Kryesore

SHEMBJA E GODINAVE/ Nënkomisioni i Parlamentit Europian: Do ndjekim procedurat dhe hetimet për Teatrin

14:00 - 26.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka marrë përgjigje për letrën drejtuar Presidentit të Parlamentit Europian. Letra përgjigje është hartuar dhe nënshkruar nga Maria Arena, kryetare e Nënkomisionit të Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut. “Europa është me ne!”, thotë Aleanca, ndërsa sjell letrën e plotë. Aleanca ka publikuar herë pas here komunikime dhe mesazhe të marra nga organizma dhe partnerë europianë që kanë shprehur shqetësimin për mënyrën si u shembën dy godinat e teatrit natën pa gdhirë ende 17 maji, ndërsa forca të shumta policore bastisën zonën. Letra e fundit, që vjen si përgjigje e një shkrese dërguar presidentit të PE-së, vjen pas debateve ët shumta për 15 pikat që kërkon BE për procesin e integrimit, ku vendi ynë ende pret hapjen e negociatave. edhe në këtë letër përmendet ky proces që sipas shumë analizave ka pësuar një krisje të madhe për shkak të vendimit të qeverisë të shembë teatrin, ndërsa Brukseli sugjeronte fuqimisht bisedime me Aleancën




LETRA E NËNKOMISIONIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT
I nderuar, Zotëri,
Faleminderit për emailin tuaj të 3 qershorit 2020 drejtuar Presidentit të Parlamentit Europian në lidhje me shembjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Unë po ju përgjigjem në cilësinë time si Kryetare e Nënkomisionit të Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut.
Besoj fuqimisht se ruajtja e parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat kulturore përfshin ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe si pasojë, zbatimin e plotë të Konventës së UNESCO-së, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Organet parlamentare përkatëse të Parlamentit Europian, përfshirë Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut, po monitorojnë progresin në këto fusha. Kjo veçanërisht përfshin forcimin e institucioneve dhe praktikave demokratike në vend. Në këtë drejtim, ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që të gjitha hapat e nevojshme nga Shqipëria po merren seriozisht në kontekstin e procesit të negociatave të një vendi për t’u anëtarësuar në BE. Rekomandimet tuaja në këtë drejtim janë të mirëseardhura dhe të vlerësuara vërtet.
Aktualisht, dhe si pjesë e masave të Parlamentit Europian për të penguar përhapjen e pandemisë COVID-19, seancat dëgjimore të Komisionit janë ende të kufizuara. Prandaj, unë kam marrë lirinë e transmetimit të emailit tuaj te eurodeputetja Znjsh. Isabel Santos, Raportuese e Përhershme për Shqipërinë, Komisioni i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme dhe Z. Manolis Kefalogiannis, Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, të cilët i monitorojnë nga afër të gjitha çështjet që lidhen me vendin tuaj.
Më lejoni t’ju siguroj se Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të ndjekë procedurat ligjore dhe hetimet në lidhje me çështjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar, me qëllimin për të kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri.
E juaja sinqerisht,
Maria Arena
Cc:
– Znjsh Isabel Santos, Raportuese e Përhershme për Shqipërinë, Komiteti për Punët e Jashtme
– Z Manolis Kefalogiannis, Bashkëdrejtues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimit BE-Shqipëri


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.