KULTURË

Shqipëria në hartën e festivaleve letrare të rëndësishme ballkanike

19:34 - 02.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të veprimtarive vjetore, nga data 18 deri më datë 20 maj 2020, rrjeti ‘Traduki’, një nga rrjetet më të rëndësishme për sa i përket mbështetjes që ka dhënë në vite për kulturat e vendeve ballkanike, zhvilloi takimin e pranverës në formën e videokonferencës, ku morën pjesë përfaqësues të ministrive të kulturës së Gjermanisë, Austrisë, organizatës ‘Pro Helvetia’, shoqatës së përkthyesve në Austri, qendrës ‘Gëte’ dhe përfaqësues të shteteve të Europës Juglindore, Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Rumani dhe Bullgari. Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli e quajti këtë takim të rëndësishëm, një komunikim i ardhur pas një kohe jo të lehtë sfidash ku institucionet e kulturës në të gjithë botën hynë pas pandemisë.




Sipas Bardhylit të gjitha aplikimet e bëra nga botuesit shqiptar për sa i përket përkthimeve nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe u miratuan po kështu dhe anasjelltas për përkthimet midis gjuhëve të shteteve të Europës juglindore. “Rrjeti Traduki ka një kontribut këto vite në një sërë bashkëpunimesh në shërbim të librit. QKLL kërkon ta zgjerojë këtë bashkëpunim për të krijuar më shumë mundësi për promovimin e librit shqip në këto vende dhe anasjelltas, sidomos me vende letërsia e së cilave ende nuk është shumë e njohur për lexuesit tanë”,-thotë ajo.

Gjatë konferencës u diskutua edhe çështja e panaireve të letërsisë, një pjesë mirë e së cilëve (një ndër ta Panairi i Lajpcigut), për shkak të pandemisë janë shtyrë për vitin e ardhshëm. QKLL kishte përgatitur një program të pasur aktivitetesh në këtë panair për të promovuar vlerat tona më të mira. “Por ky program do të vijë i pasuruar më vitin 2021, pasi panairet e librave janë një formë e mirë komunikimi e dialogu mes kulturash por dhe një mundësi për autorin, botuesi dhe librin shqip. Harta e panaireve ku Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse deri tani do të zgjerohet. Përtej Lajpcigut ne jemi duke ngritur ura komunikimi me përfaqësues të panaireve të rëndësishme në botën letrare, si ‘Salloni i librit’ në Paris, ai i Londrës apo i Frankfurtit, përfshirë këtu dhe panairet e vendeve fqinje si Italia, Greqia apo Serbia”, thotë Bardhyli.

Një nga temat e diskutuar nga të pranishmit gjatë video-konferencë ishin dhe festivalet letrare. Ndër projektet e mbështetura nga ky rrjet për vitin 2020 janë dhe festivalet letrare. Pothuajse të gjitha vendet fqinje duke filluar nga Maqedonia, Kroacia, Sarajeva, duke nisur nga muaji tetor kanë një kalendar të pasur me festivale.

“QKLL kërkon ta fusë Shqipërinë në hartën e festivaleve të rëndësishme letrare që bëhen në Ballkan, festivale të cilat të kthehen në hapësira të rëndësishme komunikimi për letërsinë e librin jo vetëm në vend. Në 2020 do të vijojë Festivali New Leterature Festival, kushtuar shkrimtarëve të rinj, por ndryshe nga një vit më parë, ky festival do të jetë ndërkombëtar me pjesëmarrjen e autorëve të rinj nga shumë vende të botës”,-thotë Bardhyli.

Sipas saj hapja ndaj kulturave të tjera është në fokus të punës të QKLL-së, pasi përmes këtyre komunikimeve krijohen më shumë mundësi për autorët, botuesit dhe librin shqip.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.