OPINION

Shtyrja e kredive si ndihmë konkrete

07:27 - 30.05.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Janë 2 miliardë euro kredi të dhëna nga të 12 bankat tregtare te ne, këstet e të cilave u shtynë me 3 muaj mars-maj 2020. Duke marrë një interes mesatar 3 të mijtat në muaj për paratë e dhëna(ose 3.6 për qind në vit), i bie që bankave nuk u vijnë për çdo muaj ngrirjeje të pagesave 6 milionë euro, ose për tre muaj 18 milionë euro. Kur normalisht i gjithë fitimi bankar si tremujor nga kreditë e dhëna shkon mesatarisht 38 milionë euro, të humbësh gati gjysmën e arsyes pse ke dalë në treg nuk është e lehtë. Bashkë me interesat e papaguara ikin edhe mbi 130 milionë euro para të principalit(huasë së dhënë). Para të cilat bankat tregtare mund t’i kishin ridhënë kredi ose të bënin investime të tjera. Këto janë arsyet pse fitimi bankar në tremujorin janar-mars 2020 ra me 70 për qind dhe për tremujorin prill-qershor bankat parashikojnë të dalin me humbje. Me ndihmën dhe koordinimin e bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare janë të vetëdijshme se sakrificat duhen bërë, fitim nuk mund të ketë në këtë kohë dhe kanë rënë dakord të shtyhen edhe me 3 muaj të tjerë pagesat e kësteve të kredive, deri më 31 gusht 2020. Këtë kumtoi Kryeministri, pasi firmosi bashkë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë këtë urdhër të ri. Bankat tregtare janë të ndërgjegjësuara tërësisht tashmë. Mbijetesa e klientëve të tyre, pavarësisht se fitimi bankar në këtë periudhë nuk mbijeton, është më e rëndësishme edhe për ato, se sa vetë fitimi i tyre!




Duket paradoksale, por kështu është. Guvernatori i bankës sonë qendrore një javë më parë e bëri të qartë se sistemit tonë bankar, por edhe gjithë ekonomisë i interesonte përpara së gjithash që kapacitetet prodhuese dhe të shërbimeve(pra fabrikat, punishtet, njësitë e prodhimeve fason, qendrat e thirrjeve “call-center”, kompanitë e ndërtimit, hotelet dhe bujtinat pritëse të turistëve, restorantet, agjencitë turistike etj., të mos mbylleshin. Pra, të mos falimentonin. Mbajtja në këmbë e tyre është një kosto shumë më e ulët për ekonominë e të gjithë shqiptarëve, dhe për xhepin e gjithsecilit prej nesh, në krahasim me rritjen e borxhit publik apo rritjen disi të inflacionit, nga lehtësimi sasior(prodhimi i parasë më shumë se sa e justifikon rritja e prodhimit apo shërbimeve në vend). Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nënshkruan urdhrin e përbashkët për shtyrjen edhe me tre muaj të tjerë të pagesës së kredive. Kjo po që është një bombolë e mirëfilltë oksigjeni për sipërmarrjet huamarrëse në vështirësi tek ne. Të tilla ka me dhjetëra mijëra. Banka e Shqipërisë paraqiti dhe një program lehtësimi që kreditë me probleme(të tilla ka me mijëra) të ristrukturohen deri më 31 dhjetor 2020. Janë shtatë muaj kohë për marrëveshje mes bankave tregtare dhe mijëra bizneseve, për shtyrje afatesh pagimi nga një deri në disa vite, të kredive të marra, për ato hua që kanë dalë me probleme, për sipërmarrjet tona në ditë të hallit. Dhe biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha në vështirësi të jashtëzakonshme sot ka po ashtu me mijëra. Por ama shumica e tyre janë të shëndetshme në kapitale dhe në njohuri e vullnet sipërmarrjeje dhe e kanë urgjente t’u jepet një dorë. Nuk kanë para letër, likuiditet tani. Prandaj dhe është e domosdoshme të ndihmohen. Kjo është ndihma më konkrete që sistemi ynë bankar, banka jonë qendrore mund të jepte dhe po e jep. Shumë më e drejtpërdrejtë nga dy programet linjës së kredive nëpërmjet garancisë sovrane të qeverisë. Programi i parë nuk është zbatuar as dhe për një të pestën e 100 milionë dollarëve të dhëna garanci sovrane. Programi i dytë duket më mirë i strukturuar dhe shpresojmë të jetë më ndihmues për sipërmarrjet tona. Por ama sot, një sipërmarrje qoftë e vogël, e mesme apo e madhe, që ka kredi ende të pashlyera, si zor të mendojë të marrë kredi të reja, edhe pse ato ofrohen nga bankat me përqindje interesi zero, ngaqë i mbulon programi qeveritar i garancisë sovrane. Prandaj dhe ndihma reale e shtyrjes së pagesave të kësteve të 2 miliardë kredive edhe për tre muaj të tjerë, krahas shërbimit që bëri Banka e Shqipërisë me furnizim pa kufi me para letër për të gjitha bankat tregtare, për çdo filial, degë apo agjenci të tyre kudo në Shqipëri për kohën e qametit (kulmin e pandemisë tek ne:12 mars-30 prill 2020), është e mirëpritur nga i gjithë komuniteti i biznesit sot.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.