KULTURË

EKSPOZITA/ “Ëndrra e Realizmit Socialist shqiptar”, kohë të errëta në beze

13:30 - 27.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një ekspozitë e veçantë me vepra shqiptare shkon në Stamboll, duke shpërfaqur  një trashëgimi unike para një publiku pak të rrahur me ‘krizat e presionit’ që shtypnin lirinë e krijimtarisë, duke krijuar njëherësh edhe shtigje të reja që do të mund të shprehnin, mendimet e ndaluara të artistëve. Ekspozita “Ëndrra e Realizmit Socialist shqiptar”, e kuruar nga Artan Shabani, sjell në vëmendjen e publikut turk një grishje për një bashkëbisedim të gjallë me artin pamor shqiptar nën diktaturën e së ashtuquajturës “metodë e realizmit socialist”, si art i orientuar politikisht drejt përhapjes së parimeve të ndërtimit të socializmit mes masave të proletariatit ngadhënjimtar.  Për Shabanin, i mishëruar në dhjetëra-mijëra vepra artistike – kompozime, piktura, skulptura, monumente, murale, grafika, ilustrime, vizatime, karikatura, postera, pllakate, e deri tek kartolinat dhe pullat e postës -, që shfaqin historinë e periudhës diktatoriale të shtetit shqiptar nëpërmjet artit figurativ përreth katër dekada, realizmi socialist, në arte, letërsi, kulturë e kudo u shfaq kësisoj si një mjet ideologjik i ndërvarur kryekëput nga shteti diktatorial, i cili ia doli mbanë për t’i orientuar e mbajtur nën kontroll, duke u diktuar vullnetin e vet artistëve shqiptarë, si në krijimtarinë artistike, ashtu edhe ne krejt jetën e tyre brenda dhe jashtë studiove e atelieve. Njohja me realitetin iluzor dhe përmbajtjen dogmatike të veprave të këtij arti, tërësisht në shërbim të ideologjisë komuniste, ndonëse element promotor që pushtoi në mënyrë të padiskutueshme skenën e arteve figurative shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, paraqet një mundësi më shumë për të njohur më nga afër kulturën dhe identitetin e një populli të izoluar për një kohë të gjatë nga pjesa tjetër e botës.




EMRA DHE VEPRA

Ekspozita në Pera muze fokusohet te krijimtaria e artistëve shqiptar gjatë gjysmës së dytë të ‘900-ës, vepra realiste në stilin shqiptar. Realizmin Socialist vjen në ketë ekspozitë me vepra të larmishme, si vepra “Konferenca e parë e Pezës” e artistit Guri Madhi që mban titullin piktor i popullit si titulli më i lartë gjatë periudhës së Realizmit Socialist, ai e vendos në qendër të kompozimit figurën e udhëheqësit Enver Hoxhës, udhëheqësi është kompozuar i rrethuar nga fshatarët e zonës dhe nga luftëtarët shqiptar, pra ai dominon gjithë vëmendjen me gjestin e duarve në shenjë miqësore me personazhet e vendosura në ketë tablo, shënon Shabani në tekstin e ekspozitës.

Në këtë seksion, thotë Shabani, publiku turk do të gjejë figurën e adoleshentit realizuar në vitin 1972 nga piktori Agron Jakupi, figurë e një djaloshi me top i cili pozon me veshjen tipike të kohës, kjo ishte një detyrë shkolle për piktorin Jakupi dhe vepra kishte qëllim studimi për psikologjinë e figurës dhe për trajtimin piktorik të saj.

Një tjetër vepër, është një kompozimin i vitit 1984 i piktorit Robert Përmetit, ku bie në sy një grup vajzash sportiste që stërviten në stadiumin e qytezës së Librazhdit, shpirti organizues dhe fitimtar i ekipit të vajzave studente volejbolliste.

Pera museum ISTANBUL, Artan Shabani.png 01_pera_arnavutluk_cover _ Robert Përmeti(1985) ''Pilots'', 147 x 173 cm _ oil on canvas _ Courtesy the artist copia Robert Përmeti (1978),''Denoncement of Warsaw Treaty'', 190 x 320 cm _ oil on canvas _Courtesy the artist Pëllumb Bylyku, (1989) First Partizan song from Radio Tirana _ Charcoal and black pencil on paper _ 116 x 147.5 cm Ramazan Memishi,(1986) My sister _ 32 x 25 cm _ oil on wood Guri Madhi,(1972) ''The first meeting in Peza _ 98 x 130 cm _ Oil on canvas _ family’s collection
<
>

“Një atmosferë tipike nga Realizmi Socialist e sjell piktorja Fatbardha Shkupi me pikturën e realizuar nga të dyja anët e kanavacës, nga njëra anë figurat e të rinjve aksionistë që ndërtojnë lumturinë e socializmit shqiptar, – të rinjtë në atë kohë punonin vullnetarisht në hekurudha, në bujqësi, në industri etj., vullnetarizmi ishte një nga projektet e partisë së punës për njeriun e ri, të rinjtë çdo vit shkonin në aksione për të hapur fronte të reja dhe aty rinia shqiptare socializohej në kohën e lirë nëpërmjet stilit dhe rregullave te moralit komunist. Nuk mungonte jeta kulturore, shfaqet, teatrot, koncertet dhe ekspozitat e ndryshme, zona e jugut të Shqipërisë është një shembull i punës – vullnetarë të rinisë shqiptare”, prezanton Shabani veprat para një publiku që nuk e ka njohur kohën.

Sipas Shabanit, kulti i individit, imazhi i Enver Hoxhës në artin pamor vjen kryesisht me veprat e artistëve Guri Madhi, Robert Përmetit dhe Zef Shoshi, këta mjeshtra të pikturës shqiptare kanë dedikuar shumë vepra me tematikë të realizmit socialist dhe në një pjesë të krijimtarisë së artistëve shqiptarë i është kushtuar figurave heroike, dëshmoreve të rëne në luftë, drejtuesve të ndërtimit të socializmit, personazhet e lartë politikë dhe historike, por veçanërisht figura e Enver Hoxhës.

“Njeriu i Ri, shkruan Shabani, -ishte virtyti i lartë dhe suprem në prezantimin e veprave artistike të realizmin socialist, nga monumentet në bronz që lartësoheshin në qytetet shqiptare, monumente te shumta vendosur në mjediset e populluara si sheshet, rrugët kryesore, mjediset e industrive të mëdha si vepra titanike të realizuara nga partia e punës”.

Në Stamboll prezantohen mjaft punime të artistëve: Skënder Kamberi, Isuf Sulovari, Ramazan Memishi, Dhimitër Theodhori, Agim Faja, Pandi Mele, Namik Prizreni, Aziz Karalliu, Bujar Zajmi, Myrteza Fushekati etj. Në veprat e tyre ndihet fryma e qartë e kësaj tematike me figurat e punëtoreve plot vrull dhe forcë. Në këto figura të vizatuara dhe të pikturuara ndihet fizionomia tipike e njerëzve të fuqishëm, plot muskuj, të kuruar në aspektin etik komunist dhe me ballë të lartë, asnjëherë të plogësht, asnjëherë me mjekër ose të trishtuar,  shikimi i tyre është largpamës i ndriçuar dhe frymëzuar nga idealet e partisë së punës dhe nga entuziazmi i ndërtimit të një Shqipërie të re me Njeriun e Ri. Mes të tjerash vend në ekspozitë zë edhe posteri politik dhe pllakati ishte komunikim i fuqishëm i  propagandës. “Ato, thotë Shabani, – komunikojnë jo vetëm me imazhe por edhe me citate te udhëheqësit Hoxha, kryesisht ishin për festat kombëtare, ditën e gruas, festën e punëtorit, projektet pesëvjeçare, festen e ushtrisë apo gjithçka qe ishte në qelizën e shoqërisë shqiptare, kjo propagande ishte si fole brenda ndërgjegjes së njeriut të ri, një ndër artistet më të spikatur ishte Pandi Mele, Safo Marko etj”

Ekspozita përmbledh edhe tekniken e afishës së ilustruar të filmit Shqiptar, një përzgjedhje nga vitet e kinostudios do të shfaqet në sallën e muzeumit me disa afishe origjinale të formatit të plotë dhe standardit industrial, si dhe skica origjinale kostumografie e animacioni nga filma artistikë, dokumentarë dhe multiplikativë shqiptarë.

Në seksionin e Ilustrimeve prezantohen punët origjinale të Agim Fajës, të cilat janë zgjedhur enkas për të pasqyruar procesin e  edukimit dhe i krijimit të frymës së re. Ilustrimet konsiderohen një ndërmarrje voluminoze me shtëpitë e botimit shtetëror, me mijëra libra dilnin çdo vit për edukimin e brezit te ri i cili duhej të brumosej me frymën dhe moralin e parimeve të partisë së punës. Të shumtë piktorët që ilustruan libra, revista, tekste shkollore, kalendarë etj., ndër më të spikaturit është mjeshtri Agim Faja që i dedikoje gjithë jetën pikturës dhe ilustrimit për fëmijë.

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.