 30 dhe 60 vjeç. Manifestohet me disfagi (e pranishme në 90% të rasteve), e cila mund të shoqërohet me regurgitim (kthim mbrapsht të masës ushqimore), dhimbje në gjoks dhe kollë të thatë, e cila përkeqësohet kur shtrihemi. Diagnoza është edhe radiologjike (pamja e ezofagut nga pak deri në shumë të dilatuar (zgjeruar) dhe pamja e një sfinkteri të poshtëm të ezofagut (SPE) që lejon të kalojnë vetëm sasitë fillestare të bariumit) dhe manometrike. Teknika e HRM ka bërë të mundur të identifikohen tri nënkategori:
Tipi I (presioni i lëshimit pas gëlltitjes së sfinkterit të poshtëm të ezofagut (SPE)> 15 mmHg dhe mungesë totale të aktivitetit peristaltik në ezofag); Tipi II (presioni i lëshimit pas gëlltitjes së sfinkterit të poshtëm të ezofagut (SPE)> 15 mmHg dhe mungesë totale të aktivitetit peristaltik në ezofag me të paktën 20% të zonave të presionit të trupit të ezofagut); Tipi III (presioni i lëshimit pas gëlltitjes së sfinkterit të poshtëm të ezofagut (SPE)> 15 mmHg dhe anomalitë e peristaltikës ezofageale shoqëruar në më shumë se 20% të rasteve nga valët e hershme). Terapia mund të jetë endoskopike (dilatimet pneumatike të SPE) ose kirurgjikale. Obstruksion i rrjedhës në bashkimin ezofag-stomak: kjo gjendje karakterizohet nga prania e dështimit për të hapur SPE (presioni pas gëlltitjes së SPE> 15 mmHg) në prani të valëve peristaltike të transmetuara normalisht. Simptomatologjia e fillimit është kryesisht disfagia (65-70% e rasteve). Zbulim rastësor në situatat e ekzaminimit patofiziologjik për simptomat e sëmundjes së refluksit gastroesophageal (GERD). Prognoza (historia) e saj është pak e njohur. Disa të dhëna raportojnë një evolucion në drejtim të akalazisë në 15% të rasteve, por edhe zgjidhje spontane në rreth 20% të pacientëve të patrajtuar dhe të rivlerësuar në një vit. Spazma distale ezofageale karakterizohet nga prania e një komponenti të zvogëluar të fazës së frenimit të trupit të ezofagut para tkurrjes peristaltike. Mungesa e fazës frenuese çon në një përhapje shumë të hershme të impulsit të valës (latenca distale <4.5 sek) dhe me një shpejtësi të shprehur të përhapjes. Klinikisht karakterizohet nga prania e dhimbjes së gjoksit që përhapet posterialisht dhe disfagisë. Ezofagu Jackhammer është një gjendje hiperkontraktive e ezofagut e karakterizuar nga valë peristaltike me një forcë kontraktuese të ekzagjeruar (integralja e kontraktimeve distale> 8000 mmHg-s-cm). Karakterizohet klinikisht nga dhimbje në gjoks dhe disfagia. Aperistalsis është një gjendje e karakterizuar nga një mungesë totale e përhapjes së peristaltikës pas gëlltitjes (100% valë jo të përhapur) në ezofag, e shoqëruar me një fazë normale relaksimi. Simptomatologjia karakterizohet nga disfagia. Kjo gjendje ndonjëherë është konstatuar se është sekondare në kushtet e sklerozës sistemike

Të dhënat nutricionale mbi patologjinë
Vështirësia në gëlltitje (dysfagia) e bën të domosdoshme adaptimin e disa ndryshimeve në zakonet e ngrënies për të parandaluar çdo kalim të ushqimit në rrugët e frymëmarrjes (aspirimi), me rrezikun që rrjedh për pneumoni nga gëlltitja, ose për të parandaluar një ndalesë të mundshme të ushqimit të tepërt në nivelin e ezofagut, për të cilën mund të lindë nevoja t’i drejtohemi zhbllokimit endoskopik. Në veçanti, aspirimi i ushqimit në rrugët e frymëmarrjes është një problem shumë i rëndësishëm, i cili nganjëherë nuk mund të shfaqet qartë dhe për këtë arsye kërkon një ndërhyrje serioze dhe në kohë. Sugjerimet e mëposhtme janë zbatuar gjithmonë në praktikën klinike në pacientë me disfagi oro-faringeale, por në të njëjtën kohë ato mund të përdoren edhe në çrregullimet motorike të ezofagut edhe nëse në këtë nivel ka më pak prova shkencore për sa i përket efikasitetit. Është e rëndësishme të theksohet se në pacientët me disfagi është gjithmonë e këshillueshme që të konsumohen vakte të vogla dhe të përdoren pije të ndryshme, mundësisht të nxehta, të cilat lehtësojnë përparimin e masës ushqimore dhe relaksojnë muskujt. Këshilla e mëtejshme është që të vazhdoni me një përtypje të saktë dhe të zgjatur, në mënyrë që të “zvogëloni” sa më shumë masën ushqimore.

Ushqimet që këshillohen
Këshilloj që të konsumoni: Ushqime me përmbajtje të butë, kremoze ose gjysmë të forte; Ushqimet e sigurta janë ato që formojnë një bolus (kafshatë) homogjen dhe që rrëshqasin pa u gatuar; ushqime me përmbajtje të lëngshme (psh. Kos që pihet, dhallë, shurupe të ndryshme, lëngje frutash, lëngje me gaz dhe ujë), por duke i kushtuar vëmendje rrezikut të aspirimit. Në disa raste këshillohet të trashen ushqimet të lëngshme duke përdorur produkte specifike për trashje, por kjo procedurë duhet të vlerësohet bazuar në aftësinë e pacientit për të gëlltitur lëngje.

Ushqimet që duhen shmangur
Ushqimet që duhen shmangur janë: Ushqime të thata, të cilat shkërmoqen, për shembull krakersat, fete biskotate, por edhe bukë, pasi thërrimet mund të thithen dhe të depërtojnë në mushkëri; Lëvozhgat dhe farat e frutave, si dhe përbërësit fibroz të mishit dhe peshkut; Mishi i bardhë ose i kuq, veçanërisht nëse nuk përtypet siç duhet; Orizi; Disa lloje të marmelatave të frutave, të tilla si mollët dhe dardha; Ushqimet me përmbajtje të dyfishtë: copëza perimesh në lëng mishi, makarona në lëng mishi, përshesh me qumësht.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.