KULTURË

Aleanca për Teatrin, Bankës së Këshillit të Europës: Hiqni dorë nga kredia

18:00 - 30.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Letra: Monitoroni fondet, Bashkimi Europian kërkoi dialog, por Teatri u shemb




Javën e kaluar Aleanca për Teatrin i ka dërguar një letër në adresë të Bankës së Këshillit të Europës, ku i kërkohet të heqë dorë nga një kredi e mundshme për qeverinë shqiptare, destinuar për ndërtimin e një teatri të ri, duke qenë se i vjetri u shemb, ndonëse BE kërkoi dialog dhe Komisionerja e BE, i pat kërkuar qeverisë shqiptare të mos ndërmerrte veprime të pakthyeshme. Në letër, i parashtrohet situata dyvjeçare për teatrin si edhe, shkeljet e panumërta që sipas Aleancës tashmë presin në dyert e gjykatave të Shqipërisë, përfshirë edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Letra bën me dije, se çfarë ka ndodhur në vendin tonë dhe përplasjen e gjatë, që nuk arriti të ruante teatrin historik, ndërsa komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Europa Nostra-n e pat shpallur në mbrojtje godinën.

LETRA

I nderuar Guvernator Wenzel,

Të nderuar Anëtarë të Bordit Drejtues të CEB,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Administrativ,

Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ne dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj dhe në vëmendjen e organeve më të larta vendimmarrëse të organizatës suaj të nderuar, një situatë që mund të përfshijë Bankën e Këshillit të Europës në cilësinë e huadhënësit për një kredi që mund të kërkohet nga Qeveria e Shqipërisë dhe / ose Bashkia e Tiranës për të financuar ndërtimin e një Teatri Kombëtar në qendër të kryeqytetit.

Përmes këtij komunikimi, kërkojmë nga CEB të marrë në konsideratë heqjen dorë nga kërkesa e tillë eventuale mbi baza të rrepta morale, ligjore dhe etike.

Ne përfaqësojmë një Aleancë të qytetarëve dhe artistëve shqiptarë. Që nga shkurti i vitit 2018, me një mbështetje në rritje të publikut dhe ndërkombëtar, ne jemi angazhuar që të bllokojmë ndërtimin e një teatri të ri në qendër të qytetit të Tiranës, pasi i vjetri u rrënua në një veprim të paligjshëm të iniciuar nga Bashkia e Tiranës. Disa padi janë ngritur në adresë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj, dhe zyrtarëve të tjerë publikë të përfshirë në këtë situatë.

Shembja e Ndërtesës së Teatrit Kombëtar u krye më 17 maj 2020 si rezultat i një operacioni të urdhëruar nga Bashkia e Tiranës, i mbështetur nga rreth 1500 oficerë policie, i cili u dënua ndërkombëtarisht si një veprim barbar dhe një shkelje e shtetit të së drejtës dhe e masave të sigurisë publike të zbatuara nën regjimin Covid-19.

Bashkimi Europian, përmes Komisioneres për Kulturën Mariya Gabriel dhe Europa Nostra, organi më i dalluar evropian kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë kulturore disa ditë para prishjes, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të mos procedojë me shkatërrimin e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar, e cila më 24 mars ishte përfshirë në programin “7 Vendet e Trashëgimisë më të Rrezikuara” të vitit 2020 të Europa Nostra.

Ne po punonim me Europa Nostra në drejtim të synimit tonë për të restauruar Teatrin Kombëtar dhe pasi fluturimet pas pandemisë të ishin përsëri të mundshme, ne po prisnim që ekipi i Europa Nostra të vizitonte Teatrin Kombëtar dhe të fillonte me konsultimet teknike në lidhje me punën përpara.

Shkeljet e ligjit që lidhen me projektin e ri teatror dhe protestat e përditshme të qytetarëve që prej gati 28 muajsh, kanë çuar në:

1) Dy çështje të hapura në Gjykatën Kushtetuese, e cila për shkak të procesit të verifikimit është bllokuar dhe kur të bëhet funksionale duhet të vendosë: (1) mbi ligjin special të miratuar nga parlamenti shqiptar në 2018 ndërkohë që presidenti refuzoi dy herë për ta dekretuar dhe i cili do të transferonte terrenin publik të Teatrit Kombëtar tek një kompani private për zhvillim: (2) mbi vendimin e Këshillit të Ministrave të 8 majit 2020 që transferoi këtë terren publik të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës;

2) Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i Shqipërisë të nisë hetime për keqbërjet e shumë zyrtarëve të lartë të shtetit, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, lidhur me projektin e Teatrit Kombëtar.

3) Prokuroria e Tiranës të fillojë hetimet për aktet teknike dhe ligjore që çuan në prishjen e Teatrit Kombëtar.

4) Avokati i Popullit të fillojë hetimet mbi vendimin e Këshillit të Ministrave që transferoi terrenin e Teatrit Kombëtar tek Bashkia e Tiranës dhe të gjitha aktet dhe veprimet që e pasuan atë deri në prishjen e Teatrit dhe dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe qytetarëve.

Në funksion të situatës së mësipërme, ju lutemi të transferoni këto shqetësime tek shërbimet përgjegjëse të këtij sektori dhe rajoni në mënyrë që ata t’i marrin parasysh ato në rast të përfshirjes së ardhshme të CEB, dhe të monitoroni përdorimin e fondeve të huazuara nga Qeveria e Shqipërisë me qëllim të këshillimit që ato përdoren në mënyrë rigoroze për qëllimin e tyre të deklaruar.

Ne kemi besim se ju do t’i merrni parasysh këto informacione dhe do t’i merrni ato seriozisht në shqyrtim përmes ekipit tuaj të profesionistëve dhe në bashkëpunim me organet më të larta vendimmarrëse të organizatës suaj të nderuar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.