OPINION

Edi Rama, një bunker me arsye për dorëheqje…!

07:32 - 27.05.20 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 “…dorëheqja e Edi Ramës nuk do të linte një gropë të pambushëshme. Vetë PS, PD dhe opozita, shoqëria civile, elita intelektuale shqiptare, diaspora shqiptare i kanë me bollëk njerëzit e aftë, me CV, diploma, vlera, merita, kontribute djerse të pastër…”




Para rreth një viti, më 24 maj 2019, po në “Gazeta Shqiptare”, kam botuar opinionin e titulluar “Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqje të paktën 6 herë…”. Po i përmbledh fare shkurt këto 6 arsye, për t’i lënë vend arsyeve të bollshme gjatë një viti, nga ajo kohë deri më sot.

Arsyeja e parë lidhej me skandalin në Austri, më 17 e 18 maj 2019, që detyroi kancelarin Sebastian Kurz dhe gjithë qeverinë e tij të jepnin dorëheqjen dhe për kalimin në zgjedhje të parakohshme politike. Referimi tek kjo ngjarje kishte si qëllim për t’i kujtuar kryeministrit Edi Rama se fjala dhe praktika dorëheqje, për shkak qoftë edhe të një skandali të vetëm e jo më të një zinxhiri të gjatë skandalesh, ekzistojnë edhe në fjalorin dhe arkivin politik dhe qeverisës të vetë PS-së. Arsyeja e dytë ishte “harresa” nga Edi Ramë e bunkerit të madh, mbushur me premtime, me të cilat erdhi në pushtet, më 23 qershor 2013 dhe më 25 qershor 2017.

Arsyeja e tretë lidhet po me njërin nga premtimet kryesore të Edi Ramës dhe taborit të tij politik dhe qeverisës, se do të krijonin shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional, që do t’i detyronte bosët e krimit, trafiqeve, korrupsionit… të kërkonin fshehje e shpëtim nëpër vrimat e minjve. Por, në të kundërt, ai futi plot prej tyre në parlament, në radhët e grupit të tij të deputetëve dhe në përbërje të qeverisë, si ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm…Të tjerë, i bëri kryebashkiakë, prefektë, kryekomisarë të policisë, kryedoganierë, kryetatimorë, drejtorë agjencish…I mbrojti, sikur t’i kishte vëllezër, kur i propozoi dhe emëroi, por, nuk reshti duke i mbrojtur edhe kur iu hoqën “petat lakrorëve” të tyre dhe u dolën pisllëqet e shumta nga e shkuara nëpër burgje dhe nëpër dosjet e drejtësisë në Shqipëri e në vende të tjera.

Arsyeja e katërt lidhet me kanabizimin e mbarë vendit gjatë 7 viteve të qeverisjes Rama. Arsyeja e pestë lidhej me korrupsionin e pafre gjatë 7 viteve të qeverive Rama. Shumica e shqiptarëve që i dhanë votën Edi Ramës më 23 qershor 2013 dhe 25 qershor 2017, besuan dhe shpresuan se ai do të ishte i sinqertë dhe i suksesshëm edhe në premtimin për t’i bërë gjëmën korrupsionit në të gjitha nivelet e piramidës politike, qeverisëse, administrative, shtetërore në Shqipëri. Por, sot, besoj se shumica e tyre janë bindur se korrupsioni jo vetëm që nuk u ul dhe kufizua, por mori përmasa edhe më të frikshme e më rrënuese dhe ka ngjitur nivele marramendëse në të gjitha qelizat e shtetit dhe të administratës.

Arsyeja e gjashtë për dorëheqjen e Ramës lidhej me skandalin Bechetti. Më 14 dhe 15 maj 2019 biznesmeni italian Francesco Becchetti fitoi gjyqin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe 110 milionë euro gjobë për Shqipërinë, për shkak të vendimeve arbitrare të kryeministrit Edi Rama, në qershor 2015, për t’i ndërprerë investimet dhe projektet e Bechettit në Shqipëri.

Qysh nga 24 maj 2019, gjatë vitit të tretë të mandatit të tij të dytë, fare të kotë, plotësisht të dështuar, mbushur me skandale e PPP, që qelben era korrupsion deri në Uashington, Bruksel, Berlin, Edi Rama vetë dhe si ekip qeveritar, u tregua “bujar” për të na dhënë arsye të tjera për dorëheqjen e tij dhe si qeveri. Lista e tyre është e gjatë. Ja disa: tërmeti i 26 nëntorit 2019, coronavirusi dhe coronakomedia me masat e egra, absurde dhe absolutiste në kuadër të pandemisë; mosmbajtja e premtimeve për mbështetje të shpejtë e të ndjeshme për viktimat e tërmetit dhe të pandemisë…

Lidhur me këto, lulëzimi i tenderëve, koncesioneve dhe PPV- me procedura të përshpejtuara, krejt formale, dhuruar ortakëve apo oligarkëve të partisë dhe të qeverisë, shoqëruar edhe me djegie arkivash, si në rastin e freskët në Ministrinë e Shëndetësisë…Lista vazhdon me mos ndezjen e dritës jeshile edhe këtë pranverë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE; me “vrasjen qysh në fetus” të reformës në drejtësi, SPAK-un, OFL-në…Arsye të tjera për dorëheqjen e tij shumë të merituar dhe të vonuar, falur po nga vetë Edi Rama, janë qëndrimi i tij konstant në mbështetje të Hashim Thaçit dhe të Vuçicit, për skenarin e vjetër serbo-rus, reklamuar si një “shans i artë” për paqen e përjetshme Serbi –Kosovë, të bisedimeve me “fund të lumtur” shkëmbimin e territoreve, me shumë gjasa duke rrëmbyer Serbia Mirtovicën e veriut, përfshirë Trepçën. Por, edhe për mbështetjen e Thaçit dhe të Vuçiçit edhe për t’ia shkurtuar jetën qeverisë së Albin Kurtit e për ta detyruar atë të hiqte taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Dhurata” më e freskët dhe kulmore e Edi Ramës qe shembja e Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020 dhe dhuna kafshërore e treguar nga policët e Sandër Lleshajt ndaj aktorëve, regjisorëve dhe qytetarëve, mbrojtës të kësaj vepre emblematike të trashëgimisë sonë kulturore, teatrore dhe kinematografike, që po atë ditë, “jo rastësisht”, shënoi edhe fundin e “corona-komedisë”. Por dorëheqjen e Edi Ramës e bën edhe më të domosdoshme dhe urgjente edhe vetë cv-ja dhe paaftësia e tij për atë post. Është absurde, paradoksale dhe thuajse aventurë popull-vrasëse, që edhe sot e kësaj dite, në vendin më të varfër në Evropë, vazhdon të jetë prej 7 vitesh kryeministër një piktor, me përfolje dhe probleme nga adoleshenca e rinia; nga ditët shtruar në Spitalin Neuro-Psikiatrik apo Nr.5 në Tiranë e nga kartela e tij mjeksore, bërë publike në media dhe rrjete sociale, në Shqipëri, Kosovë, Greqi, e tj., më 2017-2019 dhe më freskët më 23 dhe 24 maj 2020, nga avokat Ilir Malindi; nga vitet e emigracionit në Francë; nga lidhjet e mëparshme bashkëshortore apo si bashkëjetesa; nga firmat dhe vulat rreth 22 viteve si Ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryeministër…Dhe për më tepër, në këtë vend prej rreth 10 vitesh në krizë; me rënie drastike, në perspektivë deri minus 9 të treguesve kryesorë të zhvillimit dhe të ardhurave, si rrjedhojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, pandemisë së coronavirusit, rritjes së pandalshme të borxhit publik, të PPP-ve skandaloze, etj.

Një arsye tjetër e vjetër dhe e re është paaftësia e qeverisë dhe institucioneve të saj, për të ndaluar fluturimin e çmimeve të shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm, jetik, dhe të faturave të energjisë elektrike, të ujit, paketave të internetit dhe të telefonave celularë, të ilaçeve, karburanteve, biletave të avionëve… drejt qiellit, duke na i zhvleftësuar ato rimbursime apo rritje qesharake pagash e pensionesh, jo rastësisht, çdo 1 prill, nga qeveria Rama, deri aty sa shumë pensionistë t’i luten e përgjërohen: “Aman, kryeministër, mos na i rrit më pensionet!”

E logjikshme, e pritshme dhe e lavdërueshme do të ishte sikur të ndodhte mrekullia që Edi Rama, me tejngopje të ambicieve dhe dëshirave, edhe përtej ëndrrave dhe pritshmërive të tij të kuptonte e pranonte, pa ia lënë në derë fajet dhe përgjegjësitë të tjerëve, se kishte dështuar plotësisht, se ishte krejt i paaftë për ta qeverisur vendin në kushtet e krizave të thella shumëformëshe e me një të ardhme edhe më të rëndë, si rrjedhojë e thellimit të tyre. Ai mund të fitonte pikë nëse do të dilte para shqiptarëve dhe t’u thoshte me dorën në zemër: “Më falni, o vëllezër e motra! Kaq dita e kaq bëra. Fundja një piktor e ish basketbollist jam! Unë po jap dorëheqjen! Mendoni për një kryeministër shumë më të aftë se unë dhe për një qeveri shumë më të mira se të miat!” Nuk mund të merret me mend se kush i fryn në veshë apo me mesazhe më shumë Edi Ramës, që të qëndrojë si “shkëmb graniti në fron” e të mos i “dëgjojë” kambanat për dorëheqje. Vetvetja, ambiciet cinike, frika e ndëshkimit për ato që ka bërë e nuk ka bërë? Shokët dhe shoqet e “tufës”, ortakët, oligarkët, bosët e çfarëdollojshëm, që kanë qenë ndër të fituarit më të mëdhenj prej firmave dhe vulave të tij dhe që do të jenë humbësit më të mëdhenj nga mungesa e tyre? “Baronë”, “pronarë” ndërkombëtarë, si Sorësët at e bir, e tj, të cilëve nuk u ka plotësuar 100% misionin, detyrat, kërkesat për ta bërë Shqipërinë ferr për shumicën e qytetarëve të thjeshtë të të gjitha ngjyrave dhe bindjeve partiake dhe parajsë për bosët e krimit, të trafiqeve, korrupsionit, “prostitucionit politik” si dhe “kafshatë” lehtësisht të kapërdishme për të ngopur orekset e reja aneksioniste të Serbisë dhe Greqisë…?

Dorëheqja e vullnetshme e Edi Ramës mund t’i shërbente edhe PS-Rilindjes për ndërgjegjësimin se pas përgjegjësive individuale dhe ekipore të tij, me shokë e shoqe, pas dështimeve dhe skandaleve të tyre, shprehen dhe gjenden lehtë edhe fajet dhe përgjegjësitë e tyre partiake. Nëse ka akoma burra dhe gra në PS-Rilindje, që u vjen keq e turp për gjendjen, në të cilën e kanë katandisur partinë dhe vendin e tyre, se sa keq i kanë mashtruar dhe shfrytëzuar mbështetjen e anëtarësisë, të militantëve dhe votuesve të tyre, atyre u takon të pranojnë burrërisht apo shqiptarisht se 7 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë djegur jo vetëm atë individualisht dhe si ekip, por edhe të gjithë “të majtën”. Nëse do të arrinin deri në këtë shkallë ndërgjegjësimi, do të të kishin kurajë të ftonin opozitën, shoqërinë civile, elitën intelektuale të pavarur, diasporën shqiptare, për t’u mbledhur e për të diskutuar seriozisht dhe jo me llogje komisionesh parlamentare, për të krijuar një qeveri të re me koalicion të gjerë partiak, por me figura me të vërtetë të reja e të pakonsumura. E kam fjalën për t’u hapur zemrat, mendjet dhe dyert një kontingjenti të ri politik dhe qeverisës, me arsimim, edukim, emancipim, mentalitet perëndimor, modern, progresiv dhe demokratik, natyrisht jo të llojit apo standardit Elisa Spiropali, Rudina Hajdari…

Fatmirësisht, dorëheqja e Edi Ramës nuk do të linte një gropë të pambushëshme. Vetë PS, PD dhe opozita, shoqëria civile, elita intelektuale shqiptare, diaspora shqiptare i kanë me bollëk njerëzit e aftë, me CV, diploma, vlera, merita, kontribute djerse të pastër…Këta mund t’i kryenin shumë më mirë, shumë më me përgjegjshmëri, ndershmëri, ndjeshmëri njerëzore dhe sociale, funksionet e Edi Ramës me shokë e shoqe.

Shqipëria ka nevojë për “qeveri teknike”, “qeveri të shpëtimit kombëtar” apo edhe me emra të tjerë, me kryeministër dhe ministra- ekspertë të njohur, sidomos nga fusha ekonomi-financa-informatikë, inxhinieri, jurisprudencë… dhe jo nga mjekësia, piktura e sportet…,mundësisht jo kukulla e të varur nga kryetarët apo e kaluara e tyre nëpër dosje inkriminimesh dhe drejtësie në vend e në botë …Nëse Edi Rama do të bindet vetë apo detyrohet të japë dorëheqje “humbet” vetëm ai, familja e tij, kontingjenti i njerëzve të lidhur me atë nga interesa dhe “tela” ngushtësisht karrieriste, financiare, ortakërore, klienteliste…Por, në qoftë se largohet me dëshirën e vet, humbja e tij do të jetë shumë më e vogël dhe e përkohshme, sepse do të tregonte emancipim politik, demokratik, intelektual, qytetar… Nga ana tjetër, shumë shpejt do të bëhet e qartë se do të fitojnë ndjeshëm Shqipëria, të gjithë shqiptarët, kombi… Prandaj, dorëheqja e tij ka më shumë arsye të përjetohet jo si gjëmë, por si festë kombëtare.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.