Kryesore

Zbardhet udhëzimi i MASR: Provimet e lirimit nuk do të zhvillohen

12:43 - 27.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza Duro – Provimet e lirimit për vitin shkollor 2019-2020 nuk do të zhvillohen për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë notat e këtyre provimeve këtë vit do të zëvendësohet nga vlerësimet që do të bëhen duke u bazuar në rezultatet që kanë arritur nxënësit përgjatë viteve të arsimit të ulët. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot vendimin e ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, Besa Shahini ku shpjegohet procedura e vlerësimit të nxënësit me notë në provimet kombëtare të arsimit bazë.
“Në mbështetje të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të neneve 26 dhe 50, të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19″, udhëzoj: Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë (PKAB), për vitin shkollor 2019-2020, nuk do të zhvillohen, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Vlerësimet e nxënësve me notë për këto provime do të bazohen në rezultatet e nxënësit gjatë të gjitha viteve të arsimit të mesëm të ulët”,-thuhet në udhëzimin e hyrë në fuqi menjëherë pas botimit të djeshëm në Fletoren Zyrtare.

Procedura e vlerësimit
Në udhëzimin Nr. 13, datë 18.5.2020 “Për vlerësimin me notë të nxënësve që nuk do t’u nënshtrohen provimeve kombëtare të arsimit bazë, viti 2019-2020, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19” sqarohet procedura që do të ndiqet për vlerësimin e nxënësve të klasave të nënta. Procedura e sipërpërmendur do të kryhet nga komisionet e vlerësimet të lëndëve të PKAB-së (Komisionet e Vlerësimit), të ngritura për çdo lëndë, në institucionet e arsimit parauniversitar, me urdhër të drejtorit të shkollës. Komisioni i Vlerësimit do të përbëhet nga 3 anëtarë që do të jenë drejtori i shkollës; nëndrejtori që mbulon lëndën përkatëse; si dhe mësuesi i lëndës në klasën e nëntë. Nëse në institucionin arsimor nuk ka nëndrejtor, anëtar komisioni do të zgjidhet një mësues i së njëjtës lënde, ose një mësues i lëndës së përafërt me lëndën që është provim kombëtar. “Për të kryer procedurat e vlerësimit të nxënësve me notë në PKAB, Komisioni i Vlerësimit duhet të plotësojë një evidencë, në të cilën të pasqyrohet: a) Nota përfundimtare e klasës së 6 (gjashtë); b) Nota përfundimtare e klasës së 7 (shtatë); c) Nota përfundimtare e klasës së 8 (tetë); Nota përfundimtare e klasës së 9 (nëntë); Nota e vlerësimit të nxënësit në lëndën përkatëse të PKAB-së të llogaritet me formulën: NPK = ëNP klasa 6 + NP klasa 7 + NP klasa 8 + NP klasa 9] : 4, ku NPK është nota e provimit kombëtar në lëndën përkatëse, NP është nota përfundimtare e lëndës për klasën përkatëse”,-thuhet në udhëzimin e MASR. Sakaq, Komisioni i Vlerësimit do të mbajë procesverbal për rezultatet e nxënësve në lëndën përkatëse të arsimit bazë, të cilat dërgohen në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVA). ZVA do të monitorojë Komisionet e Vlerësimit dhe raportojnë në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), për procedurat e vlerësimit të nxënësve në PKAB. ZVA do të ruajë dhe dërgojë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, rezultatet e nxënësve. Procedura e parashikuar në këtë udhëzim do të zbatohet edhe për vlerësimin e nxënësve të pakicave kombëtare në lëndën “Gjuhë amtare”, të nxënësve të seksioneve dygjuhëshe, të nxënësve të shkollave speciale, si dhe të nxënësve mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë në vitet paraardhëse. Udhëzimi nr. 3, datë 25.2.2020, “Për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë në Republikën e Shqipërisë, viti shkollor 2019- 2020, sesioni i parë”, shfuqizohet. “Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet e arsimit parauniversitar. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”,-nënvizohet në udhëzim.

Vlerësimi në arsimin fillor

Ministria e Arsimit ka vendosur moskryerjen e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor për vitin shkollor 2019-2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID 19. “Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të neneve 26 dhe 50 të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, udhëzoj mosorganizimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor, për vitin shkollor 2019- 2020, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Udhëzimi nr. 5, datë 27.2.2020, “Për zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor 2020″” shfuqizohet”,-nënvizohet në vendimin e hyrë në fuqi ditën e djeshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.