OPINION

Paratë që nuk shihen

08:24 - 27.05.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, ose zyrtarizoi përdorimin edhe tek ne të monedhave që nuk shihen, fryt i teknologjisë. Të quajtura ndryshe monedhat virtuale, dixhitale ose kriptomonedhat (monedhat e padukshme). Të tilla sot bota qarkullon mbi 4 miliardë dollarë në ditë. Megjithatë, vendi ynë shndërrohet ndër shumë të paktat vende të Europës, që e rregullon këtë aktivitet me ligj. Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë ligj të veçantë, Malta dhe Franca. Ligji ynë vendos gjoba dhe masa administrative kundrejt abuzimeve me paratë virtuale. Baza e një kriptomonedhe është një sistem elektronik pagesash i decentralizuar. Ai është i hapur, pra i disponueshëm për qytetarin dhe i rregulluar nga një protokoll elektronik i hartuar privatisht. Protokolli elektronik kryen rolin që ndërmjetësit klasikë, garantues të pagesave kryejnë në sistemet tradicionale të pagesave, sikurse janë bankat qendrore. Monedha e parë që nuk duket, doli 11 vjet më parë. Më 3 janar 2009, japonezi Takashi Nakamoto publikoi dokumentin e protokollit elektronik të Bitcoin, duke krijuar kriptomonedhën e parë prej 50 njësish. Bitcoin përbën edhe sot monedhën më të përhapur dhe më të njohur të monedhave virtuale, me 87 për qind të transaksioneve. Ndonëse fillimisht interesi publik për Bitcoin ishte i vakët, numri i transaksioneve elektronike me të u rrit me ritëm eksponencial. Në fund të vitit 2011, numri i transfertave të konfirmuara nuk ishte më tepër se 5-6 mijë transaksione në ditë. Ndërsa në muajt e fundit tetor–dhjetor 2019, numri i transfertave të kryera nëpërmjet Bitcoin ka shkuar në 250-450 mijë transaksione në ditë, ose nga 2 në 4 miliardë USD në ditë. Pas monedhës së parë virtuale Bitcoin, kanë dalë edhe të tjera si Ripple, Ether ose Litecoin.




Aktualisht, numri i monedhave virtuale që operojnë në rrjetet kompjuterike të decentralizuara shkon në mbi 1000. Pjesa më e madhe e tyre mbështeten te teknologjia e regjistrit të decentralizuar (distributed ledger technology), që njihet me emrin ‘Blockchain’. Ato mund të blihen në një platformë këmbimi, duke përdorur monedha të tilla si euro, dollar amerikan apo paund (sterline) britanik. Sipas ligjit tonë, zotërimi i kodit të kriptomonedhës i jep përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose dhe përdorimi si instrument pagese në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, njëlloj si paraja letër. Më 22 shkurt 2018, Banka e Shqipërisë paralajmëroi qytetaret të jenë dyshues dhe të mendohen mirë para se të investojnë paratë e veta në të ashtuquajturat “kriptomonedha”. Paralajmërimi i bankës sonë qendrore vinte fill pas njoftimit të ngjashëm të publikuar nga tri institucione rregulluese europiane, Autoriteti Europian i Titujve dhe Tregjeve, i cili mbikëqyr bursat dhe procesin e emetimit të letrave me vlerë, Autoriteti Europian Bankar, i cili mbikëqyr bankat kryesore të Europës dhe Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit. Në njoftim cilësohej se “Monedhat virtuale që operojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere, që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzura dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore”. Zbatimi i ligjit të miratuar këtë të enjte nga Kuvendi sjell shumë paqartësi. Nëpërmjet teknologjisë se monedhave që nuk shihen mund të kalosh pa kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat dhe shoqëritë financiare jobankare, të cilat njoftojnë në kohë reale autoritetin për pastrimin e parave për transaksione me origjinë të dyshimtë mbi 10,000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash. Edhe pse ligji i porsamiratuar përpiqet të parandalojë pastrimin e parave, duke kërkuar nga çdo mbajtës i licencës për tregtimin e kriptomonedhave krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet, në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, se si do ta bëjë konkretisht është shumë e paqartë. Teknologjia Blockchain i shmang rregullatorët dhe përbën rrezik konkret për pastrim parash. Ajo anashkalon hallkat ndërmjetëse kontrolluese, si për shembull noterët, siguruesit dhe bankierët, duke na kërkuar që të besojmë vetëm në teknologjinë dixhitale. Jemi me fat që kemi një bankë qendrore të përgjegjshme, si Banka e Shqipërisë, e cila e ka përballuar me profesionalizëm këtë periudhë të vështirë të pandemisë, por ajo e vetme nuk mund të kontrollojë tregun e ri paralel të kriptomonedhave që do të lulëzojë në Shqipëri, pas daljes së këtij ligji. Edhe pse futja në përdorim e monedhave virtuale do të bëhet vetëm nga subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilët do të mbikëqyrin këtë treg për të mos lejuar shkelje të ndryshme, nuk kemi asnjë siguri që ky treg paralel dhe virtual nuk do të pastrojë para droge, krimi dhe korrupsioni.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.