KULTURË

Dom Gjergj Simoni/ I dorëzohet dosja priftit që u dënua për poezitë, “Kangët që i pluhnoj vetëm koha”

14:38 - 01.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Fatmira Nikolli – “Kangët që i pluhnoj vetëm koha”




Kangët e mija janë ato që i pluhnoj vetëm koha,
Por ato do të dijnë të dalin në dritë nji ditë
Jam i sigurt se do të ketë njerz’ e nxanësa nëpër shkolla
Që do t’i çpluhnosin, pse kët’çast kan’ pritë

Gjergj Simoni (Hardhia) 1976

Kjo është një prej poezive që çuan drejt dënimit meshtarin katolik, Dom Gjergj Simoni, gjatë regjimit komunist. Dom Gjergj Simoni u dënua pas 9 muajve hetuesi për agjitacion e propagandë, me 10 vite burg, të cilat i vuajti në Ballsh, Spaç e Qafë-Bari. Dom Gjergji u dënua për poezitë e tij, të cilësuara “armiqësore”. Dosjet nr. 11628.A, 11628.1 dhe 13588/1 përmbajnë materialet e përdorura si “prova” për dënimin e tij. Pas vuajtjes së dënimit me burg e punë të detyruar, më 21 prill 1991, Dom Gjergji u shugurua meshtar. Më pas, edhe krijimet e tij të guximshme njohën dritën. Pas më shumë se 30 vite nga lirimi i tij prej burgut, Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Dom Gjergj Simonit dosjen mbi dënimin e tij nga regjimi monist. E pranishme në takim ishte edhe kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, e cila tha se dosja e Dom Gjergj Simonit është e plotë bashkë me të gjitha poezitë e tij, për të cilat u dënua apo dorëshkrimet e shumta. Dom Gjergj Simoni dhe është një prej të paktëve nga kleri, që kanë vuajtur persekutimin komunist dhe janë ende gjallë. Sot 86 vjeç, ai ka qenë aktiv për shumë vite, duke rrëfyer çka përjetuar, parë e dëgjuar në burgje e kampe, ai dhe klerikë e laikë të tjerë. Në vitin 2016, teksa vendi përgatitej për lumturimin e martirëve të kishës do të shprehej “Persekutorët që kanë persekutuar jo vetëm klerin katolik, por edhe të tjerët do të dëshiroja që të vinë para meje dhe t’u them se i kam falur. Për të kujtuar ata martirë, që kanë dhënë jetën për atdheun, ndonëse nuk mund të them se i kam njohur të gjithë, por kam njohur shumë prej tyre, patjetër do t’ua jepja dorën presekutorëve”.

HISTORI NË KOHË PRESIONI

Famullitari i Bregut të Bunës, i cili në vitin 1967 kur regjimi komunist filloi luftën ndaj fesë, fshehu në shtëpinë e tij dhjetë thasë me relike dhe libra të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Në një shkrim të publikuar nga Dashnor Kaloçi, Dom Gjergji ka rrëfyer se “aty nga fillimi i vitit 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamiave e prishjen e objekteve të kultit, unë bisedova me vëllanë tim, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë, duke i thënë se siç po paraqitej situata, ndalimi i fesë ishte punë ditësh. Pas kësaj bisede, unë shkova tek Arqipeshkvia dhe mbusha plot 20 thasë me libra, dokumente e sende të tjera me vlerë dhe të gjitha ato i çova natën në shtëpinë tonë që ndodhej në lagjen “Arra e Madhe. Për disa ditë me radhë duke bërë gjoja se po prashisja lulet e kopshtit, zgjodha 10 thasë me gjërat më me vlerë e i groposa aty në oborr me fshehtësinë më të madhe. Por, pas 10 vjetësh, në korrikun e vitit 1977, kur sapo isha kthyer nga Vau i Dejës ku punoja si punëtor, disa njerëz të Sigurimit më thanë që të paraqitesha në Degën e Brendshme dhe kur vajta atje, njeri prej hetuesve më tha: “Ne kërkojmë disa libra të vjetër në kopshtin tuej”.

Mes poezive më të spikatura që kishte shkruar asokohe kundra regjimit në fuqi ishin ato të titulluara: “Letër Luciferrit” dhe “Mëngjeze në Shkodër”. Te poezia e parë satirizonte Enver Hoxhën dhe tiraninë e tij, ndërsa tek e dyta nxirrte në pah mjerimin e madh të punonjësve të qytetit, ku midis të tjerash shkruante: “Mëngjesi në Shkodër i mvrenjtun/Si retë njerëzit shpërndahen në punë,/ S’u qesh kurr’ buza e ashtu të mbetun/Punojnë të heshtun me dhunë./ Kumbonat që shpërndanin gëzimin/ Lajmtare e një ditës së re,/ Atyne i zu vendin çekiçi/ E heshtën si i vdekuni nën dhe”.

Gjyqi kundër tij filloi natën e madhe të Pashkëve në prillin e vitit 1977 dhe gjatë akt-akuzës, të cilën e kishin përkufizuar “Agjitacion e propagandë të myllun”, ai kujtonte se i lexuan gjashtë poezi ku ai aludonte hapur kundër regjimit. Ndërsa poezinë “Letër Luciferrit”, nuk e lexuan, kujtoi ai, pasi ajo fliste kundër Enver Hoxhës dhe ata nuk mund ta lexonin. Kur i kërkuan fjalën e fundit, ai iu tha: “Unë kërkoj drejtësi”. Ndërsa trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin, disa policë e shanë duke i thënë “prift i poshtën”. Pas kësaj, Dom Gjergji, i tha një polici që ia kishte shtrënguar fort prangat, që t’i vinte në gojë një cigare se i kishte duart e lidhura. Ai duke i ndezur cigaren, i tha: “Qenke guximtar i madh” dhe unë Dom Gjergji, ia ktheu: “Ju i masni njerzit me gjatësinë e trupit dhe jo me forcën e shpirtit. Kjo është e keqja juej”. Pas kësaj, trupi gjykues e dënoi me dhjetë vite burg”. Dënimin ai e vuajti për plot 9 vite e 19 ditë në kampet e Ballshit, Qafë-Barit e Spaçit, për faktin e vetëm se deshi të ruante objektet e dokumentet me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës.

106507736_631982984343142_5034683760335859176_n 106371406_2481494278777770_8842315394302491039_n 106355694_1130466300666746_8789565350041196089_n 106492580_645146679682165_3511066251853626688_n 106611343_291365905555598_2679549140724182669_n
<
>

 

POEZIA

KUSH JEMI NA?

Kush jemi na që heshtim
Kur shofim vllanë tonë të gjakosun,
Dhe heshtja e jonë i ban të qeshin
Ata, që shpirt e jetë na kanë t’helmuem.

Mos vallë nuk e njofin drejtësinë
Që rrijmë kështu në pritje e mbi ne
Të tjerët të qëndrojnë e të kenë “Lumturinë”
Që nuk dihet që ku e ke.

A por tuj heshtë kem gjetë atë shteg
Kur na mundemi me kalue pa u ndi,
N’atë rrugë e askush s’na prekë
E që anmiqt na e quejnë “Liri”.

Oh, jo nuk jemi na që heshtim
Por janë ato që s’na lanë m’u ndi,
Por le t’a dijnë se kur të ndeshim
Kan m’u dridhë se kem të madhen Drejtësi.

At’herë po tesh e mësojnë mirë
Ato se kush jemi na,
Se për me kërkue lirinë
Nuk kemi heshtë pa pra.

                       (Shkodër, më 20.10.1974)

 

VARGJE POEZIE

“Mëngjesi në Shkodër i mvrenjtun

Si retë njerëzit shpërndahen në punë,

S’u qesh kurr’ buza e ashtu të mbetun

Punojnë të heshtun me dhunë.

Kumbonat që shpërndanin gëzimin

Lajmtare e një ditës së re,

Atyne i zu vendin çekiçi

E heshtën si i vdekuni nën dhe”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.