DOSSIER

In memoriam/ Njeriu që ikën, njeriu që (ri) vjen

18:00 - 03.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga prof. dr. Mimoza Lezha – Ikën njeriu, mjeku, pedagogu, miku.




Gjithçka boshatiset, sfumohet, shtanget. Për ta rikrijuar sërish njeriun, mjekun, mikun thërrasim  në ndihmë kujtesën. Dhe e bëjmë si ç’duam, siç na pëlqen, siç mundemi, siç e meriton, siç e deshëm, adhuruam, respektuam atë, prof. dr.Maksim Cikulin.

Koha e pakohë

18 maj 2020. Një lajm i trishtë tronditi mendjen e zemrën time: ndarja nga kjo jetë për t’u ngritur lart në qiell e pedagogut, kolegut dhe mbi të gjitha e mikut tim të mirë, prof. Maksim Cikuli. Shtanga brenda meje bashkë me kohën jashtë meje. Lajmi ishte fakt. Më duhet ta pranoja, se jam mjeke. Profesioni i përbashkët me Maksin më vuri në sprovë pohuese. Shoqëruar me mendimin rebelues dhe shpëtimtar për mua se vdekja merr trupin, Zoti merr shpirtin. Mendjet tona ruajnë kujtimet, zemrat tona mbajnë dashurinë.

Data 18 gjithmonë do më kujtojë ikjet e dy njerëzve fort të shtrenjtë për mua, babait tim dhe profesor Maksit. Dy njerëz tepër të çmuar të jetës sime, që sendërtohen tashmë nga malli dhe kujtesa e meritueshme.

Një shpirt kaq i bukur si ai i prof. Maksit u mor shumë shpejt. E ndërsa këmbëngul në kujtimin e takimit tonë të fundit më të, më shfaqet ai, diku afër shtëpisë së tyre, me bashkëshorten, Zana si gjithmonë, me pamje të mirë, me humorin fin e copëza bisedash që zgjasin. U ndamë me premtimin tim për të gjetur kohën për kafe ­- bisedën tonë. Atë ditë nxitoja dhe isha e pakohë. Por ajo kafe nuk u arrit të pihej. Mbeti si peng, ndërsa kujtesa më mbush kohët e miqësisë sime të çmuar me prof. Maksin.

Koha e parë – Pedagogu

Megjithëse kanë kaluar dekada, e ruaj shumë të freskët në mendjen time momentin kur e njoha prof. Maksin. U shfaq në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë kur isha  studente në vitin e IV. Një ditë, në sallën e leksioneve të sëmundjeve të brendshme hyri një djalë i ri, tepër serioz, me trup mesatar, me sy me ngjyrë të  çelët, me një shkathtësi të admirueshme, që evidentohej nga mënyra e ecjes. Poshtë përparëses i dukej një pulovër e trashe me golf, ngjyrë jeshile. (Besoj kujtim nga qyteti i ftohtë i Kukësit ku kontribuuan si çift mjekësh për katër vite, duke dëshmuar humanizmin, thjeshtësinë e fisnikërinë e tyre). E ndoqa me vëmendje, me padurimin e fillimit të shpjegimit. Zëri rridhte i qartë, kumbues. Auditori heshti. Nga mënyra se si shprehej, kuptova që përballë kisha një djalë të qytetëruar, të kulturuar, të ditur, pasionant dhe argumentues. Impresioni i parë ishte pozitiv, mbresëlënës. E dëshironim ta kishim sërish në auditor si një pedagog që dinte të bënte paktin e dijes me studentët. Dhe ai u rishfaq sërish para nesh, duke na u prezantuar tashmë si pedagog i lëndës që do të zhvillonim bashkë. Kënaqësia dallohej lehtë në sytë e   çdo studenti të grupit tim. E kemi kujtuar shpesh më vonë me profesorin keqkuptimin tonë të fillimit. Unë zakonisht bëja pyetje në leksione, sepse gjithmonë kam kërkuar të di më shumë. Dhe bëra pyetjen time edhe për profesor Maksin për pak paqartësi që kisha. Ai, pavarësisht përgjigjeve sqaruese që më dha, më mbajti mend dhe qëndrim distant, duke më etiketuar si “studentja e pyetjeve”. Kjo situatë u sheshua shpejt se mbi të gjitha ai ishte njeri i kulturuar dhe qytetar dhe komunikimi ynë i standardeve të mira na hapi rrugën e një miqësie të mirë e rezistente ndaj kohës, ku baza ishte shkëmbimi i vlerave, dijeve, eksperiencave, projekteve, sfidave të qenësishme që lidhen me një fushë të bukur e të vështirë, siç është mjekësia.

Koha në raportin tim studente–pedagog ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien time. Në thelb ishte ruajtja qartazi e pozicionit pedagog–studente. Duke qenë se në atë kohë isha sekretare e rinisë së klasës, kontaktet e mia me prof. Maksin ishin më të shpeshta, pasi ai ishte dhe pedagogu kujdestar i grupit tonë. Diskutonim për mbarëvajtjen e studentëve të grupit në mësim, për temat e “orës politike”, që ai i bënte shumë tërheqëse. Ai  nuk i trajtonte thjesht si orë politike, por si orë kulturore dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, ‘background’-i familjar i Maksit, formimi dhe kultura mjaft e gjerë e tij, mendja e mprehtë do t’u jepnin këtë nuancë dhe shije interesante “orëve politike”. Më kujtohet që ne vinim nga Sanatoriumi për në fakultet në këmbë që të mos humbnim këto orë. Ne prisnim me padurim orën e terapisë, pasi atmosfera e ngrohtë dhe shumë profesionale dhe shkencore që krijonte profesori, sensi tepër praktik i zhvillimit të mësimit, ku nuk mungonin dhe nuancat e humorit të tij tepër fin dhe insistimi i tij që ne të përgatiteshim si mjekë të mirë klinicistë, na tërhiqte shumë. Profesor Maks Cikuli ishte një pedagog modern, që kërkonte dhe këmbëngulte për  pavarësi, kreativitet dhe të menduar kritik nga ana e secilit prej nesh. Brilant që në fëmijëri, me dy medalje të arta gjatë periudhës së studimit ishte shumë mendjehapur dhe kërkonte nga studentët gjithmonë mendime dhe ide të reja. E them me plot bindje që bazat e interpretimit të imazheve radiologjike dhe të EKG-ve i kemi dhuratë profesionale nga prof. maksi. Për ne ishin ditë me fat ato ditë-net qëndrimi në spital kur pedagogu ynë ishte roje. Ende më mahnit përkushtimi dhe serioziteti i tij në trajtimin e të sëmurëve si edhe qëndrimi në Shërbimin e Urgjencës së qytetit të Tiranës, që ishte njëkohshëm edhe pjesë e programit tonë mësimor. Figura e tij e adhurueshme si mjek  nxitën tek unë dëshirën për t’u bërë një mjeke kliniciste.

Faleminderit prof. Maksi për kultivimin e kësaj dëshire tek unë! Kam qenë e bekuar dhe me fat që kam qenë studente e një profesori të tillë, një pedagogu me mëndje dhe sjellje brilante.

Koha e dytë – Mjeku

Figura e doktor Maksit më shfaqet korridoreve të spitalit a oborreve të tij, në salla konferencash a në momente pushimi kur ngarkesa emocionale e një dite të ngarkuar pune sfumohej lehtazi mes bisedash të çlirëta kolegësh, ku bashkë më kafenë në këmbë shkëmbehej informacioni, konsultimi i shpejtë a humori fin. Bluza e bardhë ishte domethënëse për të, për profesionin e trashëguar dhe që kishte zgjedhur e të cilit iu kushtua një jetë të tërë. Ai ishte vizionar, ishte inspirues dhe një person i lindur për standarde të larta. Të tilla i kërkonte standardet në çdo stacion sfide ku ndalonte. Shpirti i tij kërkues ngulmonte për arritje të tjera. Ai themeloi Shërbimin Kombëtar të Gjenetikës, i vetmi në vendin tonë, shërbim të cilin e drejtoi me shumë pasion e devotshmëri. Me krijimin e këtij shërbimi, prof.dr Maksim Cikuli mbolli dhe rrënjosi besimin te njerëzit. Kam pasur nderin dhe privilegjin të kem prof. Maksin edhe si konsulent. Megjithëse unë kisha specialitet tjetër (kardiologe) disa herë kam konsultuar raste të pacientëve kardiakë me sindroma të lindura dhe madje kemi publikuar edhe punime të përbashkëta, nisur nga rastet për të cilat kemi mbështetur njëri-tjetrin në studime. Ishte kënaqësi të bashkëpunoje me doktor Maksin, konsultat ishin interaktive dhe minutat kalonin shumë shpejt. Shërbimi i Gjenetikes dhe Departamenti i Pediatrisë kanë qenë të nderuar që kanë pasur një drejtues dhe një bashkëpunëtor të tillë, një studiues, erudit e gjithmonë kërkues si ai. Gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo bashkëbiseduesi, ndaj çdo mendimi kolegu. Ai kërkonte të dëgjonte dhe shikonte gjithmonë diçka të re dhe tërheqëse në atë që ofronte çdo koleg e bashkëpunëtor. I dashur me të gjithë dhe i adhuruar nga të gjithë që e njihnin atë, për xhentilesën, intelektin dhe mirësinë e tij.

Ngjante me një magnet, kishte aftësinë e pakonkurrueshme për të tërhequr rreth vetes studentë, profesorë, mendimtarë. Rrezatonte kualitet të lartë deri në madhështi. Mjeku që të falte emocion dhe besim duke të zgjatur dorën e humanizmit, ndihmës dhe fjalës së mirë në çdo situatë, mjeku që bardhësinë e bluzës së bardhë që mbante supeve ia kishte veshur edhe shpirtit të tij, qenies së tij të pasur. Drita e tij, shkëlqimi i tij, xhentilesa, guximi, sensi i humorit dhe lufta kundër padrejtësive do të mbahen mend nga studentët, kolegët, bashkëpunëtorët. Sepse kështu është ravijëzuar figura e doktor Maksit për të gjithë ata që ndanë çaste pune a jetë me të. Ndjehem me fat dhe e privilegjuar që kam pasur prezent në jetën time për afro 40 vjet një personalitet si prof.dr. Maks Cikuli.

Koha e tretë – Njeriu

Maksi ishte një njeri me plot kuptimin e fjalës. Me shumë dëshira dhe interesa, që i kultivonte vazhdimisht. Adhurues i natyrës, artit, letërsisë, i ushqimit, i muzikës, një mik me vlera që u rezistonte rendjeve të kohës e zhbërjeve meskine. Sepse ashtu ishte mbrujtur, ashtu mbrujti veten. Për të mbetur njeri i pakorruptueshëm nga e liga, pushteti, paraja. Të mbetesh qelibar në kohëra jo shumë të pastra është sfidë më vete. Por, për Maks Cikulin aspak e vështirë, aspak e pamundur. Sepse e kishte kultin e njeriut dhe besonte te njeriu.

Besonte te shoqëria e evoluar dhe emancipuar dhe kontribuoi për të pa u lodhur dhe pa humbur besimin në këtë rrugëtim aspak të lehtë të shoqërisë shqiptare në një tranzicion të gjatë dhe të vështirë. Siç besonte te miqësitë e bukura dhe rezistente që i kultivoi paqësisht pa bujë e zhurmë.

Koha ime e miqësisë me të i ka fillesat që në kohën e universitetit. Nëse insistoj kujtesa më sjell kohën e bukur të aksioneve në tunelin e Lezhës në vitin e fundit të studimeve tona. Profesor Maksi nuk iu nda ekipit të pedagogëve. E ne nuk kemi ndjerë lodhjen për shkak të pasditeve argëtuese dhe turistike në të cilat promotori ishte ai. Për të njohur qytetin ku po jetonim, historinë, arkeologjinë, njerëzit e atij qyteti. Më dijet dhe kulturën e gjerë profesor Maksi shndërrohej në një guidë speciale dhe zbulonte para syve tanë vlera që nuk dukeshin, nuk shiheshin. Organizator shumë i mirë, frymëzues drejt gjërave të bukura, njerëzor dhe komunikues, i mençur dhe i thjeshtë ai shfaqej simpatik dhe gazmor, i vërtetë dhe pasionant në të gjitha vitet e miqësisë sonë familjare. Udhëtimet e shpeshta në kohë fundjavash drejt vendeve bregdetare të Shqipërisë shndërroheshin në ditë të kaluar bukur e në mënyrë aktive. Miqësia me të më lejoi të njihja djalin e dy prindërve të nderuar e të mrekullueshëm të tij, dr. Rashela dhe dr. Zisa, pasqyrë shembullore e të cilëve ishte edhe ai. I dashuruar përjetësisht me Zanën, bashkëshorten e tij mjeke, prind i devotshëm i Julit dhe Sarës, që u rritën edhe në kohën e miqësisë sonë e për të cilët ndjehej krenar. Maks Cikuli krijoi jo vetëm për sytë e mi modelin e njeriut fisnik dhe familjar, mikpritës dhe vatërngrohtë, që hartën e miqësisë e kishte cilësore dhe të zgjeruar në kohë. Miqësi të tilla rezistente dëshmojnë vlera të pakontestueshme të njeriut që mbeti njeri deri në frymën e fundit.

Koha e rikrijimit

Shpirti i prof. Maks Cikulit fluturoi shpejt në qiell. Buzëqeshja e tij e paqtë ka ngrirë në kujtesën time. Mungesa është prezent te çdo njeri që e ka njohur dhe ka ndarë kohë me të. Shoqëria shqiptare humbi një mendje brilante, mjekësia humbi mjekun e talentuar dhe të investuar drejt dijes dhe të mirës. Ne humbëm  pedagogun, kolegun, mikun, njeriun që me prezencën e tij profesionale dhe njerëzore ndikoi qenësishëm në rrugëtimin tonë profesional. Do të na marrë malli për atë mëndje të ndritur, për zgjuarsinë dhe erudicionin e tij, për aftësinë depërtuese dhe interesin për gjithçka të re. Do të na mungoje zëri i Maksit, buzëqeshja e tij, dashuria e tij, mirësia e tij, humori i tij i hollë. Do të na mungojë njeriu inteligjent, xhentil e bujar, i ndershëm dhe me integritet, njeriu të cilit unë ndjej nevojën t’i them “faleminderit!” për gjithçka na dhuroi me bujari në jetën tonë profesionale dhe njerëzore.

E atëherë ribëj përmes copëzave të mendimeve, ndjesive, ngjarjeve, mbresave njeriun që njoha, ribëj pedagogun, kolegun e sërish mikun. Duke u ndjerë me fat për prezencën e tij shumëplanëshe në jetën time. Ndërsa nderimi dhe malli për të nuk shteron.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.