OPINION

Presioni ndaj Vuçiçit dhe punët e Kosovës

08:00 - 30.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vuçiç nën presion?!”, shpërtheu dy ditë më parë gazetarja Ana Laliç e portalit “Nova.sr”, kritike me qeverinë e vendit të vet dhe presidentin serb, e cila në prill u mbajt në bllokim shtëpiak nga policia, për shkak të një shkrimi për reagimin qeveritar ndaj krizës së koronavirusit (https://www.rferl.org/a/serbian-journalist-detained-questioned-over-critical-coronavirus-article/30525582.html). “As mos e mendoni. Vuçiç pati një javë të mirë javën e kaluar. Fitoi gjithçka më 21 qershor në zgjedhjet parlamentare”. Çfarë Laliç thotë është më se e vërtetë. Partitë opozitare bojkotuan zgjedhjet dhe parlamenti serb i ngeli i gjithi në dorë njeriut të fortë të Ballkanit. Mirëpo presioni i Bashkimit Evropian mbi të po rritet. Të hënën, më 22 qershor, Vuçiç takoi të dërguarin e lartë të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar një iniciativë të udhëhequr nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje me Kosovën. Deri tani presidenti serb kishte marrë mirëkuptimin e Bashkimit Evropian, kur arsyetonte se po të lëshonte shumë në dialogun me Kosovën, partitë nacionaliste opozitare në vendin e tij do ta mbysnin. Me fitoren e së dielës, 21 qershor 2020, ai nuk e ka më këtë justifikim. Bashkimi Evropian i ka duart e lira nga aleati i tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të realizuar projektin politik të afrimit të Serbisë me Kosovën, tani që plani i marrëveshjes Serbi-Kosovë i të dërguarit të veçantë të Presidentit Trump për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell, u minimizua vetëm në çështjet ekonomike. Madje, marrëveshja për lidhjet ekonomike mes të dyja vendeve u shty për më vonë, ngaqë takimi të shtunën, më datën 27 qershor në Uashington dështoi, nga mosvajtja e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.




Me bisedimet e drejtuara nga SHBA-të, në pauzë për të ardhmen e parashikueshme, “Vuçiç tani mund të ‘godasë kanaçe poshtë rrugës’ për një kohë më të gjatë”, u shpreh Dimitar Bechev, një studiues në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, një organizatë studimesh politike. “Vuçiç asnjëherë nuk ka qenë i interesuar për një zgjidhje konkrete të mosmarrëveshjeve me Kosovën. Ai është i interesuar vetëm të flasë për këtë, sepse të folurit, kjo është ajo që po ofron në të vërtetë”, cilëson Florian Bieber, një profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Graz në Austri. Me pozicionimin për marrëdhëniet ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, SHBA-të i dhanë drite jeshile ndërhyrjes së vetme dhe të plotë të Bashkimit Evropian në sponsorizimin e bisedimeve politike për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Sigurisht që do të kishte qenë më bindëse për njeriun e fortë të Serbisë që SHBA-të dhe Bashkimi Evropian të ishin në një vijë presioni dhe kërkesash, sikurse ishin bashkë në vitin 2013, kur nisi dialogu Beograd-Prishtinë, nën nismën dhe vëzhgimin e tyre. Por, dy superfuqitë demokratike të botës nuk janë më në unison dhe Kosovës i duhet të përshtatë pozicionin e saj me këtë realitet influencash në rajon. Interesat e saj parësore janë avancimi në integrimin ekonomik dhe politik në Bashkimin Evropian dhe heqja e regjimit të vizave me vendet e BE-së. Barrikadimi emocional me drejtuesit e saj politikë ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i çon ujë në mullirin e integrimit. Është në nderin e Presidentit Thaçi deklarata e tij mbrëmë, që po të konfirmohen akuzat nga gjykatësi në Hagë, ai do të japë dorëheqjen dhe të përballet me akuzat si qytetar i thjeshtë. Kosova zyrtare mund të mbështesë kauzën e tyre si qytetarë që i nënshtrohen me vullnet dhe kurajë gjykimit të Gjykatës së Hagës për krimet e luftës, por jo të bëhet palë. Qeveria e Kosovës duhet të vijojë dialogun me të dy të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe të Presidentit amerikan, Trump. Pa e ulur stekën e kërkesave dhe interesave të saj. Në negociatat me Grenell, pala kosovare cedoi shumë dhe pa qenë realisht nevoja. Adhurimi kosovar me plot të drejtë ndaj shtetit amerikan bëri të veten, por përballë kanë një manovrator të regjur dhe ekuilibrist të pashoq, si Presidenti i sotëm i Serbisë, i aftë të jetë i pëlqyeshëm në Bruksel dhe në Uashington, megjithëse autokrat në vendin e vet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.