KULTURË

Artistët, kallëzim në SPAK: “Tentativë vrasjeje” në Teatër

18:00 - 30.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Budina: Na erdhën me armë natën, duam hetim ndërkombëtar, dosja në PE – Artistët kanë dorëzuar dje në SPAK, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, një kallëzim ndaj kryebashkiakut Erion Veliajt, drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliut dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshajt për ndërhyrjen e 17 majit në Teatër.




Padia është për “tentativë vrasjeje”. “Akuzohen për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë. Kemi kërkuar arrestimin e tyre, kemi besim se SPAK do të marrë masat e duhura. Kërkojmë zbardhjen e së vërtetës për atë që ndodhi në 17 maj”, tha për mediat avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja, pas depozitimit të padisë. Duke kërkuar që dosja e tyre të hetohet ndërkombëtarisht, ata kanë premtuar përkthimin e saj dhe dërgimin deri në Parlamentin Europian. “Dosja do përkthehet që ta lexojnë dhe prokurorë të huaj, madje çështja do të denoncohet deri në Parlamentin Europian. Çfarëdo që të bëjë SPAK, lufta për Teatrin do të vijojë dhe do të ketë një lëvizje të madhe. Ne presim që SPAK të hetojë. Dosjen do e përkthejmë në anglisht dhe kërkojmë hetim ndërkombëtar dhe ta lexojnë prokurorë të huaj. U sulmuan qartësisht artistët dhe qytetarët. Na patë të armatosur, na patë të dhunojmë? Asgjë! Teatër, art, trashëgimi kulturore. Në këmbim, automatikun në kokë”, tha regjisori Robert Budina. Ai sqaroi se nuk është jurist, por vepron në mënyrë morale. “E kanë pranuar disa institucione që dosja të hapet. Tjetra është procedurë teknike. Por procedura teknike këtu ka rënë, sepse s’ka drejtësi. Ku janë juristët e tjerë? Ku është pjesa e shëndoshë e kësaj shoqërie? I bëj thirrje shoqërisë të reflektojë. Qëllimi ynë është të kthejmë tempullin, Teatrin. Demokracia nuk ka për t’u kthyer nëse nuk rindërtojmë Teatrin”, tha Budina. Ai ka qenë një ndër artistët që gjendej brenda në Teatër gjatë ndërhyrjes së policisë. “Mua më sulmuan me armë. Ju e patë të gjithë. Hajde ta fitojmë këtë. Unë besoj te vetja. Tek energjia pozitive. Do u heqim alibinë që s’e kanë këtë vullnet. Do e çojmë deri në fund, edhe nëse ata nuk reagojnë. Do të luftojmë deri në fund, do të luftojë me të keqen. Do të shkojmë dhe në PE, do i themi që Shqipëria nuk është vend i pashpresë. Prokurorët kanë fëmijë, edhe unë kam, e dinë që unë mund të kisha lënë kokën aty. Do vijë dita që do bëhet një lëvizje e madhe”, – tha Budina.

Për shembjen e Teatrit foli edhe regjisori Edmond Budina. Ai tha se qëndresa qytetare do të vijojë, pasi sipas tij, edhe pse Teatri është shembur fizikisht, ai ka mbetur në zemrat e të gjithë artistëve dhe qytetarëve. “Ne kemi ndërtuar një sistem qytetar, kjo është një frymë. Ne nuk duam as të kemi një parti, as një kryesi, ne jemi një grup qytetarësh. Edhe pse teatri është shprehur fizikisht, ai nuk është shembur, pasi ka mbetur në zemrat e të gjithëve. Ne kërkojmë të mos na zhduket kultura, në interesat e dy vetave që mbushin xhepat. Partitë politike duhet t’i thërrasin mendjes, se ata janë në shërbim të popullit”, tha Budina. I pyetur lidhur me protestën e paralajmëruar nga artistët, regjisori theksoi se, “Nuk kemi caktuar datë. Do jetë një manifestim gjithëpërfshirës, ku mund të bashkohet kush të dojë. Ne do të tregojmë që ne jemi dhe zëri i qytetarit duhet të dëgjohet”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.