Sociale

Pse është Gjermania “parajsa” e mjekëve dhe infermierëve nga Ballkani?

18:20 - 31.05.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ndër 8 mjekë që punojnë në Gjermani është emigrant nga vende të tjera. Vetëm nga Shqipëria në 5 vitet e fundit janë larguar rreth 3 mijë mjekë dhe 2064 infermierë. Gjermania është vendi kryesor i Bashkimit Europian që “thith” personelin shëndetësor të Ballkanit. Një lloj “parajse” për mjekë e infermierë në kërkim të shanseve të reja dhe kushteve më të mira të punës.

Sipas dhomës federale të mjekëve profesionin e mjekut e ushtronin në Gjermani 392.000 persona. Një ndër 7 mjekë, vijnë nga vende të huaja.




Në një studim të fondacionit “Fridrich Ebert” thuhet se 24% e mjekëve në Ballkanin Perëndimor janë gati për t’u larguar menjëherë. Ndërsa, 54% e mjekëve në Ballkanin Perëndimor do të largoheshin, po t’u jepej mundësia.

Po pse shumica e profesionistëve të shëndetësisë së Ballkanit zgjedhin Gjermanisë si destinacion kryesor dhe çfarë pasojash do të lerë kjo në rajon?

Arsyet e largimit janë të shumta, por mes tyre renditen pagat e ulëta, pamundësia për të ecur përpara në karrierë dhe për të kryer studime shkencore.

Presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj (në foton poshtë) thotë se mundësia për të bërë karrierë është një tjetër arsye pse mjekët dhe infermierët duan të largohen nga vendi.

Presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj

“Për faktin se jemi një vend i vogël dhe kemi rreth 6-mijë mjeke të regjistruar në Urdhrin e Mjekëve, kjo përbën shqetësim, sepse largimi i tyre do të mbingarkohë pjesën që mbetet. Ikja e një specialisti do të krijojë vështirësi, sidomos kur është i vetmi në një rreth. Detyrohën të sëmurët të shkojnë në një rreth tjetër ose të vijnë në Tiranë.

Në tre vitet e fundit, pranë Urdhrit të Mjekëve kanë aplikuar rreth (500 mjeke), pra rreth 150 mjekë në vit, për certefikatën e sjelljes së mirë, një dokument që kërkohet edhe kur shkojnë jashtë shtetit, kështu që ne indirekt gjykojmë nga këto shifra”, thotë Brahimaj.

I pyetur se kush janë kryesisht mjekët që largohen nga vendi, Brahimaj thotë se janë kryesisht mjekë të rinj të përgjithshëm, të cilët sapo mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë duan të provojnë direkt një përvojë të huaj.

“Por midis atyre që kërkojnë certifikatën e sjelljes së mirë janë edhe mjekë me përvojë 5 apo 10 vjecare, ka dhe mjekë specialistë të ndryshëm. Gjermania i njeh të gjitha specializimet apo kualifikimet e mjekëve nga vijnë”, shton presidenti i Urdhrit të Mjekëve.

Por cilat janë arsyet e largimit të tyre?

“Sigurisht që ne i pyesim dhe thonë se ikin për një jetë më të mirë, sepse mendojnë që të kenë kushte më të mira si në vlerësimin moral e material , teknologjinë që do të përdorin, mendojnëse do të kenë kushte më të mira për tu rritur në karrierë. Kjo është një tendencë që po vihet re sidomos në vendet e Europës Juglindore ku është edhe fluksi më i madh i ikjes së mjekëve. Ata shkojnë më shumë në Gjermani, vendet nordike, në Francë, Angli etje”, rrëfen Brahimaj.

SA I KUSHTON VEMENDJE GJERMANIA SHENDETESISE?

Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë shkruan se vendi ka ende nevojë për mbi 60 mijë mjekë të tjerë. Sipas statistikave të publikuara nga Eurostati, Gjermania shpenzon më shumë se çdo vend tjetër për shëndetësinë, rreth 350 miliardë euro në vit.

Pamje nga spitali në Tiranë

“BOOM” KERKESASH PER MESIMIN E GJUHES GJERMANE

Një vajzë e re që ka mbaruar Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, Merisa H. po mëson gjermanisht në institutin “Gëte” në Tiranë. “Unë jam 25-vjeçe. Kam mbaruar me mesatare 10 fakultetin. Në korrik ne jemi për të ikur, unë bashkë me të fejuarin tim, kemi mbaruar të dy Mjekësi të Përgjithshme. Kemi gjetur një klinikë në Gjermani.

Pagat në Shqipëri janë të ulta për mjekët por nuk ëhstë vetëm kjo arsyeja pse po ikim. Këtu nuk ka kushte në punë, ka diskriminim të bluzave të bardha. Nuk vlerësohet roli i mjekut sa duhet. Në spitalet tona nuk zbatohet protokolli mjekësor”, thotë mjekja e re. Ajo shton se në shkollat tona ka shumë teori dhe pak praktikë, pothuaj nuk bëhet praktikë fare. “Spitalet janë në mëshirë të fatit, nuk ka organizim. Mjeku në Shqipëri paguhet edhe 450 mijë lekë. Largimi i mjekëe është me të vërtetë fenomen. Në klase kur ishim, vetëm 5-6 prej studentëve e shihnin të ardhmen në Shqipëri, është e frikshem. Shqipërisë po i ikën truri.

Kush do ti mjekojë prindërit tanë, do të bjerë rrjedhimisht cilësia e Shëndetësië sepse do të futen në sistem më të dobëtit, ata që e kanë marrë shkollën edhe me 5 ndoshta. Por nuk e pranojmë absolutist argumentin e disave që mjekët po ikin vetëm për një pagë më të mirë. Ka shumë arsye”, rrëfen Merisa H.

 

 A DO KETE KOSTO PER SISTEMIN MJEKESOR?

Presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj thotë se kjo ikje e mjekëve të rinj drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera do të ketë efekte negative.

“Sigurisht që largimi i të gjithve ka një impakt negetiv por specialistët është dëmi më i madh sepse janë më të pakët në rrethe, krijojn probleme për lëvizjen e të sëmurve nga një rreth në tjetrin. Edhe të sëmurët kanë pasoja jo të pëlqyshme por edhe shërbimet përkatëse ku këta dynden. Duke qenë një fenomen global është e vështirë por zbutja e pretendimeve se pse ata largohen mendoj se do të kishte një impakt pozitiv në këtë fenomen”, thotë Brahimaj.

Ai kërkon që qeveritë e Ballkanit të bëjnë më shumë për të frenuar rrjedhjen “e trurit” në sistemin shëndetësor. Sipas tij, bonusi i pagesës për mjekët është një hap për t’u përmendur.

Kjo përpiqet që të zbusi impaktin negativ të këtij fenomeni në rrethe por nuk ndikon në nr e përgjithshëm të mjekëve sepse ata vetëm spostohen. Këtë ngarkesë po këta mjekë e përballojnë. Nuk është zgjidhje përfundimtare”, shton ai.

Përsa i përket pagesës, Brahimaj ka rezervat e veta.

“Sigurisht nuk janë të shpërblyer as materialisht as moralisht. Keni dëgjuar shpeshherë për përkeqësimin e marrëdhënieve me paciencët, krizën e besimit, aktet e dhunës ndaj bluzave të bardha, neveojën e ndryshimeve ligjore sepse mjekët dënohen padrejtësisht”, thotë presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.

ÇFARE E PRET NJE MJEK NGA BALLKANI NE GJERMANI?

Svetlana R. është 29-vjecare nga Maqedonia e Veriut punon infermiere në Munich. Ajo tregon se çfarë mund të presë një të ri në Gjermani.

Kisha shumë vështirësi gjatë punës atje në Ohër. “U futa në kursin e gjuhës gjermane dhe thashë ta provoj po ika dot në Gjermani… po nuk ika nuk humbas gjë nëse e provoj. Kalova nivelet e gjuhës. Bëra intervistë me klinikën ku jam, më pranuan, më dërguan kontratën, mora vizën, mora licencën gjermane dhe tani jam prej 18 muajsh këtu… dhe jam shumë e kënaqur me rrogën, me jetesën, me të gjitha. Edhe bashkëshorti jeton këtu me mua, është i kënaqur edhe ai”, thotë Svetlana R. për sfidën e saj të re.

Presidentja e shoqatës së Unionit të Infermierëve, Gordana Beshliovska, (në foton poshtë) thotë se ky është një fenomen i zakonshëm në Maqedoninë e Veriut.

Presidentja e shoqatës së Unionit të Infermierëve, Gordana Beshliovska

Ajo thotë se është e pamundur që t’i mbash infermierët me arsim të lartë në një punë që paguhet  20-25 denarë, një shumë e pamjaftueshme për të garantuar jetesë normale.

Beshliovska shpjegon se pasi ikin jashtë, mjekët dhe infermierët në Gjermani hasen me një mjekësi me standarde, parime dhe kompetencë. Ajo shton se kërkesat kryesore për të ikur jashtë MAqedonisë së Veriut janë për në Gjermani, por nuk përjashtohen edhe raste të vendeve të tjera

A KA PRESIONE MBI MJEKET?

Një nga arsyet pse mjekët dhe infermierët largohen nga Shqipëria është se ndihen të rrezikuar në punën e tyre.

Elona L, 35 vjeçe nga Vlora, me profesion infermiere po mëson gjermanishten në institutin “Gëte” që të largohet për në Gjermani.

Unë dhe im shoq jemi të dy infermierë me profesion dhe prej muajsh e kemi lënë Vlorën bashkë me fëmijët që të vijmë në Tiranë dhe të mësojmë gjuhën gjermane që të ikim. Është sakrificë e vërtetë. Spitalet kanë shumë probleme të organizimit e deri te cështje partish politike që ndikojnë drejtpërdrejt në keqfunksionimin e një spitali. Sot një infermier paguhet 330 mijë lekë. Për të mos harruar që nuk ka transparencë fare në rekrutimet e stafeve nëpër spitale edhe pse ekzistojnë portale on-line (gjoja) për ta bërë sa ndershme garën. Nuk ka absolutisht meritokraci”, thotë 35-vjeçarja për “Gazetën Shqiptare”

Ajo pohon se largimi nga Shqipëria nuk është i lehtë.

“Ç’është e vërteta vendi yt është e vështirë të lihet, nuk është e thjeshtë, mos të mendojnë se e kemi të thjeshtë ne me këtë vendim që po marrim. Po ja nisim nga fillimi. Këtu po mësojmë gjermanishten deri në nivelin A2, dhe pastaj kur shkon atje përmirësohesh gjatë punës. Atje e dimë se do vuajmë pak në fillim por do vlerësohemi më vonë me kalimin e kohës”, thotë ajo.

Ç’THONE STATISTIKAT?

Në 5 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 3000 mjekë. 2064 infermierë shqiptarë kanë emigruar në Gjermani nga viti 2016 deri në vitin 2018. Ndërkohë, rreth 11 mijë infermierë të huaj jetojnë e punojnë në Gjermani.

Kreu i shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj ka thënë se problemi më i madh që ka shëndetësia shqiptare është largimi masiv i mjekëve dhe i infermierëve jashtë vendit.

Kreu i shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj

Sipas tij, shteti duhet të reagojë dhe shton se asnjë institucion përveç shoqatës nuk po reagon për fenomenin. Jaçaj shpjegon se vetë fakultetet bashkëpunojnëpër interesa personale me qendrat e kurseve gjermane dhe i ndihmojnë infermierët që të largohen nga vendi për në Gjermani.

“Sistemi shëndetësor fatkeqësisht është në një fazë transicioni të keq, pasi po largohen profesionistët, ata që qëndrojnë nuk stimulohen për t’u paguar dhe trajtuar më mirë, që nesër të mos ikin edhe ata. Pra, ajo që duhet është të mos investohet vetëm në infrastrukturën e godinave, por sidomos tek personeli që punon. Një shtet fqinj me në si Kosova, ka stimuluar infermierët me paga më të larta e kushte më të mira pune.

SITUATA NE KOSOVE

Ngaqë shumë mjekë dhe infermierë janë larguar nga Kosova, shumë qendra shëndetësore janë mbyllur me dryn.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, rreth 4000 profesionistë e ushtrojnë profesionin nw vend. Kosova ka rreth 1.8 milionë banorë dhe disa ambulanca lagjesh janë mbyllur për shkak të mungesës së profesionistëve. Kosova ka normën më të ulët të personelit shëndetësor për frymë, diçka më shumë se 2 mjekë për 1 milion banorë.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu tha për “Gazetën Shqiptare” se deri në vitin 2019, mbi 100 mjekë kërkuan dokumentin e përvojës në punë.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu

“Kemi të bëjmë me mjekë që kanë kontakte në Gjermani apo kanë nisur përpjekjet për largim në disa vende të Europës. Kemi vënë re një fenomen që shkollat e gjuhëve të huaja, veçanërisht ato të gjermanishtes janë të frekuentuara në masë. Në këto kurse gjuhe, gjysma janë studentë ose profesionistë të shëndetësisë”, shprehet Sejdiu.

Nga E. Çanga, në Tiranë, Shkup e Prishtinë. Ndihmoi: Vineska Duraj

Redaktoi: Erl Murati


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.