Kryesore

Fatos Lubonja: Rrënimi i Teatrit, talebanizëm

10:00 - 01.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Ky është një dëm në shkallë epokale, krijim i traumës kolektive” – Shkrimtari Fatos Lubonja është i irrituar nga prishja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, por nuk habitet. Sipas tij, ky është thjesht një vazhdim i një cikli shekullor të atyre që janë në pushtet që rikrijojnë Shqipërinë sipas imazhit të tyre. Pas prishjes së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë vetëm pak ditë më parë, Fatos Lubonja, një shkrimtar dhe botues shqiptar, në “Prishtina Insight” shpreh zemërimin për “tendencat autoritare” të qeverisë në pushtet dhe përdorimin e aparateve të saj shtetërore për të kontrolluar arkitekturën shoqërore dhe politike të Shqipërisë, si në mënyrë figurative, ashtu dhe në të vërtetë. Për Lubonjën, i cili ishte i burgosur politik i regjimit komunist të Enver Hoxhës, qeverisja e kryeministrit Edi Rama dallon nga mosrespektimi ndaj ligjit, kontrolli në rritje i ekonomisë nga oligarkët e vendit dhe ndikimi i saj i mprehtë në media. Përtej vlerës së ruajtjes së vetë teatrit, ai beson se protesta kundër prishjes së tij është simbolikë e luftës kundër kërcënimit të qeverisjes autoritare në rritje të Ramës. Lubonja ofron një këndvështrim historik të peizazhit arkitektonik të Shqipërisë, i karakterizuar nga drejtuesit që kanë prirjen të imponojnë shijet e tyre arkitekturore në kryeqytet. Këta drejtues kanë paraqitur një seri vizionesh të thyera për të ardhmen e Shqipërisë – një tendencë, që me Ramën, duket e destinuar të përsëritet.




INTERVISTA

– Le ta fillojmë intervistën duke pyetur pse Teatri Kombëtar ishte i rëndësishëm?

Teatri ishte i rëndësishëm, sepse ishte një pjesë e trashëgimisë kulturore, një koncept, i cili ka fituar një rëndësi më të madhe në epokën pasmoderne. Në kohërat ku jetojmë, ekziston nevoja për rrënjë, identitet, nevojë për t’iu referuar të kaluarës. Ishte gjithashtu i rëndësishëm për shkak të arkitekturës që ai përfaqësonte, periudhës së veçantë historike, kontekstit historik në të cilin u ndërtua. (Teatri Kombëtar u ndërtua në 1939-ën, kur Shqipëria ishte nën sundimin e Italisë së Musolinit.)
Nga ana tjetër, mbrojtja e teatrit ishte, gjithashtu, e një rëndësie politike, ishte një mbrojtje kundër sulmeve të rritura nga oligarkia. Fuqia e Edi Ramës është ndërtuar mbi një trekëndësh të pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik dhe forcohet përmes policisë dhe mbi të gjitha, sistemit të drejtësisë. Kur nuk kemi institucione të forta që veprojnë në interes të publikut, atëherë fuqia e njerëzve shtypet dhe triumfon e keqja. Ne po jetojmë në një situatë të jashtëzakonshme që Rama synon ta bëjë të zakonshme. Ai po mundohet të sundojë pa ligj, pa Gjykatën Kushtetuese. Ai e trajton opozitën me përçmim, i bën qejfin presidentit dhe përshkruan çdo media që e kundërshton si kazan mbeturinash.

–  Ju vazhdimisht i jeni referuar “prishjes së teatrit” duke shmangur fazën “prishjen e godinës së teatrit”. A po e bëni atë me qëllim?

Kjo nuk është vetëm prishja e një ndërtese fizike, por është shembja e të gjithë neve nga brenda – një ndërtesë e dobët që u mbajt nga dinjiteti dhe liria, për të cilën ne përpiqemi si qenie njerëzore. Sulmi ishte një fyerje, një prishje e lirisë dhe dinjitetit tonë.
Duke mbrojtur teatrin gjatë këtyre dy ose tre viteve, në thelb, ne po mbronim lirinë dhe dinjitetin tonë. Kjo nuk ishte vetëm prishja e një ndërtese fizike nga regjimi, por krijimi i traumës kolektive. Është lloji i traumës kolektive që përjetohet kur një person vritet nga një regjim: kur njëri nga ne vritet, secili nga ne vritet.

– Ideja fillestare ishte që teatri i ri të ndërtohej nga sektori privat. Tani, plani është që ta ndërtojmë duke përdorur para nga buxheti i shtetit. A ka ndonjë dallim sipas mendimit tuaj, ky ndryshim?
Kur flisni për Edi Ramën, duhet të mbani mend se ai vazhdimisht na mashtron dhe na gënjen dhe fjalët që ai thotë duhet të merren gjithmonë me dyshim. Në vitin 2010, kur (ish-kryeministri) Sali Berisha dëshironte të shkatërronte Piramidën e Tiranës (një muze i ndërtuar nga diktatori komunist Enver Hoxha) për të ndërtuar parlamentin atje, Rama e përshkroi rrënimin e ndërtesës historike si ‘Talibanizëm’. Dhe ky ishte Talibanizëm pa asnjë dyshim. Por tani, ai e përshkruan teatrin si diçka shumë të vjetër. Është e qartë se ne kemi një demagog këtu, një njeri mashtrues. Ai ka rrëmbyer pushtetin dhe punon në emër të një pakice oligarkësh, qëllimi i të cilëve është të bëhen edhe më të pasur. Kur ata (Partia Socialiste) ishin në opozitë, shoqëria civile iu bashkua protestave kundër shkatërrimit të Piramidës dhe Sali Berisha nuk e shkatërroi atë, por kur erdhën në pushtet, ata ndryshuan sjelljen e tyre.

–  Ka pasur një numër protestash në Shqipëri vitet e fundit, kundër planeve të ndërtimit në Grand Park të Tiranës dhe shkatërrimit të Stadiumit Kombëtar, ndërsa protestat kundër prishjes së teatrit zgjatën mbi dy vjet. Pse protestat nuk po arrijnë qëllimet e tyre dhe çfarë na tregon kjo?

Shenja e parë e dështimit është kur ata në pushtet marrin nën kontroll institucionet dhe i vendosin ato jo në shërbim të popullit dhe shtetit, por të vetvetes dhe pasurisë së tyre. Atëherë nuk kemi mbështetje gjyqësore, që do të thotë se asnjë prokuror nuk mund të ndërmarrë veprime. Në vend të kësaj, policia fillon të arrestojë protestuesit. Kur ke këtë propagandë të vazhdueshme, atëherë njerëzit dobësohen në vend që të fuqizohen.

–  Disa kanë argumentuar se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore buron nga padituria. A është injoranca pjesë e problemit, apo insistoni në ato që keni thënë më lart?

Ndërsa lakmia rritet, hapësira për dije zvogëlohet. Nuk është se njohuritë nuk ekzistojnë më. Edhe nëse nuk ke këto njohuri, nuk është e vështirë t’i përmbahesh disa parimeve në zhvillimin urban. Në një zonë historike nuk duhet të ndërtohet më lart se ndërtesat që ekzistojnë tashmë. Por ndërsa gjithnjë e më shumë shqiptarë po braktisin vendin, më shumë kulla janë duke u ndërtuar se kurrë më parë. Ata i dinë këto parime, por me lehtësi refuzojnë t’i zbatojnë ato. Ti ndërton, atëherë mafia vjen dhe blen sheshin, pastaj ndërton më shumë pa respektuar asnjë nga rregullat. Këta njerëz nuk janë injorantë. A mendoni se ata që shesin sapun ndërsa pretendojnë se është djathë nuk e dinë se çfarë po shesin? Ai e di që është sapun, por ju mashtron, sepse kështu fiton më shumë. Është thjesht e pamoralshme.  Politikanët në Shqipëri kanë përqafuar parimin se “historia fillon me mua”, dhe ata duan që kjo të materializohet edhe përmes arkitekturës. Kështu ka qenë që nga koha e mbretit Zog. Në qendër të Tiranës, ka një kullë Sahati afër Xhamisë, që është një simbol i qytetit. Nëse shikoni dhe krahasoni fotografi të kullës së Sahatit nga epoka para Zogut, përpara se të shndërrohej, ajo kishte një stil oriental. Sidoqoftë, kur erdhi në pushtet, Mbreti Zog, injorant siç ishte, ndryshoi kullën e Sahatit, duke menduar se duke ndryshuar arkitekturën ky do të ishte “europianizimi” i Shqipërisë – por europianizim nuk do të thotë të ndryshosh historinë tënde. Zogu e ribëri kullën e Sahatit në stil venecian. Tani, aty është duke u ndërtuar një kullë e re, që do të bëjë që Kulla e Sahatit të duket si gjilpërë. Kur erdhën në pushtet komunistët, në vend që të ruanin historinë, ata shkatërruan pazarin e vjetër. Nëse mendoni për Stambollin, një nga gjërat më të bukura është pazari i tij i vjetër. Sidoqoftë, në sytë e tyre, ata po shkatërronin një epokë të vjetër dhe po ndërtonin një botë të re. Historia arkitekturore e një vendi shkruhet faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, shekull pas shekulli, kur periudhat historike dhe stilet takohen. Por politikanët shqiptarë gjithmonë duan të shkruajnë librin e tyre nga kapitulli i parë, kështu që historia jonë arkitekturore mbetet gjithmonë e mbërthyer në kapitullin e saj të parë. Ky është një dëm në shkallë epokale.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.