AKTUALITET

Flet prof. asoc. dr Anni Dasho Sharko: Mësimi “online”, implementim i platformave bashkëkohore

18:00 - 30.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pavarësisht situatës së pandemisë, mësimi “online” në universitetin “Luarasi” ka rezultuar tejet i suksesshëm pas menaxhimit të shpejtë dhe implementimit të platformave bashkëkohore nga stafi akademik. Surprizues paraqitet edhe interesi i lartë dhe pararegjistrimet për tri programet e studimit nga ana e maturantëve. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare, zv.rektorja e “Luarasi”, prof. asoc. Dr. Anni Dasho Sharko tregon se u është kushtuar vëmendje dhe kujdes i veçantë studentëve, të cilët kanë marrë të njëjtën cilësi mësimi dhe shërbimi si më parë. Një tjetër sukses i “Luarasit” është edhe kurorëzimi si fitues i thirrjes së 3-të të “Western Ballkan Fund”, projekt rajonal në fushën e Shkëmbimit të Edukimit dhe Shkencës. Dasho thekson se nëpërmjet profesionalizmit dhe efektivitetit maksimal në mësimdhënie, “Luarasi” iu ofron të rinjve tri programe studimi, në Drejtësi, Ekonomi dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacioni. Zgjedhja e këtij universiteti elitar për rrugëtimin akademik është çelësi i suksesit drejt një të ardhmeje profesionale të sigurt.




Si është zhvilluar mësimi “online” në universitetin “Luarasi” gjatë kësaj periudhe pandemie?

Në kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe kombëtare, atë të pandemisë koronavirus COVID-19, sistemi arsimor në mbarë botën në kushtet e distancimit social pati sfidat e veta të transformimit të mësimdhënies në distancë. Sfidë me të cilën u përball edhe sistemi ynë arsimor. Universiteti “Luarasi” në këtë situatë dëshmoi që përshtatet me shpejtësi dhe efektivitet ndaj rrethanave që ndryshuan me shpejtësi, duke e menaxhuar me sukses dhe në kohë reale transformimin dhe kalimin e mësimdhënies në distancë nëpërmjet platformave “online” Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams. Universiteti “Luarasi” menjëherë nga momenti i mbylljes inovoi dhe zbatoi me shpejtësi mësimin “online”, këtë si meritë e një bashkëpunimi të ngushtë dhe profesionalizmit të stafit akademik, atij drejtues dhe administrativ të universitetit, aftësisë dhe gatishmërisë, punës dhe bashkëpunimit në ekip për të ofruar mbështetje dhe kujdes në inovimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Platformat Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams, me mbështetjen e stafit të pedagogëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit u personalizuan sipas nevojave të “Luarasit”, u krijuan tutoriale dhe asistencë e vazhdueshme për stafin akademik dhe studentët, duke ofruar dhe lehtësuar mësimdhënien “online”. Këto platforma na lejojnë mësimdhënie cilësore interaktive me studentët, pa kufizim dhe limite kohe, që është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen dhe përmbushjen e misionit tonë edhe në këto kushte të distancimit social. Si rezultat, klasat në mësimin “online” janë organizuar shumë mirë, pa dallime nga praktika e mësimit ballë për ballë. Mësimi është zhvilluar duke aplikuar dhe respektuar orarin sikurse kur ishim prezentë në auditor. U është kushtuar vëmendje dhe kujdes i veçantë studentëve dhe ata kanë marrë të njëjtën cilësi mësimi dhe shërbimi si më parë. Studentët nëpërmjet platformave “online” Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams kanë në dispozicion materiale dhe informacione në PPT, audio dhe video të regjistruara, të cilat mund t’i aksesojnë në çdo kohë. Ne kemi studentë që banojnë edhe në zona të thella malore, që për arsye të ndryshme mund të mos futen në klasat virtuale në kohë reale sipas orarit, por organizimi dhe materialet që janë disponibël “online” u jep atyre mundësinë t’i përdorin dhe konsultojnë në çdo moment. Universiteti “Luarasi” tani është duke punuar për sfidën e radhës, atë të provimeve “online” dhe besojmë se edhe këtu do ia dalim me sukses, sikurse deri më tani. Përvoja e fituar mund të përdoret me sukses edhe në të ardhmen.

A ka rezultuar efektive kjo metodikë?

Rezultatet tregojnë që universiteti “Luarasi” realizoi kalim të shpejtë dhe me sukses nga sistemi i edukimit të mësimdhënies me klasa tradicionale dhe moderne në formën “online” të mësimdhënies nëpërmjet Platformave Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams, duke menaxhuar me efikasitet kohën dhe minimizuar në maksimum efektet nga shkëputja e paparashikuar. Mësimi “online” i aplikuar nga pedagogët dhe profesorët e “Luarasit” dëshmoi të jetë një përvojë efektive, e pasur dhe përmbushëse për misionin tonë në mësimdhënie dhe mësimnxënie duke u kushtuar vëmendje të kujdesshme edhe përvojave të reja të studentëve tanë, duke bërë që marrëdhënia ndërmjet pedagogëve dhe studentëve të mbetet produktive. Madje, interesi dhe frekuentimi i klasave virtuale nga ana e studentëve gjatë kësaj kohe ka qenë edhe më intensiv dhe i shtuar se praktika në auditor. Nga ana tjetër, stafi i “Luarasit” duke qenë  familjar me përdorimin e praktikave inovative dhe teknologjive moderne për të kryer me sukses procesin e mësimdhënies u gjend i mirë përgatitur përpara situatës së paparashikuar, ndaj ngarkimi i materialeve të përgatitura dhe klasat virtuale “online” rikuperuan shumë shpejt kohën, duke maksimizuar procesin mësimor njësoj sikur mësimi të zhvillohej ballë për ballë në auditor.

Çfarë është diskutuar në mbledhjet e stafit akademik të “Luarasit”?

Suksesi i arritur në praktikën e procesit të mësimit “online” padyshim që është rezultat i një pune të madhe të stafit akademik dhe atij administrativ, të cilët dëshmuan edhe njëherë profesionalizëm, përkushtim, përgjegjshmëri profesionale dhe sociale, duke qenë kreativë, bashkëpunues dhe punuar me frymë ekipi. Stafi i “Luarasit” është treguar vullnetplotë dhe disponibël për t’iu gjendur studenteve dhe njëri-tjetrit në këtë situatë të paparashikuar. Për ta nuk ka pasur orar në realizimin e misionit dhe objektivave, zgjidhjes së problematikave, ndaj dhe ia kemi dalë me sukses. Universiteti “Luarasi” nëpërmjet Platformave Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams ka krijuar gjithashtu kushte edhe për vijimin “online” të jetës akademike dhe administrative, të realizimit me sukses të takimeve të shpeshta, videokonferencave si dhe sesioneve të informimit “online”, duke i mundësuar stafit të vijojë jetën aktive akademike dhe administrative. Në qendër të mbledhjeve tona ka qenë gjithmonë studentët, praktikat inovative të mësimdhënies dhe mësimnxënies, motivimi, mbështetja dhe dhënia e besimit për cilësinë në auditorët “online”, besimit që ne do ia dalim me sukses edhe këtyre sfidave të paparashikuara. Por jo vetëm këto, universiteti “Luarasi” ka vazhduar punën edhe për projekte, të cilat japin shanse dhe mundësi të shtuara për studentët, stafin dhe risin imazhin pozitiv të universitetit. Kështu, gjatë kësaj kohe universiteti “Luarsi” ka punuar dhe aplikuar në projekte rajonale, duke u shpallur fitues i disa prej tyre, të cilat do t’i shërbejnë jo vetëm “Luarasit”, por krijojnë mundësi të mira edhe për pedagogët dhe universitet e tjera.

“Luarasi” është shpallur fitues i thirrjes së “Western Ballkan Fund”. Çfarë pritet nga ky projekt?

Universiteti “Luarasi” është shpallur fitues i thirrjes së 3-të të “Western Ballkan Fund”, projekt rajonal, në fushën e shkëmbimit të edukimit dhe shkencës. Projekti fitues i universitetit “Luarasi” titullohet “Forcimi i shkëmbimeve rajonale akademike dhe kërkimore”. Universiteti “Luarasi” është lider në këtë projekt me një bashkëpunim me partnerët e saj prestigjiozë si universiteti “FON” në Maqedoninë e Veriut, Qendra e Inovacionit dhe Sipërmarrjes ne Universitetin e Zenicës, Bosnje Hercegovinë dhe universitetin “Donja Gorica” në Malin e Zi. Ne kemi besim se projekti ynë fitues do të kontribuojë në forcimin mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, lidhjeve midis kërkuesve shkencorë dhe ekspertëve të fushave të ndryshme në rajon, edhe pse po jetojmë të gjithë së bashku pandeminë COVID-19! Ne besojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe intensifikohet në periudhën e ardhshme, duke mbështetur njëri-tjetrin në mënyrën më të mirë të mundshme, për ta bërë këtë projekt një histori suksesi të rajonit. Gjithashtu, ka vazhduar puna për këshillimin e karrierës të studentëve që diplomohen dhe të maturantëve që interesohen për zgjedhjet e tyre.

Gjatë kësaj kohe pandemie, si është realizuar Këshillimi i Karrierës?

Këshillimi i karrierës, si objektiv prioritar i “Luarasit”, njëjtë si edhe veprimtaritë e tjera akademike, administrativo-procedurale të universitetit “Luarasi”, është realizuar përmes platformave “online”, si për studentët tanë, ashtu edhe për maturantët. Shërbimi i karrierës është ofruar nëpërmjet klasave virtuale në formën e leksioneve të hapura, sidomos të dedikuara ndaj studentëve që sapo diplomohen, duke e konsideruar se kjo kategori ka nevojë imediate për informacione dhe leksione të dedikuara të Këshillimit të Karrierës, me tematika relevante dhe të domosdoshme lidhur me instrumentet e punësimit, tregut të punës, motorëve të kërkimit etj.. Përgjatë këtyre muajve është përfunduar Udhëzuesi i Karrierës, një manual guidë ekselente për orientimin e studentëve të “Luarasit”, për secilin fakultet dhe nivel studimi, që do të lançohet në fillim të qershorit 2020. Gjithashtu, në vazhdim Njësia e Këshillimit të Karrierës ka përgatitur ofrimin e 4 webinareve (web based seminar) për studentët e “Luarasit”, në konsulencë me ekspertë të jashtëm të Këshillimit të Karrierës, kjo falë bashkëpunimit mes “Luarasit” dhe “Risi Albania”. Një ndër webinaret e parashikuar do t’u dedikohet maturantëve, për të cilët “Luarasi” ka menduar gjithmonë si t’i asistojë dhe t’u gjendet pranë, duke krijuar platformën “E-Gymnasium”, e cila iu ofron mundësinë të njohin nga afër jetën studentore dhe të jenë pjesë e leksioneve reale para se të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Sa interes kanë treguar maturantët për programet e studimit te “Luarasi”?

Siç edhe theksova pak më lart, në universitetin “Luarasi” për vitin akademik 2020-2021 ka pasur interes në rritje të maturantëve për regjistrime paraprake gjatë periudhës përpara muajit qershor. Interesi dhe regjistrimet për tri programet e studimit ka qenë surprizues dhe i lartë, kjo edhe duke marrë në konsideratë efikasitetin dhe profesionalizmin e universitetit në vitet paraardhëse si dhe mënyrën e administrimit të mësimdhënies “online” përgjatë periudhës së pandemisë. Universiteti “Luarasi” ka qenë aktiv me konsultimin me maturantët përpara pandemisë, por interesimi në rritje për universitetin ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së imazhit të universitetit në menaxhimin me efikasitet dhe në kohë reale të mësimdhënies, si edhe i ruajtjes së kontaktit me maturantët edhe përmes rrjeteve sociale.

A kanë filluar regjistrimet paraprake të maturantëve te “Luarasi”?

Sa u takon regjistrimeve në një “early call” përpara muajit qershor, universiteti “Luarasi” ka arritur regjistrime surprizuese, me një numër në rritje të studentëve që aplikojnë dita-ditës për regjistrim. Krahasuar kjo edhe me treguesit e të njëjtës periudhë të vitit akademik paraardhës, duke pasur parasysh edhe situatën e veçantë në të cilën jemi, na jep besimin që ditë pas dite do të kemi gjithnjë e më shumë maturantë që do t’i besojnë “Luarasit”. Në të tria programet e studimit në universitetit “Luarasi”, Drejtësi, Ekonomik, IT dhe Inovacion, ka regjistrime paraprake për vitin akademik 2020-2021. Me këto fakte “Luarasi” afirmon edhe njëherë rritjen e pozitave të tij në treg, forcimin e imazhit si universitet lider në cilësi dhe kredibiliteti të besueshëm.

Pse të rinjtë duhet të zgjedhin “Luarasin” për rrugëtimin e tyre akademik?

Universiteti “Luarasi” nëpërmjet profesionalizmit dhe efektivitetit maksimal në mësimdhënie iu ofron të rinjve tri programe studimi, në Drejtësi, Ekonomi dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacioni. Universiteti “Luarasi” ka një akreditim maksimal prej 6 vitesh, duke i garantuar në këtë mënyrë çdo studenti njohjen dhe vlefshmëri dinjitoze të diplomës së tij në tregun e punës. “Luarasi” ofron infrastrukturë cilësore si dhe metodat më moderne dhe avangard të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Çdo studenti të diplomuar në universitetin “Luarasi”, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit që universiteti ka me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, i ofrohen shumë mundësi intershipi dhe punësimi. Nëpërmjet programeve të shkëmbimit “Erasmus +” dhe projekteve të ndryshme me vendet e Evropës dhe të Ballkanit Perëndimor, “Luarasi” me një dimension ndërkombëtar iu ofron studentëve të tij mundësi shkëmbimi studentor me universitetet më prestigjioze në Evropë e më gjerë. Universiteti “Luarasi” nëpërmjet efiçencës në mësimdhënie dhe një stafi profesional drejtuesish dhe pedagogësh përbën një nga alternativat më të mira në tregun arsimor, ndaj dhe studentët e tij vijojnë të jenë të dalluar kudo që ata zgjedhin të zhvillojnë karrierën e tyre. “Luarasi” është më tepër se vetëm një universitet, është komunitet me bashkim vlerash dhe CV e çmueshme e së ardhmes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.