OPINION

Edi Rama si personazh i Kunderës

12:10 - 03.07.20 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sa herë mes bisedash të përditshme shtrohet kjo pyetje, dikush do të tregojë me gisht atë deputetin që thotë se dashuron NATO-n, pasi që i vogël ka mbajtur sahat “Atlantik”, një tjetër do nominojë atë flokëkërleshurën që nuk shqipton dot fjalën korporatë, ndërsa një i tretë mund të vërë bast për atë jeniçerin që hidhet në sulm për të drejtat e pensionistëve.




Në fakt, sado humor të shkaktojnë këta të ngratë, të gjithë së bashku nuk janë në gjendje të tejkalojnë atë që bën sikur i trajton denjësisht. Sepse siç ka shkruar këtu e gjysmë shekulli më parë, Milan Kundera, te “Dashuri qesharake”: “të marrësh seriozisht gjëra të cilave u mungon krejtësisht serioziteti, është të humbasësh seriozitetin tënd”.

Pikërisht këtë bëri sot Edi Rama, kur mbajti në parlament një fjalim të gjatë, sikur donte të gjente një pikë takimi mes opozitës reale dhe asaj parlamentare. Ai ofroi formula kompromisi, iu përgjërua lolove të kuvendit për të pranuar komisionet bipartizane, në këmbim të listave të hapura, u betua se nuk i kishte aq vota sa duheshin për të miratuar reformën e re elektorale.

Por, këtij cirku me personazh kryesor një klloun të plakur, fatkeqësisht nuk i beson askush.

Prej afro një viti e gjysmë, që kur 40 deputetë nga fundi i listave të PD-LSI-së (nga 122 që ka kuvendi sot), shkelën në atë parlament, ata kanë votuar gjithnjë sipas dëshirave të Ramës.

Mes tyre gjenden figura si Aurora Mara, Bojaxhiu apo Rrushi, që e kanë përkrahur mbi 25 herë Rilindjen.

Po, cilindo që qëmton një kriter më të besueshëm dhe më të paanshëm, mund t’i referohet kartonave që ka ngritur banda e opozitës së re, për ato çështje që më pas Komisioni i Venecias do ta fshikullonte rëndë këtë regjim.

Pro komisionit për shkarkimin e presidentit kanë qenë edhe muskëtjerët Muslim Murrizi e Korab Lita.

Për zgjedhjen e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese, të cilën “Venecia” e konsideroi në mospërputhje me ligjin themeltar të shtetit, Rama mblodhi plot 105 kartonë jeshilë.

 

Lart votimi me 105 vota i dy anëtareve të Kushtetueses Papajorgji dhe Toska që u quajt ne kushtet e antikushtuetshmerise nga Venecia?

Poshtë votimi për paketën ‘antishpifje’ me 9 vota nga opozita e re?

Për paketën skandaloze ‘anti-shpifje”, që është demaskuar nga të gjitha institucionet perëndimore, votuan plot 9 opozitarë të rinj, mes të cilëve shkëlqen edhe Edmond Stojku, që ka marrë flamurin e zgjedhjeve pa koalicione.

Të gjitha votimet e këtyre kohëve kanë treguar se, në rastin e vet më të keq, Edi Rama i ka të sigurtë rreth 10 -15 mercenarë që të ngrenë dorën pro tij.

Pikërisht me këtë bandë ai hiqej sikur donte të negocionte sot në parlament.

Dhe pikërisht këtu dukej si klloun.

Pasi gjithkush në Shqipëri e di se ai ka aq shumë pushtet sa mund të bëjë ç’të dojë me koalicionet apo listat e hapura, pasi të gjithë janë të bindur se po si leverdisi, ai e ka në dorë ta grisë marrëveshjen e tryezës politike, por askush, ama askush, nuk është aq idiot sa të besojë, se për të arritur diçka, Ramës i duhet të bëjë pazar me Gjuzin, Majlinda Halilajn apo Jenisherin.

 

Pikërisht kjo mendjelehtësi e padurueshme kunderiane, për tu dukur sikur mer seriozisht, personazhe aspak serioze, e shndërroi atë sot në qesharak. Dhe pikërisht kjo i jep përgjigje edhe pyetjes që u shtrua në fillim të këtij shkrimi.

 

©Lapsi.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.