KULTURË

Revista serbe “Vreme”: Trajtim teatror i skenës politike

17:45 - 02.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Peticioni “online”: “T’i jepet fund të ‘shpëlarjes artistike’ të Ramës”




Mediat ballkanike kanë raportuar gjerësisht për shembjen e Teatrit Kombëtar. Një prej artikujve nis nga dy artistët Vladan Jeremic dhe Rena Raedle, që vjeshtën e kaluar u përfshinë në Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit me një aksion transformativ, që ekspozitën e tyre, realizuar me “Tirana Art Lab”, pas përfundimit të saj, e sollën në Teatrin Kombëtar. Gazetarja Vesna Milosavljevic nga revista e përjavshme serbe “Vreme” përgatiti këtë artikull të fortë, që po e sjellim për ju në shqip. Për disa përgjigje nga “Aleanca”, ajo kontaktoi aktivisten Lindita Komani.
TRAJTIM TEATROR I SKENËS POLITIKE

Protesta dhjetëditore në Tiranë dhe qytete të tjera kundër shembjes së Teatrit Kombëtar nga vendimi i Edi Ramës, një peticion nga 16 000 njerëz kundër tij, janë vetëm një pjesë e pakënaqësisë, që nisi me bojkotimin e opozitës në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar.

Shembja e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar në Tiranë në agimin e 17 majit, një ditë para zbutjes së masave të marra nga qeveria kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri, vërtetoi në formën më brutale justifikimin e titullit të përfolur që ndërtesa kishte marrë një muaj më parë, teksa u përfshi në listën e “shtatë vendndodhjeve më të rrezikuara kulturore në Europë për vitin 2020”, por njëkohësisht nxiti edhe protesta të reja të opozitës kundër qeverisë. Organizata mbareuropiane “Europa Nostra” e renditi Teatrin Kombëtar ndër vendndodhjet më të rrezikuara, sepse druhej që plani i kryeministrit Rama, që të ndërtojë një kompleks banesash dhe ndërtesash në truallin e Teatrit, që do të përfshinte edhe një ndërtesë teatri do të zbatohej. Në vetëm pak orë fadromat rrafshuan një shembull me vlerë të arkitekturës italiane nga vitet 1930, pavarësisht protestave dyvjeçare, apelimit nga qytetarë, artistë dhe aktivistë si dhe çështjeve gjyqësore të hapura nga Gjykatën Kushtetuese, nga Presidenti Ilir Meta.

REGJIM MAFIOZ
Shembja e Teatrit Kombëtar e nxehu edhe më tej skenën politike shqiptare, që ishte tashmë e nxehtë që prej shkurtit 2019, kur opozita braktisi parlamentin dhe në vijim protestoi në rrugë, bojkotoi zgjedhjet vendore, në të cilat fituan socialistët e Ramës në 57 nga 61 bashki. Shembja e Teatrit ashpërsoi fajësimet e ndërsjella mes qeverisë – procesin e integrimit europian, menjëherë pasi Shqipëria më në fund kishte marrë dritë jeshile për nisjen e negociatave me Brukselin, sikurse edhe një listë detyrash. Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike, megjithatë pranoi vazhdimin e dialogut për reformën zgjedhore – një nga prioritetet e vendosura, megjithëse fillimisht kërcënoi të hiqte dorë prej tij pikërisht për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar. Rrjetet sociale shpejt u mbushën plot me pamjet e fadromave, por edhe me përplasjet mes policive dhe demonstruesve, mes tyre artistë, por edhe gruaja e Presidentit Meta, liderja e LSI-së opozitare, Monika Kryemadhi. Disa nga demonstruesit u arrestuan dhe sipas raportimit në media, një pjesë e madhe e tyre u dënua me gjobë për shkelje të masave për përhapjen e koronavirusit. Meta e përshkroi shembjen e Teatrit si “krim kushtetues, ligjor dhe moral, që nuk mund të amnistohet dot” dhe kritikoi ashpër dhunën e policisë dhe e cilësoi shumicën në pushtet si regjim i “mafies”. Delegacioni europian në Shqipëri shprehu keqardhje për shembjen e Teatrit dhe kërkoi nga të gjitha palët që të ushtronin vetëpërmbajtje për “të shmangur një përkeqësim të situatës”.

NDËRTESA, MË E FORTË SE NJË TËRMET
“Europa Nostra”, e cila renditi ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Tiranës në mesin e “shtatë prej vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë në vitin 2020” (listë e cila gjithashtu strehon Kalanë e Beogradit për shkak të projektit të teleferikut), tha se “prishja e paligjshme” e Teatrit ishte një “ditë e trishtë” për trashëgiminë e Shqipërisë dhe Europës, por edhe për “demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe Europë”. Lufta për mbijetesën e ndërtesës së Teatrit Kombëtar dmth., rindërtimin e saj, për të cilën u angazhua edhe “Europa Nostra”, konsiderohet si protesta më e gjatë e pandërprerë në historinë e sotme të Shqipërisë. Teatri është një ndërtesë e ngritur nga pushtuesit italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në të cilën Teatri Kombëtar funksionon që nga viti 1945. Ndërtesa e Teatrit, e krijuar nga arkitekti Giulio Berté, ishte e veçantë për shkak të teknikës eksperimentale të ndërtimit të një përzierje betoni dhe druri. Ndryshe nga zyrtarët e qeverisë që pohojnë që rindërtimi i ndërtesës do të ishte i pamundur, aktivistë të “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” pohojnë të kundërtën dhe i referohen për këtë faktit që ndërtesa në shtator dhe në nëntor 2019 u qëndroi tërmeteve të forta, gjatë të cilave madje pati edhe të vdekur dhe shumë ndërtesa të reja në Tiranë u dëmtuan. “Ndërtesa e Teatrit nuk pati asnjë dëmtim gjatë tërmetit”, thotë shkrimtarja Lindita Komani, një aktiviste e “Aleancës” përballë “Vreme”. “Kjo vërteton – shtoi ajo – që pohimet e kryebashkiakut Erion Veliaj se Teatri Kombëtar paraqet rrezik për jetën e njerëzve janë të rreme”. Peticioni “online” është nënshkruar nga mbi 16 000 njerëz dhe letra e rreth tridhjetë intelektualëve drejtuar komunitetit ndërkombëtar të artit, që u publikua në revistën “Hyperallergic”, kërkon një fund të “shpëlarjes artistike” të Ramës dhe zhbërjen e hapave të tij politike që prej caktimit të tij kryeministër në vitin 2013, përfshi kufizimin e lirisë së shtypit, rrezikimit të të drejtave të njeriut, paralizimit të drejtësisë, por edhe lënies pas dore të sektorit të kulturës. Lindita Komani beson në presionin e madh të opinionit publik vendës dhe të opozitës, që e mbështeti protestën e “Aleancës” që në vitin 2018. Ajo tregon se gjithashtu BE-ja dhe shumë politikanë europianë kanë marrë pozicion të qartë për këtë temë dhe e kanë dënuar shembjen dhe dhunën kundër artistëve. “Komisionerja e BE-së, Mariya Gabrie, kërkoi një dialog para shembjes së Teatrit”, kujton Lindita Komani, që pret reagime të tilla edhe nga politikanë të tjerë europiane. Sipas Lindita Komanit, zgjedhje të reja – nëse opozita nuk i bojkoton ato sërish – mund ta pengojnë planin e Ramës për realizimin e projektit të ri të Teatrit. Ndër kërkesat më të rëndësishme të “Aleancës” bën pjesë dorëheqja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kundër tij dhe anëtarëve të këshillit bashkiak është përgatitur një padi për shembjen e Teatrit Kombëtar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.