Kryesore

Dy Anna

07:54 - 26.05.20 Edison Ypi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të lumtë për dorëheqjen o Anna Shkrepi. O me Hyun o me Djallin. Nuk mund të vazhdoje edhe drejtoreshë e Shtëpisë Muze të Hyut për të promovuar artin, edhe pjesëmarrëse në demonstrimet e Djallit për përjetësimin e barakës propagandistike të krimit.




Ti Anna Shkrepi, ti që nuk je një kreaturë dosido, por bijë pasioni ngjizur me frymë arkitekti dhe shpirt gjuhëtareje. Ti pra, që je një çelik që nuk ndryshkesh, mur që nuk shembesh, lumë që nuk ndalesh, nuk mund t’ia lejoje vetes lojën e dyfishtë. Ti nuk mund të kesh destin të turbullt. Ti nuk mund të jesh edhe me lirinë, edhe me diktaturën, edhe me Spaçin, edhe me Sigurimin, edhe me qiellin edhe me qenefin.

Kur adashja jote, Anna tjetër, Anna e burgjeve, Anna e internimeve, Anna e gulagëve, Anna Ahmatova e Rusisë, ka marrë vesh se ti, Anna Shkrepi e Shqipërisë, u bëre drejtoreshë e Muzeut të Hyut të Letërsisë botërore, nga kënaqësia ka lëvizur në varr, ka hapur sytë në errësirë, ka ndezur një cigare, ka rrufit një kafe, ndoshta dhe të ka dedikuar disa vargje.

Anna, Hyut të Muzeut që punoi me dhjetëra vite rrethuar nga djaj, kur i thoshin hesht, fliste. Tani që po ata dreqër i thonë fol, ai hesht.

Korifenjtë e karakatinës, luajtjen në skenë e kanë konsideruar qëllim në vetvete, stacion fundor. Aq dinë. Aq ndjejnë. Ata nuk flasin për më tepër. Për qëllimin final të artit, që është njeriu, përsosja e pandalur e tij.

Le se ç’thonë. Ata nuk bëjnë nja dy a tri gabime dhe nuk kanë nja tri a katër mungesa. Ata i bëjnë të tëra gabimet dhe i kanë të gjitha mungesat.

Prandaj, që e shembën kolerën, jo thjesht bënë shumë mirë, por pas shembjes duhet ta djegin edhe nja katër a pesë herë të tjera të mos ngrihet lugat.

Anna, baraka ishte plaga, ata ishin qelbi.

Përveç vetes së vet dhe lumpenit, llumit injorant, askush nuk i donte, askujt nuk i binte në mend se ekzistonin. Ata vetë ishin kazani me intriga, prapaskena, thashetheme.

E dinë, por nuk e thonë se ishin të vetmit. Nuk kishin asgjë përballë. Nuk kishin alternativë. Nuk kishte skenë tjetër apo film tjetër. Nga mëngjesi në mbrëmje nga mbrëmja në mëngjes, dit’ e natë e natë e ditë me vite e vite pa u ndalur asnjë çast, po ata filma të pështirë, po ato shfaqje të kërrupta, po ata aktorë si robotë, po ato batuta të pështira që u mbajtën mend me detyrim, që u imponuan për shkak të mungesës së alternativës.

Ndryshimi mes Hyut të muzeut dhe vampirëve të barakës së zbrazjes së truve nuk ishte dhe as është kaq apo aq, minimal, maksimal, kolosal, apo abisal. Ishin dy botë, dy universe totalisht të ndryshme.

Ç’ësht’ e vërteta o Anna Shkrepi, Shqipërisë tënde të kësaj periudhe, asaj me qen e mace në ‘Fejsbuk’ dhe ca adoleshente anemike që bëjnë sikur komentojnë Hyun me zë inekzistent, aq e ngjashme me Shqipërinë e portaleve, i mungon Shqipëria reale, Puka, Mirdita, Skrapari, Vjosa, Drini, malet, detet, dallgët, sidomos dallgët. Por s’ka problem. Nuk është nronjë hata’. Koha plotëson dhe ndreq gjithçka. Nuk mund të jenë të gjithë si Hyu që kryeveprën e vet, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” e shkroi kur qe 24, dhe as si Ajnshtajni, i cili Teorinë e Relativitetit e formuloi kur ishte 25.

Ndoshta je ngutur dhe për një moment ke kujtuar se te gërmadha propagandiatike që u shemb është bërë kulturë. Jo, Anna Shkrepi, jo. Atje brenda nuk u bë asnjë kulturë, e as art kurrsesi. Atje brenda u kryen vetëm krime.

Nuk ishte vend meditimi, ishte mur pushkatimi.

Nuk ishte teqe, ishte hale.

Nuk ishte xhami, ishte karamanjollë.

Nuk ishte tempull, ishte varr.

Gjoja nami i mirë për të cilin flasin sot ata qyqarë nuk ka ekzistuar kurrë. Njerëzit nuk kishin asnjë ide çfarë broçkullisnin. Unë, për shembull, dhe plot e plot të tjerë si unë, atje brenda nuk qemë kurrë. Aq e vërtetë qe neveria që shqiptarët kishin për këllirën propagandistike, sa nga Vermoshi në Konispol dhe nga Divjaka në Devoll, njerëzit thoshin nën zë: “Na janë bërë ‘korifenjtë’ e skenës si robt e shtëpisë”. Se laj-thaj televizori ata nxirrte. Dhe deshën-s’deshën, shqiptarët mbajtën mend batutat e neveritshme të filmave dhe pjesëve teatrale me komunistë syshkaba, spiunë, sabotatorë, diversantë katilë. S’kishin nga t’ia mbanin. S’kishte alternativë. Dhe sot, për t’i rritur namin vetes, zbrazjen e kokës dhe mungesën e alternativës, po përdorin krimin e kahershëm, po shfrytëzojnë. Dhe bëjnë sikur s’e dinë se nuk ka kurrkund në botë karamanjollë, mur pushkatimi, laborator kaviesh në mes të kryeqytetit.

Anna Shkrepi, Shqipëria nuk ka shumë si ty. U bë ç’u bë, rifitoje lavdinë që të përket. Mos lejo botën të modelojë bota ty. Bëje botën si veten, trime dhe shkrepëtintare. Jo me zigzage. Me sulm. Nxirr shpatën nga milli dhe zbrit përsëri në arenë, e vrit e prit majtas e djathtas sa të ha dora e sa të arrin mendja.

Kthehu Anna! Kthehu te Hyu! Kthehu te muzeu. Kthehu te Anna tjetër, ktheu te adashja jote, te qiejt e saj, te vullneti i saj i pafundmë! Kthehu ku të duash. Vetëm tek vendi i krimit mos u kthe kurrën e kurrës. Po u ktheve ku duhet, s’është çudi andej nga jugu të ngrenë këngë “Dy Anna ka bota, një Shqipëria, një Rusia”. Po u ktheve ku qe, ballet e bronzëta të shtatoreve të Naimit, Fishtës, Lasgushit do mbushem me bulëza djerse nga lumnimi.

Po nuk u ktheve, ah në këtë kombinacion fatkeq, përgjigjen do të ta japë Anna tjetër kur të gulçojë nga varri:

“Jo nuk jam unë, një tjetër është që heq.

Unë nuk do të duroja. Sa ka ngjarë,

le ta mbulojnë qefinët e zes,

Fenerët, le të sjellin,

Natë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.