Opinion-Komente

S*** k***, epitafi i moralit të shoqërisë sonë

08:47 - 01.06.20 Elsa Skënderi Rakipllari

Bashkë me gjëmimet e shiut të këtij fundmaji, as kronika e zezë nuk harroi të gjëmonte. Sërishmi në fokus një e re, e mitur, e përdhunuar… përdhunim i nisur në institucionet shkollore, aty ku duhej të formësohej një thelb njerëzor i shëndetshëm, qytetarie e kulture. Jam e bindur që gjithkujt, që gëzon parametra normalë psikologjikë e socialë, prej këtij lajmi i është mbledhur një lëmsh i madh keqardhjeje, neverie, indinjate, pasigurie, zemërimi.



Ngjarje të tilla i dëgjon jo rrallë dhe në një disproporcion të theksuar mes ndershmërisë dhe moralitetit të pretenduar të shoqërisë sonë “puritaniste” dhe shpeshtësisë së ndodhive. Te ne gratë dhe vajzat dhunohen paq, përdhunohen pa të keq. Dy ditë më parë, një e njohur më tregonte se si çdo javë, në katin e sipërm të apartamentit të tyre, burri rrihte egërsisht të shoqen pse i digjeshin makaronat… Ajo e zeza linte shtëpinë, rikthehej pas disa ditësh dhe po të mbante sërish era ushqim i djegur, fqinjët poshtë e dinin… do të kërciste dajaku sërish! Mos u hëngshin ato makarona!

Unë vetë, 9-vjeçe, bashkë me dy shoqet e mia të klasës, jemi bërë dëshmitare të ngacmimit seksual të një nxënëseje të klasës së tetë, në ambientet e bibliotekës së shkollës. Ne të tria, gjithë krenari, se i kishim lexuar librat shumë shpejt, shtangëm të çoroditura, teksa shihnim se si dora e një mësuesi lëvizte poshtë bluzës së nxënëses së klasës së tetë. Kur dolëm nga “biblioteka” qamë nga tmerri dhe frika. Do thoshim ç’kishim parë apo do të heshtnim? Shpejt u mor vesh se mësuesin e pushuan nga puna. Nuk dihej me saktësi motivacioni, por ai nuk bëri as edhe një ditë burg. Mos e shkelshin pragun e shkollës perversë të atillë! Faqet e skuqura dhe sytë e tmerruar të vajzës së klasës së tetë s’kam për t’i harruar kurrë!

Më vonë e kuptova fort mirë se te ne gratë dhe vajzat dhunohen me shikime, me fjalë në rrugë, në punë, në shtëpi. Shantazhohen, dhunohen psikologjikisht, fizikisht, seksualisht ditës për diell. Sakaq një lagje e tërë, një qytet i tërë mban vesh!! Luan me lehtësi vrastare rolin e të paditurit e të padëgjuarit. Justifikohet me fjalinë meskine “e ç’më duhet mua”. Ama ndërkaq, si në rastin e 15-vjeçares nga Babrruja, kujdeset pa pikë skrupulli ta kalojë ndodhinë e turpshme gojë më gojë. Ta përflasë ethshëm e pa ndalur dhe madje me hipokrizi të frikshme ta tregojë të dhunuarën me gisht! Në Babrru, në muret e shitoreve dhe në hyrjen e pallatit ishte shkruar emri i së miturës. Tanimë për t’u ngulitur edhe me shkrim në peizazhin gjuhësor të lagjes. Emri i viktimës së dhunës seksuale dhe cilësori e përdalë, që ia kishin mveshur kanosësit e saj!

Të gjithë e dinin ç’po ndodhte!… dhe heshtën. U mjaftuan me një “ç’të ngatërrohem unë”; i dhanë gojës për të ndarë detaje; ushqyen fantazitë e sëmura me videon intime dhe s’e vunë ujin në zjarr për një vajzë minorene, që përjetonte ditë ferrit! Në morinë e rasteve të të miturave dhe grave të abuzuara,  ngjarje si këto, që e kanë zanafillën nëpër shkolla, janë pa diskutim tronditëse. Ende nuk di kush ka reaguar për ngjarjen nga shkolla apo drejtoria arsimore përkatëse! Institucionet arsimore  përgjegjëse kanë dështuar në mënyrë skandaloze për të ruajtur mirëqenien e së miturës në shkollë dhe përkujdesjen për të. Mosreagimi institucional është edhe më tronditës se mosreagimi shoqëror! Shteti, siç e ka dëshmuar me kohë, ka rënë në grahmat e së njëjtës përkujdesje sipërfaqësore për fasadën, për dukjen, që shqetëson jo pak gjithë shoqërinë. Atë shoqëri që ka mentalitet tipik përgojimin por jo denoncimin, ankesën por jo protestën, përçmimin por jo empatinë. Si në lagjen në Babrru, ka shumë në gjithë Shqipërinë, paketues e shpërndarës të shkëlqyer të një morali të rremë. Shënimi djallëzor “S*** k***” s’është asgjë më shumë se epitafi i moralit dhe normalitetit të një shoqërie që mbyll sytë, por jo gojën ndaj një fëmije të abuzuar!

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE