Kryesore

Neuropediatrja, Migena Kika: Dominanca mikse, çrregullimet që sjell te fëmijët

11:03 - 01.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ne kemi dëgjuar raste sidomos të njerëzve të një moshe deri diku të rritur, që janë mëngjarashë dhe që kur kanë qenë në shkollë apo edhe në shtëpi i kanë detyruar të shkruajnë apo përdorin dorën e djathtë. Njohuritë mbi dominancën e majtë apo të djathtë të trurit nuk njiheshin mirë. Më parë dihej vetëm që të gjithë duhet të shkruanim me dorën e djathtë dhe përdorimi i së majtës ishte gabim. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja neuropediatre, Migena Kika tregon se në fakt duke detyruar të përdorej vetëm dora e djathtë edhe në fëmijë që nuk kanë një tendencë të tillë në vetëm dëmtojmë fëmijën duke stimuluar atë që quhet dominancë mikse.
Çfarë është dominanca mikse?
Për të kuptuar se çfarë është dominanca mikse duhet të kuptojmë se si funksionon truri kur ne realizojmë aktivitete apo kryejmë detyra të ndryshme. Ndërsa një fëmijë zhvillohet dhe ndërvepron me botën, truri zhvillon një proces që quhet lateralizim. Gjatë këtij procesi njëra hemisferë e trurit bëhet dominante dhe merr nën kontroll situatën, ndërsa hemisfera tjetër luan vetëm një rol mbështetës. Në pjesën më të madhe të rasteve hemisfera e trurit që merr situatën nën kontroll është ajo e majtë. Për këtë shkak pjesa më e madhe e njerëzve përdorin dorën e djathtë, sepse hemisfera e majtë e trurit kontrollon anën e djathtë të trurit dhe hemisfera e djathtë e trurit kontrollon anën e majtë të trupit. Ana e majtë e trurit që merr nën kontroll situatën bën dhe që syri i djathtë, këmba, veshi dhe pjesë të tjera të trupit në anën e djathtë të marrin dhe këto rol dominant.
Cilët janë faktorët që shkaktojnë këtë situatë?
Kjo nuk ndodh pa arsye. Kjo situatë e krijuar e ndihmon trurin të jetë i organizuar. Nëse pjesa më e madhe e informacioneve sensoriale që vjen në tru, vjen vetëm nga njëra anë e trurit, kjo anë që merr informacionin e shpërndan në zonat e duhura. Hemisfera tjetër e trurit që nuk është e përfshirë, thjesht siguron informacion dytësor për të plotësuar tablonë.
Por çfarë ndodh nëse disa pjesë të trupit dominohen nga ana e djathtë dhe disa të tjera nga ana e majtë e trurit?
Nëse disa pjesë të trupit dominohen nga ana e djathtë dhe disa të tjera nga ana e majtë, kjo shkakton shumë probleme, sepse dy hemisferat e trurit janë të organizuara ndryshe nga njëra-tjetra dhe organizojnë e interpretojnë informacionet që marrin në mënyra të ndryshme. Është pikërisht kjo që ndodh gjatë një dominance mikse. Të dyja anët e trurit në këtë rast “luftojnë” se kush të ketë dominancë dhe i dërgojnë njëra-tjetrës mesazhe konfliktuale. Nëse kjo ndodh, të dyja hemisferat kanë tendencën të zhvillojnë funksione të ngjashme. Kështu që nëse normalisht hemisfera e majtë e trurit është përgjegjëse për funksionet e gjuhës, ana e djathtë do të përfshihet në këtë proces gjithashtu në mënyrë jonormale, duke interferuar me funksionet e gjuhës. Kjo shkakton konfuzion dhe mund të japë dhe çrregullime gjuhësore.
Cilat janë çrregullimet e shkaktuara nga dominanca mikse?
Mendohet që dominanca mikse të luajë rol në një sërë çrregullimesh. Fëmijët ose dhe të rriturit me dominancë mikse janë në rrezik më të shtuar për të zhvilluar ADHD (çrregullim i vëmendjes dhe hiperaktivitetit), e humbasin lehtë kontrollin, qajnë dhe ofendohen lehtë apo mund të vuajnë nga çrregullimi obsesiv kompulsiv. Kur arrijnë moshën e shkollës, këta fëmijë frustohen lehtë dhe kanë problem të përqendrohen në atë se çfarë ndodh në klasë. Për këtë arsye performanca akademike e tyre nuk është maksimale. Dominanca mikse mund të shkaktojë probleme edhe në të lexuar, kuptuar apo shkrim. Kjo vjen sepse informacioni që truri i tyre përpunon vjen në një mënyrë të çorganizuar, pikërisht për shkak të dominancës mikse dhe mosorganizimit të hemisferave. Kofuzioni me b dhe d apo 6 dhe 9 është i zakonshëm në këta fëmijë, por paraqitet zakonisht në moshën parashkollore apo vitet e para të fillores dhe fillon të mos jetë më prezent në vitet e tjera dhe të vetërregullohet. Shkrimi ka problem për shkak të moskoordinimit sy-dorë. Të kuptuarit e një teksti është përsëri i vështirë të realizohet për shkak të informacionit të çorganizuar në tru. Këta fëmijë mund të jenë dhe ambidekster, por janë të ngathët në të dyja duart në motorikën fine dhe kanë problem me kryqëzimin e vijës së mesme (midline), humbin shpesh objektet dhe në teste nuk arrijnë rezultate të larta.
Si mund të kryhen testimet për dominacën mikse?
Nuk është shumë e vështirë të testosh për dominancën mikse. Për të testuar se kush është syri dominant jepini fëmijës diçka që duhet të shikojë me një sy psh., një mikroskop, kaleiodoskop apo dhe një rul me letër kuzhine për të parë përmes vrimës. Syri që fëmijët përdorin për të parë përmes objektit është në këtë rast syri dominant. Për të parë se kush është këmba dominante rrokullisni një top në vijën mediane të fëmijës dhe thojini ta shkelmojë. Nëse topi lëviz në mes të vijës mediane të fëmijës ai/ajo do ta shkelmojë me këmbën dominante. Për të përcaktuar se kush vesh është dominat vëreni kë vesh po kthejnë duke u përpjekur për të dëgjuar një zhurmë apo jepini një telefon dhe shikoni në çfarë veshi e vendosin telefonin.
Me duart është e thjeshtë, shikoni kë dorë përdorin për të shkruar. Por rekomandohet edhe testimi i duarve nëpërmjet hedhjes së objekteve për t’i kapur fëmija apo çdo aktiviteti tjetër të motorikës fine, sepse dora dominate mund të ndryshojë gjatë aktiviteteve të ndryshme, sidomos nëse fëmija është inkurajuar të përdorë dorën tjetër nga ajo që është normale për të. Normale do të ishte sikur në të gjitha aktivitetet më sipër pjesa dominante në sy, dorë, këmbë apo vesh të jetë në të njëjtën anë të trupit.
Çfarë duhet të bëjmë nëse vërejmë që fëmija ka dominancë mikse?
Ajo që duhet të bëjmë është që të ndihmojmë që hemisferat e trurit të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Mund të përdorim disa ushtrime të thjeshta për këtë. Në këto raste aktiviteti që ndihmon më shumë është zvarritja. Kjo mund të kryhet ose në tapet apo sipërfaqe tjetër, apo edhe brenda tuneleve lodra. Zvarritja duhet të kryhet në mënyrë të tillë që dora e djathtë duhet të lëvizë me këmbën e majtë dhe dora e majtë me këmbën e djathtë. Rekomandohet dhe çdo aktivitet tjetër gjatë të cilit fëmija duhet të kryqëzojë vijën mediane (vija imagjinare që ndan trupin në mes). Psh., të prekë gjurin e njërës anë me dorën e anës tjetër. Ka shumë aktivitete që mund të kryhen, por edhe ndihma e një terapisti në këto raste do të ishte e rekomandueshme.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.