Kryesore

Albana Duni: Kujdesi që duhet të tregoni për mëlçinë e dhjamosur

16:17 - 29.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mëlçia e dhjamosur është kthyer në një patologji që haset shpesh në vendin tonë. Por, cilët janë faktorët e riskut që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes? Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja gastrohepatologe, Albana Duni tregon se faktori kryesor i kësaj sëmundjeje është obeziteti. Sipas saj, kategoria më e prekur nga dhjamosja e mëlçisë prek femrat obeze me rritje të sasisë së kolesterolit në gjak, por edhe meshkujt e dobët. Mjekja paralajmëron pacientët që të kenë kujdes, pasi nëse sëmundja nuk trajtohet mund të progresojë deri në cirrozë brenda 5-10 vitesh.




Mund të na shpjegoni se çfarë është steatohepatitis joalkoolik?
Steatohepatiti joetilik ose joalkoolik, i njohur si NASH, apo si dhjamosja e mëlçisë në gjuhën popullore është një sëmundje jo plotësisht e njohur në Evropë, por që haset shpesh në kushtet e shërbimit shëndetësor ambulator. Kjo sëmundje konsiston në grumbullimin e yndyrave në qelizat e mëlçisë. Pacientët, megjithëse e mohojnë, akuzohen për përdorim të tepërt të alkoolit. Nga ana tjetër, dhjamosja e thjeshtë e mëlçisë shpesh injorohet nga mjekët si “defekt kozmetik”, gjë që nuk është tërësisht e saktë.

Sa të prekur janë shqiptarët nga kjo patologji dhe cilat janë kategoritë më të prekura?
Mund të themi që ky entitet sëmundjeje haset relativisht shpesh në kushtet e shërbimit ambulator. Rastet e dyshuara që mund të ishin të prekur nga kjo sëmundje ishin persona obezë, me rritje të nivelit të transaminazave dhe të kolesterolit në gjak, gjetje këto të rastësishme. Femrat obeze përbëjnë 75% të pacientëve me NASH edhe në rastet që diagnostikohen në vendin tonë. Në qoftë se diagnoza e NASH është bazuar në kërkesat strikte për degjenerim yndyror, infiltrate inflamatore, ballonizim të hepatociteve, prezencën e trupave Mallory dhe zhvillimin e fibrozës, grupi më i madh i pacientëve përbëhet nga meshkuj të dobët jodiabetikë. Për t’u shënuar është fakti që cirroza është thuajse e pranishme në 10-25% të pacientëve me NASH që nga vendosja e diagnozës.

Mund të na tregoni disa prej simptomat kryesore që shfaqin pacientët?
Ajo që na bën përshtypje është fakti që pacientët nuk paraqisnin ankesa, por në të shumtën e rasteve ankesat kishin të bënin me një diskomfort abdominal dhe simptoma meteoristike. Pacientet e kartelizuar në shërbimin tonë paraqiten në stade të hershme të NASH dhe nuk shënohet asnjë rast në stade të vonshme, pra në stadin e cirrozës.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në dhjamosjen e mëlçisë?
Faktorët më të rëndësishëm riskantë për dhjamosjen e thjeshtë të mëlçisë përfshijnë obezitetin, konsumimin e alkoolit dhe rezistencën insulinike. Ndërsa prevalenca e dhjamosjes së mëlçisë në grupet e kontrollit është 16-20%, ajo arrin 46% në alkoolistët, 76% në personat mbi peshë, 95% në obezët alkoolistë. Këto gjetje sugjerojnë se dhjamosja e mëlçisë është më fort e shoqëruar me obezitetin sesa me përdorimin e alkoolit. Gjithashtu, rreth 80% e personave të prekur nga diabeti mellitus i tipit 2 apo ata që përdorin barna të caktuara, janë të predispozuar për t’u prekur nga dhjamosja e mëlçisë.

Cilat janë barnat që ndihmojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje?
Medikamente të lidhura me zhvillimin e NASH përfshijnë amidarone, diltiazem, nifedipina, tamoksifen, estrogenet, glukokortikoidet. Vetëm agjentet antiaritmikë si amidarone janë një kërcënim sinjifikant që çon në NASH në 25% të pacientëve. Për shkak të gjysëmjetës së gjatë biologjike, koncentrimet serike të medikamentit ngelen të larta për një kohë relativisht të gjatë. Akumulimi në hepar favorizon dëmtimin e tij.

Në cilat stade kalon kjo patologji?
Histologjikisht janë identifikuar tri stade të NASH. I pari është stadi inaktiv ose forma jo progresive, që ka vetëm shenja minore të inflamacionit. Stadi i dytë është stadi subakut ose subfulminant i NASH, i cili është i rrallë e zakonisht shihet pas procedurave kirurgjikale për reduktimin e peshës. Theksoj që ky stad është potencialisht fatal. Ndërsa stadi i tretë është ai kronik, që është forma me progresion të ngadaltë dhe më e shpeshte që i korrespondon më mirë pamjes klinike të NASH. Brenda këtyre tri stadeve, ashpërsia e sëmundjes mund të kualifikohet në një shkallë gradësh nga 1 deri në 4.

Çfarë ndodh nëse steatohepatiti joalkoolik nuk trajtohet?
Në qofte se NASH lihet i patrajtuar do të progresojë në fibrozë ose shpesh në cirrozë për 5-10 vjet në 10% të pacientëve. Disa studime e vendosin këtë shifër në një shkallë më të lartë se 40%. Rreth 12% e pacientëve, sidomos diabetikët, mund të vdesin brenda 10 viteve nga komplikacionet e sëmundjes hepatike. Megjithatë, në një proporcion të madh të pacientëve, NASH ngelet beninj dhe nuk progreson në stadet e fundit.

Si kurohet NASH?
Ndryshe nga hepatiti C, deri më tani nuk gjendet terapi efektive për NASH. Kështu që qëllimi final i të gjitha masave terapeutike është ndalimi i progresionit të sëmundjes dhe në qoftë se është i mundur, parandalimi i zhvillimit të cirrozës. Përderisa patogeneza e NASH është e panjohur, terapia mbetet empirike dhe kufizohet në trajtimin e gjendjeve të shoqëruara me NASH si diabeti mellitus, obeziteti dhe hiperlipidemia si dhe shmangien e agjenteve farmakologjike hepatotoksike. Për kurimin e NASH masa më e rëndësishme konsiston në reduktimin e peshës trupore. Pra, reduktimi i peshës trupore në rreth 10% të peshës fillestare të pacientëve është jashtëzakonisht i dobishëm në përmirësimin e parametrave laboratorike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.