OPINION

Fati gjerman në pafatësinë europiane!

14:43 - 01.07.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

«Të kesh fat në pafatësi» kjo thënie e njohur në Gjermani i shkon shumë gjendjes së tanishme në BE, kur Gjermania sapo mori Presidencën e radhës. Po përse kjo «pafatësi europiane»? Sepse BE-ja këto gati 15 vitet e fundit është goditur nga kriza dhe konflikte me emra të frikshëm dhe me shumë pasoja; duke venë hera herës në pikpyetje dhe vetë ekzistencën e saj. Sidomos vitet e fundit, kur pa e marrë ende vehten nga kriza e azilit, dhe Europën e pllakosi koronavirusi, kriza më e rëndë pas Luftës së II Botërore me mbi gjysëm milionë viktima në botë, miliona vende të humbura pune, nevoja ulëritëse për shërbimin mjeksor, biznesi, turizmi, shërbimet dhe udhëtimet, rreziku i një përhapjeje të dytë dhe rënie drastike kudo e GDP-së.




Veç tyre, BE-në e kanë tronditur dhe trazira të tjera politike, ekonomike dhe ushtarake, brenda dhe jashtë saj; madje në Lindjen e Mesme ajo «ka dalë jashtë loje» dhe po bën çmos të rihyjë. Kurse klima, mjedisi, ngrohja globale, dixhitalizimi, ekonomia e gjelbër, etj kanë kohë që «bërtasin për zgjidhje» të qëndrueshme dhe bashkëpunim shumëpalësh të përforcuar. Plus Ballkani me dialogun Serbi-Kosovë me sfida dhe dinamika të pasigurta; sidomos pas «tërmetit» politik që shkaktoi njoftimi i Gjykatës së Specializuar në Hagë me akt-akuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, me anullimin e Takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe në pritje të Samitit të Parisit më 17 Korrik.

Gjatë këtyre viteve të fundit, BE është tronditur dhe nga brenda, nga disa forca politike dhe vende që duan ta ribëjnë atë tanimë si «demokraci joliberale» se me «Brexit» u pa se nuk u dalin hesapet.

E ç’duhet më tepër që kjo Europë të quhet e pafat? Por ja që siç e pohoi këto ditë dhe Von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian« BE-ja është «me fat» që ka Gjermaninë dhe Kancelaren, Angela Merkel që do të mbajnë timomin e BE-së deri më 31 dhjetor. Kjo nuk është kursesi rastësi fatlume; Gjermania është vendi më i madh dhe bashkëthemelues, shteti më i fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht që i jep BE-së 25 për qind të GDP-së; bashkë me Francën është «boshti/motori» i funksionimit të saj; lajm i mirë është se ky bosht është sërish në lëvizje dinamike, edhe pse, pas zhvillimeve më të fundit, me «më pak Macron dhe më shumë Merkel».

Gjermania dhe Europa janë veçanërisht fatlume që këto 15 vitet e fundit kanë patur në krye Kancelaren Merkel; e njohur dhe supervlerësuar për aftësitë, kapacitetet dhe lidershipin e saj të të fortë, pozitiv dhe të papërsëritshëm. Siç kemi përmendur dhe në shkrime të mëparshme, pasardhësja e emblematikut Kohl ka menazhuar në krye të BE-së më shumë kriza se homologët e saj, të mëparshëm dhe të tanishëm të SHBA-ve, Francës dhe Britanisë së Madhe të marrë së bashku!

Ajo e filloi kancelarinë me menazhimin e krizës europiane pas rrëzimit të Projekt Kushtetutës në Francë dhe Holandë më 2005; kur të tjerët u mbyllën në guaskën kombëtare, Merkel si europianiste e patundur propozoi disa masa dhe amendamente, të cilat çuan në Traktatin e Lisbonës më 2009. Ajo ka vijuar me mjeshtëri strategeje menazhimin e krizave të tjera të njohura të mëvonshme, sidomos atë të azilit dhe muajt e fundit me koronën, duke e nxjerrë Gjermaninë fitimtaren e madhe planetare.

Eshtë rast i vetëm që pas 15 vjet qeverisje, ndonëse ka shpallur në mënyrë të parevokueshme largimin nga politika aktive vitin e ardhshëm, Merkel është politikanja më popullore dhe shumica e gjermanëve duan që ajo të kandidojë dhe për një mandat të pestë si Kancelare. Por «Merkelmania» është përhapur kudo në Europë dhe më tej, si një model i sjelljes politike model por, mbi të gjitha, i arritjeve të shënuara, të matshme dhe të prekshme, brenda dhe jashtë vendit, deri te COVID-19. Kështu, Gjermania pati më pak viktima nga korona dhe se Belgjika, ndonëse kjo e fundit ka 8 herë më pak banorë dhe një sistem tejet të përparuar shëndetësor! Kjo është sërish frut i menazhimit dhe të këtij fronti nga Merkel. Kështu, Gjermania jep dy herë më shumë fonde për mjeksinë se Franca, ka 6 herë më shumë shtretër në spitale si Italia, kryen pesë herë më shumë teste se Britania e Madhe, etj.

Më tej, në momentet kur solidariteti europian dukej se po mungonte gjatë koronës, Merkel me Macron më 18 maj bënë revolucionin tjetër në BE, duke propozuar për herë të parë në historinë e BE-së projektin prej 500 Miliard Euro, në formën e ndihmave pa kthim e pa interes për vendet më të goditura, sidomos Italinë dhe Spanjën. Kjo nuk ishte një «llaf goje» apo sa për të kaluar radhën; përkundrazi, veç faktit që Gjermania do të japë ¼ e kësaj shume, Merkel theu një tabu të fortë politike, duke propozuar bashkimin e borxheve për vendet e prekura nga kriza. Kur dhe vetë Kohl dekada më parë paralajmëronte që «bashkim monedhe po, bashkim borxhesh jo» Ja pse, nëse disa muaj më parë Gjermanët priteshin me «këmbët e para» tani ata brohoriten të mirëseardhur në plazhet italiane.

Siç e tha dhe ish-Presidenti i Bundestagut, N. Lammert para disa ditëve, Merkel ka krijuar siguri dhe besim kudo me qetësinë, gjakftohtësinë, pjekurinë dhe përvojën, modestinë dhe pragmatizmin, për mungesën totale të polemikës.

Tani që besoj del qartë përse Gjermania dhe Merkel janë fatlumë për BE-në, le të ndalemi pak në blloqet e objektivave kryesore të presidencës gjermane të BE-së.

Këtë radhë, «menuja» politike e kësaj presidence është e jashtëzakonshme ; për shkak dhe të vonesave e problemeve që krijoi korona me karantinën, koha nuk pret më, duhen sa më shpejt vendime; dhe, siç bëhet rëndom këto ditë pyetja retorike, «nëse këtë nuk e bën presidenca gjermane, kush tjetër?»

Objektivi madhor me të cilin presidenca gjermane ka filluar të merret siç u përmend dhe më lart qysh në muajin Maj është trinomi mamuthian korona – rimëkëmbja dhe zhvillimi social-ekonomik; duke filluar me miratimin e buxhetit të BE-së 2021 – 2027 me mbi 2 trilion Euro. Problemi është dakordësia e të ashtuquajturave «katër shtete kurnace» Austria, Suedia, Holanda dhe Danimarka» me propozimin e 18 maj nga Merkel-Macron prej 500 miliardë euro; plus 250 miliardë euro të tjera që ka shtuar Komisioni Europian.

Me padurim presin dhe dosjet e dixhitalizimit dhe ekonomisë së gjelbër, ekologjisë, mjedisit dhe klimës. Ndërkohë që asaj i qëndron mbi kokë« si shpata e Demokleut «31 tetori, afati fundor kur Londra do të «divorcohet» përfundimisht nga BE-ja pas «Sagës së Brexit»; por, deri atëhere duhet të jetë realizuar marrëveshja përkatëse, që të shmanget çdo lëmsh e rrëmujë tjetër.

Qëndrimet ndaj Kinës me dukuri shqetësuese për demokracinë liberale, siç e pohoi vetë Merkel ditët e fundit dhe një Samit i mundshëm për të balancuar interesat por dhe vlerat liberale është një sfidë tjetër herkuliane për BE-në; synimi është që Gjermania dhe BE-ja të akomodojnë sa më mirë të katër pozicionet e tyre ndaj Kinës, si bashkëpuntorë në disa qëllime të përbashkëta madhore, partnere në tregti, konkurente në teknologji, por rivale lidhur me alternativën qeverisëse.

Sfida tjetër e madhe mbeten demarshet pas krisjeve me SHBA-të në planin shumëpalësh, sidomos qëndrimin amerikan ndaj OBSH-së, sigurinë në Europë, etj; për më tepër kur në SHBA sapo ka filluar fushata për zgjedhjet e reja presidenciale me të papriturat dhe pasojat e saj të paparashikuara.

Në këtë rebus politik, sfidë jo më pak të vogël paraqet dhe Rusia; pavarësisht problematikës së njohur, Gjermania, Franca, dhe në përgjithësi BE-ja, pa përjashtuar NATO-n synojnë me theks angazhimin në një dialog konstruktiv, mbi bazën e vlerave dhe interesave të përbashkëta por dhe dallimeve e kundërshtive gjeopolitike. Demarshe të veçanta priten dhe me Turqinë, sidomos lidhur me katraurën e krijuar në Libi, Siri dhe sidomos me azilin.

Përparësi do të ketë Afrika, «kontinenti i të ardhmes». Synimi është realizimi i ndihmave dhe investimeve, me qëllim që të frenohet dhe shmanget emigrimi i paligjshëm dhe të sigurohet qysh në burim legalizimi i azilit. BE-ja nuk mund ta lerë më vehten në «mëshirën« e Turqisë e cila në çdo moment mund të hapë portat e azilit, siç dhe bëri në fillim të marsit, ndaj duhet të miratojë Paktin e shtyrë të azilit dhe migrimit. Ndërkohë, dalja në skenë e racizmit e shton më tepër urgjencën dhe theksin e këtij problemi të madh.

Në kuadrin e shtyllës tjetër të presidencës gjermane dhe në traditën e saj, pjesë e këtij katalogu do të jetë Ballkani Perendimor, veçse tanimë duke i mëshuar shumë më tepër shtetit të së drejtës. Sa për çeljen e negociatave me ne, « topi do të luhet » në Tiranë, ndërsa Berlini, Brukseli, Parisi, e të tjerë do « të na rrinë te koka » ; me qëllim që PO-së së 24 Marsit t’ia heqim shpejt 5 apo 15 « bisht – kushtet e saj » Në fakt, dhe vetë Merkel « na ka dalë borxhit » ; ndaj nëse nuk arrijmë të shkojmë me « detyra të kryera » në « provimin vendimtar në vjeshtë, me të drejtë do të na thonë « në qafë paçi vehten ».

Gjithsesi, sfida më e madhe për presidencën gjermane do të jetë fillimi dhe ecuria e dialogut Prishtinë – Beograd me marrëveshjen gjithëpërfshirëse ndërmjet tyre. Detyrë që është koklavizur së tepërmi pas zhvillimeve më të fundit tejeet shqetësuese. Tanimë, i mbetet Gjermanisë të thotë fjalën e saj në emër të BE-së bashkë me Francën qysh në Samitin e Parisit më 17 Korrik, duke shpresuar për një rifillim te ri premtues të këtij dialogu, liberalizimit të vizave me Kosovën, etj. Edhe pse bashkërendimi i këtij procesi me SHBA-të mbetet objektiv jetik vendimtar, është sërish fat që në këto momente në krye të BE-së është Gjermania.

Aksioni tjetër i madh politik është lancimi i Konferencës «Europa e qytetarëve» e shtyrë për shkak të koronavirusit, e cila do të vashdojë dy vjet duke thithur mendimet e qytetarëve për projektin e ri europian.

Ekziston besimi se me lidershipin e vet, Gjermania do të dëshmojë se sa gabim e kanë ata që e shohin BE-në «bardh e zi» apo dhe profetizojnë fundin e saj. Kësisoj, Gjermania ka dhe shansin e madh të rikonfirmojë profecinë legjendare të Robert Schuman, kur dhe më 1976 deklaroi se «Europa farkëtohet mes krizash, si shumatore e zgjidhjeve që jepen për këto kriza»

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.