OPINION

Që ekselentët të shndërrohen në “neoshqiptarët” e fillimshekullit XXI

08:01 - 28.05.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Paradokohe, madje në valën e etheve të pandemisë, u ngrit një shqetësim që lidhej me sistemimin në administratën publike të brezit të përzgjedhur të ekselentëve të një viti më parë. Tashmë që ata janë sistemuar, nuk mund të mos bëjmë një falënderim publik, që edhe në mes të një problematike kaq të madhe si pandemia, shteti shqiptar, si ideatori i kësaj nisme, i kushtoi zgjidhjes së këtij problemi jo vetëm për të mbajtur fjalën e dhënë, por parësisht për t’i dhënë frymë dhe lëndë shpalosjes së një vizioni.




Sepse tani fillon më e vështira. Ajo që u nis nuk mund të lihet përgjysmë, sepse përndryshe do të vritet dalëngadalë nga burokracia idhnake dhe mbytëse e administratës. E që një gjë e tillë të mos ndodhë, duhet të kalojmë në një fazë të re, në një zhvillim të ri që të ngrihet mbi themelet e forta të një platforme. Në vitet 2000 gjenerata e re ishte ajo e internetit, në 2010 u shfaqën në administratë “rilindasit”, ndërsa në 2020, pra në gjeneratën që duhet të udhëhiqet nga ekselentët, duhet të shfaqen “neoshqiptarët”, të emblemizuar me shprehjen e famshme të Merxhanit: “Jemi më parë të shtetit dhe pastaj të vetes sonë”. Mirëpo që ekselentët të shndërrohen vërtet në “neoshqiptarët” e fillimshekullit XXI, ata duhet të rriten me përkujdesje atërore, të kultivohen në diellin e meritokracisë dhe të mbrohen nga furtunat që e vjetra, e rrënjosura, dallkaukllëku administrativ do të shfryjë për të dëmtuar lulëzimin e tyre. E këto dëme kësaj nisme mund t’i jenë të disallojshme. Së pari, sistemimi i tyre edhe për shkak të vështirësive objektive të vendeve të punës që ofron sistemi ynë, mund të mos sigurojë punësimin e këtyre të rinjve në profesionin e tyre, aty ku ata janë më cilësorë, më efektivë e mund të shpalosin të gjithë kapacitetin e tyre të dijeve dhe njohurive. Do të qe e këshillueshme të shikohej një mënyrë tjetër e korrigjimit të këtij problemi, nëpërmjet koordinimit ndërinstitucional për vendet e lira të punës që hapen herë pas here nëpër institucione të ndryshme, e që mund të sjellë pikërisht atë që ata kanë kërkuar përherë: të sistemohen, të kontribuojnë e të rriten në karrierë në profesionin e tyre. Në çdo vend pune jashtë profesionit të tyre, ata do të vyshken e do të plaken si shumë breza të tjerë të administratës së tranzicionit.

Një tjetër dëm, por kësaj here i patolerueshëm, mund t’i vijë kësaj nisme nga “muret” dashakeqë, xheloze e pse jo armiqësore, që administrata mund të vendosë përpara rritjes dhe kultivimit të tyre profesional. Zgjuarsia, morali dhe ndershmëria që i karakterizon, padyshim që mund të turbullojë ujërat e ndenjura të nepotizmit, tarafit dhe rrethit miqësor të institucioneve ku ata punojnë. Konkurrimi i tyre për vendet e lira të punës, rritja e tyre në karrierë, patjetër që mund të gjejë vështirësi të ecë nëpër moçalet e paaftësisë, e ndonjëherë edhe më keq, nëpër bataqet e korrupsionit. Mirëpo një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrsesi. Meritokracia është e vështirë që të imagjinohet si një faktor mbizotërues i sistemit tonë, por është imperative që të paktën kjo “gjeneratë e përzgjedhur” dhe e sistemuar me aq mund, të mund të ruhet e të mbrohet nga këto dëme e vështirësi aspak objektive, por defekte e boshllëqe të administratës sonë. Kushdo që do t’i ndalë në udhën e tyre të rritjes, konkurrimit dhe afirmimit, duhet të kujtojë se ata dolën nga gjiri i asaj lëvizjeje të mrekullueshme studentore tek e cila pati shpresë një Shqipëri e tërë, e që për qeverinë mund të qe një shuplakë, kurse për opozitën një grusht. Të gjithë duhet të kujtojnë se ata janë mundësia e vetme që të “shpërthejë” nga poshtë, ashtu me urtësinë, edukatën, moralin dhe profesionalizmin që i karakterizon, gjithë sistemin tonë administrativ, për t’u bërë pas kësaj shembull frymëzues edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Është një rrugë e vështirë për t’u përballur, por përkushtimi edhe mbrojtja atërore që deri tani është treguar për ta, nëse vazhdon në mënyrë konstante, rast pas rasti, do ta ngrejë në një nivel të ri angazhimin dhe rritjen e tyre në postet administrative. Ne, si gjeneratë që meritokracinë nuk arritëm ta rivendosnim, jo vetëm që duhet të mos i lëmë në harresë, por duhet të luftojmë për çdo problem që ata ndeshin, për çdo dëm dhe padrejtësi që atyre u kryhet, sepse kështu do të arrijmë të ndërtojmë dalëngadalë atë portret shqiptarësh të rinj, që aq shumë i duhet Shqipërisë dhe shpresës së saj. Nuk është diçka e vogël, as çështje punësimi, karriere personale, përkundrazi është çështje fryme, lënde dhe brumi me të cilin ne do ta gatuajmë të ardhmen. Ndaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse t’u themi: “Mos paçi fatin tonë e udhë të mbarë, gjenerata e re e së ardhmes”!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.