Kryesore

Mjeku Besnik Jakaj: Izolimi në fundjavë, pasoja të tmerrshme për qytetarët

15:00 - 28.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pas rreth 3 muajsh nga fillimi i epidemisë COVID-19, në Shqipëri nuk ka të dhëna të qarta se sa shqiptare janë infektuar, e në cilën masë është krijuar imuniteti i tufës. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku Besnik Jakaj, ish- drejtor i ISHP-së. Ai thekson se Urgjenca Kombëtare kaloi në kolaps të plotë, duke mos pasur mundësi të jepte shërbim për shkak të fluksit nga i gjithë vendi. Jakaj e cilëson si një gabim fatal Ishte lënien jashtë funksionit të mjekëve të familjes, që sipas tij janë struktura e parë e specializuar për përballimin e pandemisë. Për sa i përket izolimit në fundjavë, Jakaj thekson se vendime të tilla në mes të natës nga kryeministri janë fyese dhe kanë pasoja tmerrësisht të mëdha për vendin dhe qytetarët.




Si është menaxhuar situata e pandemisë COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë deri tani?

Në gjykimin tim ka pasur një menaxhim jo të mirë të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë. Fillimi i menaxhimit të pandemisë u bazua jo mbi standarde shkencore epidemiologjike, por u fokusua tek demagogjia dhe tek mungesa e transparencës. Ministria e Shëndetësisë krijoi një task-forcë me frymëzime totalisht politike ku qëllimi në vetvete ishte propaganda. Në këtë task-forcë mungonin profesionistët e fushave përkatëse për menaxhimin e një pandemie, siç janë mjekët, epidemiologët, higjienistët, specialistë të shëndetit publik, mikrobiologët, gjenetistët, etj. Kjo task-forcë kishte në përbërjen e saj zv/ministren e shëndetësisë, drejtorin e ISHP, drejtorin e Urgjencës Kombëtare. Të gjithë këta kanë rëndësinë e tyre në këtë menaxhim, por nuk mundet në asnjë mënyrë të jenë vetëm këta, pasi janë drejtues politik dhe natyrshëm janë në konflikt interesi dhe janë të detyruar, për pozicionin që kanë, të zbatojnë në mënyrë të panegociueshme urdhrat dhe direktivat e qeverisë.

Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria menjëherë pas konfirmimit të rastit të parë me COVID-19 në vendin tonë?

Në rastin konkret të pandemisë COVID-19, duhej një trupë profesionale ekspertësh, të pavarur dhe pa konflikt interesi, e përbërë nga specialistë të fushave që përmenda më lart dhe mbi baza shkencore, të jepnin direktivat teknike për qeverinë, për menaxhimin e pandemisë dhe qeveria t’i kthente në urdhra për zbatim. Në fakt, u bë komplet e kundërta, sapo u konfirmua rasti i parë pozitiv me COVID-19 në datën 9 mars, qeveria dhe MSH morën masa drastike të izolimit të popullatës, pa asnjë plan masash mbi baza shkencore, por përqendruan të gjithë menaxhimin e pandemisë tek 127, Urgjenca, e cila e kishte të pamundur me kapacitetin që ka, të bënte triazhimin e rasteve, dhe të bënte selektimin e rasteve në baza shkencore, se kush ishte për t’u tamponuar kush për t’u hospitalizuar e kush për t’u vetëkarantinuar në kushtet e shtëpisë nën mbikëqyrjen e mjekeve.

Si u përballua situata nga Urgjenca Kombëtare?

Brenda pak ditëve urgjenca kaloi në kolaps të plotë, duke mos pasur mundësi të jepte shërbim për shkak të fluksit tejet të madh nga e gjithë Shqipëria, por kishte vetëm një përgjigje standarde nga operatorët, “qëndroni në shtëpi, nuk keni COVID”. Në kushtet e izolimit total të popullatës, njerëzit ishin të mbyllur në shtëpi dhe në pamundësi për të kërkuar ndihmë shëndetësore pasi, nuk kishte akse në shërbimin parësor tek mjeku i familjes apo në spitale, u detyruan të qëndronin në shtëpi, duke telefonuar 127 dhe duke marrë përgjigjen standarde, nuk keni COVID, qëndroni në shtëpi, pini paracetamol dhe vitamine C.

A iu dha roli që i takonte mjekut të familjes gjatë kësaj kohe?

Në muajin e parë kishim një numër shumë të vogël të tamponimit. Ishte një gabim fatal, lënia jashtë funksionit dhe jashtë përballimit të pandemisë e gjithë armata e mjekëve të familjes, të cilët janë struktura e parë e specializuar që përballen me eficience në përballimin e pandemisë, pasi janë të shtrirë në të gjithë republikën, dhe kanë informacion specifik shëndetësor për të gjithë banorët që mbulojnë. Ditët e para daljet ishin me thirrje demagogjike, po na bashkohen pensionistë, student, infermierë e shofer për të përballuar pandeminë, ndërkohë ishin lënë jashtë menaxhimit të pandemisë mjeku i familjes, shëndeti publik, mjekët specialistë të poliklinikave që ishin në gjendje të jepnin një kontribut të paçmuar në këtë situate.

Në kushtet që jemi sot, rreth 3 muaj pas fillimit të epidemisë, a mund të themi se hetimi epidemiologjik ka qenë i frytshëm?

Para kësaj dua të theksoj se problemi tjetër ishin, fashat e lejuara të orarit për qytetarët për të bërë pazare, për të marrë barna në farmaci etj., ishin totalisht të pa studiuara shkencërisht, pasi krijuan grumbullime të jashtëzakonshme duke favorizuar shpërndarjen e virusit. Në asnjë rast nga task-forca e ministria nuk u bë transparente, sa tampone kemi në dispozicion, sa analiza jemi në gjendje të bëjmë në 24 orë, sa kapacitet kemi për hetim epidemiologjike në rastet e konfirmuara pozitiv, sa është numri i zinxhirit të kontakteve që është bërë hetimi epidemiologjik dhe tamponimi i tyre, sa vdekje ka pasur në Shqipëri tre mujorin e fundit, dhe a është bërë tamponim apo analizim, apo autopsi post mortum për të parë nëse kemi pasur vdekje të tjera nga COVID në këtë periudhe apo jo?!? Vetë kurba që është deklaruar nga MSH tregon që ne nuk kemi të dhëna të qarta për pandeminë, për të bërë një analizë faktesh. Sot nuk jemi në gjendje të themi mbi baza shkencore dhe statistikore, se sa shqiptare janë infektuar me COVID-19, sa prej tyre janë asimptomatike, e sa simptomatike, sa kanë vdekur vërtet nga virusi dhe sa janë shëruar, e në finale sa është krijuar imuniteti i tufës. Në gjykimin tim ne kemi bërë vetëm izolimin e popullatës, por edhe kjo ka qenë jashtë kontrollit pasi izolimi me masat më drastike në Europë e më gjerë pa kurrfarë studimi shkencor, ka dhënë efekte jashtëzakonisht negative në ekonomi, në aspektin psikologjik, si dhe ka favorizuar sëmundjet kronike, e një sërë faktorësh të tjerë që ishin totalisht jashtë fokusit të kujdesit shëndetësor.

A duhej të mbylleshin fasoneritë dhe call center-at? Po masat e marra për fundjavën si i vlerësoni?

Në kulmin e pandemisë, qeveria la të hapura fasoneritë dhe call-center-at, të cilat dihet që kanë grumbullimet ndër më të mëdha, dhe pa ruajtur asnjë lloj distance fizike në ambiente të mbyllura dhe pa masa mbrojtëse. Duke shtuar këtu edhe mungesën e seriozitetit në fashat orare, të vëna nga “Facebook”-u: të dielën gratë me fëmijë; në makinë burri para gruaja mbrapa; qytetarët nuk lejohen buzë detit me familjarët e tyre në qytetet bregdetare. Të premten në 11 të darkës jepet njoftim nga kryeministri se edhe kjo fundjavë do jetë në izolim të plotë. Të shtunën me qindra punonjës janë paraqitur në punë dhe kanë gjetur biznesin e mbyllur me urdhër nga lart në mes të natës. Ky nuk është menaxhim, kjo është totalisht fyese dhe shumë e dhimbshme për njerëzit që nuk kanë bukë të hanë dhe duhet të ushqejnë fëmijët. Raste të tilla nuk duhen përsëritur sepse në gjykimin tim pasojat janë tmerrësisht të mëdha për vendin dhe qytetarët.

Sipash jush si mund të menaxhohej pandemia në Shqipëri?

Bazuar në informacionin që kam dhe eksperiencën në menaxhim shëndetësor mendoj se menaxhimi i pandemisë duhej bërë bazuar në disa kolona kryesore që janë: Krijimi i një trupe ekspertësh të pavarur, dhe pa konflikt interesi, të cilët t’i propozonin qeverisë masa të bazuara shkencërisht për menaxhimin e pandemisë; ivolvimi i mjekut të familjes dhe shërbimit parësor shëndetësor; rritja maksimale e numrit të testimeve; krijimi i një numri të madh shtretërish të gatshëm për hospitalizim në rastin më të keq, dhe jo vetëm në Tiranë, por në 12 spitalet rajonale; lënia hapur pa orare në qytetet e mëdha e marketeve, farmacive, furrave të bukës, duke ju bërë të qarta rregullat e sigurisë për popullatën dhe për punonjësit që shërbejnë pasi kjo do eliminonte grumbullimet e panevojshme; ofrimi i shërbimit shëndetësor për të sëmurët kronik; izolimi maksimal i moshave të treta, por jo duke i lënë totalisht jashtë kujdesit shëndetësor. Urgjenca Kombëtare dhe spitali infektiv, duhet të ishin pika fundore e menaxhimit të pandemisë në koordinim me mjekun e familjes dhe spitalet rajonale; sigurisht mbyllja direkte e fasonerive dhe call-center-ave ose ulja në maksimum e numrit të punonjësve brenda këtyre bizneseve, dhe monitorim i rreptë për zbatimin e masave. Ndërsa pjesa e shëndetshme e popullatës të ishte më e lirë në veprimtaritë e tyre duke respektuar masat mbrojtëse dhe duke u vendosur sanksione nga qeveria për zbatimin e tyre. Kjo në gjykimin tim do mbante nën kontroll pandeminë, do krijonte në mënyrë natyrore atë që në epidemiologji quhet imuniteti i tufës, do minimizonte efektet negative financiare dhe social-psikologjike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.