Kryesore

Të vdesësh pa të afërmit pranë, dëshmi tronditëse në “Jeta pa filtër”

12:35 - 03.06.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Emisioni  “Jeta pa filtër” ka sjellë këtë javë rrëfime tronditëse dhe përjetime që vijnë për herë të parë në media nga personazhe publike mbi vështirësitë që krijoi përhapja e virusit korona. Temë kryesore ishte distancimi social që u krijua nga nevoja për të qëndruar larg njëri-tjetrit për t’u mbrojtur nga Covid-19. Autorja dhe psikologia e emisionit, Ervisa Lula vendosi të shkëpusë fragmente impresionuese nga biseda në Skype me një avokate shqiptare në Itali e sëmurë me Covid-19.




Esilda Palluqi me një gjendje shëndetësore pak më të përmirësuar tregon pengun e saj më të madh nëse sëmurej edhe i shoqi, dhe makthin e familjeve që u merreshin njerëzit në gjendje të rëndë e ndoshta përfundonin në kremator. Më tej gazetari i terrenit në TV “News24”, Erjon Skëndaj është parë ndryshe nga herët e tjera kur i është dashur të raportojë.

Ai ka folur mbi frikën e infektimit pasi grupi i gazetarëve ishte direkt i ekspozuar duke bërë lidhje direkte pikërisht nga vatra më e madhe e infeksionit në vend, spitali Infektiv, i kthyer në spital Covid-19. Çfarë ka ndodhur në familjen e tij dhe si e ka përjetuar e bija distanën që ai duhet të mbante për shkak të sigurisë, është një nga pikat kulminante, bashkë me pamundësinë e tij për të parë prindërit për disa muaj me radhë.

Mjeku Arjan Harxhi, të cilin e kemi ndjekur shpesh në media me informacione sqaruese për virusin korona, këtë herë në emision e shohim në dimensionin personal, ku tregon me dhimbje dramën e rëndë që përjetohej me pacientët brenda në pavion. Ai tregon se si qëndronte edhe vetë në shtëpi në distancë nga fëmijët dhe e shoqja, madje shkëput me keqardhje faktin se nuk ka mundur dot të shohë të jëmën apo dhe vjehrrën e tij.

 

Në një pjesë të emisionit, intervista e shkurtër me një luleshitëse tek dera e varrezave të Tufinës dëshmon ceremonitë e pazakonta me vetëm pak njerëz, duke i vënë vulën titullit të këtij episodi: Korona, virusi që na ndau për së gjalli.” Psikologia dhe autorja e “Jeta pa filtër”, Ervisa Lula bën një analizë mbi fenomenin e distancimit social duke bërë thirrje për t’u drejtuar tek specialistët në rast të një gjendje jotë të mirë të shëndetit mendor shkaktuar nga një situatë e vështirë që preku gjithë botën me pasoja psikologjike, ekonomike e shoqërore. Emisioni “Jeta pa filtër” vjen çdo javë në “News24” të mërkurën në orën 10:30 si edhe në Youtube: News24Albania.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.