Opinion-Komente

A ia vlen të studiosh? Si mund të zgjidhet një universitet cilësor

12:10 - 03.07.20 Klodian Muço

Vera është një moment i rëndësishëm dhe delikat për jetën e maturantëve të cilët kanë përfunduar provimet e maturës dhe duhet të zgjedhin të studiojnë ose jo, pra të zgjedhin universitetin apo të hynë në botën e punës.



Zgjedhja e një universiteti dhe dege është një vendim i rëndësishëm që influencon të ardhmen profesionale por mbi të gjitha jetën, një vendim që kërkon maturi ndërgjegjshmëri për të përcaktuar objektivat e maturantit në varësi të aftësive që ka. Pra, një vendim që nuk mund të jetë kazual, por i menduar dhe i strukturuar.

Diploma universitare ndonjëherë nuk është zgjedhja më e mirë, e them këtë pasi në parlamentin shqiptar por jo vetëm, ndër vite ka pasur deputet apo ministra pa një diplomë universitare, apo drejtues dikasteresh pa arsimin përkatës, me diploma të përfituara nga universitetet e mbyllura që janë akuzuar për shitje diplomash. Ndërkohë që 17% e të pa punëve në Shqipëri kanë një diplomë universitare apo 346 prej tyre kanë përfunduar edhe studimet doktorale. Në të tilla kushte shumë maturantë apo të rinj pyesin natyrshëm veten për çfarë duhet të studioj, të marr nota të larta, të vazhdoj universitetin kur më vonë mund të mbetem edhe pa gjetur punë?

Pse duhet përfunduar gjimnazi apo universiteti me mesatare të lartë, ndërkohë që këto nota nuk shërbejnë si një matës merite?! Për çfarë shërben të studiosh kur në Shqipëri koha ka treguar se për të punuar në administratën shtetërore mjafton një copë kartoni dhe njohjet e duhura.

Sipas shumë qytetarëve shqiptarë për të gjetur një punë, me tepër sesa studimi cilësor nevojitet eksperienca në punë, pragmatizmi, servilizmi dhe njohjet.

Tek ne, por jo vetëm, janë të nevojshme po ashtu soft skills-et, kompetencat trasversale që përfshijnë aftësitë për të punuar në grup, aftësitë për të përballuar stresin, respektimi i skadencave apo arritja e objektivave. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë me njohuritë e një personi, por me talentin për t’ju përshtatur tregut të punës.

Për sa i përket botës së punës në nivel global para se një ndërmarrje të vlerësojë aftësitë “soft” të një individi, ato konsiderojnë më primare kompetencat “hard” pasi nëse nuk ke studiuar në një universitet cilësor dhe nuk ke eksperiencë të mjaftueshme në punë,  pozicionet e punës dhe rrogat e mira “nuk mbahen dot” pasi nevojitet kultura, formimi, përditësimi i vazhdueshëm, nevojiten mendimet kritike. Universiteti cilësor shërben pikërisht për një formim cilësor, për të rritur largpamësinë dhe për të krijuar vizion. Sot ndërmarrjet me performancë të lartë kanë tendencën të punësojnë vetëm të mirë-arsimuarit. Pra edhe pse vendi jonë drejtohet nga militantë apo jo-kompetentë, ndërmarrjet private kërkojnë të aftët. Kërkojnë ata që kanë aftësi në komunikim, që dinë të komunikojnë me publikun, që përshtaten shpejt ndaj ndryshimeve dhe kanë leadership, por mbi të gjitha kërkojnë njerëzit e talentuar e që zotërojnë dhuntinë e përulësisë. Të gjitha këto aftësi përfitohen në universitete cilësore ku nota nuk dhurohet por meritohet. Po vallë kush janë këta universitete cilësore, kush konsiderohet i tillë në Shqipëri?

Për të zgjedhur një universitet cilësor dhe një degë adapte për të, studentit i nevojitet të evitojë 3 gabime primare:

-improvizimin pa bërë një analizë mbi aftësitë që ke dhe karakteristikat që ofron një universitet;

-të lejosh të tjerët të vendosin për fatin tënd;

-komoditeti, të mendosh një degë të thjeshtë apo universitet që notat i dhurojnë apo cilësia mësimore lë për të dëshiruar.

Po ashtu duhet të marrësh në konsideratë 3 elemente si bazë për një zgjedhje të mirë:

-të studiosh për atë që të pëlqen dhe të qartësosh aftësitë dhe limitet e tua, pa u dekurajuar kurrsesi nga të tjerët;

-të informohesh për universitetet, vizitoi ato, informohu nëse diplomat e tyre preferohen nga bizneset dhe a janë të njohura ndërkombëtarisht;

-të mendosh për perspektivat dhe çfarë të ofron tregu i punës.

Mos harro se në botë universitetet cilësore nuk përcaktohen nga sasia e reklamave të bëra nëpër televizione apo media sociale, por nga cilësia e mësimdhënies, nga formimi dhe cilësia e pedagogëve, nga sa rëndësi ky universitet i ka kushtuar bibliotekës dhe sallës studimore. Është e rëndësishme të merret në konsideratë vlera e diplomave të këtij universiteti në një vend të huaj. Sa prej studentëve të këtij universiteti kanë gjetur një punë të mirë në bizneset e mëdha dhe sa prej tyre kanë bërë karrierë. A ofron module në gjuhët e huaja; a ftojnë pedagog të huaj etj.

Për të kolauduar mund të them se një universitet cilësor kurrsesi nuk është ai që studentëve u dhuron notat e ku cilësia e mësimdhënies dhe frekuenca e leksioneve është e ulët.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE