KULTURË

Besim Zekthi/ I jepet lamtumira mjeshtrit të valles, “luani” e stuhia e skenës

18:00 - 30.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – I është dhënë dje lamtumira e fundit mjeshtrit të valles popullore, Besim Zekthi. Miq e kolegë, kanë risjellë në vëmendje artin e tij, kujtimet e një jete në skenë, lavdinë e interpretimeve të paharrueshme, të 200 roleve në skenat e tri kontinenteve. Ai u nda nga jeta të diel, në moshën 84-vjeçare, ndërsa homazhet u mbajtën të hënën, në Muzeun Historik Kombëtar, para një fotografie ku shihej portreti i tij i viteve të fundit. Bashkëshortja e tij, Sadija, qëndroi e përlotur pa mundur dot të besonte, se gjashtëdhjetë viteve me të, I kish ardhur fundi në këtë fundqershor, kur artistë në zë as nuk mund të nderohen si duhet. I nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, ai vijoi të jetonte në një shtëpi të thjeshtë pranë rrugës “Mihal Grameno”, e ndërtuar me punë vullnetare prej çiftit të artistëve të ansamblit. Prindër të tri vajzave, Besimi me Sadijen patën mundur të ndërtojnë një familje të bukur, ndonëse orët e gjatat të punës, turnetë e koncertet, i linin jo pak herë larg shtëpisë. Me interpretimin madhështor, që pushtonte skenën, Zekthi pat marrë mbi veten imazhin e një legjende që në të gjallë, ndaj miqtë e kujtojnë si kërcimtar, por edhe koreograf jo vetëm për “Vallen e shqipeve”, apo “Festë ka sot Shqipëria”, por edhe për kontributin e tij në 6 dekada për ruajtjen e identitetit shqiptar. Për mjeshtrin e baletit, Albert Janku: “Kërcimi i Besimit ishte më shprehës së fjalët. Fliste kërcimi i tij, fliste, krahu i tij, deri edhe gishti i tij. Këtë nuk mund ta bënte çdo artist. Ajo dorë e shtrirë nënkuptonte shqiponjën, ndërsa ai arrinte të jepte edhe ekzaltimin e shqiponjës, tashmë të lirë e krenare”, tha dje Janku. Në një linjë me të është edhe Ramazan Bogdani, studiues i etnomuzikologjisë. “Besim Zekthi iku, ai është një figurë e madhe e artit, kulturës dhe kombit shqiptar. Do të jetë përherë i pavdekshëm, pasi ka dhënë shumë, nuk mund të vijë një Besim Zekthi kaq i talentuar”. Për vlerat e tij të rralla si artist, ai pati rënë në sy jo vetëm ne Dizhon të Francës, ku në vitet 1970 Shqipëria u kthye tejet e vlerësuar. Valltarja Linda Kaimi kujton se, “kur Zekthi hynte në skenë, dukej si një stuhi, ishte vërtetë si një stuhi. Merrte çdo gjë përpara dhe përfshinte këdo. Artisti i njohur rus, Nurejev, pati thënë se nuk ka parë në tërë botën një artist si Zekthi, kaq madhështor”. Ndërsa Hysen Malaj, një tjetër valltar, kujton se e quanin luan të skenës, pikërisht prej cilësive të tij artistike, me të cilat zotëronte vallen, rolin, portretin dhe karakterin me tërë elementët që mund të përcillte një valle shqiptare. Genc Kastrati, një tjetër artist i Ansamblit kujtoi se nisi punë në Ansambël më 1985-ën dhe ka mësuar shumë prej Zekthit. “Ai na ndiqte punën dhe na mësonte. Sigurisht edhe na kritikonte, dhe ai dinte se si e bënte. Ishte gjithnjë i shqetësuar për ruajtjen e elementit shqiptar të valles, se kjo na bënte ne të veçantë”, tregon ai. Edhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela, thotë se është rritur me hijen e portretin e Zekthit. “E kam takuar disa herë, ndërsa bëheshim gati për të festuar 60-vjetorin e Ansamblit. Ai ishte në merak për mënyrën si bëhet vallja popullore sot. Sigurisht, kjo mbetet detyra jonë, detyrë që të kujdesemi për trashëgiminë që ai la pas. Besim Zekthi ka qenë një shkollë për brezat edhe kështu do të jetë në vazhdimësi, për teknikën e lartë të valles sonë popullore”, tha Çela. “Është një moment i trishtë për t’i dhënë lamtumirën kryeshqiponjës së valles së shqipes, për gati gjashtë dekada, këtij kryesimboli jo vetëm të kulturës kombëtare, por edhe të identitetit kombëtar, që ne do ta kujtojmë përherë si një kryeshqiponjë të skenës dhe valles sonë, si një artist që diti t’i japë krenarinë edhe dinjitetin popullit edhe vendit të tij në momente shumë të vështira”, shprehet Presidenti i vendit, Ilir Meta. “Gjerdani i Artë”, me të cilin vendi ynë u vlerësua festivalin e Dizhonit në Francë, në vitin 1970 do ta bënte edhe më të pashlyeshëm emrin e shqipes në mbarë botën asokohe. Ndërsa meraku i tij gjatë viteve të fundit ishte që kjo pasuri e rrallë të trashëgohej edhe te valltarët e rinj. Besim Zekthi ka interpretuar mbi 200 valle si solist, si “Vallja e shqipeve”, “Festë ka sot Shqipëria”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “Dasma e Rugovës” etj.. Zekthi mban titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.