AKTUALITET

Mjetet turistike, lejet e lundrimit do të merren ‘online’

19:30 - 04.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Procedurat e regjistrimit dhe të monitorimit të mjeteve lundruese turistike dhe të kënaqësisë që përdoren në bregdetin shqiptar do të ndryshojnë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur konsultimin për ndryshimet në ligjin për regjistrimin e mjeteve lundruese me motor mbi 30 kë ose 40.8 kf, me tonazh nën 150 GT. Projektligji parashikon ngritjen e dy sistemeve të regjistrimit. Sistemi i parë do të quhet “Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese”, i cili do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjzbatuese si gjykata, prokuroria, policia etj. Sistemi i dytë që do të ngrihet do të jetë “Sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve Lundruese”. Ky sistem do të vendoset në kapitenëritë e porteve, të cilat në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë. Sipas një vlerësimi paraprak të Ministrisë të Infrastrukturës është parashikuar që kostoja ekonomike për ngritjen e këtyre dy sistemeve do të jetë afërsisht 35 milionë lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit.




Penalitet
Mjetet turistike dhe ato të kënaqësisë që nuk do të regjistrohen brenda afateve të përcaktuara në ligj do të dënohen me 20 mijë lekë gjobë. Pronarët e mjeteve lundruese do të gjobiten me 50 mijë lekë gjobë deri në bllokim të mjetit për 90 ditë edhe për rastet e mospasjes apo refuzimin e paraqitjes së dokumenteve gjatë lundrimit, mungesa e regji-strimit, ndryshimi apo falsifikimi i karakteristikave të mjeteve lundruese, tejkalimi i numrit të personave që transportohen, Përdorimi i mjetit lundrues për veprimtari të kundërligjshme, etj. Sanksione do të zbatohen për pronarët që do të fshehin të dhënat e vendndodhjes të mjetit lundrues apo do të ndryshojnë montimin e mjetit.
Njoftimi
Mjetet lundruese të kënaqësisë dhe ato turistike njoftojnë në nisje dhe mbërritje; Njoftimi për hyrjen dhe daljen apo lëvizjen në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë, bëhet në sistemin posaçëm elektronik të lëvizjes së mjeteve lundruese Njoftimi për lëvizje duhet të përfshijë: Emri i mjetit, Numri Regjistrimit; Emri pronarit/Drejtuesit të mjetit; Ora e përafërt e nisjes/mbërritjes; Destinacioni; Numri dhe gjeneralitetet e personave në bord.
Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese
Drejtoria e Përgjithshme Detare krijon, mirëmban dhe përditëson Regjistrin Elektronik të mjeteve lundruese; Në këtë sistem do të kenë të drejta aksesi organet shtetërore të njohura me ligj si: Gjykata; Prokuroria; Policia e Shtetit; Roja Bregdetare; etj. Regjistri Elektronik i Mje-teve Lundruese do të vendoset në funksion brenda 1 vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në vënien në operim të Regjistrit Elektronik shkëmbimi i informacionit me institucionet ligjore do të kryhet me kërkesën me shkrim drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme Detare nga institucioni i interesuar. Rregullorja për funksionimin e Regjistrit Elektronik do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrisë përgjegjëse për policinë e shtetit, pas propozimit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.