Kryesore

“Telefonata tek ‘ALO 116’ zbuloi abuzimin, videon porno të 15-vjeçares e hodhën në internet”

12:34 - 01.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Brenda një viti janë shënuar rreth 150 krime seksuale, 10 në shkolla publike” – Hazizaj: Po hetohen komentuesit perversë, që “mësonin” – 65-vjeçarin si të vazhdonte seksin me të miturën




Voltiza Duro –  Rreth dy muaj më parë, një telefonatë drejt linjës së këshillimit “ALO 116” ka denoncuar një profil në një rrjet social që shfaqte pornografi me fëmijë. Ishte pikërisht kjo telefonatë, nisja e hetimeve që zbuloi abuzimin e tmerrshëm seksual që i është bërë një minoreneje nga një 65-vjeçar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Altin Hazizaj, kreu i “CRCA Albania” tregon dinamikën në të cilin është zhvilluar hetimi i ngjarjes dhe nënvizon se dyshohet që vajza 15- vjeçare mund të mos jetë viktima e vetme e pedofilit. Ai thekson se janë ende në ndjekje të rastit, sepse në rrjetin social ku ishte publikuar video e minorenes komentonin burra me profilin e tyre të vërtete, mbi mënyrat sesi duhet të vazhdonte dhuna seksuale ndaj vajzës. Hazizaj shton se në Shqipëri ndodhin rreth 100-150 krime seksuale gjatë një viti, në një kohë që në më pak se një vit ka pasur mbi 10 raste të dhunës seksuale në shkolla.

Si u identifikua rasti i 15-vjeçares që kishte rënë pre e abuzimit seksual nga një 65-vjeçar?

Rasti për here të parë është raportuar në “ALO 116”: Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët, si një telefonatë anonime, ku raportohet një profil në një rrjet social që shfaqte pornografi me fëmijë. Në fakt, nuk është e sigurt ende nëse ka qenë vajza ajo që ka folur me linjën apo dikush e afërt me të, pasi “ALO” merr telefonata që janë anonime. Kushdo që të ketë qenë përtej asaj telefonate më shumë se frikë kishte tepër indinjatë. Ekspertët e “ALO”-s njoftuan ekspertët tanë të Platformës Kombëtare për Internet të Sigurt, “www.ISIGURT.AL” dhe nga vlerësimi u konfirmua si ngjarje. Në komunikim me sektorin e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit bihet dakord që ky rast të ndiqet u bë e mundur e para gjetja e vendndodhjes së autorëve, por sigurisht edhe mbyllja e profilit. Këto të dhëna i janë komunikuar Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur identifikimin e saktë të profileve dhe lidhjen e tyre me autorët e këtij krimi të tmerrshëm. Në ditën që policia do të ndërhynte, ata na kanë marr në telefon për të na njoftuar që po fillonin aksionin për kapjen e tyre dhe njëkohësisht për vendosjen tonë në gatishmëri për të ofruar shërbime të menjëhershme të mbrojtjes për viktimën e krimit.

Mund të na tregoni disa detaje mbi dinamikën e ngjarjes dhe si përfundoi ky abuzim në grup?

E gjithë dinamika e ngjarjes ka zgjatur përafërsisht rreth 2 muaj dhe përfshin një punë të saktë dhe profesionale policore nga ana e sektorit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, ndërsa nga ana jonë ishte bllokimi i profilit dhe identifikimi paraprak i rrezes së vendndodhjes, raportimi pranë policisë së shtetit, arrestimi pa asnjë devijim i autorëve nga Policia Tiranë dhe ofrimi i shërbimeve të mbrojtjes për vajzën. Ndërkohë jemi ende në ndjekje të këtij rasti sepse sikur të mos mjaftonte dhuna seksuale dhe pornografia me të mitur, në rrjetin social kishte komente nga burra shqiptare (të Shqipërisë) me profilin e tyre të vërtete, që komentonin sesi duhet të vazhdonte dhuna seksuale ndaj vajzës. Të them të vërtetën jam i pafjalë nga këto komente, sepse ngjarje të tilla ndodhin edhe në vende të tjera, po biseda të tilla bëhen në ‘chat’-e private, ndërsa këtu kultura e dhunës ndaj vajzave është aq e ngulitur në psikikën mashkullore sa një pjesë të mirë të burrave gjatë jetës së tyre ‘online’ nuk iu bëhet vonë që janë duke kryer krime monstruoze ndaj një fëmije.

Pedofili 65-vjeçar është roja i shkollës ku vajza mëson. Si mund të mos ketë kontroll mbi këta persona të punësuar në shtet dhe që përbëjnë një rrezikshmëri kaq të lartë për fëmijët?

Ministria e Arsimit ka kohë që është gjunjëzuar para pedofilëve dhe grabitqarëve seksuale. Në më pak se një vit ka pasur mbi 10 raste të dhunës seksuale në shkollat publike dhe ministria e ka bërë si struci, ka fshehur kohën në rërë, duke treguar që është e papërgatitur. Në sirtarët e kësaj ministrie fle një Plan Kombëtar për Shkolla të Sigurta, të përgatitur me ekspertët më të mirë të shoqërisë civile dhe të arsimit, por që prej muajsh nuk ka asnjë përgjigje në lidhje me miratimin e saj. Përtej kësaj, është urgjente ngritja e Regjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale.

Dyshohet që pre e abuzimit të kenë qenë edhe fëmijë të tjerë?

Unë personalisht nuk do ta eliminoja si dyshim, por deri tani nuk ka informacion. Fakti që ai zotëronte aq mjeshtërisht teknikat tipike të pedofilëve, si grabitqar seksual, më bën të dyshoj se vajza nuk është viktima e tij e parë. Kjo është një thirrje edhe për Prokurorinë tashmë, që t’u bëjnë thirrje qytetarëve nëse fëmijët e tyre e njohin zotërinë dhe nëse kanë pasur ndonjë eksperiencë të ngjashme.

Kur janë vënë në dijeni prindërit e minorenes për ngjarjen?

Ajo çka mund të them me siguri, është se vajza ka një mjedis plotësisht mbështetës tek familja e saj dhe kjo më lumturon. Krime të tilla shpesh i shpien familjet drejt prishjes, sepse si viktima ashtu edhe prindërit, mendojnë se ata kanë bërë diçka të gabuar, kur në fakt kjo nuk është e vërtetë. Gabimi dhe krimi i vetëm është bërë nga autori i krimit dhe ai duhet të përgjigjet deri në fund për krimin që ka kryer.

Cilat ishin hapat që ndërmori CRCA/ EPTAT menjëherë pas zbulimit të këtij abuzimi seksual?

Hapi standard pas marrjes së një njoftimi të tillë është vlerësimi i informacionit, pra a është i vërtete ose jo dhe më pas njoftohet paralelisht Policia e Shtetit dhe rrjeti social ku transmetohet video. Në rastin konkret ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit që profili jo vetëm të mbyllej, por edhe të mblidhej info në lidhje me personin që kishte hedhur videon në internet, të cilat më pas e ndihmuan policinë që të bënte identifikimin e vërtetë të autorit dhe arrestimin e tij së bashku me grabitqarët e tjerë seksualë. Ndërkohë që po me policinë jemi në ndjekje të një rasti tjetër të përafërt me këtë dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi arrestime të tjera të pedofilëve në Shqipëri.

Sa të kërcënuar janë fëmijët në Shqipëri nga pedofilia?

Janë tmerrësisht të kërcënuar dhe të them të drejtën, është shumë e vështirë për mua që ta pranoj këtë si thënie, por ky është realiteti i fëmijëve. Në Shqipëri ndodhin rreth 100-150 krime seksuale gjatë një viti dhe mbi 65% e tyre ndodhin kundër fëmijëve nën moshën 14 vjeç, ndërsa pjesa tjetër kryhen ndaj grave dhe ndaj fëmijëve mbi 14 vjeç. Ndërkohë që me përjashtim të qarkut Tiranë, ku ne si CRCA që nga viti 2019 kemi hapur Qendrën Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale, asnjë qark tjetër nuk është shprehur i gatshëm që të hapë shërbime të qendrës sonë, pasi politikanët vendorë shpesh nuk e ndjekin situatën e grupeve shoqërore, pra si ndikohen fëmijët nga krimi apo dhuna në familje, varfëria, shfrytëzimi etj. Ndaj shumë fëmijë sot në thuajse çdo bashki të madhe të vendit gjendjen pa asnjë shërbim sidomos kur vjen puna për shërbimet për viktimat e dhunës seksuale. Shpresoj që me disa ndryshime që i duhen bërë Ligjit për të Drejtat e Fëmijës, ta bëjmë të detyrueshme që asnjë bashki mos përfitojë fonde publike nëse nuk kanë ngritur apo financuar shërbimet bazë për fëmijët.

Sa pedofilë janë vënë në pranga pas denoncimit?

Me sa jemi vënë në dijeni, janë rreth 5, po shpresoj që ky numër të rritet, sepse janë shumë burra të tjerë që e kanë parë dhe e kanë komentuar videon. Në bindjen tonë të gjithë duhet të ndiqen penalisht.

Sa të fuqishme janë strukturat shtetërore për të parandaluar dhe dënuar abuzimet seksuale me të mitur?

Nga çfarë kemi vënë re në përgjatë 2 viteve të fundit, pra nga praktika jonë e punës, institucionet shtetërore, sidomos në nivel bashkiak, janë shumë të çorganizuara në drejtim të kryerjes së një pune profesionale për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale. Jo për anekdotë, por për të treguar të vërtetën, një X bashki, ku një vajzë 8 vjeçe ishte ngacmuar seksualisht, Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës a ndante si histori suksesi faktin që psikologu kishte vajtur një herë të vetme për të ofruar shërbim këshillimi te viktima. Kur ne e pyetëm se ç’kishte ndodhur më pas, ajo çoi supet dhe tha: Çështja u mbyll. Absurditete të tilla ka në çdo institucion dhe i dëgjon çdo ditë, sa të duket vetja sikur je në luftë me mullinjtë e erës!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.