AKTUALITET

COVID-19, eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho: Rrezikshmëria e virusit ka rënë

11:01 - 05.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas studimeve të fundit, virulence e koronavirusit ka rënë, pasi rastet e fundit nuk manifestojnë forma të rënda të sëmundjes dhe as komplikacione. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku dhe eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho tregon se rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 erdhi si pasojë e dy gabimeve të rënda: lënia hapur e “call center”-ave dhe mosmarrja e masave të për parandalimin e përhapjes së virusit në institucionet e kujdesit shëndetësor.




Ditët e fundit numri i rasteve pozitive ditore ka qënë relativisht i lartë. Si shpjegohet kjo rritje e numrit të të infektuarve?

Mendoj se po vuajmë pasojat e dy gabimeve të rënda, fakti që u lanë hapur “call center”-at dhe fakti që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e COVID në institucionet e kujdesit shëndetësor. Por ajo që bën përshtypje është se midis rasteve të diagnostikuara ditët e fundit ecuria klinike është jo shqetësuese, nuk ka komplikacione, rrezik jete. Kategoritë më të riskuara vazhdojnë të mbeten tre: personat mbi 60 vjeç, personat e prekur nga sëmundje të caktuara kronike dhe personeli mjekësor.

Një nga vatrat e virusit është edhe QSUT-ja. Pse kjo përhapje dhe si duhet menaxhuar?

QSUT-ja është një dështim i strukturave tona shëndetësore dhe sidomos, i Komitetit të Ekspertëve. Ky komitetet në mbi gjysmën e vetë përbëhet nga mjekë dhe pedagogë të fakultetit të mjekësisë. Është e pafalshme që ata nuk arritën të kujdesen dot as për institucionin ku punojnë, institucion i cili duhet të jetë shembull për gjithë sistemin shëndetësor. Ndonëse është vonë, duhen hartuar sa më shpejt protokollet e sigurisë, duhet ngritur një komitet anti-COVID në QSUT, duhet trajnuar i gjithë personeli mjekësor dhe jomjekësor, duhen furnizuar me pajisje mbrojtëse në sasi të mjaftueshme të gjithë anëtarët e personelit dhe mbi të gjitha, duhet të merren masa të rrepta që çdo kontakt mjek-pacient të kryhet vetëm në kushtet kur si mjeku, ashtu edhe pacienti të jenë të pajisur me maskë. Nuk kemi nevojë të shpikim. Mjafton të shohim protokollet që ka një qendër universitare në secilin prej vendeve europiane dhe t’ua përshtatim kushteve të Shqipërisë.

Si është menaxhuar situata e pandemisë COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë deri më tani?

Deri para dy javëve të fundit kur ndodhi përhapja e COVID në disa institucione shëndetësore do të ishte e vështirë të gjeje një gabim në punën e strukturave tona të shëndetësisë. Vonesa dhe ngadalësi po, por gabime jo. Një vonesë e tillë është fakti që ministria nuk e përgatiti më herët strukturën e kujdesit shëndetësor parësor dhe të spitaleve rajonale për t’u përballur me COVID-19, por këtu ekspertë të ndryshëm mund të japin mendime të ndryshme. Unë nuk punoj në sistemin tonë shëndetësor, por kolegët që punojnë referojnë se akoma ka mungesa me pajisje mbrojtëse personale.

Si e vlerësoni punën e Komitetit të Ekspertëve dhe masat e marra prej tyre?

Ajo që unë shoh si defektin e madh të përgjigjes ndaj COVID-19 në Shqipëri është veprimtaria e Komitetit të Ekspertëve. Në komitet munguan të paktën tre specialitete, pa të cilat nuk mund të mendohet kontrolli i COVID-19: mungoi mjeku epidemiolog, biostatisticieni dhe mjeku virolog. Në mungesë të këtyre specialiteteve, unë mendoj se puna e komitetit çaloi, anëtarët e tij ishin të aftë në sjelljen e përvojave klinike, por jo në sjelljen e eksperiencave të shëndetit publik. Kjo bëri që shumë masa të merreshin në mënyrë kaotike. Për shembull, fashat orare ndryshoheshin pa ndonjë logjikë të mirëmenduar, duke nisur herë në 5 të mëngjesit dhe herë në 8 apo duke përfunduar herë në 11, herë në 13 dhe më pas në orën 17.30. Po kështu edhe kategoritë të cilat u lejuan të dilnin fundjavave u përzgjodhën në mënyrë deri diku të pakuptimtë. Të gjithëve na kujtohen se një javë lejoheshin të dilnin nënat me fëmijë nën 10 vjeç, pastaj ato me fëmijë nën 14 vjeç, pastaj edhe nënat edhe baballarët me fëmijë nën 14 vjeç. Sinqerisht këto vendime të komitetit kanë qenë të çuditshme. Por mbi të gjitha çaloi aftësia e komitetit për t’u orientuar në përvojat pozitive që vinin nga bota. Ndërkohë që vende me shumë më tepër raste se ne si Austria fillonin hapjen në fillim të prillit, ne patëm kufizime deri para pak ditëve. Që në mars komuniteti shkencor ndërkombëtar filloi të diskutonte për nevojën e një ndërhyrjeje të balancuar që nga një anë luftonte COVID dhe nga ana tjetër nuk dëmtonte aspekte të tjera të jetës si ato shëndetësore, ekonomike dhe sociale. Ky mendim shkencor nuk u transmetua aspak nga komiteti dhe solli atë ngathtësi në vendimmarrje që ne u hapëm shumë më vonë se sa i takonte një vendi me karakteristikat tona të COVID-19.

A ka pasur Urgjenca Kombëtare kapacitetet e nevojshme për të pritur shqetësimet e qytetarëve?

Në fillimet e epidemisë, personeli i urgjencës është stërmunduar, por kjo nuk ndodhi vetëm me Shqipërinë, por u konstatua në gjithë botën. Megjithatë, mua më ka bërë përshtypje pozitive mënyra se si urgjenca jonë reagoi ndaj epidemisë dhe e vlerësoj rolin e saj pozitiv. Këtu duhet të shtoj diçka; mjeku i familjes mund të ishte përfshirë në dhënie këshillash telefonike duke lehtësuar kështu edhe punën e urgjencës mjekësore.

A është aplikuar konform standardeve plani i rihapjes?

Mendoj se jo, pasi mungojnë masat për të mbrojtur tri kategoritë në risk që përmenda më lart. Çdo vonesë në këtë drejtim është e pajustifikueshme dhe i bëj thirrje kolegëve të komitetit të bëjnë publik dhe transparent planin e masave që synojnë të mbrojnë këto tri kategori.

Sa i rrezikshëm është transporti publik si dhe ai ndërqytetas?

Transporti publik është i rrezikshëm për sa kohë nuk respektohen masat që tashmë dihen; distancimi fizik, mbajtja e maskës nga të gjithë udhëtarët dhe ndalimi i përdorimit të mjeteve të transportit nga persona me shenja të dyshimta për COVID. Për mendimin tim, nëse merren masa për qarkullimin e mjeteve me numër të kufizuar udhëtarësh, depistohen udhëtarët para hipjes në mjete dhe respektohet mbajtja korrekte e maskave, nuk ka rrezik për të filluar përdorimin e transportit publik.

A ka rënë virulenca e COVID-19?

Të dhënat që vijnë nga shumë studime të fundit flasin që po. Sidomos nga Italia fqinje vijnë të dhëna shumë inkurajuese për sa i takon manifestimeve klinike të virusit. Njëlloj si në Shqipëri, edhe në Itali rastet e fundit nuk manifestojnë forma të rënda të sëmundjes dhe as komplikacione. Së dyti, ekzaminimet laboratorike tregojnë se personat e diagnostikuar javët e fundit shfaqin një ngarkesë të ulët të viruseve në organizëm, apo siç njihet ndryshe, ngarkesë virale. Kjo është shenjë e mirë dhe shpjegon deri në një farë mase edhe përse virusi transmetohet më ngadalë dhe përse personat e infektuar kanë shenja më të lehta. Së treti, situata epidemiologjike në botë është po ashtu inkurajuese. Ndonëse numri i rasteve rritet, ai i vdekjeve sa vjen e ulet. Kjo flet përsëri se ose virulenca e SARS-CoV-2 ka rënë, ose personeli mjekësor ka përmirësuar metodat e trajtimit. Natyrisht që nuk përjashtohet mundësia që të jenë të dy këta faktorë si edhe faktorë të tjerë shtesë. Së katërti, mendohet se edhe gjenetika luan rol. Ka të dhëna se janë shfaqur variante të virusit apo siç quhen në gjuhën shkencore mutacione, që e kanë bërë virusin më pak virulent dhe të rrezikshëm. Së fundi, koronaviruset njihen si patogjenë sezonale që infektojnë kryesisht në vjeshtë-dimër. Me ardhjen e verës të gjithë koronaviruset pushojnë së qeni infektues. Ndonëse SARS-CoV-2 nuk njihet akoma mirë, shpresohet se edhe ai do t’i nënshtrohet kësaj ligjësie. Sidoqoftë, mesazhi im i fundit është se nuk duhen anashkaluar masat mbrojtëse edhe për disa javë, deri sa këto që thashë pak më parë të vërtetohen plotësisht dhe të bindemi se virusi gjatë verës është i parrezikshëm ose relativisht i parrezikshëm. Sot që flasim, virusi është dobësuar, por nuk është larguar ende. Ai qarkullon edhe në Shqipëri ashtu siç e tregojnë rastet që diagnostikohen përditë. Nuk duhet harruar se të gjitha masat që kërkohen apo rekomandohen nga autoritetet zyrtare të shëndetit publik janë të detyrueshme për zbatim nga kushdo.

Nëse do kemi rritje të mëtejshme të numrit të të infektuarve, a duhet të izolohemi sërish?

Izolimi kishte kuptim vetëm dy deri tri javët e para të epidemisë, kur analizohet problemi dhe merren masa inteligjente. Izolimi i stërzgjatur dhe i panevojshëm shkakton dëme të mëdha në shëndet dhe jetën sociale, për të mos folur pastaj për ekonominë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.