OPINION

Ndalni varfërinë!

08:28 - 04.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, varfëria, e shmangur disi gjatë dhjetë viteve të fundit, do të ulet sërish këmbëkryq mbi ne, me 60 mijë të punësuar që kanë dalë nga skema e sigurimeve shoqërore (janë kthyer në të papunë) këta tre muaj mars-maj dhe me më shumë se 60 mijë të tjerë që nuk kishin punë për periudhën 12 mars-14 maj 2020, për shkak të mbylljes së aktiviteteve. Janë mbi 100 mijë veta që do të provojnë të kalojnë ditën me më pak se 6 mijë lekë të vjetra, që përfaqëson kufirin e varfërisë tek ne. Në Ballkan jemi vendi i fundit për pakësim të varfërisë, për çdo një për qind shtim të prodhimit kombëtar në këto 20 vitet e fundit. Nuk i kemi pakësuar të varfrit tanë sa duhet, sepse nuk kemi ditur të bëjmë ato reforma strukturore në ekonomi, që ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore, të Bankës për Rindërtim e Zhvillim, të PNUD e me radhë, u zuri goja lesh duke na i përmendur gjatë dy dekadave të fundit. Por, qeveritë tona në këto 20 vjet kanë preferuar të ndërtojnë rrugë pa hesap, të aventurohen në koncesione hidrocentralesh të vegjël privatë, që sot vegjetojnë në kurriz të Buxhetit të Shtetit, në tendera të kushtueshëm sa frëngu-pulën Partneritetesh Publik-Privat, pa shtuar vende pune cilësore. Nga viti 1999-2019 Serbia investoi 23 mijë euro në vende të reja pune me vlerë të shtuar 10 për qind më shumë çdo vit mbi investimin fillestar, si në uzina prodhimi mjetesh këmbimi për autovetura e kamionë, në sipërmarrje të teknologjisë së informacionit etj.. Ne investuam vetëm një mijë e treqind euro për të njëjtin tip vendi të ri pune. Dhe sipas Bankës Botërore, një për qind më shumë prodhim i rritur në Serbi, për shkak të reformave të duhura strukturore, sillte 4 për qind pakësim real të varfërisë në këtë vend. Edhe sot, po specialistët e këtyre institucioneve të njohura ndërkombëtare vijojnë të na thonë se investimet e huaja të drejtpërdrejta në infrastrukturën dhe prodhimin e energjisë dhe eksportet e energjisë elektrike (si rrjedhojë e shiut të bollshëm na rritën prodhimin kombëtar, por nuk na ulën varfërinë. Asnjë prej tyre nuk krijoi vende të reja pune cilësore dhe nuk forcoi zinxhirët e vlerës, që lidhen me tregjet rajonale dhe globale dhe mund të na bëjnë të dalim nga situata e vështirë. Prandaj, krahas parkut të ri fotovoltaik të Divjakës (një arritje e jashtëzakonshme për investimet e huaja në 13 vitet e fundit!), krahas hidrocentralit të Skavicës, pjesën tjetër të parave të taksave tona duhet t’i kemi për të rritur sipërmarrjet në turizëm dhe bujqësi. Dhe këtë duhet ta bëjmë shpejt, që këtë muaj, nëse këtë muaj do të ndryshojë Buxheti i Shtetit për këtë vit. Po përse? Sepse fati i këtyre 120 mijë shqiptarëve që për shkak të pandemisë sot rrezikojnë të kalojnë në varfëri ulëret: “Na shpëtoni nga varfëria”! Sigurisht, qeveria jonë duhet të provojë t’i shpëtojë. Qoftë edhe me një pagë të dytë të përkohshme të luftës, pse kjo paga e parë mund t’i bëjë ta shtyjnë me shpenzimet për vete dhe familjet e tyre deri në mes të qershorit, por më tej del si kuçedër varfëria! Këta njerëz kanë nevojë të kenë një dritë shprese, mes vendeve të punës të humbura në fason, qendra thirrjesh, hotele turistike, bare, dyqane e sipërmarrje të vogla, që si zor t’i mbijetojnë uljes së konsumit gjatë verës dhe vjeshtës së këtij viti. A duhet një pagë e dytë e luftës për ta? Beteja për të mos u gllabëruar nga varfëria do të jetë një luftë e gjatë për ta, apo programet e rindërtimit, investimet publike dhe ndoshta më në fund, investimet prej vërteti në bujqësi e turizëm do të mund t’i kthejnë në familje me të ardhura jo mjerane brenda gjysmës së dytë të këtij viti? Qeveria duhet të mendohet gjatë për këtë. Nganjëherë dogma e borxhit publik qëndron kokëfortë në mes dhe ftoh duart e atyre vendimmarrësve publikë, që ndruhen ta rëndojnë edhe më shumë atë. Por, më mirë një rëndesë më e madhe borxhi publik se sa varfëri e shtuar! Por, kemi edhe lehtësimin sasior të përmendur nga banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, në rast se gjërat përkeqësohen. Kemi edhe rezervën valutore të vendit… Po a po shkojnë gjërat aq keq? Të të bien 100 mijë veta në varfëri është mirëfilli shumë keq. Është emergjencë kombëtare. Dhe qeveria duhet të lëvizë. Nuk ka kohë të marrë. Duhen ndërhyrje të tjera të jashtëzakonshme, nëpërmjet Planit “C”.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.