OPINION

Universiteti “Luarasi”, jo vetëm mësimdhënie “online”

08:29 - 04.06.20 Dorina Gjipali
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Dorina Gjipali – Kur u ndërpre procesi mësimor për shkak të pandemisë COVID-19, semestri i dytë kishte vetëm një javë që kishte filluar në universitetin “Luarasi”. Nga ai moment gjithçka ndryshoi, gjithçka që ishte puna jonë e përditshme me studentët e kolegët, u transformua.




Sprova të tilla na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm si qenie njerëzore, por është pikërisht në këto momente, që pjesa jonë më racionale merr hov dhe secili prej nesh mendon për kontributin që mund të japë. Edhe stafi drejtues dhe akademik i universitetit “Luarasi”, në këtë situatë të jashtëzakonshme vendosi që të vazhdonte të realizonte objektivat, që ne si komunitet akademik i kemi vendosur vetes: të edukojmë brezin e ri, të ofrojmë mësimdhënie cilësore, t’u japim të rinjve instrumentet e duhura për të ndërtuar të ardhmen e tyre e për t’u bërë profesionistë, të përdorim të gjitha kapacitetet tona për studentët tanë, për vendin tonë.

Prandaj ishte i menjëhershëm vendimi që universiteti “Luarasi” do të kalonte në mësimdhënien “online” për të siguruar vazhdimin e procesit mësimor, të provimeve, të diplomave, që pasiguria e së tashmes të mos ishte barrë në të ardhmen tonë dhe të studentëve tanë.

Deri para datës 9 mars kishim dëgjuar për mësimdhënien “online”, sot mund të flasim për orë të tëra duke shpjeguar me detaje, platformat, ndërveprimin “live”, diskutimet “online” me studentët e mbledhjet “live” me kolegët.

Mësimdhënia në vetvete të lejon të eksperimentosh edhe metoda të reja mësimdhënie. Prandaj mund të them me bindje se edhe kundrejt kësaj risie, mësimdhënies “online”, pedagogët dhe studentët e universitetit “Luarasi” u përgjigjën më së miri.

Studentët tanë, të cilët dua t’i falënderoj veçanërisht sepse e kthyen në mundësi çdo sfidë që hasën. Ata jo vetëm ndoqën leksionet “online”, por edhe mbështetën njëri-tjetrin. Duhet përmendur fakti që shumë studentëve iu është dashur të përballen me një ndryshim të madh e ndërprerje të menjëhershme të jetës së tyre të përditshme: disa studentë janë larguar me shpejtësi drejt shtëpive të tyre duke lënë në Tiranë kompjutera, libra e materiale mësimore me shpresën se pandemia do të mbaronte shpejt e ata do mund t’i ktheheshin përditshmërisë së tyre. Ata nuk u dorëzuan, ndoshta me ndjenja pasigurie, por nuk u dorëzuan, nuk hoqën dorë nga projektet e jetës së tyre. Disa prej tyre edhe duke ndenjur në shtëpi, vazhduan “online” aktivitet ekstrakurrikulare, që kishin nisur me përgjegjësi dhe seriozitet të plotë.

Të gjitha programet mësimore që ofron “Luarasi” u zhvilluan “online”, kjo nuk ishte aspak e thjeshtë referuar përmbajtjes dhe metodave të mësimdhënies të parashikuara në programet e lëndëve, që ofron secili program studimi. Mendoj se nuk ka fushë mësimdhënie, në të cilën emergjenca me të gjitha dimensionet e saj (sociale, ekonomike, shëndetësore) ashtu si masat e marra në të gjitha nivelet (lokal, kombëtar, ndërkombëtar) të mos ketë lënë shenjë.

Kjo pandemi ndryshoi dhe do të ndryshojë qasjen ndaj punës sonë. Unë dhe kolegët e mi ndajmë të gjithë të njëjtin mendim, puna jonë ka ndryshuar, është shumëfishuar, sepse kemi qenë të përgatitur për tjetër gjë. Shumë prej pedagogëve u është dashur të ripërgatisin e ripërshtatin leksionet, të ndryshojnë mënyrën se si e zhvillojnë leksionin si dhe qasjen me studentët. Besoj se thelbi i punës sonë është pikërisht të ndryshojmë gjithmonë për t’u dhënë studentëve më të mirën e njohurive dhe eksperiencës sonë. Nuk mund të mos falënderoj drejtuesit e universitetit “Luarasi”, rolin thelbësor që ata kanë pasur gjatë gjithë periudhës së emergjencës, kolegët e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit e kolegët e Fakultetit të Drejtësisë, teknikët e informatikës, sekretarinë mësimore, pa të cilët nuk do mund të zhvillohej mësimdhënia “online”.

Stafi i “Luarasit” është çdo ditë i angazhuar për të përmbushur detyrimet akademike dhe administrative që ka çdo institucion i arsimit të lartë. Dëshiroj të përmend këtu punën e madhe që është bërë gjatë kësaj periudhe izolimi për hapjen në vitin e ri akademik të programit të integruar 5-vjeçar në Drejtësi, projekteve ndërkombëtare e gjithçka që ishte planifikuar për këtë vit për t’u realizuar.

Dhe si një lajm shpresëdhënës dhe tepër inkurajues, sërish “online”, çdo ditë te “Luarasi” regjistrohen studentë të rinj për vitin akademik 2020-2021. Këta studentë na kujtojnë se rinisja e vitit të ri akademik është shumë afër, e ndoshta uroj që auditori do të na bashkojë të gjithëve sërish.

Pandemia COVID-19 është një ngjarje epokale, që e sprovoi fort mësimdhënien tradicionale, por na bëri që të pajisemi me aftësi e kompetenca të reja, një pasuri e çmuar për universitetin “Luarasi”, për studentët e sotshëm e për ata që do të vijnë në të ardhmen.

Pedagoge, universiteti “Luarasi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.