OPINION

Liberalizmi i keqkuptuar

08:19 - 27.06.20 Ilir Kalemaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Ilir Kalemaj – Kohët e fundit liberalizmi në tërësi, është kthyer në tabelë qitje, veçanërisht nga profanë që nuk dinë të diferencojnë liberalizmin si filozofi politike, nga liberalizmi si sistem ekonomik, si ideologji apo si konotacion politik. As nuk dinë diferencat mes liberalizmit klasik dhe atij modern, as ndryshimet për sa i përket kredos politike dhe pozicionimeve ideologjike në vende të ndryshme. Debati për liberalizmin, në fakt, është i gjatë dhe ka aq shumë interpretime sa dhe për kapitalizmin, por ajo që vlen të theksohet është se ajo për çka sulmet shumëfish dhe shpeshherë pa sens sot, nuk ka fort lidhje me kontekstin nga lindi liberalizmi të paktën si filozofi politike dhe ideologji që synonte të kufizonte pushtete të pakufizuara deri asokohe. Shpeshherë nxirret jashtë kontekstit, shkëputen copëza citimesh që të kujtojnë filozofinë e mejhaneve, i mvishen aksh politikani nga këta të sotmit që i zë leximi apo i mveshin me teori konspirative nga ai që serviret rëndom banakëve televizivë këto ditë vape.




Në fakt, liberalizmi modern zë fill me John Lock-un i cili ndryshe nga sa pretendohet nga kritizerët e palexuar rëndom, nuk ka qenë ndonjë pionier i lirive individuale pa licencë. Në fakt, ai dhe bashkë-liberalët e tjerë të hershëm i vlerësonte të drejtat e individit në vetvete se ato njëkohësisht kufizonin tiraninë e pushtetit dhe krijonin kushtet për përmbushjen e potencialit njerëzor. Natyrisht flitet për një periudhë të errët ku nga njëra anë ishte pushteti absolut i mbretit, dhe nga ana tjetër kishte konflikte të zgjatura fetare apo edhe luftë civile.

Revolucioni i Lavdishëm në Britaninë e Madhe që nuk përfundoi me prerje kokash monarkëve si në Republikën franceze, krijoi qysh në vitin e largët 1688 kufizime kushtetuese mbi monarkinë që vazhdoi të ishte dhe të jetë forma e pandërprerë e regjimit që britanikët preferuan dhe rritje të rolit dhe pushtetit të parlamentit që nisi të bëhej gjithnjë dhe më përfaqësues. Locke, i cili ndër të tjera ka shkruar veprën “Dy traktate të qeverisjes”, ka qenë në favor të lirive individuale po aq sa dhe mbrojtës i flaktë i moralit, virtytit dhe të drejtave komunitare. Në fakt, Lock-u shkonte deri aty sa ta konsideronte një qeverisje të mirë-ndërtuar si një barrierë të fortë ndaj hedonizmit individual apo kolektiv.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe pionierë të tjerë të liberalizmit si Tockueville apo Adam Smith, të cilët duke kuptuar natyrën njerëzore dhe mënyrën e funksionimit të qeverisjes, propozuan dhe teorizuan për forma të tilla qeverisje që do kufizonte monopolet ekonomike, qeverisjen autokratike dhe do çlironte aspiratat njerëzore dhe meritokracinë si metër matës të progresit individual. Pra, kalimin nga një shoqëri ku pjesërisht të lirë ishin vetëm aristokratët dhe priftërinjtë apo disa pak artizanë (pjesërisht pasi kufizimet e tyre ishin të shumanshme krahasuar me shoqëritë e sotme), në një shoqëri ku njerëzit t’i gëzoheshin fryteve të punës së tyre, të arrinin shumëçka falë talentit të tyre dhe të gëzonin pronën si e drejtë natyrore e patjetërsueshme. Njëjtë më te drejtën e jetës, fjalës, veprimtarisë publike apo të ndjekurit e lumturisë (personale) sikundër është e gdhendur në Kushtetutën Amerikane nga etërit themelues.

Adam Smith, një kolos tjetër i liberalizmit të hershëm, shpeshherë merret si një ndër “fundamentalistët” e tregut të lirë, duke injoruar faktin që Smith ishte para së gjithash një profesor i etikës dhe moralit dhe që edhe te vepra e tij më e mirënjohur Pasuria e Kombeve i promovonte tregjet si një burim konkurrence ndaj monopoleve mbretërore. Por edhe mbështeste njëkohësisht idenë e një shoqërie me detyrime të ndërsjella, ishte kundër monopoleve private dhe kundërshtonte sjelljen përfituese të pronarëve në kurriz të punëtorëve të tyre si dhe mbështeste fort investimet publike në arsim.

Ndaj dashnorët e djeshëm të liberalizmit që i janë kthyer me tërsëllëmë kundër sot, duke ngatërruar nuancat kohore dhe ideore bëjnë mirë të thellohen disi. Kjo se ngatërrohen kur dëgjojnë shumëçka për beteja të stisura ideologjike sot me ato vende që kanë tradita qindra vjeçare të kultivimit të mendimit politik. Ndaj bëjnë mirë të shfletojnë ndonjë libër dhe jo të gjejnë citate të shkëputura apo të shohin cicërima politikanësh për frymëzim çasti. Betejat e mëdha sot nuk janë mes konservatorëve dhe liberalëve, madje as mes globalistëve dhe nacionalistëve, apo establishmentit dhe anti-establishmentit pasi këto janë thjesht terma populistë që nuk shprehin asgjë dhe hidhen thjesht për konsum publik, si tymuese apo shashka, veçanërisht, në vende si i yni që nuk kanë as problemet e multi-kulturalizmit të imponuar, as të dyndjeve të refugjatëve, as të kërcënimeve reale të terrorizmit. Madje, madje, as ndonjë hulli ideologjike dhe parti programatike, as përplasje ideore që do çonin mandej në artikulim tezash politikë dhe që do pasuronin në mos tjetër të paktën leksikun e politikanëve rastësorë dhe kokëcepave të tjerë trubosh që mbllaçisin në publik ato 300-400 fjalë që i dinë gjuhës shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.