Kryesore

Letërsia e grave në diktaturë, mes imazhit të burrave e dasive

13:50 - 27.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Letërsia e grave në diktaturë dhe pas saj vjen e rrëfyer nga dy shkrimtaret e njohura, Helena Kadare dhe Diana Çuli. Shkas bëhen tregimet e Sadije Agollit, të shkruara në vitet 1970 dhe të botuara vetëm së fundmi,  pas vdekjes së saj. Redaktorja e librit flet për to. “Mua mi dha tregimet e Sadijes, Elona. Ajo i gjeti, se Sadija nuk kishte dashur t’i botonte. Elona mbasi mendoi se mund të botoheshin, u lidhëm bashkë, mi dërgoi për shikim dhe për ndonjë redaktim dhe bëra edhe hyrjen”, thotë Diana Çuli, redaktore e librit. Dorëshkrimet e Sadijes mbetën në sirtarë, anipse tejkalonin gazetaren e kahershme, duke sjellë një letërsi që kapërcen ngjarjet reale. “Për mua këto tregime kanë qenë moment prekës se u riktheva në kohën time të rinisë kur kam njohur Sadijen, kur hyra në lidhje e njoha Dritëroin dhe më treguan se letërsia nuk ka kohë. Ato lexohen me endje edhe sot. Në vitet 1970 duhet t’i ketë shkruar, subjekt janë vitet 1970. Mendoj se Sadija ka dalë te letërsia e vërtetë, ka kapërcyer ngjarjen reale, ka tipizuar, ka shkruar një tregim që ka qenë e frymëzuar, por ka bërë letërsi. Nuk mund të them për kë e ka. Por, them se ky fenomen ka qenë i përhapur në atë kohë. Unë ndjej veten sikur e shoh atë skenë, nuk ka rëndësi kush ka qenë aty, nuk më duhet”, thotë Çuli. Nëpër faqet e botimit “E dikurshmja në apartamentin nr.13” shpërfaqet në tërë përmasat e saj bota e gruas, rinia e viteve ‘70 dhe jeta në apartamentet luksoze të Tiranës. Kur Çuli pyetet se si është e mundur që në tregimet e Sadijes nuk e gjen domosdo imazhin që ne kemi për atë kohë, ajo përgjigjet se, “ndoshta kemi krijuar një mendim të gabuar për kohën. Ajo ishte jeta e familjeve që përshkruan Sadija. Ato janë familjet e intelektualëve që kishin biseda të vështira, për këtë janë të bukura si tregime, se është pjesë e palëvruar shumë”. Tregimet kanë pritur 40 vite për të parë dritën e botimit, ndonëse Sadija i ka pasur të gjitha mundësitë t’i botonte. Ndaj pyetja shtrohet, çfarë ndodh me gratë e librave dhe letërsisë kur ato martohen me shkrimtarë në zë? A ishte kjo arsyeja pse u step Sadije Agolli? “Nuk është kaq e thjeshtë ta gjesh se çfarë procesi psikologjik ka kaluar. Edhe unë këtë mendoja kur i shihja tregimet. Që janë të bukura, prekëse e të shkuara me mjeshtëri. Duke bashkëjetuar me Dritëroin, pema e madhe e lëshon hijen e madhe. Nuk ka qenë e lehtë për gratë, në këtë botën shumë të rëndë të burrave shkrimtarë ka qenë perfeksioniste dhe mund të ketë menduar t’i bëjë më mirë. Sadija ka mbajtur shumë peshë në bashkëjetesën e saj me Dritëroin”, thotë Diana Çuli. Procesin psikologjik të një gruaje shkrimtare të martuar me një shkrimtar të njohur e sqaron Helena Kadare. Ndërsa përballja e gruas me letërsinë e madhe, me skenat e mëdha, ka qenë në një sforcim të vazhdueshëm kudo në botë, si një luftë e pazëshme për të shpërfaqur talentet e stilet e pangatërrueshme. Me gjithë dasinë që prekte deri raftet e bibliotekave, emrat nuk kanë munguar. Gratë, ato që duken si artiste të një bote fluturake, që shfaqen e fshihen me një magji vezulluese përkrah shkrimtarëve burra, që kërkojnë dhe japin letërsi, Helena Kadare i sheh shumë të pranishme, paçka perceptimit të krijuar. Nën presionin e një kohe tjetër, shtigjet që gjetën gratë shkrimtare, Çuli i ravijëzon përmes tematikash, që dalin në pah qartë edhe te tregimet e Sadije Agollit, që i mbajti pabotuar. Në mesin e grave shqiptare pati një frymë të përbashkët e krejt të pakoordinuar mbi tematikat. Atëkohë, ato nuk ishin në kontakt me letërsinë e grave në Lindje.        




Me ardhjen e lirisë, shkrimtaret gra u vunë para një realiteti të ri. Nëse censura e dikurshme përbente shtrëngesë, liria e pamatë ishte sfidë. “Ajo që ndodhi ishte ndryshimi, liria që patëm. Patëm një liri të madhe si vendet demokratike, kishe përgjegjësi të madhe. Unë e kisha nisur karrierën time para, trileri i mëparshëm quhej ‘Hoteli i drunjtë’. Në këto 30 vjet kam më shumë vepra se përpara dhe nuk mendoja se mund të shkëputesha. Me ‘Hotelin e drunjtë’ kuptova që mund ta bëja më mirë dhe shkrova ‘Vrasje në Kryeministri’”, thotë Çuli. Në romanin e saj të fundit, “Vrasje në kryeministri” të sapobotuar edhe në gjuhën italiane,  u jep grave role të mëdha. Letërsia e grave, tematikat, shtrëngesat, kushtet në të cilat krijuan mbetet një fushë me interes për t’u studiuar.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.