DOSSIER

Vladimir Vladimiroviç Putin, fuqia dhe dobësia e një Cari të ri

18:00 - 03.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Spartak Topollaj –  Rusia (emri zyrtar Federata Ruse) me sipërfaqe mbi 17 milionë km.2 është shteti më i madh i botës, ndërsa me 150 milionë banorët e saj është edhe shteti me popullsinë më të madhe në Europë.




Të ardhur nga tajgat, tundrat dhe stepat, rusët ishin fise sllave nomade të përmendur mes shekujve III – VIII që për herë të parë ngritën kryeqendrën e tyre të quajtur Novgorod, ku mbizotëruan variagët, popullsi elitë e ardhur nga Skandinavia ndërsa prej vitit 882, bënë kryeqytet Kievin. Herët u afruan me Bizantin dhe përqafuan fenë ortodokse. Në shekuj luftuan me fqinjët për ekspansion reciprok dhe ndër heronjtë e parë të tyre kundër suedezëve dhe teutonëve ishte Aleksandër Nevskij. Nga mesi i shekullit XIV forcohet Dukati i Moskës që thyen tartarët në Betejën e Kulikovos, 1380. Pas Ivanit I e II, Ivani III, i Madhi, u mbiquajt Car, (variant rus i emrit Cesar) shteti i të cilit filloi të ndihej si Roma e Tretë, madje ai thirri nga Italia për rindërtimin e Kremlinit, Ridolfo (Aristotele) Fioravantin, Marko Ruffon dhe Pietro Antonio Solarin, inxhinierë e arkitektë të shquar e të sprovuar në ndërtime kryeveprash, si katedrale, kështjella dhe pallate mbretërore e aristokratike. Shteti i tij degradoi në autokraci, që kulmoi gjatë sundimit të Ivanit IV, i njohur ndryshe “Ivani i Tmerrshëm”, që u bë edhe i pari Car që u kurorëzua zyrtarisht më 1547.

Rusët kanë luftuar gjatë me mongolët, turqit, por edhe me polakët e lituanët ku shquan fitorja e vitit 1612 me heronjtë Minini dhe Pozharskij.

Nga 1613, për 300 vjet Rusia do sundohet nga Dinastia e Romanovëve, filluar me Mikhailin, birin e Patriarkut të Moskës, vazhduar me Pjetrin i I-rë që themeloi e bëri Perandori Rusinë me kryeqytet Shën Pjetërburgun më 1721, Katerinën II, deri te i fundit Nikolla II (1894-1917). Është e kuptueshme që në këta tre shekuj të romanovëve të ketë edhe ngjarje të tjera të mëdha, si fitorja mbi Napoleonin, 1812, Kongresi i Vjenës 1815, Lëvizja Dekabriste 1825, Lufta e humbur e Krimesë, epidemia e kolerës me 1 milion viktima, Lufta Ruso-Turke 1877-1878, Kongresi i Berlinit me vendimet antishqiptare (ndërkohë që shpallej Autonomia prej Turqisë nga Lidhja e Prizrenit, udhëhequr nga atdhetarët e mëdhenj, Iliaz Pashë Dibra-Qoku, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Syl Vokshi). Po ashtu shënohet vrasja e Car Aleksandrit II, 1881, Lufta Ruso-Japoneze 1904-1905, Revolucioni i 1905 me të Dielën e Përgjakshme të 9 Janarit, Lufta I-rë Botërore, 1914-1918 dhe Revolucioni i Shkurtit 1917. Abdikimi nga Froni i Carit dhe rënia de facto e Monarkisë. Rusinë në kaos e qeveris Gregorij Jevgenijevic Lvov,15 Mars-21 Korrik 1917, e më pas Aleksandër Fjodoroviç Kerenski, deri në rënien e Pallatit të Dimrit, 25 Tetor(7 Nëntor) 1917, kur fiton Revolucioni Bolshevik i Leninit dhe Trockit, të cilët vendosin Diktaturën më jetëgjatë të  Proletariatit (rreth 75-vjet).

Revolucioni i Tetorit 1917

Duhet pranuar, që në Rusinë cariste, pushteti autokratik i Nikollës II, kishte ngjallur pakënaqësi të madhe për të gjitha arsyet. Jeta luksoze dhe shpenzimet e shfrenuara të Oborrit dhe aristokracisë nëpër festa e orgji, mjerimi i muzhikëve dhe punëtorëve, disfatat në Front nga mungesa e pajisjeve e furnizimeve të ushtrisë, Caresha që urrehej për origjinën, madje akuzohej edhe si agjente gjermane e imorale, për shkak të tradhtisë e raporteve intime me një personazh tepër të diskutueshëm e të urryer nga të gjithë, Grigorij Efimoviç Rasputin (1869-1916) një figurë sa mistike, aq edhe  apokaliptike e perverse, por me rol e influencë të madhe te çifti perandorak, sollën shpërthimin e revoltave të armatosura.

Masakra e bolshevikëve mbi familjen Romanov

Pushtimi i Pallatit të Dimrit dhe të shtënat e Kryqëzorit Aurora, që për koincidencë do të thoshte Agim, vërtetë shënuan fundin e një dimri të gjatë 300 vjeçar me shi e borë të autokracisë cariste të romanovëve, por rusët shpejt do kuptonin, se për ta do të fillonte një tjetër dimër, shumë më i vështirë, gati 75 vjeçar, me breshër dhe borë të skuqur me gjakun e rreth 30 milionë viktimave. Lenini, Trocki dhe Stalini ishin “trojka” e parë bolshevike që udhëhoqën vendosjen e Pushtetit Sovjetik, krijuan Ushtrinë e Kuqe,(23 Shkurt 1918) dhe thyen në Luftën Civile 1917–1923, “të Bardhët” e Kollçakut, Kornillovit, Denikinit, Vrangelit, Judeniçit etj., të cilët u ndihmuan ushtarakisht nga Britania, SHBA, Franca etj. Në 17 Korrik 1918, me urdhër të Svjerdllovit dhe pa dyshim me miratimin e Leninit, në Ekaterinburg, në Shtëpinë Ipatjev, pas 78 ditësh izolim, u ekzekutua Cari, Caresha, katër vajzat, Ollga, Tatjana, Marija, Anastasija dhe Aleksei djali 11 vjeçar, Dr. Botkin-mjeku personal i familjes, roja personale Trupp, kuzhinieri Sharitonov, e në fund edhe kujdestarja Anna Demidova. Krim ky i pashembullt, që vazhdoi me përpjekjet e egra dhe perverse për poshtërimin dhe asgjësimin e kufomave duke i varrosur e zhvarrosur disa herë, deri sa më 1998 u varrosën në Katedralen e Shën Pjetrit e Palit në Shën Pjetërburg dhe më 2008 u kompletua dhe u vërtetua me ADN se trupat i përkisnin familjes së Carit.

Stalini eliminoi bashkëpunëtorët e tij

Më 30 Dhjetor 1922 themelohet BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Me gjithë rezervat e mëdha të Leninit për Stalinin, madje dhe kërkesën e tij me shkrim drejtuar Komitetit Qendror për ta shkarkuar nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm, ky si një mjeshtër i intrigës, pragmatizmit, shantazhit e dhunës, ia doli të mbetet në krye të Partisë duke injoruar e spostuar Leninin, mësuesin e tij, me sëmundje veneriane dhe poshtëruar Krupskajan, bashkëshorten e tij, të cilën e quante një shterpë të shëmtuar, që i ngjallte krupë! Për 30 vite, deri sa vdiq më 5 Mars të 1953, diktatori paranojak e delirant, krimineli patologjik komunist, ish grabitësi i bankave, i pa shkollë, vetëm me një seminar ortodoks, asgjësoi familjarët më të afërm, miqtë e shokët më të ngushtë, dhe të gjithë ata që guxuan ta kritikojnë e kundërshtojnë sadopak, çka ne shqiptarët, mund ta kuptojmë shumë më mirë se të tjerët, nga imitimi i përkryer që diktatori ynë, i bëri monstrës gjeorgjiane.

Pasi formoi një tjetër trojkë me Zinovievin dhe Kamenievin, për eliminimin e nr.2 të Bashkimit Sovjetik, Trockit (të cilin e përzuri nga vendi në 1929 dhe më pas e vrau në Meksikë më 1940), iu kthye edhe atyre të dyve duke i ekzekutuar pas një gjyqi farsë e të montuar, siç bëri më pas me Buharinin, Rikovin, Tukaçevskin etj, apo duke vrarë Kirovin dhe “vetvrarë” Orxhonikixen. Ai keqpërdori deri në detaje policinë e tij sekrete, që ndërronte shpesh emër, si CEKA, NKVD, GPU, KGB etj., krerët e së cilave, përjashtuar Xherxhinskin, i ekzekutoi pa mëshirë, si Menzhinskin, Jagodën (që në gjyq pohoi helmimin e paraardhësit) e Jezhovin, ndërsa të tmerrshmin e kameleonin Beria, e ekzekutuan fill pas vdekjes së Stalinit, grupi i Malenkovit, Hrushovit, Bulganinit, Voroshillovit, Mikojanit, Molotovit e Zhukovit.

Hrushovi, pasardhësi i Stalinit që goditi kultin e tij

Hrushovi do të mbahet mend, si njeriu që guxoi të godasë rëndë kultin stalinist të individit në Kongresin XX të PKBS, Shkurt 1956, por edhe si lideri që shtypi me tanket e ushtrisë sovjetike, Revolucionin Demokratik në tetor të vitit 1956 në Hungari, sipas skenarit të ambasadorit të tij Andropov (më pas Shef i KGB-së, e lider i Bashkimit Sovjetik, karrierë kjo pak a shumë e ngjashme me atë të Putinit). Ishte po Hrushovi, që zhvilloi edhe vizitën e famshme gati dy javore në Shqipëri në prill-maj 1959, të trumbetuar me aq bujë nga ne, por që Enver Hoxha e harroi shpejt, ndërkohë që në fund të vitit 1961, Shqipëria po hynte në “Dimrin e Vetmisë së Madhe” me Europën, siç do e përcaktonte gjeniu ynë Kadare në veprën e tij të famshme dhe po niste miqësinë e “pathyeshme” me “vëllezërit” tanë kinezë të Maos, që do të thyhej më 28 korrik të vitit 1978.

Në 15 Shtator 1959, Hrushovi u bë lideri i parë që vizitoi SHBA, me ftesë të Presidentit Ajzenhauer, dhe më pas, në akord me Presidentin Kenedi, shmangën një katastrofë bërthamore, gjatë krizës kubane të raketave. Në tetor të vitit 1964, Hrushovin e  “bashkekzistencës paqësore”, e rrëzojnë nga pushteti dhe në krye të Bashkimit Sovjetik, për 18 vite do sundojë plot prepotencë e arrogance rusomadhe, Leonid Brezhnjev, zbatues i  doktrinës së “Sovranitetit të kufizuar”, nxitës pro arab i luftës 5 ditore me Izraelin në qershor të 1967-ës, që në gusht të 1968-ës, urdhëroi mareshalët, Greçko e Jakubovski, të pushtojnë Çekosllovakinë aleate, ndërsa më 1979-ën pushtoi Afganistanin, populli i të cilit, pas një luftë dhjetë vjeçare, i përzuri me turp sovjetikët. Pas Brezhnjevit, në 1982 – 1984, në pushtet u vendos njeriu hije, Andropovi dhe me vdekjen e tij, për rreth një vit, erdhi Konstantin Çernjenko, të cilin e zëvendësoi më 1985-ën Gorbaçovi, autor i “Gllasnostit” dhe “Perestrojkës”, ai që pranoi pas këmbënguljes së Presidentit të madh amerikan, Ronald Regan, shembjen e Murit të Berlinit, më 9 nëntor të vitit 1989 dhe bashkimin paqësor të dy Gjermanive, akt që nisi nga një deklaratë e Gynter Shabovskit, një prej liderëve gjermanolindorë, drejtuar qytetarëve të tij.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe reformat gorbaçioviane

Por rënien e lirë dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, nuk e shpëtonin dot as reformat gorbaçoviane, me të cilat konservatorët stalinistë nuk mund të pajtoheshin, ndaj duke përfituar nga mungesa e tij në Moskë, pasi ndodhej me pushime në Krime, teksa panë se më 28 qershor “KOMEKON” dhe më 1 korrik 1991, Traktati i Varshavës, pushuan së funksionuari, organizuan puçin ushtarak të 19-21 gushtit, i cili, jo vetëm nga populli, por edhe nga shumica e forcave ushtarako-policore që do e realizonin, nuk u përkrah dhe natyrisht dështoi. Rol përcaktues për dështimin e grushtit të shtetit, luajti Boris Jellcin, lider i Republikës Ruse, që mbrojti Gorbaçovin gjysmë të arrestuar nga puçistët në Krime, duke i mundësuar kthimin e sigurtë në Moskën e trazuar. Krerët e puçit, kryeministri Pavlov, zv/presidenti Janajev, ministri i Mbrojtjes, Jazov, kreu i KGB-së Krjuçkov, dhe disa shtetarë të lartë, si Starodubcev, Baklanov, Tizjakov etj., u arrestuan. Ndërsa ministri i Brendshëm, Pugo, këshilltari ushtarak i Gorbaçovit, Akromejev dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komitetin Qendror, Kruçina, vranë veten (Pugo, para vetes, vrau dhe gruan)!

Më 24 gusht Gorbaçovi jep dorëheqjen si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe më 25 dhjetor 1991, edhe nga funksioni i Presidentit të BRSS, duke u zëvendësuar nga i sapozgjedhuri President, Boris Jellcin. Por përpjekjet për ta përmbysur edhe Jellcinin nuk munguan. Duke kundërshtuar ‘Referendumin’ për Kushtetutën e Re, (shtator-tetor 1993, Parlamenti vendosi shkarkimin Presidentit dhe ngarkoi Aleksandër Ruckojin si President “ad interim”. Ky bashkë me kryeparlamentarin, Ruslan Hasbulatov, kryesuan komplotin e “Shtëpisë së Bardhë” (kështu quhet edhe ndërtesa e Parlamentit rus), të cilit Jellcini iu përgjigj me top dhe me arrestimin e krerëve të tij. Megjithatë, Jellcini nuk e ndali dot shpërbërjen e BRSS, autoriteti i të cilit po lëkundej ashtu si vetë lideri sarhosh, që kutërbonte shpesh erë vodka. Ekonomia në stanjacion, korrupsioni galopant i administratës, teknologjia e prapambetur, privatizimet pa kriter, shthurja e kastës ushtarake, mbetur pa paga e privilegje, shkurtimet drastike të personelit burokratiko-agjenturor të KGB-së, prej fundit të “Luftës së ftohtë”, akaparimi i resurseve të vendit në duart e një grushti oligarkësh, operacioni në zemër, etj. etj., e detyruan Jellcinin të mendonte për pasardhësin, i cili natyrisht do të duhej t’i garantonte paprekshmëri atij e familjes, edhe pas largimit nga pushteti. E mesa dukej, ky fat do ti ndriste një ish agjenti të shërbimit sekret sovjetik, të quajtur Vladimir Vladimiroviç Putin?

Kush ishte Vladimir Putin dhe rruga e tij e mundimshme drejt pushtetit në Kremlin?

Putin lindi në Leningrad, sot Shën Petërburg, më 7 tetor 1952, në familjen e Vladimir Spiridonoviç Putin (1911-1999) dhe Maria Ivanovna Shelomova (1911-1998). Gjyshi, Spiridon Ivanoviç Putin, (1879-1965), ishte një nga kuzhinierët e përzgjedhur për besnikëri dhe aftësi, në një nga daçat, (vilat) ku pushonin Lenini dhe Stalini. Një kërkim i revistës Moskovskij Komsomoljec, supozon origjinën viçentine të familjes Putin, ardhur pra nga Viçenca e Italisë, në kohën e ndërtimit të hekurudhës Trans-Siberiane. E ëma ishte punëtore, besimtare ortodokse, ndërsa babai në vitet ’30-të, marinar nëndetëseje, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e rekrutoi NKVD, (shërbimet sekrete) për ta hedhur me grupet sabotatore, në territoret e pushtuara, e pas Lufte, Sekretar Partie në një fabrikë.

Putin u rrit në varfëri, madje për disa kohë edhe në një komunitet fëmijësh. Shumë vite pas, më 22.10.2015, në Soçi, Putin pranon se: ‘rruga në Leningrad më ka mësuar që nëse sherri është i pashmangshëm, godit ti i pari’! Dy vëllezërit para tij vdiqën, njëri vetëm pak muajsh, tjetri gjatë rrethimit të tmerrshëm të Leningradit. Putini u martua më 28 korrik 1983 me Ljudmilla Aleksandrovna Shkrebnjeva, e cila kish lindur në Kaliningrad më 6 janar 1958. Çiftit i lindën dy vajza në Dresden, (Maria-1985 dhe Ekaterina-1986). Ljudmilla studioi për Filologji dhe Spanjisht, ndërsa vajzat: Maria, pediatre endokrinologe dhe inxhiniere gjenetike, martuar me Jorrit Joost Faassen, kurse Ekaterina, balerinë akrobatike, martuar me një oligark financash bankare, i quajtur Kirill Shamalov, me 500 milionë $, bir i një bosi bankash me 2 miliardë $, pronarë të Sibur Holding. Dhëndrit, më 2018-ën, SHBA i vendosi sanksione së bashku me 23 persona të tjerë, i dyshuar për implikim me ngjarjet në Ukrainë. Me Ljudmillën, që ruajti një profil të ulët, si Zonjë e Parë, Putin divorcohet më 2014-ën, por që para divorcit flitej se kish filluar bashkëjetesën me yllin e gjimnastikës ritmike, modelen bukuroshe dhe politikanen, Alina Maratovna Kabajeva, e lindur në Tashkent të Uzbekistanit, më 12 maj të vitit 1983, vajzë e futbollistit Marat Kabajev, kampione Bote dhe Olimpike, të cilës iu hoq titulli botëror i 2001-it në Madrid, pasi rezultoi se kish përdorur doping. Ajo u bë deputete e Dumës Ruse dhe lindi Dimitrin më 2009-ën dhe një vajzë më 2012-ën, atësia e të cilëve i atribuohet Putinit. Por edhe Ludmilla nuk mbeti pas. Në shenjë hakmarrjeje, kësaj “gjelle” që zakonisht gratë e “servirin të ftohtë”, ajo s’vonon dhe më 2015-ën martohet me biznesmenin, Artur Oçeretnij, 21 vite më të ri se ajo.

Shkollimi e diplomimi i Putin dhe karriera si agjent i KGB-së

Putin u diplomua më 1975-ën, për të Drejtën Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Leningradit dhe u rekrutua nga KGB-ja, si dikur i ati, për të cilën punoi 15 vjet, (përfshi vitet 1985-1990-të) në Dresden të Republikës Demokratike Germane, ku bëri “përkthyesin” pranë STASI-t, (shërbimet sekrete gjermane), ku mbërriti gradën nënkolonel dhe në ditët e shembjes së Murit të Berlinit, u gjend pranë zyrave qendrore të këtij shërbimi, ku drejtoi asgjësimin me djegie në kaldajë, të arkivave të sulmuara nga turmat që e urrenin për vdekje policinë e tmerrshme sekrete gjermanolindore drejtuar në 40 vite (1950-1990) nga katër shefat e mëdhenj, Zaisser,(’50-’53), Wollweber (’53-’57), i frikshmi Mielke mbi 30 vjet, (’57-’89) dhe Schwanitz (’89-’90). Në 5 dhjetor të 1989-ës, Putini, teksa drejtonte operacionin, kërcënoi me pistoletën me 12 plumba të qëllonte, duke ruajtur plumbin e fundit për vete, si alternativë të fundit.

Kthimi dhe karriera në Bashkimin Sovjetik të pas viteve ’90-të

Putin tashmë kthehet në Bashkimin Sovjetik, por në gusht të vitit ‘91, duke nuhatur fundin e një epoke, dorëhiqet nga KGB-ja, pas përkrahjes që ajo i bëri grushtit të dështuar të shtetit kundër Gorbaçovit, dhe fillon punë në Universitetin e Leningradit, Sektori Marrëdhënieve Ndërkombëtare, e më pas i përkrahur nga kryebashkiaku Sobçiak, bëhet këshilltar i tij. Lidhet me një nga bosët e GAZPROM-it, Aleksej Miller dhe të tjerë njerëz të fuqishëm të industrisë së metaleve joferroze, ku edhe u përfshi në një aferë 93 milionë $. Në vitet që vijnë drejton një agjenci imobiliare gjermane, që u hetua për pastrim parash. Në ’94-ën ai zgjidhet në Këshillin e Qytetit, kryeson delegacionin proqeveritar në Partinë “Rusia-Shtëpia Jonë” dhe grupin botues të gazetës, “Sankt Peterburgskije Vedomosti”.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 1996-ës nga Sobçiak dhe fitores së Jakovlev, Putini thirret në Moskë pranë të besuarit të Jellcinit, Pavel Borodin, ndërsa më 26 mars 1997, vetë Jellcin e emëron Shef Personeli të Presidencës. Teksa ndjek një master për Ekonomi, rezulton që punimi i tij është një plagjiaturë e plotë, madje 16-20 faqe fjalë për fjalë kopjuar nga profesorët amerikanë, King dhe Cleland, të përkthyer nga një Institut i afërt me KGB-në, ç’ka çuditërisht nuk e pengoi të bëjë përpara, duke spostuar funksionarët e lartë Mitina dhe Sahraj. Dhe pas gjithë këtyre, habitshëm, po vetë Jellcin e emëron në krye të FSB (ish KGB) në Lubjankën famëkeqe më 25 korrik ’98, ku qëndron deri në gusht ’99-ës edhe si anëtar i përhershëm i Këshillit Rus të Sigurisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë, Juri Skuratov, kish guxuar të hetonte për korrupsion edhe vetë Jellcinin për aferën FIMACO, një kompani financiare që gjatë kolapsit ekonomik e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kishte manipuluar në shifra astronomike deri 50 miliardë $, duke bërë edhe pastrim parash mes Rusisë dhe Zvicrës. Nuk është e vështirë të kuptohet që Jellcini nuk do t’ia falte kurrë këtë Skuratovit, ndaj dhe dha porosi që ai të mbahej nën “kujdes”. Dhe më mirë se ministri i Brendshëm, Stepashin dhe kreu i FSB, Putin, askush nuk mund ta kryente “porosinë”! Në Prill të ’99-ës, në një konferencë të përbashkët shtypi, këta të dy paraqitën publikisht para gazetarëve materiale kompromentuese të regjistruara nga një orgji në të cilën dilte Skuratovi në shoqërinë e dy femrave të reja nudo, servirur nga kriminelë të rangut të lartë të botës së nëndheshme, që Stepashin dhe Putin, për shkak të detyrës dhe eksperiencës, s’e kishin të vështirë t’i gjenin e t’i përdornin. Dhe ai që u shpërblye më shumë për shërbimin, ishte pikërisht Putin-i, të cilin Jellcin e propozoi për kryeministër dhe Duma me 233 vota pro, 84 kundër dhe 17 abstenime e zgjodhi të tillë më 16 gusht të 1999-ës, zgjedhje kjo, që u kundërshtua ashpër nga dy mëtuesit për President, ish kryeministri Primakov dhe ish kryebashkiaku i Moskës, Luzhkov, nën pretekstin se ende Putin nuk përbënte një figurë të njohur të nivelit të lartë, por koha tregoi se të dy ata kishin qenë të gabuar.

Rritja e autoritetit të Putin pas luftës në Çeçeni

Putini e rriti autoritetin veçanërisht gjatë Luftës së II-të në Çeçeni. Ai pat deklaruar aso kohe (24.09.1999) se: “Ne do t’i ndjekim ngado terroristët dhe kur t’i gjejmë, më falni për shprehjen, do t’i hedhim drejtë e në gropën e gjirizit”! Në këtë kohë ndodhën ngjarjet në Kaukazin e Veriut, ku Daghestanin e pushtojnë çeçenët e riorganizuar. Më 31 dhjetor ’99-ës, ai viziton dhe frymëzon ushtarët rusë atje. Në të njëjtën ditë, papritmas për të gjithë, por pa dyshim jo për Putinin, Jellcin jep dorëheqje si President, duke ia lënë sipas Kushtetutës, deri në zgjedhje, detyrën e Presidentit “ad interim”, kryeministrit, që në këtë rast ishte V. V. Putin dhe ashtu siç edhe mund të merret me mend, pas një akordi paraprak mes të dyve, ndër dekretet e parë që Putini do të firmoste pasi të fitonte, do të ishte ai që garantonte paprekshmërinë e presidentëve paraardhës dhe familjeve të tyre! (këtë e ndryshoi me 12 shkurt 2001). Më 26 mars të vitit 2000, zhvillohen zgjedhjet presidenciale, të cilat pa problem, Putin i fiton që në turin e parë dhe më 7 maj, ai betohet si President i Federatës Ruse, detyrë që e nisi me zëvendësimin e himnit të njohur sovjetik me muzikë të Aleksandrovit dhe tekst të Mikhailkovit, me një himn të ri, me muzikë të të madhit Glinka, por pa tekst!

Seriali i eliminimit fizik të kundërshtarëve

Tani Putin, i ka rrugët e hapura, ndaj dhe ndërmerr një sërë reformash administrative-territoriale dhe të qeverisjes duke e filluar me goditjen e oligarkëve, por këtë e bën me përzgjedhje selektive. Në korrik e tetor të vitit 2003, arrestohen oligarkët Lebjedjev dhe Khodorkovski, të akuzuar për “aferën Jukos dhe Apatit e më pas Berezovski, nr. 1 i AvtoVAZ, e aksionisti kryesor i Aerofllot-it”. Në të vërtetë ai ishte miliarderi i parë i periudhës postsovjetike. Mik i Jellcinit, ai u akuzua si “Kumbari i Kremlinit”, në librin e gazetarit investigative, Paul Klebnikov (që e pagoi me kokë librin, pasi u gjet i vrarë në Moskë më 2004). Kundërshtar i Putinit, Berezovski përfiton nga amnistia dhe ikën në Londër, por dikush s’e kish harruar. Kështu në rrethana “misterioze”, gjendet i vdekur në Titness Park, më 23 mars 2013, ndërsa kolonel Litvinjenko, agjent i KGB-së, para vdekjes, i helmuar me “Polonium 210” po në Londër (me shumë gjasa nga agjenti tjetër i KGB-së, Dmitri Kovtun), pohoi se edhe Berezovski ishte eliminuar me metodë të sofistikuar që vdekja  të dukej si vetëvrasje.

Edhe Khodorkovski, njeriu më i pasur i Rusisë në atë kohë, (sipas FORBES, me 15 miliard $), pas lirimit iku në Londër. Po ashtu oligarku Abramoviç, i ngjashëm me ta, jeton në Londër, ku veç të tjerash është edhe President i Klubit të Futbollit “Chelsea”. Lista e të vrarëve apo të arrestuarve si opozitarë, oligarkë, gazetarë investigativë apo ish agjentë të hedhur në Perëndim, është e gjatë. Kështu vritet në Moskë, gazetarja investigative opozitare, Anna Politkovskaja, më 7 tetor 2006 (u përdorën si ekzekutues separatistë çeçenë, pikërisht në datën e lindjes së Putinit), biznesmeni i përfshirë në politikë, hebreo-gjeorgjiani Arkadi Shalvoviç “Badri” Patarkatsishvili, me 12 miliard $ pasuri, vdes në rrethana misterioze në Britani, më 12 shkurt 2008. Eliminimet vazhdojnë me liderin e opozitës, Boris Njemcov, më 3 mars 2015, i cili vritet pranë mureve të Kremlinit.

Më pas helmohen në Londër, babë e bijë, Skripal-ët, që fatmirësisht i shpëtoi mjekësia angleze, ashtu si u helmua me ‘klorid amoniumi’ dhe mbeti me vraga në fytyrë edhe Presidenti i Ukrainas së asaj kohe, Viktor Jushçenko, pa harruar të përmendim vrasjen që i parapriu eliminimit të disidentëve me këto mënyra, të shkrimtarit të shquar bullgar, Georgi Ivanov Markov, kundërshtar i deklaruar i Brezhnjevit dhe kopjes së tij bullgare, Zhivkovit. I cili teksa priste autobusin në stacionin Balham të Londrës, u gërvisht me majën e helmuar të një çadre më 11 shtator 1978. Po ashtu prej vitesh përndiqet Vladimir Gusinski, (bosi i mediave të shkruara e vizive opozitare ruse), që tani jeton në Perëndim dhe gazetarja Elena Viktorovna Tregubova, dikur korrespondente e tre gazetave që mbulonte Kremlinin, autore artikujsh dhe dy librave anti-Putin, me nga 200.000 kopje, u shantazhua, kërcënua, madje edhe tentuan ta vrasin me eksploziv më 2.02.2004, detyrohet të kërkojë strehim politik në Britani, që pas një viti hezitim, iu miratua më 2.04.2008 etj.

Një tragjedi e ndodhur më 12 gusht të vitit 2000, me nëndetësen atomike K-141 KURSK, ku pas dy shpërthimeve në thellësi 100 m.  humbën jetën 118 oficerë, marinarë dhe konstruktorë të shquar të Flotës, i uli shumë pikë Putinit, teksa ai për një javë rresht nuk denjoi të linte pushimet në brigjet e Detit të Zi. Për më keq akoma, me teknologjinë e tyre, ata nuk mundën ta nxjerrin mbi sipërfaqe, gjigandin 154 metra, (mbi 16.000 ton), deri sa u detyruan të kërkojnë ndihmën e një ekipi të specializuar norvegjezo-britanik, që ia dolën ta nxjerrin mbi sipërfaqe, por kuptohet pa asnjë të gjallë brenda, se vonesa kish qenë fatale! Përveç 23 të parëve që vdiqën nga shpërthimet, 95 marinarët e tjerë vdiqën në agoni disa ditore nga mungesa e oksigjenit. U gjetën ditarët dhe letrat e dhimbshme të së vërtetës dhe lamtumirës, ndaj familjarët e akuzuan Putinin për vrasje kur ai, kokulur, më në fund mbërriti në Severomorsk.

Që më 1998-ën, kur ende ishte në pushtet Jellcin, rubla pësoi kolaps të plotë ndaj dhe një nga detyrat me përparësi që i doli skuadrës së Putin-it, ishte forcimi i saj që për hir të së vërtetës, u arrit mes vështirësish të shumta, gjë që gradualisht solli ringritjen e ekonomisë së Rusisë, e cila sot e ka GDP nominale rreth 1.7 trilionë$ (e 12 në Botë).

Lufta e parë parë ruso-çeçene (11.12.1994-31.08.’96), shpërtheu pas shpalljes së pavarësisë së Republikës Çeçene, por shkak i vërtetë ishin rezervat e mëdha të naftës, që zotëronte ajo dhe që mund t’i iknin nga dora Rusisë, pa përjashtuar edhe rolin e Kishës Ortodokse Ruse, që ndikonte edhe te politika dhe vetë Presidenti Jellcin, për një qëndrim jo dashamirës madje edhe përçmues, ndaj çeçenëve islamikë të cilët patjetër patën frymëzim religjionar dhe ndihma nga jashtë. Këtu nuk duhet harruar se ata vërtetë mbetën nën Rusinë që në kohën e Pjetrit të madh, shek. XVIII, i cili i mundi dhe i përzuri otomanët nga këto territore, por nuk u nënshtruan kurrë. Në fakt lufta kish nisur fill pas shpërbërjes së BS. Ajo shkaktoi shumë të vrarë,(që llogariten mbi 100.000) të plagosur dhe pengje nga të dyja palët, kryesisht civilë (si rasti i Spitalit Budjonovsk, ku nga 1500 pengje që u morën prej grupit të Shamil Basajevit, 120 u vranë). Kryeqyteti Grozni, pothuaj u shkatërrua plotësisht. Situata u komplikua me luftimet në Ingusheti dhe Oseti. Vriten dhe merren peng edhe gjeneralë, si Vorobjev, e plagoset rëndë komandanti i trupave ruse, gjenerali Romanov dhe më 21 prill, vritet me raketë edhe vetë lideri, Xhokhar Dudajev, teksa gaboi rëndë duke përdorur një celular satelitor. Paqja e përkohshme me rusët u nënshkrua nga lideri i ri, Asllan Maskadov, ndërsa duhet pranuar se Lufta e parë me çeçenët, ia uli shumë autoritetin Jellcinit.

Rusia e Putin-it, përballë xhihadistëve islamikë

Lufta e dytë ruso-çeçene (26.08.1999-16.04.09), filloi kur të ashtuquajturat “Brigada Ndërkombëtare Islamike”, u futën në Kaukazin e Veriut, në Daghestan dhe kur rusët filluan raprezaliet pas atentateve terroriste në Bujnaksk, Moskë dhe Volgodonsk, për të cilat akuzonin çeçenët. Kjo luftë shkaktoi mes 25.000-50.000 të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur, shumica civilë. Tashmë, Rusia e Putinit përballej me xhihadistë islamikë dhe muxhahedinë, të cilët arritën ta rimarrin edhe Groznin. Në këto kushte lufta e Rusisë putiniane u motivua edhe si luftë kundër terrorizmit islamik. Pasi qe bërë President, Maskhadovit iu bënë dy atentate, të cilave u mbijetoi dhe akuzoi rusët se qëndronin pas tyre. Nga ana tjetër, në Mars ‘99, në aeroportin e Groznit, merret peng përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, gjenerali, Shpigun, që në kulmin e konfliktit në vitin 2000, gjendet i vrarë.

Atentate me eksploziv, sulme të armatosura, bombardime, rrëmbime pengjesh, krime, tortura etj., pati pothuaj çdo ditë nga të dy palët me vite të tëra, por dy masakra të mëdha nuk do mund të harrohen lehtë: e para, ajo e Teatrit “Dubrovka” në periferi të Moskës, që zhvillohet mes 23-26 tetorit të vitit 2002, që përfundoi me 169 të vrarë, prej tyre 130 pengje dhe 700 të plagosur, ku trupat speciale ruse përdorën për neutralizim një analgjezik të fuqishëm, FENTANYL, e ndoshta edhe gaz NERVIN.  Kjo qe një shuplakë për Putin-in dhe e dyta, masakra e shkollës së Beslanit, (në Osetinë Veriore), mes 1-3 shtatorit 2004, me 344 të vrarë, nga të cilët 186 fëmijë dhe 700 të plagosur. Në këtë rast Putini u godit më rëndë akoma, pasi hëngri një grusht të fortë hundëve. Maskhadov nuk i shpëton dot atentatit të tretë, kur i goditur nga një raketë, vritet në 8 mars të vitit 2005, në Tolstoj-Jurt. Në suksesin për t’i mposhtur çeçenët, rusët i përdorën të gjitha, sidomos dhunën disproporcionale, por eksperienca e Putinit si KGB-ist, i regjur në përçarjen, blerjen dhe kundërvënien ndaj njëri-tjetrit të krerëve rebelë, pati rol gati përcaktues. Krerë si Kadirovët, Basajevët, Jandarbijevët, Barajevët, Umarovët, Gelajevët, Radujevët e plot të tjerë, të vrarë apo të gjallë, mbeten figura komplekse.

Konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë

Po në gusht të vitit 2008, nis dhe një tjetër konflikt i armatosur, kësaj here mes Rusisë e Gjeorgjisë, por që nuk zgjat shumë sepse ndërhyrjes ushtarake gjeorgjiane në Oseti dhe Abkhazi, që arrin të marrë nën kontroll pjesën më të madhe të kryeqytetit Tskhinvali, osetët iu përgjigjën duke “ftuar” Rusinë, që “miqësisht” pushtoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, ndërsa Mikhael Saakashvili, presidenti gjeorgjian, nuk bindi dot askënd në Perëndim apo dhe NATO-n vetë, që të ndërhynin. Një tjetër konflikt jo pa lidhje me Rusinë, në territore prej kohësh të diskutueshme mes dy Republikave Sovjetike të Armenisë dhe Azerbaixhanit, i pati fillimet e veta që më 1988 me provokime dhe akte dhune, në Nagorno-Karabakh, e banuar në shumicë nga armenë, por që pretendohej edhe nga azerët, deri atentate e vrasje por shpërthimi i konfliktit daton më 1992 dhe në një farë mënyre përfundoi me Marrëveshjen e brishtë të Bishkekut (kryeqyteti i Kirgizstanit) më 1994, e cila shumë herë është shkelur e vazhdon të shkelet edhe në ditët tona. Rrënjët e konfliktit të ashpër datojnë herët, por ato kulmuan më 1915-ën, kur turqit kryen gjenocid ndaj armenëve ortodoksë, duke vrarë e masakruar gati 1.5 milionë syresh dhe azerët myslimanë mbajtën anën e Turqisë, që kurrë s’e pranoi dhe nuk kërkoi falje, ndërsa Rusia atë të armenëve. Edhe SHBA dhe BE e njohin gjenocidin turk ndaj armenëve.

Konflikti ruso-ukrainas dhe “ndërmjetësimi” i kryeministrit shqiptar, Rama

Aktual, i madh, dhe i vështirë për t’u zgjidhur duket edhe konflikti ruso-ukrainas për Krimenë, pushtuar me luftë nga Putini, që Perëndimi dhe SHBA nuk mund ta miratonin e që rreket ta ndërmjetësojë zgjidhjen Edi Rama, në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së. Me precedentë konfliktualë disa herë të përsëritur, në krizat e brendshme politike të Shqipërisë, ai vështirë të merret seriozisht nga palët, çka u duk qartë të paktën në përçmimin prej megallomani rusomadh që Putini tregoi  ndaj Ramës, duke mos begenisur ta takojë në Moskë. Madje nuk lejoi ta bëjë këtë edhe homologu i tij, kryeministri i sapozgjedhur Mikhail Vladimiroviç Mishustin, me të cilin për koincidencë, i kanë etërit adashë dhe pasionin e njëjtë për të peshkuar në brigjet e “Donit të qetë”, pasion që nuk mund ta ndalte takimi me kryeministrin tonë Edi Rama, të cilin e “hodhi” në thonjtë e “ujkut të vjetër siberian” të diplomacisë ruse, Lavrovit, këtij Gromikoje të ditëve tona, i njohur ndryshe si “Gaspadin Njet” Nr.2- Zotëria Jo!, me të cilin Rama s’do të duhej të gabonte, siç edhe gaboi për fat të keq kur përmendi Stalinin apo me korrigjimin e Lavrovit dhe jo përkthyesit?! Për analogji, mund të kujtojmë Hrushovin te “DIMRI… Kadarean” që dyshon në aftësinë e përkthyesit.

Mosnjohja e Kosovës nga Moska?!

Tejet interesante do të ishte të analizonim shkurt dubëlstandardin politik dhe diplomatik rus, dhe hipokrizinë ekzemplare lidhur me konsistencën dhe konsekuencën e Putin-it, e natyrisht Lavrovit, për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur prej më tepër se 12 vitesh?! Në varësi të koniukturave dhe interesave hegjemoniste ruse, këta të dy, ndërkohë që pranojnë t’i referohen GJND, që ia njihte Kosovës se shpallja e Pavarësisë së saj, nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar aneksimit të dhunshëm të Krimesë, kërkojnë analogji?! Së pari, vetëm ngjashmëri në asnjë pikë nuk ka këtu.

Shqiptarët në Kosovë janë mbi 95% e popullsisë, ata janë prej mijëra vitesh në trojet e tyre të lashta në një territor unik, me histori, gjuhë, kulture e tradita të veçanta nga popujt dhe vendet fqinje. Kosova iu shkëput me dhunë trungut të trojeve të Kombit tonë, ndërsa Krimea e banuar gati 50% me 50% nga rusë e ukrainas, iu bashkua Ukrainës pa dhunë gjatë pushtetit komunist, duke qenë se të dyja republikat ishin pjesë e të njëjtit shtet, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Por, nëse rusëve në Ukrainë, nuk iu ushtrua kurrë dhunë dhe si sllavë që janë  edhe gjuhën e kanë gati të njëjtë, për Krimenë mund dhe duhej të gjendej zgjidhje paqësore. Kosovarët vuajtën dhunën shekullore dhe persekutimin e një regjimi të huaj, që kulmoi me masakrat, krimet e luftës, gjenocidin, përdhunimet masive, deportimin me forcë te popullsisë, djegiet e shkatërrimet e shtëpive e pronave, ndaj kurrë s’ka analogji por, edhe nëse paska një të tillë për Putinin e Lavrovin, pse këta vazhdojnë të mos e njohin Kosovën?! Përkundrazi, janë të parët që përkëdhelin e llastojnë Serbinë e Gëbelsit të Millosheviçit, (familjen e të cilit, përndryshe tre M.-të, (Mirjana-Marko-Marija), e strehuan me bujari për vite të tëra, madje kërkuan edhe vetë M. e katërt- Millosheviçin, Kasapin e Ballkanit ta kuronin në Moskë, duke e nxjerrë nga Burgu i Scheveningen-it në Hagë) e nga ana tjetër furnizojnë pa ndërprerje edhe me armët më të sofistikuara Serbinë e Vuçiçit.

Pasuria përrallore e Putin dhe hobet e pasionet e tij!

Putin, ashtu si shumica dërrmuese e rusëve, nuk është se kishte ndonjë pasuri, edhe pse siç themi ne, nuk mund të quhej “pabuks”. Me kursimet nga rroga si ushtarak i KGB-së, mezi mundi të blejë autoveturën ZAZ (Zaparozhec) të prodhimit sovjetik, por pas ikjes nga KGB-ja dhe fillimit të punëve të reja në Bashkinë e Leningradit, në kompani private të përshkruara më sipër, zë e shton pasurinë. Kështu në ’92-in, posedon një daça me 7000 m.2 tokë, në Solovjovka të Priozerskijt, (pranë Leningradit), në Istmin Karelian, bashkë me fqinjët më ’96-ën ngrenë edhe një kooperative. Me mbërritjen në Moskë dhe ngritjen e shpejtë në përgjegjësi, ashtu si shumë nga funksionarët burokratë, partiakë apo shtetërorë, e shton pasurinë në progresion gjeometrik. Ai ishte një ushtarak ateist, por pas aksidentit të Ljudmillës në ’83-in dhe zjarrit në vilën e tij, kthehet në praktikant ortodoks, si e ëma. Putini ka pasion gjuetinë, peshkimin, kalërimin, xhudon dhe karatenë, përgjithësisht sportet dhe artet marciale. Është që herët një fans i grupit muzikor suedez ABBA dhe ndjekës i rregullt i garave të Formula 1, po ashtu si leningradas, është tifoz i Klubit të Futbollit “ZENIT”. Qentë e racave të ndryshme janë dobësia e tij, ndaj mban shumë të tillë dhuruar nga homologë si Bojko Borisov, Gurbanguly Berdimuhamedov, Aleksandar Vuçiç etj. Si ekzibicionist i pakrahasueshëm që është, nuk lë rast pa humbur të shfaqet si trim i madh, që vret tigra siberiane apo arinj të tajgave, të pilotojë avionë ushtarakë “MiG-35”, “Sukhoi-57”, helikopterë “Mi”, “Ka” dhe “Jak” (kuptohet vetëm në tokë), timonier  motovedetash të sofistikuara, etj.

Automjetet, avionët dhe jahtet që përdor Putin

Putin përdor një limuzinë presidenciale super të blinduar “AURUS SENAT L 700”, të gjatë 6.62m, 2 m. të gjerë dhe 1.695 m. e lartë, 6.5 tonëshe, e prodhuar nga “NAMI&PORSCHE” në Moskë, ku çmimi  i saj fillon nga 10 milionë rubla (160.000)$ -jo e blinduar. Megjithatë ajo nuk mbërrin dot kurrë limuzinën “BISHA e ZEZË” –  CADILLAC, prodhuar nga “General Motors” për Presidentin Trump, 7 tonëshe, ultra super e blinduar, me përzierje metali e fibra karboni dhe xhama 24 cm., që i rezistojnë çdo shpërthimi, e që kushton 1.5 milionë $ (për siguri janë prodhuar 12 të tilla). Putin ka dy avionë presidencialë, i pari një “IL 96-300 Pu” (5 miliardë rubla-70 milionë Euro) dhe tjetri një “TU-154 M” version VIP, që, gjithashtu, nuk i afrohen asnjëherë dy avionëve presidencialë të Trumpit, “AIR FORCE ONE BOEING 747-200 JUMBO JET” me modifikim VC-25A.

Amerikanët: Pasuria e Putin, 200 miliardë dollarë

Një burim amerikan mjaft i denjë për t’u besuar e vë Putinin, në vend të parë në listën e më të pasurve të botës, me pasuri mbi 200 miliardë $, pra shumë përpara listës së revistës FORBES, ku tre më të pasurit janë: Bezos-114.7 miliardë $, Arnault-113 miliardë $, Gates-108,3 $ etj. Është po FORBES që e klasifikon Putinin dy herë, më 2013-ën dhe 2016-ën, si njeriun më të fuqishëm të Botës, kurse e përjavshmja amerikane TIME, e shpalli njeriun e vitit për 2007-ën! Vetëm rezidenca e tij përrallore në Gelenzhik, buzë Detit të Zi, më e madhe se vetë Kremlini, projektuar e realizuar nga arkitektë e konstruktorë italianë, kushtoi mbi 1 miliardë Euro! Ai është akuzuar shpesh për abuzime dhe korrupsion galopant si edhe për shkelje të rënda të të drejtave e lirive të njeriut, përfshi homofobinë, (me përkrahjen edhe të kishës ortodokse ruse) nga të gjitha organizatat ndërkombëtare që i mbrojnë ato. Shto dhe kultin gati stalinist të individit, ai cilësohet si “autokrat politik dhe oligark me kontorno diktatoriale”, që pranon t’i thuren këngë si ajo: “Dua një njëri si Putini”!

Modifikimi i Kushtetutës për të qenë i përjetshëm…?!

Një aspekt të rëndësishëm për të kuptuar se kush është Putini i vërtetë paraqet sjellja e tij ndaj Kushtetutës, ligjeve dhe vetë Parlamentit (Dumës), me të cilat ai ka luajtur dhe luan si ia ka dashur interesi. Kështu, gjatë sundimit 20 vjeçar, gati absolutist të tij, ai është shquar herë si “xhongler” dhe herë si gangster politik, sepse teksa po i mbaronte edhe mandati i dytë presidencial, dhe s’mund të rizgjidhej për të tretin, modifikoi Kushtetutën, duke ndërruar vendet me kryeministrin Mjedvjedjev, këtë politikan “të lëngët” që përherë merr formën e “enës” ku e hedh Putini. Kështu, pasi bëhet kryeministër, merr me vete shumë nga kompetencat që kishte sa qe njëshi i Kremlinit. Më 2012-ën, përsëri ndryshon Kushtetutën dhe kohëzgjatjen e mandatit presidencial, (nga katër, në gjashtë vjet), dhe për pasojë përsëri ndërron karriget me “të lëngshmin” Mjedvjedjev (që nga 16 janari ka pranuar të jetë zv/President i Këshillit të Sigurisë) dhe po përsëri, merr me vete kompetencat e kryeministrit! Në zgjedhjet e 2018 Putin fiton mbi ¾ e votave, 76.69 % ose 56.430.712 vota, rezultat ky gati identik me ato të epokës sovjetike! E pikërisht në 20 vjetorin e ardhjes në pushtet, të martën e 10 marsit 2020, nëpërmjet një show para deputetëve të Dumës, me idenë se edhe kësaj here iu a hodhi të gjithëve, keqpërdori “Heroinën” e ish-BRSS, ish-kozmonauten Valentina Tereshkova, (aktualisht deputete), të propozonte përsëri ndryshimin e Kushtetutës, për të mundësuar pas skadimit të mandatit të dytë më 2024, edhe dy mandate të tjera 2 x 6 vjet, që do i jepnin mundësinë Putinit të mbretëronte deri më 2036-ën, aq sa edhe vetë Stalini, po të mos e kishin shndërruar në hi, “do të kthehej përmbys në varr”.

Propozimi i Tereshkovës, s’kish si ta befasonte, se për t’u skuqur nga turpi as që bëhej fjalë, ndaj dhe Putin e pranoi propozimin…por me një kusht: nëse këtë, do ta miratonte Gjykata Kushtetuese?! Putin, zotëron gjermanishten, e deri diku kupton suedisht, po nëse një ditë do t’i hynte edhe frëngjishtes, shprehja e parë që do parapëlqente ta përdorte, do të ishte ajo e Luigjit XIV: “L’Etat c’est moi” (Shteti jam unë)! Mbretin “Diell”, Putin duhet ta ketë shumë për zemër edhe për faktin se ndoshta ai me 72 vitet e 110 ditët që u njoh si Mbret, përbën shembullin unikal, që do të donte ta arrinte e pse jo edhe ta kapërcente Putini.

Shqiptarët e kanë dashur popullin rus nga i cili kanë dalë kolosë të të gjitha fushave me kontribut të çmuar për mbarë njerëzimin, listën e gjatë të të cilëve ata e njohin mirë, por ne kurrë s’e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë politikën rusomadhe, e sidomos stalinizmin, këtë teori dhe praktikë diktatoriale, shovenizmin dhe ekspansionin pansllavist rus, që veçanërisht në këto dy dekada të autokracisë putiniste, është shfaqur haptazi dhe pareshtur me predispozicion antishqiptar. Shqiptarët nuk ka pse lusin asnjë vend për miqësi sado i madh qoftë ai dhe qëndrimi ynë do të jetë ngaherë dinjitoz. Nëse Putini vazhdon të shpresojë ende se një krah i fuqishëm stalinist brenda të majtës shqiptare, ekzistencën e të cilit aq saktë e ka përcaktuar gjeniu Kadare, “ka forcë të ngjallë nostalgji për sovjetikët”, gabohet rëndë. Dhe kjo, jo vetëm se numri i tyre sa vjen e zvogëlohet, porse shqiptarët vuajtën për gati gjysmë shekulli, variantin më të shëmtuar dhe kriminal të stalinizmit, ushtruar nga diktatura hoxhiste e PPSH-së, me Enver Hoxhën dhe kastën e tij, që s’qe gjë tjetër veçse një sekt terrorist.

 

       (Historian, analist, ambasador dhe diplomat i karrierës)                                                                                                                                                                               

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.