KULTURË

Heterotopitë e rezistencës, shtëpi- burgje e sisteme emergjence

15:00 - 01.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Heterotopitë e rezistencës është ekspozita e çelur në galerinë “Zeta”, pas një rezidence me artistë nga Shqipëria, Kosova, Serbia e Maqedonia e Veriut. Shtëpi që ngjajnë si burgje, sistem që prodhon emergjenca, rezistenca e humorit me maska, një ditar izolimi e protestat botërore, bashkëndajnë të njëjtën hapësirë ekspozimi që përbashkohet nga i njëjti fill filozofik. Blerta Hoçia, kuratore e ekspozitës thotë se heterotopia është një hapësirë ndryshe dhe reale në këtë rast e rezistencës. “Heterotopitë kanë dimensione reale në pandemi, ndryshe nga utopitë që janë hapësira ireale dhe perfekte. Gjatë pandemisë u gjetën mënyra për të rezistuar në platformat online”. Rezidenca me 7 artistë, Fatlum Doçi, Lori Lako, Natasha Nedlkova, Edona Kryeziu, Nina Galiç, Nikolche Slavevsky e Darko Vukiç, e parashikuar të mbahej në Tiranë, për shkak të masave të pandemisë u riformulua, ashtu si mënyrat e rezistencës. Takimet dhe bisedat e parapara se të mbaheshin në kryeqytet, u mbajtën në platforma sociale. “Që të ketë rezistencë, duhet së pari të ketë shtypje a presion. Karantinimi i popullsisë solli një sistem kontrolli, me orare ndalimi e daljeje. Ndaj kësaj shtypjeje, u përgjigj rezistenca online”, thotë Hoçia. Herë si kritika, e herë si përplasje me sistemin, veprat e artistëve përçojnë metaforat e qëndresës, paçka kushteve të dhëna në shoqëri. Si vepra e Fatlum Doçit me shtëpitë-qeli për të cilën, Hoçia thotë se është një “qytet i përbërë nga shtëpi-qeli, shtëpi pa dyer dhe në ajër, pezull”. Ekspozita do të jetë e hapur deri në 13 korrik.




VEPRAT E SHTATË ARTISTËVE

“Kjo ekspozitë kërkon të hulumtojë shumësinë e rezistencave dhe refuzimeve të manifestuara nëpërmjet punëve dhe kërkimit të secilit artist, duke reflektuar këtë moment të saktë historik”, thotë Hoçia. E tillë është puna që prezanton Darko Vukiç, ku shprehja e shkruar në mur “Emergent productivity in the time of production of emergency” është një marrje ndërgjegjeje e periudhës që kaluam gjatë izolimit të detyruar. Por, është edhe më shumë se kaq, artisti mundohet të reflektojë mbi sistemin, i cili prodhon emergjenca dhe përballet me to duke prodhuar në mënyrë emergjente. Është pikërisht sjellja njerëzore që e parashikon teorinë e ndikimit, duke krijuar rrethet vicioze pa një rrugëdalje.

Puna e Natasha Nedlkova është e një kthjelltësie të menjëhershme, ajo shprehet në imazhet dhe sekuencat që qetësisht pasojnë njëra-tjetrën, të mbështjella nga një ndjenjë pafuqie që shndërrohet në neveri. Në të ndërthuren eksperiencat intime që shkojnë e bëhen një me ato kolektive të një rajoni të dëshpëruar si Ballkani dhe pastaj filmat, inskenimi i identitetit, memoria dhe Amerika, gjeneza e të gjitha fajeve të kohës moderne. “Identity Tissues” është e një rezistencë në tranzicion prej më shumë se tridhjetë vitesh, një rezistencë e humorit dhe cinizmit mbrapa shumë maskave dhe shtresave, një rezistencë e heshtur. Një rezistencë e vetë qytetit, i cili refuzon fytyrat e pajeta, që me forcë zaptojnë vendin e njëra-tjetrës.

106785448_1681084488714670_7580337175420851461_n 106419379_814861705714321_4923011457452114751_n 106284823_275313076862557_8071283587761257320_n 106909149_1154262468292497_3786697937324573823_n
<
>

Në punën e Edona Kryeziut dalëngadalë përjetësohet një rezistencë gati e ndrojtur, e papranuar deri në fund, atëherë na hapet një vizion i dritareve pa dalje; dritaret si të tilla janë sepse të çojnë diku, nëse jo fizikisht ato e çojnë vështrimin diku, në horizontin që përmbajnë. Dritaret pa dalje në këtë rast janë billbordet e reklamave, të cilat të gjetura në një vend që është gjithmonë në midis, ndërmjet Pallatit të Sportit me utopitë e kaluara dhe monumentit të “Newborn”-it, me premtimin e rilindjes së afërme mbeten disi të harruara. Shohim se si ato lyhen me bojë të bardhë nga artistja. Një simbolikë e qartë e rifillimeve qe i jep kuptim edhe zhurmës së shurdhër të protestës, që dëgjohet me ndërprerje. Dritaret pa dalje në këtë mënyrë bëhen vetë vendi dhe simboli i rezistencës, vëren kuratorja Hoçia në konceptin kuratorial.

Puna video e Lori Lakos është një vështrim i detajuar brenda vetes, mendimeve dhe shpresave. Nis si një ditar i izolimit, me imazhe pothuaj të pikturuara të brendësisë së qytetit, hyrjet tipike të pallateve, dyert e mbyllura, pastaj një kohë e paqëndrueshme, një pranverë me shi dhe dëborë që duket si ogur i keq i lajmeve globale. Është një tregim intim i izolimit si rezistencë, por a është një rezistencë e vërtetë?

Ndërkohë, imazhet e ngadalta të videos shfaqin një njeri që i vetëm tërheq valixhen e tij, natën në qytetin e zbraztë prej shtet-rrethimit dhe i njëjti veprim akoma të nesërmen, si një sizif i mjerë i kohës sonë, në një dyluftim të heshtur me realitetin. Skulpturat në dimensione të vogla prej balte të Fatlum Doçit, vijnë si kujtim i një rezistence shumë personale, atë të imagjinatës. Balta e lagësht qetësisht modelon një qytet të përbërë nga ishuj që qëndrojnë pezull, secili ishull është një shtëpi-qeli ku mungojnë dyert; ky është qyteti i së ardhmes që sipas artistit përfaqëson rrezikun e kontrollit, absurditetet materiale dhe humbjen e vetëdijes shpirtërore.

Instalacioni që prezanton Nina Galiç është një punë e jashtëzakonshme kërkimore dhe mbledhjeje të dhënash mbi protestat në mbarë botën sipas secilit shtet. Është për t’u nënvizuar se puna e saj, për shkak edhe të ngarkesës së informacionit është akoma në proces. Hulumtimi nis me vitin 2001, për t’u shtrirë deri në protestat që vazhdojnë në kohë reale. Të dhënat si numra dhe simbole shndërrohen në distanca dhe trupa realë, që qëndrojnë dhe formësojnë rezistencën e të jetuarit.

Puna video e Nikolche Slavevsky ngjason me një himn të heshtur ndaj padrejtësive, një himn në imazhe që na ofrohen si të vërteta, që në pafundësi kundërshtojnë njëra-tjetrën. Një kundërshti që përsëritet nga fushatat globale, “rri në shtëpi” ishte një nga ato. Lajmet e ditës u bënë të një rëndësie jetike. Të dhënat e pafundme mbi infektimet dhe vdekjet, ngadalë u reduktuan në disa shifra dhe numra abstraktë që na hutonin vazhdimisht. Puna e Nikolës vë në dukje pikërisht këtë humbje të vetëdijes, mbi situatën dhe më gjerë mbi sistemin.

Për Blerta Hoçian, këto heterotopi të rezistencave diku vishen me pakapshmërinë e përjetimeve dhe ndjesive, diku janë një kritikë, një përplasje me sistemin dhe diku tjetër janë të një qartësie të tejdukshme, të tilla që na bëjnë të shohim përtej dhe të imagjinojmë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.