Intervista

Epidemiologu Ilir Alimehmeti: E verteta e infektimeve në QSUT, pse ka shtim të të infektuarve

10:05 - 29.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kurba e koronavirusit vazhdon të pësojë rritje ditë pas dite në vendin tonë. Por cilët janë shkaktarët e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe si mund ta parandalojmë përhapjen? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku i njohur epidemiolog, dr. shk. Ilir Alimehmeti, tregon se vatrat e reja COVID-19 nuk erdhën si pasojë e lirimit të masave. Përsa u përket 33 rasteve pozitive, mjekë dhe pacientë të infektuar nga një infermiere, epidemiologu thekson se arsyeja kryesore e infektimit në QSUT ishte pikërisht mungesa e ndërgjegjësimit të infermieres si dhe mungesa e mbrojtjes së personelit shëndetësor. Ai shton se ka gjasa që numri i të prekurve në këtë vatër të re të pësojë rritje.




Kurba e koronavirusit në vendin tonë ditët e fundit ka qenë në rritje. Ju si epidemiolog, si e vlerësoni situatën epidemiologjike në vend?

Është e vërtetë, pavarësisht se ishin të parashikueshme, u ndezën dy vatra të reja njëra në një “call center” dhe tjetra në QSUT. Kjo tregon se kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe të mos mendojmë në asnjë moment që virusi u zhduk. Megjithatë, këto vatra nuk janë rrjedhojë e lirimit të masave, pasi në fakt “call center”-at nuk kanë qenë asnjëherë të mbyllura, ndërsa spitalet janë risk i vazhdueshëm për infeksionet e çdo lloji dhe nuk bën përjashtim koronavirusi. Duhet t’i ruajmë me xhelozi spitalet, sidomos QSUT-në, që është edhe spitali kryesor në Shqipëri.

Sa është numri i të infektuarve në personelin shëndetësor dhe pacientëve në QSUT? A ishte shkak pakujdesia e infermieres apo mungesa e mjeteve mbrojtëse nga ana e spitalit?

Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më sot në QSUT janë zbuluar 33 raste pozitive, mjekë dhe pacientë. Gati të gjitha ishin kontakte të një infermiere të infektuar jashtë spitalit. Më 27 maj u raportuan 13 rastet e para, personel dhe pacientë, ndërsa më 28 maj u zbuluan edhe 20 raste të tjera, nga të cilat 12 personel dhe 8 pacientë. Ky numër kaq i lartë në dy ditë ka gjasë të rritet në ditët në vazhdim dhe për këtë autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë po kryejnë aktualisht një hetim epidemiologjik shumë të hollësishëm. Dhjetëra testim molekulare janë kryer gjatë ditës së sotme (djeshme) dhe pritet përgjigja e tyre në përditësim zyrtar të së premtes. Arsyeja kryesore ishte pikërisht mungesa e ndërgjegjësimit të infermieres në fjalë, e cila shfaqte shenja prej disa ditësh dhe ishte këshilluar të izolohej, por edhe pse kishte kryer tamponin vazhdonte normalisht rutinën personale pa marrë masa mbrojtëse ndaj të tjerëve. Por nuk duhet harruar se ka munguar edhe mbrojtja e personelit shëndetësor, ndoshta si rrjedhojë e një ulje të vigjilencës së ditëve të fundit. Duhet kujtuar vazhdimisht se ambienti spitalor është gjithnjë një vatër e mundshme infeksionesh dhe duhet kushtuar kujdesi maksimal në çdo moment dhe me këdo.

Sa zbatohen protokollet e sigurisë nga bizneset, duke qenë që 15 të infektuar rezultuan në një “call center”?

Kam bindje se shumica e bizneseve i respekton, por një minorancë duket se e mbyll një sy. Ky është edhe rasti i fundit. Që shkeljet janë raste të pakta tregohet edhe nga fakti që nuk ka pasur vatra të tjera të lidhura me bizneset.

A përbën rrezik lehtësimi i masave për ripërhapjen e koronavirusit?

Ky risk është i pashmangshëm. Duhet ta konsiderojmë situatën si një udhëtim në autostradë. Mendoni sikur në korsinë e majtë ndodhet virusi, ndërsa në korsinë e djathtë ndodhet jeta ekonomike dhe sociale. Tentativa është të qëndrojmë në korsinë e mesit në distancë sigurie nga virusi, duke mundësuar një jetë ekonomike dhe sociale sa më të mirë. Për ta kuptuar se sa shumë, mund të shtyhemi drejt jetës normale nevojiten studime më të plota shkencore që të flasin për forcën dhe shpërndarjen e deritanishme të virusit në popullatë.

Tashmë qytetarët duket sikur e kanë mposhtur frikën, qëndrojnë në grup, shkojnë në kafe e restorante dhe nuk zbatojnë distancimin fizik. Cilat janë këshillat tuaja për qytetarët në këtë rast?

Pikërisht zbatimi i distancimit fizik. Evitoni grupimet, evitoni ambientet e brendshme kur mundeni dhe kur nuk mundeni, atëherë sigurohuni për masat mbrojtëse higjiena e përshtatshme dhe vendosja e maskave në situatat që e detyrojnë përdorimin e tyre për arsye profesionale apo shëndetësore personale.

Sa për qind e popullsisë është infektuar deri tani? A jemi larg imunizimit?

Jemi shumë larg imunitetit të popullatës. Nuk kemi ende shifra mbi popullatën, pasi ekzaminimet serologjike i disponon vetëm Ministria e Shëndetësisë dhe ato po kryhen vetëm në personelin shëndetësor. Duhet shënuar se në këtë personel, tashmë 8.5-9.0% është pozitive, pra ka qenë i ekspozuar ndaj virusit. Duke u nisur nga kjo shifër te mjekët, mund të deduktojmë dy situata të mundshme për popullatën. Nëse masat mbrojtëse të mjekëve ka qenë efikase dhe të përshtatshme, atëherë popullata duhet të ketë përqindje edhe më të lartë, ngjashmërisht me situatën në Nju Jork, ku 12.2% e mjekëve dhe 19.9% e popullatës rezultojnë me antitrupa pozitivë. Nga ana tjetër, nëse masat mbrojtëse nuk kanë qenë të përshtatshme ose nuk janë përdorur si duhet, atëherë përqindja e popullatës së ekspozuar do të jetë më e ulët. Kujdes, sa më sipër janë deduktime dhe logjikime. Pa kryerjen e studimeve të mirëfillta nga autoritetet nuk mund ta njohim të vërtetën e saktë. Ajo që dimë ama është se përmes hetimit epidemiologjik janë zbuluar deri sot 1.076 raste, pra rreth 0.04% e popullatës. Pra, ka një mospërputhje të lartë me atë që vëmë re te mjekët.

Jeni pro hapjes së çerdheve dhe kopshteve?

Patjetër! Çerdhet dhe kopshtet teorikisht mund të ishin hapur edhe më herët, por Ministria e Shëndetësisë ka ponderuar një sjellje edhe më të kujdesshme dhe me të drejtë ka urdhëruar hapjen për datën 1 qershor. Duke marrë parasysh se, fatmirësisht, risku për fëmijët është zero dhe risku për të rinjtë është fare minimal, nuk ka asnjë arsye epidemiologjike për t’i mbajtur të mbyllura çerdhet, kopshtet, shkollat dhe universitetet. Është fare e qartë tashmë se fëmijët nuk kanë paraqitur asnjë rast sëmundjeje, edhe pse kanë qenë së bashku duke luajtur në rrugicat e pallateve me javë të tëra. Dimë gjithashtu që rastet e shtruara në spital janë mbi moshën 30 vjeç dhe vdekjet kanë ndodhur në mosha shumë më të mëdha. Pra, fëmijët janë të sigurt në çerdhe dhe kopshte.

Sa i rrezikshëm është transporti urban publik dhe ai ndërqytetas? A duhet të lejohet lëvizja e qytetarëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbra?

Transporti publik urban dhe ndërurban mendoj se duhet evituar sa më shumë. Arsyeja është e thjeshtë: hapësirë e mbyllur me shumë persona brenda. Jam i bindur se qytetarët në këto transporte nuk do të respektojnë dot masat e sigurisë. Opinioni im personal është mbajtja mbyllur sa më gjatë e transportit publik dhe preferenca e përdorimit të mjeteve personale, kur është e mundur dhe sa më shumë të jetë e mundur. Për sa i përket lëvizjes nëpër zonat me ngjyrime të ndryshme, vazhdoj të kem mendim pozitiv. Pra, duhet dhe duhej lejuar edhe më parë lëvizja ndërqytetare, duke marrë parasysh se është përqendrimi i popullatës problemi dhe jo lëvizja e saj. Në Shqipëri asnjëherë nuk kemi qenë pranë limitit maksimal të sigurisë dhe aktualisht kemi vetëm 1.8% të shtretërve të shërbimit intensiv të zënë, si rrjedhojë kemi pasur shumë hapësirë tolerance për lejimin e jetës më normale.

Disa mjekë kanë nënvizuar këto ditë që duhet të ekspozohemi sa më shumë. Sa i rrezikshëm është virusi tashmë?

Faleminderit për pyetjen shumë të mirë. Virusi që nga fundi i marsit ka filluar të tregojë një “zbutje” klinike. Kjo zbutje ka vazhduar në mënyrë konstante deri sot. Më datë 25 mars, 58.1% e rasteve aktive ishin të shtruar në spital dhe nga kjo datë filloi rënia, duke arritur në 20% më 16 prill dhe sot kjo shifër është 10.9%. Pra, edhe pse raste kemi, kuadri klinik i tyre është shumë më i lehtë. Kjo zbutje e virusit u hipotezua më parë në Itali, ku ndër rastet e reja nuk ka asnjë paraqitje të rëndë që më 4 prill në rajonin Marche, që më 11 prill në Forli dhe në “San Raffaele” të Milanos dhe prej tre javësh në Brescia. Pra, zbutja klinike ishte e qartë. Kjo zbutje u konfirmua laboratorikisht nga studiuesit e Universitetit të Hong Kongut që botuan më 4 maj rezultatet mbi mutacionet e reja të virusit, ku tregojnë se variantet me mutacion kanë humbur regjionin gjenetik që kodonte sekuencën prolinë-argininë-argininë-alaninë. Kjo ishte sekuenca që mungonte te koronavirusi i lakuriqëve të natës dhe pas shtimit të saj në gjenin e virusi, ky u kthye në gjendje që të transmetohet te njeriu. Zbutja u konfirmuar edhe nga prof. Caruso, presidenti i Shoqatës Italiane të Virologjisë, stafi i të cilit tregoi se ndërkohë që koronavirusi origjinal i shkatërronte të gjitha qelizat në kulturë brenda 2-3 ditëve, virusit me mutacion i duheshin 6 ditë vetëm që të fillonte sulmin. Pra, një zbutje si në kohën e fillimit të sulmit, ashtu edhe në intensitetin e sulmit viral.

Sa të rekomandueshme janë pushimet verore jashtë vendit për këtë vit?
Shumë kujdes për vendin ku udhëtoni. Informohuni aktivisht për gjendjen epidemiologjike të zonës ku udhëtoni. E rëndësishme është të evitoni zonat me grumbullim personash si resortet turistike, krejtësisht të parekomandueshme në këtë moment. Gjithashtu, duhet të merret parasysh që situata është dinamike dhe si rrjedhojë mund të ndodhin edhe ndryshime të menjëhershme që mund të sjellin mbyllje kufijsh apo kërkesë për karantimin pas kthimit. Megjithëse kjo është një mundësi e vogël duhet pasur parasysh.

Si i vlerësoni mbylljet në fundjavë?

Krejtësisht të panevojshme dhe të pabazuara në kritere dhe evidenca epidemiologjike. Janë përgjegjëse vetëm për shtimin e dendësisë së popullatës në hapësira të vogla të betonizuara nëpër lagjet e qyteteve, dendësia e cila është risku i vërtetë dhe që duhet evituar me çdo kusht. Përveç kësaj, kontribuojnë edhe në shtimin e stresit në një popullatë tashmë të sprovuar. Vetë stresi ka funksion fiziologjik negativ, duke na bërë më të prirur ndaj infeksioneve virale dhe bakteriale.

A duhet të kryhen teste masive serologjike?

Pa asnjë dyshim. Ky është momenti i testimit, testimit serologjik. Përveç studimeve që duhet të kryejnë autoritetet shëndetësore dhe shkencore, testet serologjike duhet të mundësohen edhe për popullatën, pra të dalin nga monopoli shtetëror në të cilin ndodhen. Përveç interesit akademik dhe shëndetësor publik, çdokush ka të drejtën e qenësishme që të njohë dhe të vlerësojë gjendjen shëndetësore personale duke iu drejtuar një klinike publike apo private, sipas protokolleve të mbulimit të shpenzimeve shëndetësore të përcaktuara nga autoritetet. Të dhënat e testimeve serologjike do të na japin dy informacione kyçe. Së pari, do të lejojnë të kuptohet se sa për qind e popullatës ka qenë e ekspozuar ndaj virusit, duke na bërë të kuptojmë efikasitetin e vërtetë të masave dhe sjelljeve tona. Së dyti, do të na lejojnë të kuptojmë shkallën e vërtetë të vdekshmërisë së shkaktuar nga ky infeksion. Ka shumë gjasë që në Shqipëri vdekshmëria të mos e tejkalojë vdekshmërinë e gripit të zakonshëm sezonal. Por kjo mund të vërtetohet realisht vetëm e vetëm përmes provave serologjike.

Frika jonë më e madhe është rikthimi i virusit në stinën e vjeshtës. A mund të ketë një valë të dytë edhe më të fuqishme se e para?

Kjo është çështja më e debatuar aktualisht. Parashikimet janë gjithnjë parashikime dhe si të tilla, janë bartëse pasigurie. Ekzistojnë disa mundësi. Versioni më i mirë është se virusi mund të vazhdojë të jetë i zbutur dhe si rrjedhojë problematika të shuhet vetë, siç ka ndodhur me të gjithë koronaviruset e njohura deri më sot. Versioni më i keq është kthimi i një dallge të dytë më të fortë, për shkak se në vjeshtë do të përkojë me motin më të ftohtë dhe do të jetë i bashkëshoqëruar nga viruset e zakonshme të stinës së ftohtë, si gripi sezonal. Kjo ka ndodhur me pandemitë e mëparshme të gripit, por kujdes, asnjë nga pandemitë e mëparshme nuk është shkaktuar nga koronaviruset. Pra, mund të jetë edhe pandemia e parë që nuk shoqërohet me valë të dytë. Megjithatë, edhe nëse ndodh vala e dytë, tashmë ne nuk jemi më përballë diçkaje të panjohur. Dimë shumë më shumë, kemi më shumë mjekime në dispozicion dhe kemi stafin tashmë të rrahur dhe të sprovuar nga vala e parë. Pra, nëse një natë e dytë bie në vjeshtë, ajo do të jetë një natë me yje dhe hënë dhe jo një natë krejt e errët si ajo e shkurtit. Le të shpresojmë për më të mirën, por njëkohësisht edhe të përgatitemi për më të keqen, duke bërë gati planet e emergjencës me krijimin dhe mbajtjen në gatishmëri të spitaleve dhe reparteve të dedikuara. Ndërkohë, praktika e higjienës dhe e distancimit të shëndetshëm është shumë e këshilluar për popullatën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.