KULTURË

Beppe Costa: Të ngresh një tempull përmes fjalës

17:00 - 02.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Tempulli që prej më shumë se gjysmë shekulli ka ngritur poeti italian Beppe Costa, nuk u përngjan tempujve historikë. Eshtë një tempull i fjalës, ngritur përmes fjalës, «le verbe», poezisë në fjalë shpirti e revolte, një tempull jo thjesht për veten por për ty dhe mua, për njeriun e thjeshtë, atë që do librin dhe lirinë, atë që vuan dhe kërkon të mbajë gjallë shpresën. Eshtë një tempull tjetër, një tempull i dashurisë solidare, një tempull i paqes dhe i anti-luftës, një tempull që kërkon të krijojë dhe mbrojë shpresën e të ardhmes në të gjitha skajet e botës.




E njoha këtë poet në festivalin poetik ndërkombëtar të Rahovecit, mes poetëve irlandeze, sllovenë, boshnjakë, japonezë, amerikanë, islandezë, etj., dhe menjëherë ndjeva se ky poet vuante shumë. Më ngjante se kishte ngjitur një pikë mali dhe që andej shikonte botën dhe i vinte keq për betejat e tij dhe të poetëve të tjerë të Italisë dhe poetëve të botës, pasi poshtë, bota ende ishte zhytur në pellgun e mjerimit, të indiferencës, të urrejtjes dhe shfrytëzimit, të kufijve të pakapërcyeshëm, mureve, të ndasisë dhe të egocentrizmit, bota që priste gjithnjë atë shkundje të madhe që duan poetët, ata të revoltës, siç është Beppe Costa. Ky siçilian që shkroi poezi që në moshën 8 vjeçare, që u end midis poezisë, muzikës dhe antifashizmit, duke botuar librat e parë dhe duke spikatur më pas në vitet ‘80-‘90 me librat e tij poetikë e romane, krijoi një vepër të gjerë, shumë dimensionale: poetikë, gazetari, romane, këngë, video, siç kemi qejf ta dëgjojmë, kur me zërin e tij të ngjirur reciton poezi të tijat dhe të miqve poetë, të poetëve që i këndojnë botës dhe dashurisë humane, të poetëve që dinë t’i rrahin kambanat e alarmeve për një botë tjetër. Bukur e thoshte mikja e tij Barbara, se që nga «Romanzo siçiliano» Beppe Costa i ka paraprirë shqetësimit njerëzimit dhe katastrofës morale që e kërcënonte. Sot po ato probleme ngrihen para botës: luftërat me shteteve, pushtimet arbitrare, dhunat dhe diktaturat, organizatat mafioze e kriminale, lufta që i bëhet gjithnjë lirisë. E megjithatë Beppe ka vazhduar gjithnjë me poezinë e rrugës, poezinë e protestës, duke na kujtuar Pasolinin që aq shumë e adhuronte.

Kur u takova me të, nuk e dija veprën madhore të tij, nuk i njihja përkthimet që i kishte bërë në italisht dramave të forta të spanjollit Francesco Arrabal, gjithnjë në të njëjtën llogore, por shpejt mësova se si ky poet ngrihej kundër luftës dhe shtypjes kundër njeriut, shfrytëzimit të tij; kuptova se si ky poet kërkonte e kërkon një moral të ri për botën, që bota e qytetëruar nuk po arrin ta krijojë. E megjithatë poetët dinë të mos tërhiqen, të mos trishtohen. Ata dinë t’u bien kambanave të tyre poetike. Jo më kot, me ardhjen e tij në Romë më 1976 dhe krijimin e shtëpisë së tij botuese «Pelicanolibri» (dhe më 1992 «Libraria Pilllicanolibri»), shumë intelektualë ishin të ftuarit e tij, aty ku ishte skena popullore, aty ku poezia lexohej në shkolla, në, në baret e qytetit dhe sheshet, që dhe njeriu i thjeshtë t’i bashkohej thirrjes poetike, të ndjente atë ndjeshmëri të botës dhe dashurisë që ekzistonte. Aty erdhën Monika Viti, këngëtari Don Back që aq shumë e kemi dëgjuar në vitet ‘70-‘80 bashkë me Batistin, Morandin apo Ranieri, e shumë të tjerë. Ishte mik i Alberto Moravias, të cilin e intervistonte në Romë siç intervistonte Senghor e shumë të tjerë të mëdhenj të poezisë botërore; mik i Arabal me të cilin rrahu udhët e Italisë, mik i Dario Bellezza, Adele Cambria, Arnoldo Foà, Anna Maria Ortese… Poet dhe botues, fitues i çmimit “Alfonso Gatto” për poezinë (2017), ai botoi vepra të autorëve të shquar europianë si Manuel Vasquez Montalban, Gaston Bachelard, Gisele Halimi e autorë të ditëve tona. E gjen atë në shumë nga antologjitë poetike botërore, i përkthyer në shumë gjuhë si dhe në anglisht, spanjisht, frëngjisht, arabisht…

Miqtë e Beppe-s janë të shumtë. Janë në gjithë botën, sepse Beppe është një poet i tokës dhe i jetës, një poet i dashurisë siç këndon dhe në veprën e tij të njohur “Il poeta chi amava le donne” (Poeti që donte gratë)… dhe që i do të gjithë: të thjeshtët, të pambrojturit, të varfrit, homoseksualët, të droguarit që do t’i nxjerrë nga ajo mizerje ku kanë rënë. Beppe di t’i klithë dashurisë, pasi ashtu ka klithur gjithnjë ai, që në rini të tij. Këtij njeriu ai do t’i japë shpresë madje dhe atë që ka marrë armën dhe që e kanë çuar me dhunë të luftojë e të bëjë një luftë të padrejtë. Këtë njeri ai do që ta kthejë dhe t’i thotë se është paqja për të cilën duhet luftuar. Edhe pse vetë është në “shkallaret e fundit” siç flet për to në një nga poezitë e librit me të njëjtin titull, ai e di se të tjerë vijnë dhe ngjisin shkallët e poezisë dhe të luftës për progresin dhe solidaritetin njerëzor, gjeneratat e reja për ti dhënë frymë kësaj bote të sëmurë dhe që jo rrallë dergjet në deliret e pushtetarëve, perandorëve, diktatorëve.

Sa i thjeshtë aq dhe i habitshëm përkujtimi që Beppe i bën mikut të tij, poetit palestinez Naim Araidi, vdekur para disa kohësh, me vargjet për të: “Koha e dhimbjes nuk kalon / ajo mbetet e ngjizur, therrëse gjatë natës/ duke menduar për ty miku im/ ne nuk e njihnim gjuhën e njëri-tjetrit/ por poezia rridhte…» Beppe, ky poet i dashurisë dhe revoltës siç e lexojmë dhe në librin e tij “E kuqja”, (“Rosso” – poezi dashurie dhe revolte, dhe një letër dashurie e padërguar”).

Të ngresh një Tempull përmes fjalës nuk është e lehtë. Që ta ngresh atë duhet të kesh një shpirt të madh, duhet ta pranosh thjeshtësinë, të qenit i përunjur para popullit dhe në shërbim të tij, ti këndosh dashurisë që ajo ta mbajë gjallë shpirtin e popullit e veçanërisht të rinisë. Kur ishim në Prizren të Kosovës, Beppe i gëzohej jetës, pasi ai së pari, është një poet i jetës. I gëzohej asaj jete të re që kishte filluar për popullin e Kosovës, i atyre vajzave të bukura që shëtisnin në paqen e Kosovës, i nënave shtatzëna dhe të një jete që niste nga hiri i luftës në poetikën e feniksit. Kishte shumë diell atë ditë në Prizren. Kishte shumë diell dhe në shtëpinë e Namik Hotit e po kështu nga ato qindra varre që pa në tokën e Kosovës dhe që shkroi për to, siç shkroi dhe për sheshet e revoltës shqiptare dhe masakrës serbe.

Po, të ngresh një tempull nuk është lehtë. Dhe Beppe, i sëmurë tashmë, i lodhur nga trupi, por jo nga shpirti, Beppe që nuk dorëzohet, ai vazhdon të këndojë: “tani vetëm mund të mendoj / se si vështrohet deti në dimër / kur dallga mund të më lagë…”. Ai di ta mbajë gjallë këtë tempull përmes sakrificës. Ai e di që të parët që sakrifikohen, ashtu siç ishte një Lorca, një Ricos e shumë poetë të tjerë. Ja pse në themelet e atij tempulli, është gjaku dhe fryma e tij, i poetëve, është ai shpirt i trazuar që nuk do t’i largohet kësaj bote pa parë rrezen okër të diellit që të shfaqet në horizont, atë diell që do t’i sjellë botës paqen, të një bote pa luftëra, ku bashkëpatriotët e mikut të tij palestinez Naim Aridi të jetojnë në paqe me pinjollët e poetit izraelit Amishai… Eshtë Beppe Costa që vitet e fundit, pas vizitave të tij në Shqipëri, nga Tirana në Durrës, në Vlorë, Sarandë e gjetkë, duke sjellë poetë italianë dhe takuar poetë të shumtë shqiptarë, ka krijuar atë urë të bukur që përshkon Adriatikun, atë urë poetike zërash e vargjesh. Dhe shpesh urat poetike, ato të shpirtit, janë më të forta se urat e gurit, hekurit dhe betonit.

Beppe Costa, ky adhurues i Rembosë, Eluarit, Preverit apo Paul Valery, do të ishte një poet mirëpritur në Shqipëri dhe padyshim popullor dhe për faktin se sa i fuqishëm ai është në planin social, aq është dhe lirizmin e tij dhe poezitë e dashurisë. Do ishte mirë që POETEKA ta ftonte në faqet e saj e po kështu dhe mediat e ndjeshme ndaj poezisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.