OPINION

Mësimi në distancë – sfidë dhe perspektivë

08:47 - 29.05.20 Rezana Konomi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kushtet e reja që u krijuan në mbarë globin, dilema të shumta rënduan ditët tona. Si do të vazhdonim përditshmërinë, si do modifikonim sjelljen njerëzore dhe mbi të gjitha, si do vijonim procesin mësimor?




Për fat të keq ky, vit akademik u godit jo vetëm nga pandemia, por edhe nga tërmeti i disa muajve më parë, i  cili tronditi jetët tona jo vetëm psikologjikisht, por solli edhe dëme, të cilat rrezikuan seriozisht jetën. Pra, ky vit ka shënuar për procesin mësimor vitin më të keq të mundshëm në të gjithë historinë e shkollimit dhe normalitetit të tij, duke në përballur me situata krejt të panjohura.

Gjendur në këto kushte, secili duhet të mendonte të përshtaste veten me kërkesat e reja dhe për këtë qëllim mësimi në distancë ishte mënyra më e mirë për të qenë të lidhur me procesin mësimor, por edhe alternativa e vetme pa të cilën nuk mund të realizonim qëllimin,  përfundimin e vitit akademik.

Si çdo gjë e re e panjohur, bashkë me risinë sjell edhe një shumësi dyshimesh se si do të realizohej dhe a mundet kjo mënyrë të zëvendësonte klasat fizike, a do t’u shërbente studentëve dhe se si të dyja palët, pedagogët dhe studentët do të vendosnin urat e komunikimit për të bërë të mundur atë marrëdhënie, apo  nxënie të dijeve dhe informacionit.

Sigurisht, mësimi “online”, “videocall” apo dhe komunikimet në distancë nuk janë mënyra të reja, sepse si alternativë janë përdorur edhe më parë, por tashmë kjo metodikë do të ishte e vetmja, e cila do të duhej të zëvendësonte tërësisht klasat, auditorët, interaktivitetin, debatet dhe kontrollin e dijeve.

Në këtë sfidë me kohën, Universiteti “Luarasi”, që në ditët e para hartoi platformën e vet të mësimit në distancë, duke u ofruar studentëve disa alternativa me qëllim që të zgjidhnim atë mënyrë, që do të mundësonte realizimin e mësimit me standarde cilësore, që t’u shërbente studentëve dhe në këtë mënyrë të ishim sa më afër kërkesave të tyre.

Prej gati 2 muajsh ky proces po vijon dhe tashmë jemi në gjendje të bëjmë edhe një analizë për të nxjerrë konkluzione lidhur me avantazhet dhe disavantazhet e kësaj metodike, e cila gjithsesi nuk është zgjedhje, por një zgjidhje në kushte anormaliteti.

Mësimi në distancë nuk është aspak i lehtë, është shumë sfidues, megjithëse në dukje të krijon idenë e komoditetit. Në të vërtetë mungojnë disa elemente të komunikimit, pikërisht ato elemente njerëzore, që i japin jetë kumtimit dhe që normalisht duhet të frymëzojë auditorin.

Arti i komunikimit publik, gjuha e trupit, gjestikulacioni, pesha e fjalës, sugjestionimi dhe ngjallja e empatisë tek auditori janë detaje, të cilat nuk mund të qasen në mënyrë efektive në mësimin në distancë, që gjithsesi është më i ftohtë dhe më i ngurtë.

Aktualisht zhvillimi i teknologjisë ka sjellë risi të reja në mënyrën e të konceptuarit, të punuarit, të mësuarit në të gjithë botën dhe duket sikur po na pushton dhe dikton jetët tona. Me gjithë lehtësitë që të mundëson, mendoj se duhet të përdoret si alternativë, por jo si zëvendësim  tërësor i procesit mësimor. Nëse do të shkëputnim studentët nga auditorët, nga kontaktet njerëzore me pedagogët dhe bashkëstudentët, do t’u mohonim atë jetë të bukur studentore, të papërsëritshme, e cila shënon një pjesë të historisë së tyre jetësore.

Njeriu para së gjithash është një qenie sociale, që  duhet të japë dhe të marrë në rrugëtimin e tij, të shkëmbejë dhe të ballafaqohet me të tjerët dhe ekrani i kompjuterit vërtet mundëson komunikimin virtual social, por nuk zëvendëson komunikimin njerëzor të domosdoshëm.

Studentët, pedagogët kanë nevojë për ta ndjerë auditorin, duhet t’i japin shpirt dhe zemër dijes që përcjellin për të frymëzuar të rinjtë, për t’i ndriçuar me modelin e profesionistit, ku ata duhet të projektojnë të ardhmen e tyre. Sigurisht, këto ndjesi nuk mundet t’i ofrojë teknologjia, e cila padyshim ka avantazhet e saj dhe në kushtet në të cilat u ndodhëm është mënyra e vetme që mbajti lidhur studentin me  procesin mësimor.

Studentëve të Universitetit “Luarasi” iu garantua procesi mësimor pa shkëputje dhe çdo ditë e javës ka qenë intensive me leksione dhe seminare, sikurse do të vijonte viti akademik edhe nëpër auditorë. Kemi shkëmbyer ide dhe informacione me studentët për t’u adoptuar dhe gjetur së bashku rrugën më të mirë të mundshme të komunikimit dhe kemi tejkaluar pengesat, që ishin të natyrshme në fillim të procesit.

Falë përpjekjeve të stafit akademik, angazhimit dhe përgjegjshmërisë së studentëve po mbyllim vitin akademik brenda të gjitha afateve të parashikuara në  fillim të vitit. Nga sondazhet me studentët kemi marrë opinionet e tyre pozitive për të gjithë ecurinë e deritanishme. Sipas mendimit të tyre, pritshmëritë e fillimit janë realizuar. Për të gjithë studentët që kanë pasur dëshirën dhe vullnetin për të studiuar, me përpjekje të shtuara individuale, universiteti ka ofruar maksimumin duke ofruar të gjitha alternativat e mundshme për studentët, për ta bërë sa më efektive këtë metodikë të re të mësimdhënies.

Përpara kemi sesionin e provimeve për studentët e ciklit të parë dhe të dytë, diplomimin e tyre dhe me punën dhe përkushtimin e deritanishëm jemi të sigurt se gjithçka do të përmbyllet me sukses.

Vështirësitë, pengesat, frikërat që jetuam të padëgjuara më parë, do të jenë vetëm një e shkuar, qe do të mbesin gjatë në memorie dhe do të kujtohen si ngjarje të jashtëzakonshme në një kohë të zakonshme.

Nëse do t’i kthehesha titullit të këtij shkrimi, mund të them që vërtetë mësimi në distancë është sfidues, për pedagogët dhe studentët gjithashtu, kërkon qasje të reja dhe rivlerësim të të gjithë procesit mësimor për të gjetur rrugë dhe mundësi që mësimi të jetë atraktiv në mungesë të komunikimit njerëzor, por gjithsesi nuk mund të pajtohem me idenë se mësimi në distancë është perspektiva e së nesërmes për procesin mësimor, sepse  asnjëherë nuk mendoj se filmi mund të zëvendësojë librin dhe kurrsesi nuk mendoj se teatri mund të shijohet njëlloj si nga skena, ashtu edhe duke e  dëgjuar në radio.

Të shpresojmë dhe besojmë se kjo është vetëm një periudhë kalimtare, e diktuar nga kushtet aktuale dhe le ta përdorim teknologjinë dhe metodat “online” si alternativë e mësimit në auditor, për të na shërbyer  duke e kthyer në funksion të përsosjes së mësimdhënies, por jo të zëvendësimit të auditorit, i cili ka nevojë për shpirtin dhe përkushtimin e gjithsecilit.

Prof. Asc Dr. Rezana Konomi

Dekan e Fakultetit Drejtësisë

Universiteti “Luarasi”

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.