KULTURË

AFRIM KRASNIQI/ Ditari politik i gruas së ambasadorit italian më 1990: Policia ndaloi tim shoq

12:14 - 03.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Kriza e ambasadave, Shqipëria 1990” titullohet libri i ri i studiuesit, Afrim Krasniqi. Në hyrje, ai shënon se zhvillimet e periudhës qershor – korriku 1990, sidomos midis 2-12 korrik, kanë shërbyer vazhdimisht si lëndë për debate, teza e mite të krijuara rreth tyre. Ato lidhen me rolin e vetë regjimit në këto ngjarje, me rolin e diplomatëve perëndimore, me lidhjet e mundshme midis 2 korrikut në Tiranë dhe në Prishtinë, me rolin e ushtrisë, etj.




Një nga misteret kryesore të ngjarjeve të korrikut në ambasadat perëndimore është tërheqja e policisë pas datës 3 korrik dhe lejimi prej saj për disa ditë të hyrjeve të lira në ambasada. Ka pasur dëshmi të shumta nga ish zyrtarë të lartë dhe individë që kanë qenë të përfshirë në ndjekjen zyrtare të zhvillimeve të ambasadave.

Krasniqi vë përballë të gjitha deklaratat për ngjarjen ku mes të cilave veçojmë: “Ish kreu i Hetuesisë Lame në librin e tij e mbështet, gjithashtu, ekzistencën e urdhrit nga lart, pasi sjell si argument faktin se në një mbledhje në Komitetin e Partisë Tiranë drejtuesi i tij Piro Kondi, pasi ishte konsultuar me R.Alinë deklaroi se ‘tani do të hiqen policët nga ambasada’”. Ai shton se pas ngjarjeve të 2 korrikut u la e lirë hyrja në ambasada policët që u lanë aty formalisht ‘nuk kryenin veprime në mbrojtje të rendit, nuk kërkonin shpjegime dhe nuk tregonin interesim se cili person hynte e dilte nga hyrja apo rrethimi i ambasadave ku ata ishin të pranishëm…Fakti se policët në ndonjë rast i ndihmonin lidhej me informacionet se ata merrnin para e dhurata në këmbim të ndihmës për të hyrë në ambasada’. E njëjta akuzë për policinë u citua edhe nga Alia në Byro Politike, kur ai u shpreh ‘tani po na rezulton se policët kanë marra para për të futur njerëz nëpër ambasada”.

QYTETARË TË ARMATOSUR?

“Nuk përjashtohej që armë të kishte edhe në turmë, madje të dhënat flisnin për ekzistencën e tyre. Në këtë rast, me urdhër mund të fillonte goditja, por me ç’urdhër, vallë, do të arrihej ndalimi i zjarrit, shprehej Aliaj. Por Krasniqi, thotë se në këtë arsyetim, fjalia e fundit, kërkon të krijojë një alibi. Asnjë relacion i MPB dhe MPJ, asnjë dëshmi e ish zyrtarëve dhe personave që ndodheshin në ambasada, si dhe asnjë dokument tjetër me burim palën shqiptare apo diplomatët, nuk ka provuar se midis qytetarëve që hynë në ambasada ka pasur individë të armatosur, se ndonjë prej tyre ka përdorur armë dhe se ka pasur reagim me armë ndaj përdorimit të armëve nga policia. Përkundrazi. Madje Alia vetë në takimin me intelektualët në gusht 1990 pranoi se vetëm policia ka qëlluar, ndaj ka shkarkuar drejtuesit më të lartë të saj.

DITARI I ANNAROSA MANETTI

Ditari politik i asaj periudhe i mbajtur nga bashkëshortja e ish-ambasadorit italian, Giorgo De Andreis, Annarosa Manetti na ndihmon për të kuptuar më mirë klimën e rënduar dhe të kufizuar ku zhvillonin aktivitetin diplomatët perëndimorë në Tiranë, shkruan Krasniqi. Ja një ilustrim i ditës së punës së ambasadorit italian në maj 1990 “policia e rrethoi përsëri ambasadën, si në periudhat më të këqija. Agjentët, të armatosur me mitralozë, kanë filluar përsëri të bllokojnë makinat që hyjnë, të na kërcënojnë, të përpiqen të kontrollojnë makinat në dalje. Stafi ynë i kundërshtoi vazhdimisht kontrollet dhe preferoi të lëvizë në këmbë. Madje edhe Xhorxhon, i cili shkoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të diskutuar rreth incidentit, një agjent i armatosur e bllokoi dhe e ftoi ta linte makinën e tij që të kontrollohej. Sigurisht që ai refuzoi, u kthye në zyrë dhe protestoi kundër Ministrisë në rrugë telefonike. Pas kësaj, policët e armatosur u zhdukën dhe gjithçka iu kthye normalitetit, përveç mbikëqyrjes së shtuar rreth ambasadës tonë, si edhe rreth të tjerave tanimë”.  Ditari dëshmon edhe rastin kur ambasadorin gjerman Kroneck policia dhe agjentët shqiptare nuk donin ta lejonin të hynte me makinë në ambasadën italiane, ndërsa thotë se ambasadori gjerman “gati sa nuk e përplasi policin që qëndronte përpara portës sonë të hekurt që u përpoq ta ndalonte, i cili, për një moment mbeti gjysmë i shtrirë në kofano, pastaj u hoq mënjanë duke e lënë makinën të kalojë”. Diplomatët në Shqipëri nuk kishin kontakte publike dhe as mundësi komunikimi sidomos me individë e grupe që mund të ishin kritike ndaj regjimit apo ish të përndjekur politikë. Mannetti në ditarin e saj i beson skenarit se në hapjen e ambasadave ka pasur një rol kryesor ministri i Brendshëm Stefani. Ajo fillimisht e mbështet shkarkimin e Stefanit “pasi inskenoi atë marifetin e tij, i cili më vonë doli se ishte bumerang, për t’i lënë ambasadat të pushtoheshin dhe thuajse të mbyteshin nga aspirantët për emigrim”, ndërsa më pas më 13 korrik shprehej “duke i lënë njerëzit të hynin nëpër selitë diplomatike, ai arriti vetëm të krijojë probleme për qeverinë e tij dhe të irritojë shtetet evropiane, në një kohë kur Shqipëria pret që ata ta ndihmojnë për të dalë nga dekadat e prapambetjes së saj”. 

AGJENTË SIGURIMI HYNË SI QYTETARË

Sipas Krasniqit, tërheqja e policisë dhe lejimi i hyrjeve të lira në ambasada midis 3-5 korrikut 1990 ka përhapur edhe tezën se regjimi e përdori këtë kohë për të infiltruar individë me rekorde kriminale dhe bashkëpunëtorë të shërbimit sekret në ambasada. Studiuesi Fred Abrahams ka nënvizuar se në vend të lejimit të ndihmës humanitare ndërprenë ujin dhe “autoritetet infiltruan spiunë, që të mund të kuptonin se pse kaq shumë shqiptarë papritmas donin të largoheshin nga vendi”. Të paktën dy incidente ndodhën në ambasadën gjermane dhe italiane, kur turmat e refugjatëve donin të dëbonin individë të dyshuar prej tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit. Për rastin italian dëshmia është autentike dhe nga stafi italian. Sipas saj, “kanë hyrë gjithashtu edhe dy oficerë policie të veshur civilë, të cilët në mënyrë të paturpshme iu drejtuan kuzhinës, për t’u shërbyer nga gratë. Por ata u njohën nga dikush dhe gati sa nuk përfunduan të vrarë. Karabinierëve tanë iu desh ta bllokonin turmën e zemëruar që po i ndiqte, duke i lejuar ata të dilnin dhe të shpëtonin. E njëjta gjë kishte ndodhur dje me dikë që dyshohej se i përkiste Sigurimit”, shkruan gruaja e ambasadorit italian. Raporti i Sekretarit të Komitetit të Partisë të repartit 5848 në Tiranë, Pandeli Martini, dërguar më 5 korrik 1990 në Komitetin Qendror theksonte një numër vlerësimesh dhe propozimesh me tone të ashpra kundër personave që hynë në ambasada. I hartuar në periudhën kur kriza ende nuk ishte mbyllur, raporti kërkon hetime e dënime të ashpra të personave përgjegjës, qëndrim i ashpër ndaj familjeve të personave që kanë hyrë në ambasada, si dhe “të hiqen policët nga ambasadat”.

Më 5 korrik, thotë Krasniqi, Mannetti në ditarin e saj kishte shënuar një detaj interesant duke lënë të kuptohet se midis atyre që lejohen të hyjnë ka një përzgjedhje nga policia dhe Sigurimi. Konkretisht ajo shkruan “autoritetet shqiptare vazhdojnë të shtiren se gjithçka është normale dhe, duke qenë se që dje njerëzit mund të hyjnë legalisht në ambasada, rrethimi i policisë dhe Sigurimi është minimizuar. Në fakt, e kemi kuptuar që bëhet një përzgjedhje midis vizitorëve të mundshëm të zyrave tona: grupet e vogla të të rinjve që rreshtohen në hyrje, në të vërtetë i largojnë”. Një prej protagonistëve të hyrjes në ambasadën gjermane më 2 korrik, Ylli Bodinaku, gjatë dëshmive të tij mbi ngjarjen ka bërë akuzën se “shtuar këtu gjënë më të keqe që bëri Ramiz Alia, futi në ambasadë gjithë xhepistët që i nxori nga birucat, si edhe prostitutat e internuara. Ai prishi imazhin e Shqipërisë”. Gëzim Peshkëpia, emër i njohur në kontingjentin në ambasadën gjermane, ka dëshmuar gjithashtu “brenda në ambasadë sigurimi futi edhe agjentë të tij, por njerëzit, që vinin nga kategori dhe pjesë të ndryshme të Tiranës, i zbulonin dhe i përzinin jashtë mureve. Është fakt se pushtetit i doli situata nga duart. Nuk e kontrollonin dot më, ngaqë u çoroditën”. Një tjetër dëshmi, ish protagonisti Ilir Demalia nuk e përjashton mundësinë që “Sigurimi mund të ketë futur dhe ka futur njerëzit e vet në ambasada për të krijuar incidente, por numri i tyre mendoj se ka qenë i papërfillshëm në 5300 të strehuar në ambasada të cilët ishin së shumti ata që u përleshën dhe me forcat e sambistave dhe të policisë në natën e 2 korrikut.

MITI I PËRKIMIT

Sipas Krasniqit, një mit lidhet edhe me rolin e përkimin e ngjarjeve të korrikut në Tiranë me ato në Prishtinë. Në Tiranë atë mbrëmje ndodhi ndryshimi më i rëndësishëm në tentativat drejt ambasadës gjermane dhe ambasadave të tjera të huaja, ndërkohë që në Kosovë, 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke shpallën Deklaratës Kushtetuese që e shpalli Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave. Gjatë ditëve pasuese të 2 korrikut zyrtarët e lartë të regjimit, përfshirë Alia, e përdorën lidhjen e dy ngjarjeve në të njëjtën datë si argument për të arsyetuar se zhvillimet më 2 korrik në Tiranë ishin skenar i shërbimeve sekrete jugosllave, dhe për rrjedhojë, të gjithë ata që u përfshinë në to janë pjesë direkte ose indirekte të këtij skenari. Në botimin e fundit të jetës së tij, librin me kujtime “Jeta ime” Alia përsërit të njëjtën tezë. “Nuk është e rastit që edhe ngjarja e dytë e rëndë, ajo e eksodit të 2 korrikut 1990, koincidon me përpjekjen që po bënin kosovarët për të rikrijuar në Kaçanik Kuvendin e Kosovës. Beogradi, kërkonte me çdo kusht që t’i privonte kosovarët nga çdo lloj ndihme e përkrahjeje që mund të vinte nga Shqipëria. Një nga rrugët për këtë qëllim ishte destabilizimi i saj”. Të njëjtat teza janë përsëritur edhe në vitet pasuese në tranzicion nga ish zyrtarët drejtues të vitit 1990, si Xhelil Gjoni, Kiço Mustaqi, Dilaver Bengasi, Zylyftar Ramizi, Gjoni, etj, shkruan Krasniqi. Enigmën e një lidhjeje të mundshme por në drejtim kritik ndaj regjimit në Tiranë e ka shprehur edhe Ismail Kadare, sipas të cilit “kur historia do të zbulojë një ditë enigmën e 2 korrikut 1990, ky do të jetë edhe një nga çelësat për të zbërthyer disa nga ngjarjet e pashpjegueshme të historisë tragjike të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX”. Ai shtron pyetjen, se nëse ka pasur lidhje midis dy ngjarjeve, kush ishte i interesuar për këtë përkim, a është rastësi fatale apo dorë djallëzore. Po ashtu disa autorë të tjerë (Pëllumbi, Biberaj, Demalia, Bengasi, Muçostepa, etj) e kanë trajtuar këtë çështje në këndvështrime të ndryshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.