KULTURË

Penelatë në portretin e Kadaresë

18:00 - 03.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni – Ndriçim Kulla është nga ata njerëz, që mua sepse më kujton diçka nga Martin Ideni i Xhek Londonit; pra ai njeriu që e nisi thuajse nga hiçi, por falë vullnetit dhe dashurisë për letrat, dijen, e nguli plugun thellë në arë dhe me një farë inati për sfidën që fati i pat bërë duke ia mohuar shkollimin në rini të tij, ai e mbaroi fakultetin, u bë pedagog, publicist, botues, duke lëruar në rrjedhën e pas viteve ’90 një mori shkrimesh e botimesh, të orientuara më së shumti në lëmin e historisë së mendimit shqiptar, politologjisë, traditave kulturologjike, gjer dhe sprova në letërsi. Kam shkruar dikur për librin e tij me tregime “Shi i egër”, kur ai rropatej udhëve të emigrantit. Jeta dhe fati nuk e kanë përkëdhelur Ndriçimin, përkundrazi. Por ai është një stoik. Me atë pasionin e përhershëm që spërndritej në vetëdijen e tij, dikur si botues i “Phoeinix” dhe tanimë i “Plejad”, Ndriçimi kreu disa botime me vlera refleksive e përtëritëse për mendimin shqiptar përgjithësisht, ku mua më kanë lënë mbresa  posaçërisht librat: “Antologjia e mendimit shqiptar 1940-1945”, “Neoshqiptarizmi – një model i braktisur”, “Mendimi filozofik, psikologjik dhe politologjik shqiptar”, një monografi për albanologun e shquar At Zef Valentini (për të cilën kam shkruar), botimi i korpusit të veprave të tij, dhe sidomos, së fundi, libri i thelluar dhe i mirëstrukturuar “Historia e mendimit shqiptar”.




BIOGRAFIA

Biografia kushtuar Ismail Kadaresë “Ylli i shkrimtarit”, që ai ma dhuroi miqësisht, ndonëse vëllimor me rreth 500 faqe, më rrëmbeu. Ishte figura e Kadaresë vallë apo syri i Ndriçimit që më bënë ta lexoja pa e hequr nga dora – kjo është dykrerëshe, ndaj dhe s’dua ta tjerr gjatë sepse nënkuptohet. Mbahu o ylli im, mos bjerr! – përmend diku Kadare dy vargje nga Sergej Esenini, për fatin e tij dhe të letërsisë që bëri. Po kështu thotë dhe Ndriçim Kulla për fatin e këtij libri në parathënien që e shoqëron, me një shqetësim legjitim në portretimin që i bën shkrimtarit, jo pa dyshime, por as me mburrje jo; me modesti. Sepse nuk është para dokujtdo, është përpara një idoli të kombit shqiptar, një njeriu që ke “frikë” t’i barabitesh, sepse edhe mburrja më e vogël do të përfundonte në një shpoti për ty, në vetëtallje, në një përqeshje groteske të pamëshirshme ndaj vetes. Përmasa e Kadaresë është sa monumentale, aq edhe gjysmë mistike, sikurse janë njerëzit e mëdhenj të këtij dheu, shpesh të vetëmjaftueshëm dhe me porta gati-gati të mbyllura për të tjerët. E madhërishmja i ka brenda që të dyja: edhe adhurimin, ngashnjimin estetik emocional, edhe frikën, “tmerrin e bukur” (sipas Kantit). Jeta dhe shpirti i këtyre njerëzve janë si ato humbellat, ku veç ti rrok ca jehona të largëta e ca pëshpërima ardhur që thellë, por që as sytë e as veshët e tu nuk arrijnë dot të shquajnë e të shqiptojnë atë çka gllugon aty brenda, thellë, shumë thellë… Jeta dhe vepra e Kadaresë, për N. Kullën them se ka qenë sa një pasqyrë ku gjithçka duket së jashtmi aq e qashtër, e kthjellët si ajri i mëngjesit a pikla e ujit, aq dhe një mister së brendshmi, e pathënë dhe e parrokshme, diç e padepërtueshme, gjer dhe e pashpjegueshme, një lloj magme a lënde e rrëshqitshme, ani pse ai ka lexuar rrëfime të drejtpërdrejta prej vetë autorit si “Ftesë në studio”, “Pesha e kryqit”, “Mosmarrëveshja”, apo dhe të të tjerëve si “Kohë e pamjaftueshme”, rrëfimet e të shoqes, Helenës e ka intervistuar atë etj. E prapë ti mund të mbetesh ndërdyshas, në midis: e hap dhe s’e hap dot portën e Hadit ku digjen ankthet e shkrimtarit. Që të shkruash mbi Kadarenë duhet jo thjesht guxim, a kuturisje, por më shumë nga gjithçka: dije e shije. Të jesh ti vetë një akrobat i penës. Një gustator sallonesh të spërndritura të fjalës, të ashkut dhe të lojës së saj në sintaksën e tjetërfartë të letërsisë, në muskulin e stilit, te pandehmat dhe nënshtresat kuptimore, te byrja e simboleve dhe metaforave universale, te korpet e miteve të vdekura dhe ndërgjegjja mitologjizuese aq e pranishme në veprat e Kadaresë, te hieroglifet e anktheve të tij fshehur pas personazheve, subjekteve, narrativës, etj., etj. A e realizon ky libër këtë përmasë? Do të ishte naivitet të thoshe: PO. Veçse mund ta them pa frikë tjetrën: Ndriçimi me këtë monografi ka hedhur jo pak dritë në raportet e shkrimtarit me diktaturën, posaçërisht me Enver Hoxhën si mbretin djabolik të Olimpit komunist, me jetën e tij të rrezikuar prej kësaj diktature dhe shpurën e djajve të sigurimit të shtetit, duke ecur mu në zgrip, në jetë-vdekje, aty ku humnera ulërinte, atje ku duar të përgjakura ziliqarësh, denoncuesish, egërshanësh, gardistësh të kuq zgjateshin që ta kapnin për këmbësh dhe ta tërhiqnin teposhtë në theqafje. Pelerina e vdekjes kaq herë drithshëm i kishte shkuar pranë Kadaresë dhe e kishte cekur. Pikërisht kjo është e veçanta e librit dhe ndihmesa e biografit. Kulla e ka gjetur dritaren e shikimit të tij, edhe pse shpesh e më shpesh hyn në zbërthimin e kodeve të librave të Kadaresë, që shpërfaqin pikërisht marrëdhënien e tij të ndërlikuar me diktatorin dhe diktaturën. Ai thotë se i është shmangur adhurimit. Në fakt e ka gabim. Adhurimi është aty, unë e pash gjithkund. Dhe ky nuk është një turp. As dobësi e librit. Madje-madje, do të thosha, se Kulla ka marrë përsipër që në vëllimin e madh të heq jo pak baltë, dashakeqje e shpifje të të tjerëve ndaj madhështisë së shkrimtarit tashmë si qytetar, si një antikomunist (edhe pse me teser partie e deputet “liste” i zgjedhur pa vullnetin tij, siç bëhej asoherë). Me shpirtin e tij krenar që Kadare e quante “arrogancë”, si askush shkrimtar tjetër nën sqetullën e kalbur të regjimit, kaq herë i anatemuar, ai eci mbi humnerë në fill të perit.

PAKTI I HESHTUR

Në libër sillet pakti i heshtur si reliev gërmadhe dhe zgafellë pa kthim midis shkrimtarit dhe diktatorit. Qe një bast midis Mefistofelit dhe Faustit, e cilëson Kulla këtë marrëdhënie, por kësaj here jo për të qenë i lumtur dhe i përplotësuar, por e kundërta, për të qenë i trysnuar, fatkeq dhe i tjetërsuar gjer në zgrip, me frikën e madhe se vallë a mund të dilje gjallë nga labirinti i Minotaurit përmes fillit të Arianës, që Kadare e quante “kalendari im i dytë”, pra përmes arratisjes nga ngërthi i jetës drejt kthjelltësisë dhe supremacisë së artit të letërsisë, të të qenit shkrimtar, si sublimat lirie, identiteti dhe vetëmbrojtjeje. Dhe ky “kalendar i dytë” thirrej asiherë kur qenia e tij kërcënohej me burgosje, vuajtje, përfytyrime apokaliptike, gjer në zgripet e të pamundurës dhe të çmendurisë. E pra “hapësira e dytë”, “koha e dytë”, realiteti i dytë, thellësisht vetanak, si sfidë ndaj konjukturës politike dhe rrezikut të mbijetesës, në narrativën e Ndriçim Kullës dhe portretimin e shkrimtarit vjen si një strehë sigurie dhe përtëritjeje, që i jepte atij guxim të përballonte të papërballueshmen; një strukje si nëpër korridoret e labirintit të “Ptolemeus Ergatis” në Tebë të Egjiptit, për t’i bishtnuar ujanave të zeza mbushur me krokodilë. “Vallja në gojën e ujkut”, nëse do të perifrazoja vargjet e një kënge të njohur të viteve ‘70, ishte mbase metafora me domethënëse e jetës së Kadaresë nën diktaturë, përndjekur nga erinitë e sigurimsave dhe gardës së komunistëve doktrinarë, si gjarpërinjtë që mbytën të vërtetën e Laokoontit. Por e “vërteta” e Kadaresë shpëtoi falë librave të tij, impaktit që ato krijuan me popullin shqiptar e më gjerë, të cilët formuan brezin tim e breza të tjerë lexuesish pafund, një milion e më shumë kopje, duke u shndërruar në djepe a vaska pagëzimi për ne, ku u përkund e u rrit një tjetër vetëdije, një tjetër qytetari: vetëdija dhe qytetaria evropiane. Kadare është akuzuar e cilësuar rëndom e në mënyrë cinike si “i përkëdheluri i Enver Hoxhës, poet i oborrit, shkrimtari që i thuri ditirambe komunizmit etj.”. Brofka që të gjitha! Gjepura ziliqarësh e meskinësh mendjengushtë! Po, Enver Hoxha e kërkonte prej penës së Kadaresë një portret prej udhëheqësi për vete, prej babaxhani, lideri, mendjendrituri, engjëlli (“meleqi”). Shkrimtari e bëri një të tillë te “Dimri i vetmisë së madhe”. Por ai ishte më shumë ndezullia dhe vegimi i të munguarës apo i të shumëdëshiruarës, jo i të njëmendëtës. Andaj Kadare aty përdori shtresimet mitike të një prijësi mendimtar e vetmitar, sikundër shëtiste ky përfytyrim në epikën tonë popullore. Por nëse ai portret i Enver Hoxhës ishte mburoja e shkrimtarit ndaj jetës së vet dhe familjes, qindra e mijëra penelata të tjera që portretuan piramidën e pushtetit të tij djabolik e kriminal janë veprat e tij. Dhe prandaj boll me fajësime! Ata që “fajësojnë” s’janë veçse burracakë. Mjaft të kujtosh se shkrimtarit i duhej të jetonte në një kafaz ngujuar me bishat dhe egërsirat. Pikërisht këtu është dhe fuqia bindëse dhe argumentuese e N. Kullës në dhënien e marrëdhënies së ndërlikuar të shkrimtarit me diktatorin dhe diktaturën, filluar qysh në moshën 12-vjeçare kur provoi burgimin si fëmijë, me romanin e parë të projektuar në Moskë, me vitin 1961 si sjellës i një fryme të re në poezi, me optikën evropianiste të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe romaneve që pasuan, me picirin e hequr me librat “Përbindëshi”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Pashallarët e kuq”, “Koncert në fund të dimrit” dhe sidomos “Pallati i ëndrrave”, e gjer me letrat e hapura dërguar Ramiz Alisë, azilin politik në Francë, çlirimin e Kosovës etj.

PSE NUK KE VDEKUR

Në raportin e shkrimtarit dhe letërsisë që ai bëri me diktaturën dhe kohën e ngujimeve tragjike, me të drejtë N. Kulla vë në spikamë atë mes dramatik, si prej ferri, ku shkrimtari ka mbijetuar, me pyetjen cinike: “Pse je gjallë akoma, pse nuk ke vdekur, pse nuk të vranë?!”, nga njëra anë dhe nga ana tjetër: “Si nuk je çmendur që ke mbijetuar në atë kthinë terri e tmerri, pse letërsia që ke bërë ka qenë normale në një vend dhe rrethanë anormale”? Pikërisht te ky zgrip, ne që e kemi jetuar atë kohë, që hoqëm dridhmën dhe frikën e saj, me të drejtë i blatojmë letërsisë që Kadare bëri, i blatojmë sjelljes së tij prej dinjitari, një kurorë a aorë admirimi të merituar. Ndonëse edhe sot për Kadarenë shkruhet dhe gjykohet dendur, ndonëse ka një “Rubikon” që i ndan njerëzit në përligjës e adhurues të letërsisë dhe sjelljes së tij dhe po aq në kritikë cinikë e ndezulli inatçore prej komunistësh apo antikomunistësh, unë mbetem në po atë linjë vlerësimi e admirimi për shkrimtarin e jashtëzakonshëm shqiptar, si dhe biografi Ndriçim Kulla me këtë libër, që kurrë historisë sonë i tillë s’i ka ardhur dhe s’besoj se i vjen më, veç nëse profecia e prek rishtazi këtë komb…

Në librin e Nriçim Kullës ka shumë citime nga veprat e Kadaresë si dhe ligjërimet e tij në forma e versione të ndryshme dhe e gjitha kjo më ka ridhënë kënaqësinë që të fal veçse shija e epërme e letërsisë botërore, e një mendjeje aq brilante si shkrimtari ynë, ku ti dorëzohesh pa kushte; më ka sjellë reminishencat e asaj magjie e sipërie të fjalës shqipe, të mendimit, të pushtetit të tyre, shoqëruar prej asaj sintakse, atij idiolekti, atij përfytyrimi dhe asaj ndërmjetme mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes të dukshmes dhe të padukshmes, mes vegimit dhe të prekshmes, që të ngop me tërësej. Dhe kam thënë me vete: E kush tjetër mund të shkruaj si Kadare?! Rileximet apo rikontekstualizimet e veprave të Kadaresë doemos janë pjesë e procesit të risemantizimeve që letërsia pëson në rrjedhën e kohës dhe përballë lexuesve të rinj të saj. Edhe letërsia e Kadaresë ka nisur ta përjetojë këtë proces të natyrshëm historik të komunikimit të saj me dinamikën që koha dhe pritësit e saj paraqesin. Në këtë sens, mua më është dukur interesant syri i N. Kullës për ta konotuar mesazhin e ardhur nga disa vepra të Kadaresë si “Nëntori i një kryeqyteti”, “Laokoonti” dhe “Emblema të dikurshme”, ku tanimë ato kundrohen në raportin e shkrimtarit me vdekjen apo rrezikun e saj, një gjasë që edhe mund të gatuhej në kthinat e sigurimit të shtetit. Është një shikim “ndryshe”, ani pse nuk merret përsipër një shqyrtim tërësor e në rrënjë i brendive, sidomos i bashkëshoqërimeve ideofigurative që vijnë nga veprat konkrete. Por biografit i intereson, në këtë rast, të bëjë zbulesat e veta që i gjegjen edhe objektit të librit të tij (raportit të shkrimtarit me diktaturën), duke e orientuar pra informacionin e nxjerrë dhe gjithë nëntekstet, në një lexim të ri. Për mua kjo qasje ka të drejtën dhe logjikën e vet për të pasur, pra, besueshmërinë dhe tapinë e një të vërtete tashmë të njohur e të pohuar nga vetë shkrimtari. Dhe këtu vdekja e mundshme e tij vjen si zbulesë, si palimpsest kundruall asaj se si mund të servirej nga ata që edhe e projektonin atë; pra mund të vinte si një “legjendë”, ku mbishtresimet e mbulojnë dhe e devijojnë shkakun e vërtetë të saj. Por vdekja e shkrimtarit, më tutje, shprehet edhe si pamundësi e përshfaqjes poetike si të tillë, si letërsinë që ai dëshironte të bënte, por që qe e pamundur në realitetin e zymtë, vrastar, kontradiktor, ku ai gjendej përherë i pambrojtur, i pavend, i kërcënuar dhe viktimë e përjetimit a dramës së shpirtit të vet të brishtë si mjegull. Më në fund vdekja mund të shpjegohej si me rastin e Laokoontit, ku e vërteta dublohet, shumëfishohet në kahe e trajtesa të shumëfarta, kur tjetërsohet për ta zhbërë kryekreje atë.

QASJA VETJAKE  

Jo rrallëherë, nxitur nga një ndjenjë e pafshehur adhurimi për Kadarenë, Kulla mbivendos mbi ngjarjet, marrëdhëniet e shkrimtarit me periudha të caktuara të diktaturës dhe të moshës së diktatorit, elemente të interpretimit vetjak. Afërmendsh se kjo është diçka e pashmangshme, pasi një libër i modelit monografik ka si parësor qasjen vetjake ndaj shkrimtarit që shndërrohet në objekt shqyrtimi. Por, nga ana tjetër, fasha e interpretimit dhe e rivlerësimit të kësaj apo asaj ngjarjeje, raporti, nyjeje, sjellje, madje gjer edhe mënyre të menduari të shkrimtarit në raport me to, duket si tejet personale. Sa për ta sjellë në mendje këtë ide, unë do të kujtoja këtu mbresat dhe reportazhin mbi Revolucionin Kulturor në Kinë dhe mbivendosja interpretative e Kullës, gjer në mënyrën e të menduarit dhe interpretuarit të Kadaresë asaj kohe, ku pretendohet se ka shumë ironi, sarkazëm, satirë ndaj sjelljes së kinezëve etj., kur në të vërtetë ato (ironia, sarkazma, satira) nuk janë të tilla, nuk janë të pranishme, pasi diçka e tillë do të thoshte t’i kundërviheshe me vetëdije diçkaje që për kohën ishte linjë politike e PPSH, pra një farë “vije e kuqe” ku s’mund të rrezikoje kollaj e të bëje “shaka”. Përkundrazi, unë do të thosha se shkrimet e Kadaresë dhe sjellja e tij e “shpallur” botërisht në opinion, pra në faqet e shtypit komunist të kohës, ishte i vetmi zhguall ku ai mund të luante dhe të krijon një farë korace mbrojtëse për vetveten, duke ofruar kështu shenja “besnikërie”. Tjetërsimi maksimal i njeriut, kur rrezikun e ka te dera, siç Kadare e ka pasur prej herit dhe përherë, është situata më e pranueshme, më logjike dhe më “normale” e pozitës dramatike e rëndom tragjike që një shkrimtar ka pasur me diktaturën. Në një rast të tillë mund të thuhet, për shembull, fuqia e madhe e tjetërsimit që edhe shkrimtari ynë më i shquar ka hequr mbi mendjen dhe shpirtin e tij në kushtet e mbijetesës, me kompromiset e pashmangshme e të detyrueshme që ai duhej të bënte me diktaturën, me ideologjinë, aq më tepër në rastin e artikujve e reportazheve në shtyp, që nuk ishin, të themi, tregime, romane, poezi, ku edhe mund të operohej me asociacione të largëta, simbole e metafora dyfaqëshe. Me pak fjalë, në raste të tilla, N. Kulla ka parapëlqyer më fort ri-vlerësimin e sjelljes, marrëdhënieve, gjer dhe qëndrimin e Kadaresë ndaj ngjarjeve, por nisur më shpesh nga një optikë thuajse personale, që vjen si e mbivendosur dhe që shkon gjer te “syri i sotëm” i të parit të gjërave, sesa si një këqyrje e një shqyrtim që konvergon dhe i gjegjet kohës së dikurshme. Do ta gjykoja të panevojshme një “pastrim” të tillë, kur në atë kohë të egër dhe kërcënuese, mbushur plot frikë e theqafje, t’i hiqen portretit të shkrimtarit vijat e mundimit, të frikës, të tragjedisë, të situatës së tmerrit dhe pamundësive ku ai dhe të gjithë ne gjendeshim, ciklonit dhe gjakut që e rrethonte gjithandej. Sidomos kjo për një Kadare, i cili ishte në majën e “pemës” dhe horizontit të vëmendjes popullore, aty ku binin rrufetë dhe ndëshkimet. Sepse gjykoj që një qasje e tillë më shumë e nxjerr jashtë kohës shkrimtarin sesa e ndërkall në ciknën dhe furtunën e tmerrshme të saj, te mbijetesa. Andaj, gjykoj, do të ishte më e udhës, sipas meje, që vende-vende kjo dashuri e natyrshme dhe e sinqertë e Kullës ndaj sjelljes së shkrimtarit përballë diktaturës dhe ngjarjeve të saj, aty ku nuk paraqitet e nevojshme, t’i largohej “shikimit nga sot”, pra e thënë në termat teorike letrare, t’i largohej dëshirës dhe tundimit të “pritësit” të kohës së fundme për të rivendosur aty shtresat e saj kuptimore. Shpesh këto shtresa janë personale ndaj asaj sjelljeje, që tashmë është historike dhe e ashtudhënë. Besoj se mes këtij kalvari të “mbijetesës” së shkrimtarit kundruall realitetit egërshan të kohës, vuajtjes së tjetërsimit, nevojës për të “luajtur me zjarrin” dhe për të ecur këmbëzbathur mbi shpuzën e tij (për të mbrojtur jetën pra, familjen, të afërmit, atë çka njeriu në vetvete bën dhe është!) – kjo qasje lipsej të qe më e natyrshme dhe e njëmendët.

Afërmendsh, kur shkruan për një mal duhet t’i ngjitesh atij mali dhe udha është fort e pjerrët, përplot zgripe e theqafje. Duhet shumë mundim, gjer në kapitje. Libri “Ylli i shkrimtarit” me patjetër që e ka lodhur Ndriçim Kullën. Por ai i ka shpëtuar “theqafjes” dhe them se ka mbërritur në majën e malit, aty ku lëbyrej drita e “yllit të tij”, siç e thotë në parathënien e librit të vet, duke na dhënë një penelatë të veçantë të profilit sa njerëzor aq dhe letrar të shkrimtarit tonë të adhuruar Ismail Kadare. Dhe “Ylli” yt, i dashur Ndriçim, nuk është rrëzuar, por është mbajtur fort në pjerrinën drejt malit të Kadaresë…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.