OPINION

Merkel dhe Macron “rindezin motorët” e BE-së!

09:34 - 02.06.20 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me të drejtë po përcillet me bujë programi gjigant i zhvillimit social-ekonomik “The next generation EU”, i lançuar nga Komisioni Europian më 27 maj. Bashkë me buxhetin 2021-2027 prej 1.1 trilion euro dhe Fondin e Rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro, ai përfaqëson planin më të madh të ndihmave dhe zhvillimit pas Luftës së II Botërore. Mirëpo, “motorët” e tij dhe në përgjithësi të BE-së i rindezën Merkel dhe Macron më 18 maj, kur sapo fillonte dita dhe java e re e punës, befasuan politikën ndërkombëtare me propozimin për krijimin e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike prej 500 miliardë euro. Mbi këtë bazë, Komisioni Europian do të tërheqë në emër të të gjitha vendeve anëtare hua dhe kredi në tregjet financiare ndërkombëtare, për t’ua shpërndarë vendeve më të prekura nga korona, sidomos Italisë dhe Spanjës, veçse jo si hua e kredi, por si grante dhe dotacione pa kthim me garanci të përbashkëta financiare të pasqyruara dhe në buxhet.




Në fakt, projekti franko-gjerman shënon fillimin e një lëvizjeje të re strategjike për ndryshime të tjera cilësore nga pozicionet “tabu” të BE-së. Deri tani Gjermania dhe katër vende “dorështrënguara” – Austria, Holanda, Suedia dhe Danimarka kanë qenë kundër koronabondeve, mbasi kjo praktikë bien ndesh me  traktatet e BE-së, që ndalojnë çdo bashkim borxhesh në nivel europian. Ideator i kësaj “embargoje” ka qenë vetë Kancelari Kohl kur mbi tri dekada më parë thoshte  “bashkim monetar ‘Po’, bashkim borxhesh ‘Jo’”! Për pasojë, BE-ja kohët e fundit është kritikuar ashpër për pasivitet dhe mungesë solidariteti, çka fillimisht ndikoi jo pak për një imazh jo të pëlqyeshëm të saj.

Në takimin e tij të shumëpritur më 27 maj, Komisioni Europian e miratoi projektin gjermano-francez, duke e përforcuar dhe me 250 miliardë euro të tjera si hua dhe kredi të buta me periudhë shlyerjeje gjatë periudhës 2028-2058. Ja pse komisioneri i Ekonomisë, Paolo Gentiloni, e cilësoi atë si “pika e madhe e kthesës europiane përballë krizës së paparë”.

Mirë ky “moment i Europës”, siç e quan edhe Von der Leyen kërkon doemos që t’u shkohet punëve në themel deri te rishikimi i klauzolave penguese të Traktatit të Lisbonës të vitit 2007 dhe zëvendësimin për shumë aspekte të votimit njëzëri me atë me shumicë të kualifikuar votash në BE. Sepse vetëm kështu, ajo nuk do të perceptohet më si një trupë e ngurtë gjigante rregullash dhe traktatesh, por do të kthehet në një organizëm të gjallë, operativ dhe të zhdërvjellët, që t’u përgjigjet më shpejt dhe më mirë situatave të jashtëzakonshme, si kjo e COVID.

Ndonëse Merkel dhe Macron u treguan modestë duke e paraqitur thjesht si propozim, ky projekt që pritet të marrë “vulën” nga Samiti i BE-së më 19 qershor është një “paradigmë e re” e vërtetë për BE-në, për ADN-në e saj ose solidaritetin në hall e në nevojë. Siç e tha Merkel më 18 maj, “nëse nuk tregohet solidare sot, kur një vend anëtar e pëson jo për faj të saj, atëherë ajo nuk mund të quhet më Europë, sepse një shtet kombëtar i vetëm nuk ka të ardhme”. Ndaj, kjo ngjarje u përcoll me tone festive në Berlin, Paris, Bruksel dhe veçanërisht në Romë, Madrid e gjetkë.

Me siguri deri më 19 qershor do të gjendet “mesi i artë” edhe me “dorështrënguarit”, të cilët parapëlqejnë hua dhe kredi të buta, por jo grante. Kjo kërkon më shumë solidaritet dhe jo qëndrime merkantiliste prej tyre. Sepse, siç u shpreh Macron, “situatat e jashtëzakonshme kërkojnë dhe reagime të jashtëzakonshme”.

Duket qartë se Merkel, Macron dhe BE-ja në përgjithësi  nuk duan ta lenë “këtë krizë t’u ikë nga duart”, por synojnë ta kthejnë në një mundësi të re të madhe dhe në fusha të tjera. Ca më tepër që në qershor, Gjermania merr kryesimin e KS të OKB-së, ndërsa më 1 korrik atë të BE-së, me plot sfida, probleme dhe projekte.

Kësisoj, ata dëshmojnë dhe vërtetësinë profetike të Jean Monnet, kur më 1976 është shprehur se “Europa do të rritet e forcohet mes krizash, si shumatore e zgjidhjeve  të tyre”.

Vlen të theksohet se ky projekt u shpall atëherë kur po mendohej se boshti franko-gjerman, ky “zemrek” apo “motor” i funksionimit të BE-së “ishte stakuar” kur edhe vetë kjo e fundit ndodhej pranë “pikës së vdekjes”. Ky perceptim ishte përhapur sidomos pas vitit 2015, kur megakriza e azilit goditi rëndë edhe Gjermaninë me lidershipin e saj politik, të pasuar nga disa krisje dhe kriza të tjera të brendshme, që e dobësuan në maksimum edhe kancelaren e hekurt. Aq sa në dhjetor 2018, Merkel e la kreun e CDU-së dhe njoftoi “lamtumirën” e zgjatur politike për në shtator 2021.

Edhe maji 2017, kur Macron u zgjodh President i Francës qëlloi disi i pafat, ndonëse ai u konsiderua si shpresa kundër euroskepticizmit dhe populizmit të nxitur edhe nga Brexit. Pa mohuar vizionet dhe aksionet e tij politike, Macron me Francën e kishte të pamundur të zëvendësonte Merkel dhe Gjermaninë, veç të tjerash edhe për shkak të problemeve brenda vendit, kryesisht me jelekëverdhët, etj.

Gjithashtu, rivënia në punë e “boshtit franko-gjerman” është jetike për vetë BE-në; asnjë vend apo grupim tjetër nuk mund të zëvendësojë ose kompensojë atë. Jo vetëm nga madhësia gjeografike dhe popullsia, por edhe në aspektin e fuqisë së tij mbizotëruese politike,  ekonomike, ushtarake, të sigurisë dhe mbi të gjitha të vlerave dhe traditave më të mira të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Duke filluar nga sfondi unikal historik, që tregon se si  dy ish-armiqtë tradicionalë, me 27 luftëra të përgjakshme në dy shekujt e kaluar, në 70 vitet e fundit, krahas SHBA-ve janë kthyer në miqtë dhe aleatët më të mëdhenj të njëri-tjetrit dhe vendeve të tjera; bashkëthemelues të BE-së, KiE-së, OSBE-së, Schengenit etj., dhe farkëtues të një partneriteti strategjik në të gjitha fushat.

Padyshim që rol parësor kanë luajtur liderët e tyre politikë, europianistë të shquar që kanë hyrë në fondin e artë të politikës botërore edhe me miqësinë e tyre të rrallë politike. Pionierët e kësaj miqësie janë Kancelari i Gjermanisë së re, Konrad Adenauer dhe Presidenti mitik francez Gjenerali De Gol në vitet ‘50-‘60. “Qershiza mbi tortë” ishte nënshkrimi prej tyre në Pallatin Elize, në Paris i Traktatit të Miqësisë më 22 janar 1963, që u rinovua 56 vite më vonë.

Historia vijon me çiftin politik  Helmut Schmidt-Valeri Giscars d’Estaing, që kontribuoi për shumë arritje dhe suksese ndaj sfidave madhore, si kriza e naftës, e dollarit, monedha e përbashkët, lufta ndaj kërcënimit sovjetik etj..

Këtë miqësi e ngritën në piedestalin më të lartë Kancelari i ribashkimit, Helmut Kohl dhe presidenti i madh francez, Mitterand. Miqësia e tyre gati 20-vjeçare ishte vendimtare për shembjen e Murit të Berlinit, ribashkimin gjerman dhe atë evropian, forcimin e boshtit Euro-Atlantik, etj.

Schroder dhe Shirak e vijuan këtë miqësi dhe kur kundërshtuan me forcë ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak dhe koha u dha plotësisht të drejtë.

Për nga intensiteti i miqësisë ndërmjet Kancelares Merkel dhe Presidentit francez Sarkozy, ata u mbiquajtën  “çifti Merkozi”, por ajo ishte jetëshkurtër, sepse Sarkozy nuk u rizgjodh më 2012-ën.

Tashmë duket se kanë ardhur kohëra më të mira për forcimin e çiftit politik të mbiquajtur “Mercron”. Siç kemi shkruar edhe më parë, për fatin e mirë të Europës, Merkel nga një “yll politik në perëndim e sipër” u shfaq si krymenaxherja “par excellence” e koronavirusit, ku Gjermania doli më e forta. Aq sa është pagëzuar si “Merkelina” ose vaksina politike kundër COVID-19.  Sondazhet më të fundit tregojnë se Merkel është liderja më e dashur dhe mbi 70 për qind e gjermanëve duan që të vijojë dhe për mandatin e pestë si kancelare. Por, edhe Macron me gjithë vështirësitë e trashëguara po ia del dalë mbanë me sukses, krahas homologëve në Itali, Austri, Greqi etj.

Rishfaqja bindëse e boshtit franko-gjerman është me rrjedhoja pozitive dhe në fusha dhe zona të tjera konfliktesh e krizash, duke filluar nga Lindja e Mesme, Libia, Siria etj..

“Mercron” i ka ndezur motorët e BE-së edhe në Ballkan, duke shkundur nga pluhuri disa dosje të nxehta. Këtu veçojmë paketën gjigante të ndihmave prej 3.3 miliardë euro për rajonin, krahas qindra miliona euro vetëm për sektorin e shëndetësisë. Ndërkohë, siç u ra dakord në Samitin e Zagrebit më 6 maj, deri në vjeshtë, Komisioni Europian do të dalë me projekte dhe fonde të tjera të mëdha për shtimin e ndjeshëm të investimeve në vendet e rajonit.

Duke zbritur në një terren më delikat, më 23 maj, ministrat e Jashtëm De Vrien dhe Maas bënë thirrje të hapur publike për përshpejtimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe arritjen e marrëveshjes përkatëse, duke e thënë troç se drejtimin e tyre do ta ketë BE-ja, veçse pa ngut, pa shkurtime dhe pa ndryshime territori. Gjithashtu, Macron ka shfaqur gatishmërinë për të organizuar në Paris, samitin e dështuar vitin e kaluar etj.. Klasa politike në Prishtinë duhet t’i dëgjojë mirë këto mesazhe dhe kambana alarmi që të përgatitet dhe të shkojë në këtë dialog jo më si deri tani, por me “mend në kokë dhe këmbë në tokë”.

Pjesë përbërëse dhe dëshmi e impenjimit serioz të boshtit franko-gjerman është dhe procesi i çeljes së negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fakt, vetoja franceze për “Jo”-në e 18 tetorit 2019 ishte krisja më e fundit e atij boshti brenda BE-së. Situata ndryshoi pas propozimit francez, mirëkuptimit gjerman dhe konsensusit të 27 vendeve anëtare të pasqyruara në metodologjinë e re të zgjerimit të muajit shkurt 2020. Dhe më tej, derisa më 24 mars, ndonëse në kulmin e pandemisë, Këshilli i BE-së  e dha “Po”-në e shumëpritur, si një mesazh i tjetër konkret të fuqishëm mbështetjeje, paçka se të “blinduar” tërësisht për fajin tonë me 15 kushte tejet të vështira.  Kësisoj, kjo “Po” me 15 “Por” është ende premtim dhe apel, ndaj do të na duhet shumë punë dhe përpjekje, që negociatorët sado të aftë, të mos qëndrojnë gjatë në “stolin e rezervave” të politikës.

Përfundimisht, Brukseli tashmë e ka bërë të qartë se Ballkani është pjesë e tij, duke fshirë çdo alibi gjeopolitike, dyshime, hezitim dhe aludime. BE-ja “na ka futur në vathë” me goxha “kulaç”. Por, nëse nuk do të fillojmë tani të vendosim rregull te shtëpia jonë që, pse të mos e themi, e kemi kudo “lëmsh e li”, atëherë mbi kokë do të na qëndrojë dhe fshikullojë ashpër “kërbaçi” i Metodologjisë së re të Zgjerimit, me pasoja të paparashikueshme.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.