OPINION

Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj…

08:45 - 04.07.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pjesë nga libri ” Bota shqiptare ndryshe e Branko Merxhanit” që autori pritet ta botojë së shpejti




Nga disa studiues “Neoshqiptarizma trajtohet si shkencë, sepse na jep një definicion special të shtetit të pavarur”. Ne shkrimet e “Botës së re” në fund të viteve 30-të, Merxhani stigmatizohej si krijuesi i një shkolle filozofike . Qerthulli i klerikëve të veriut, me Harapin dhe Valentinin, e përgëzonin se më në fund kishte arritur t’i jepte çështjes shqiptare një sistem. Është e famshme gjithashtu, formula me të cilën ai udhëhoqi “përpjekjen shqiptare”: Politikë ska! Vetëm kulturë! Të jepet përshtypja se edhe guri i qoshes i doktrinës neo-shqiptare, duhet të gjendet midis këtyre aprimeve dhe nocioneve. Megjithatë, nëse i bëjmë një pikë-prerje mënyrës se si ata e shihnin historinë dhe shëndoshjes filozofike që zotëronin, gjejmë se është një tjetër nocion dhe një tjetër proces ai që qëndron në themel të gjithë përpjekjes së tyre.

Në pikëpamjen neoshqiptare, po sidomos në ato të Branko Merxhanit një vend parësor zinin pikëpamjet mbi kombin dhe zhvillimin e shoqërisë kombëtare. Asgjëkund më parë, e jo në qendër të një ideologjie, ky problem nuk është trajtuar kaq gjerësisht sa ç’arriti ideologu ynë, nisur nga pikëpamja e teorive të ndryshme që ekzistonin mbi kombin, por sidomos nga pikëpamja pozitiviste. Kombi konsiderohej në radhë të parë produkt i faktorëve të jetës shpirtërore. Ai mbahej si rezultat i një kulture të zhvilluar, i ideve dhe moralit borgjez. Duke pranuar, kështu, determinizmin shpirtëror, Merxhani përfshinte në teorinë e tij ato doktrina të cilat në trajtimin e kombit merrnin për bazë gjuhën, karakterin kombëtar, traditat dhe historinë kombëtare, kulturën dhe qytetërimin, madje dhe fenë. Me një fjalë, kombi kuptohej në radhë të parë si diçka morale. Në këtë parim, Merxhani u mbështet kryesisht tek Renani, si për pozitën e vet idealiste, ashtu edhe pse dëshironte t’u largohej teorive raciste dhe shoviniste që kujtohej se i përkisnin vetëm “determinizmit lëndor”. Mirëpo, origjinaliteti i konceptit të tij mbi kombin gjendet në faktin se ai nuk u ndal këtu. Përkundrazi, kësaj përmbajtjeje reniane ai i shtoi pikëpamjen e Bergsonit mbi karakterin kombëtar si thelbin i kombit. Ideologu neoshqiptar nuk mund të pranonte tezën se kombi përcaktohej nga raca, pasi për të problem i racës as që duhej të ngatërrohej me çështjen kombëtare dhe kombi ishte thjesht produkt i kulturës dhe moralit, gjëra këto që nuk lidheshin me racën. Edhe pse nuk mund të flitej për pastërti race, tërësia e faktorëve shpirtërorë vinte një vulë të caktuar mbi kombin dhe e bënte atë të dallohej nga një tjetër.

Ashtu si dhe Renani e pozitivistë të tjerë, Branko Merxhanit i interesoi më shumë krijimi i solidaritetit shoqëror dhe pohimi i koncepteve elitariste. Në këtë këndvështrim, midis kombit dhe kulturës shpirtërore, ai vendoste shenjën e barazisë. Kombi, atëherë, konsiderohej si shprehja më e përparuar, më e lartë dhe më e sinkronizuar e idealizmës kolektive, personaliteti i së cilës nuk gjendej në trupat tanë, por në shpirtrat tanë”. Ky arsyetim lidhet me idetë e E. Durkhejmit për ndërgjegjen kolektive dhe përfytyrimet kolektive, të cilat janë rezultat i pikëpamjes së tij se shoqëria nuk është një shumë e thjeshtë e individëve që bëjnë pjesë në të, e ndërgjegjeve individuale, por lind nëpërmjet veprimeve shoqërore, brenda kushteve të veçanta kolektive, si rezultat i lindjes dhe i shfaqjes së elementëve të rinj në përvojën njerëzore, vlerave, vullnetit dhe sjelljes.

Ja si shprehej solemnisht Merxhni: “Duke u nisur nga bazat ideologjike të sipërme dhe bile pa u trembur nga akuza e Reaksionismës brënda në Evropën e Sotme të Materialismës Historike, them: Filosofia e Neo-Shqiptarismës është: Idealisma Kombëtare. Po kjo idealism jonë ndryshon shumë nga idealisma e bukur, po e dëmshme për neve, p.sh., e një Ernest Renan-i. Nuk jemi nga ata që thonë: “Atje ku të gjej të Bukurën, të Mirën, të Drejtën – atje është edhe atdheu im. Nuk jemi edhe nga ata, të cilët, në një çast marrëzie dhe enthusiasmi, i a marin këngës së “Atdheut të Math”, që përmban gjithë tokën… Ne preferojmë të themi: Atdheu ynë gjëndet në anën e një rëkeje të freshkët, që vadit arat, dhe kënga e së cilës dëgjohet nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë. Ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërvet t’anë, atje në hirin e oxhakut të hidhërimit ku ka rënë loti i parë i mëmavet t’ona, në pyllin e dashurisë që na çeli mysterin e jetës në kohën e djalërisë – atje është atdheu ynë…

Një komb nuk është gjë tjetër përveç se një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një “kuptim shoqëror”. Që të jemi shqiptarë me të vërtetë, më parë na duhet doemos një gjë: Na duhen njerës që të thonë: “Jam Shqiptar!”. Ai që e ndjen vetëhen “Shqiptar” është pa tjetër Shqiptar. Dyshimi më i vogël mbi këtë gjë është mjaftë që të pranojmë të kundërtën.

Për neve nacionalizëm do të thotë fitim i një ndërgjegjeje kombëtare, domethënë: Te njerëzuarit e ndjenjavet dhe idevet kombëtare. As raca, as balta, mirë-mirë as edhe gjuha, të mara veç e veç, ose të gjitha tok, nuk arrijnë që të japin themelin e një të njerëzuarit kombëtar. Rimë shekuj me radhë në këtë baltë, flasim shekuj me radhë këtë gjuhë; mirë po u desh një rast i veçantë ngjarjesh historike të pa-pritura që të bëjmë Shtet dhe që të dukemi se jemi një komb. Po ideali i jetës kombëtare na mungon edhe sot. Ky ideal nuk lind as në damarët, as në gurët, as edhe me fjalët më të bukura të gjuhës së njerësvet. Vetëm shpirti pjell ideale. Nacionalisma është një ide, është një lidhje morale, një besë: një fuqi dhe triumf i njerëzimit.

Për rrjedhim, ajo çka është e rëndësishme në një komb mund t’i eklipsojë interesat klasore, një pikë kjo vendimtare edhe në gjithë doktrinën neoshqiptare, të mbështetur te sintetizmi. Pra, kombi përfshinte të gjitha sferat e ndërgjegjes shoqërore, si ndërgjegjja gjuhësore, fetare, morale, estetike, politike dhe ligjore, ndërkohë që ato që përfshiheshin në sferat materiale ekonomike-shoqërore përjashtohej dhe i përkiste një kategorie tjetër, qytetërimit. Për Brankon pikënisja dhe pikëmbërritja ishte kultura. Përpjekjet fillestare, si dhe ato të mëvonshme për formimin e kombit shqiptar, duhej të gjykoheshin nga faktorët e ndryshëm kulturorë që ishin të pranishëm në veprimtarinë kombëtare.

Në pikëpamjet e tyre për filozofinë e historisë, trajtesat e përfaqësuesve kryesorë të neoshqiptarizmës synojnë në konceptimin e meta historisë si refleksion për të ndërtuar një sistem historik në trajtën e një rregullariteti të ngjarjeve historike, parashtrimi i të cilave i ndihmon ata të përcaktojnë një vijë të përgjithshme në ngjarjet që përfshin historia e shqiptarëve, si dhe të një refleksioni kritik në metodat e studimit dhe arsyetimit historik. Kjo shihet në pikëpamjet e Branko Merxhanit, Vangjel Koçës, Lumo Skëndos, etj. Tek Vangjel Koça vihet re konceptimi i atdhetarizmit të pastër, që është edhe një përbërës i neoshqiptarizmës, priret kah konceptimi i metahistorisë si refleksion ndihmës për të ndërtuar një sistem të historisë që do të jetë i dobishëm për të realizuar saktë e për të sistematizuar historinë e shqiptarëve; për të shpjeguar me zotësi ngjarjet historike, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Kjo shihet dhe si një vlerë e posaçme që krijon një sistem historik i ndërtuar mirë. Ajo i nxit shqiptarët që të studiojnë historinë e tyre, të njohin veten dhe heroizmin se kjo i lidh me njëri-tjetrin, rrit dashurinë për kombin dhe atdhetarizmin e tyre .

Në ndryshim nga Koça, Branko Merxhani e koncepton këtë problem në të dy përbërësit: dhe si refleksion kritik për arsyetimin historik në përgjithësi, edhe në shërbim të idesë së konceptimit të historisë së Shqipërisë të plotë dhe të vlefshme për shqiptarët. Një konceptim i tillë duhet të shmangë kaosin që ka në shoqërinë shqiptare në lidhje me historinë, krahas kaosit për probleme të tjera. Gjithashtu, sikurse thekson Prof. Gjergj Sinani “duhet të largojë ato përbërës negativë nga jeta e shqiptarëve, të cilët i kanë penguar ata të vlerësojnë drejt historinë e tyre dhe ngjarjet më kulmore brenda saj”.

Misioni i neoshqiptarëve prirej nga krijimi i një sinteze të filozofisë kombëtare dhe moralit kombëtar. Pa këtë nuk mund të realizohej tek shqiptarët kuptimi i atdhetarizmës. Komb d.m.th. kulturë dhe kulturë d.m.th. komb. Në fazën në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare, e cila sipas V. Koçës ende nuk kishte formuar kombin, ndërsa sipas B. Merxhanit kishte formuar kombin, por ishte në një fazë të ndërmjetme zhvillimi, detyra e neoshqiptarëve ishte të ndihmonin në zhvillimin kulturor të vendit, në krijimin e solidaritetit kulturor.

Për ta kombi jeton në histori. Po kështu është, edhe për të ardhmen. Shqiptarët, që jetojnë sot, mendojnë, kujdesen, përpiqen e luftojnë edhe për mirëqenien dhe lumturinë e shqiptarëve që do të jetojnë nesër e pasnesër. Në mos qofshin ata, bijtë tanë të drejtëpërsëdrejtshëm, janë padyshim, pjella jonë shpirtrore. Mendimi i tyre, ndjenja e tyre dhe morali i tyre, ka vulën e brezit të mëparshëm.

Kështu, pra, kombi jeton jo të sotmen, çastin, po jeton në histori dhe për historinë. Dhe nga kjo kuptohet vetvetiu se përgjegjësia e një brezi dhe detyra e tij shtrihet edhe më përpara, edhe më pas jetës tij. Në këtë kuptim, pra, kombi ka një mision historik. Ata që nuk e kuptojnë kështu, janë egoistët meskinë, ata që mendojnë vetëm për vete dhe për sot, ata, fjala vjen, që s’ndjejnë detyra as kundrejt grupit të shoqërisë ose kombit në të cilin jetojnë.

Po sot, ashtu si dhe atëherë, cila është përparësia mbizotëruese.

Realiteti i hidhur është se shumica e njerëzve janë, si thotë fjala shkencore, kafshë ekonomike. Mendojnë vetëm interesin e çastit. Mendojnë kryekëput egoistikisht. Janë të pakta dhe të rralla rastet, kur turma e njerëzve merr një dukje dhe një frymëzim heroik dhe sakrifikon interesin e gjithçka, bile edhe ekzistencën, për një ideal moral.

Këto çaste të rralla, në të cilat turma e popullit jeton në një tension të lartë nervash dhe dëshirash morale të kulluara e të nxehta, shkaktohen nga një pakicë njerëzish, që për arsye të ndryshme janë më të zhvilluar dhe ndjejnë më thellë jetën ideale. Kur kjo pakicë njerëzish arrin të dominojë turmën, ta drejtojë dhe ta frymëzojë, atëherë shkaktohet një fuzion i çuditshëm: Turma ndien si pakica, dëshiron si ajo dhe vepron si ajo bile mund të them hipën në lartësinë e pakicës dhe identifikohet me të. Në të këtilla raste jeta është sublime edhe për punëtorin më të thjeshtë.

Ky është misioni që ata i caktuan asaj elite që donin të krijonin, asaj pakice njerëzish që është esenca e ndërgjegjes kombëtare, që është shpirti dhe energjia e kombit, në udhëheqjen e tij në procesin e lartë e fisnik të komb-bërjes. Për ta përforcuar akoma dhe më shumë një përfundim të tillë, le të ndërmarrim një rrugëtim në formulat e tij të shquara të neo-shqiptarizmës ose në shtjellimet e tyre tetë vjet më vonë në revistën që ai drejtoi “Përpjekja shqiptare”, për të kuptuar se ishte vërtet komb-bërja deti ku derdheshin të gjitha rrëketë e ideologjisë së tij.  “Lufta jonë e sotme është ajo e synkronizimit të jetës së gjithë kombit. Dhe nga kjo luftë, jemi të sigurtë, një ditë do krijohet një  dogmë kombëtare e ré, një legjendë shqiptare e ré, lindjen e së cilës po e paralajmëron kjo gazetë provinciale e vogël: NEOSHQIPTARISMA”. Kështu e përcakton Merxhani sinkronizimin e jetës shqiptare, në favor të jetës kombëtare. “Në parim individi është një send ashoqëror, kurse në parim shoqëria është një send shoqëror. Ja ndryshimi themelor, që ekziston esencialisht midis Shoqërisë dhe Individit. Vetëm se mirërojtjen e tij njeriu ia detyron jetës shoqërore. Dhe Kombet ekzistojnë vetëm ahere kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore. Jashtë kësaj vije njeriu është veç se një krijesë, dhe Kombet janë vetëm turma barbare. Dhe kjo krijesë transformohet në “njeri” vetëm kur të rojë brenda në zierjen e jetës shoqërore dhe fiton një vlerë ideale, një enthusiasmë shpirtërore brenda në hidhërimet dhe gëzimet e qarkut shoqëror”.

Pra, edhe “ideali” nuk është veç se një krijim i Shoqërisë, që duhet të vihet në shërbim të komb-bërjes. Po kështu, përdorimi i filozofisë e sociologjisë, e në vijim edhe i shkencës e kanë destinimin e tyre në këtë qëllim.

“Ku janë veprat t’ona që tregojnë gradën e zotësisë s’onë për të bërë një “Komb”? Ku janë?… Që të mundim të gjejmë udhën e përshtatëshme drejt një J e t e K o m b ë t a r e më një vlerë njerëzore dhe me një kuptim historik, ësht nevojë e domosdoshme të kemi një F i l o s o f i të gjallë e reflektive. Filosofia, si edhe Shkenca, nuk kanë vetëm një qëllim theorik. Kanë edhe një qëllim praktik: Janë faktorë veprimi. Po rëndësia e Filosofisë është shumë më e madhe: Eshtë faktor kryesor ndryshimi e përparimi në çdo fushë të aktivitetit intelektual të Shoqërisë njerëzore. Idetë filosofike sundojnë tërë jetën. Që të marrim një qëndrim të sgjuar kundrejt problemevet të mbëdha shoqërore të jetës s’onë kombëtare, duhet të kemi marrë pikë së pari një E d u k a t ë f i l o s o f i k e të shëndoshë”.“Shkenca është universale, po jo si vepër, jo si jetë, po vetëm si theori dhe si princip. Sigurisht, çdo përparim arrihet me anë të shkencës, po edhe çdo përparim nuk ka tjetër qëllim përveç se vetëm lartësimin e jetës së kombit dhe shpëtimin e atdheut…  Shkënca nuk është për shkëncën.Shkënca është për jetën.Dhe jeta është kryesisht një ide konkrete.NJERËZIMI është shumë herë një ëndër, po kurdoherë një gjë po.Vetëm REALITETI, që existon me të vërtetë, është KOMBI.Dhe e vetmja jetë e vërtetë është jeta kombëtare”.

Vërehet, pra, se neoshqiptarizma i jep vlerë shkëncës vetëm kurajo është e zonja t’u shërbejë qëllimeve të jetës kombëtare. Domethënë, ideologjia e saj e përdor shkencën si mjet për realizimin e qëllimevet dhe të nevojave të përparimit tonë kombëtar për dobi vetëm të zhvillimit të ardhmërisë së Kombit. Ky është edhe i vetmi shërbim, e vetmja dobi e shkencës, kur është puna të krijojmë një shoqëri. Qëllimi është jeta e Kombit dhe mjeti është fuqia e shkencës.

E në këtë përpjekje, për ta, gjuha ishte mbase vegla më e mirë e nacionalizmës. Aq më tepër që për një shoqëri si e jonaidealizmi kombëtar nuk mund të gjente vegël më të përshtatshme se për ta përdorur në realizimin e qëllimeve të veta. Madje, ky parim në doktrinën e tyre arrinte të vlerësohej aq shumë sat ë dilej në përfundimin se në qoftë se ka sot aq pak sentimentalizëm shqiptare, kjo gjë i detyrohet vetëm e vetëm gjuhës. Të paktën kjo është perioda e gjuhës, që po kalon sot shoqëria shqiptare. “Është tjetër punë në se ne jemi në shkallë që ta kuptojmë edhe t’i japim përmbajtjen dhe thellësinë, që duhet të ketë kjo periodë për lartësimin moral të popullit” Ja një punë tjetër që do të mund t’i shtohej fare mirë si misioni i Shqipërisë ndryshe që duam të projektojmë për shekullin e ri.

Përtej gjuhës, edhe historinë ata e vlerësonin jo vetëm si vlerë, por edhe si element të gjallë frymëzimi e udhëheqje për projektin shqiptar që ideoi Merxhani. “Për këtë duhet ta kuptojmë mirë të shkuarën, të nxjerrim se thelbi i saj është fryma heroike. Një grusht njerëz që luftuan kundër një Turqie imperiale, kundër një Serbie imperialiste, kundër një Greqie me “megali idhea”-ra. Djersë, therori, gjak, heroizëm. Këto tregonin valat e Flamurit atë Ditë legjendare të Nëntorit në Vlorë. Fryma heroike e solli lirinë tonë politike. Fryma heroike ka qenë në palcën e idealit energjik të Rilindjes sonë Kombëtare. Dhe do të jetë po kjo frymë heroike ajo që do të na sjellë edhe lirinë tonë shpirtërore. Kjo frymë heroike duhet të jetë në palcën e idealit energjik të kohës sonë. Me aspirata të reja. Me puthitje të re. Kur themi frymë heroike, duam të themi vepra të mëdha. Vërtet të mëdha. Të mos ndërrojmë vetëm faqen e jashtme shqiptare. Por edhe ca më tepër, faqen e brendshme. Me këtë frymë dhe me këto aspirata do të nisim të ecim dhe të vemi përpara për rilindjen shpirtërore të Kombit”.

E në këtë rrugëtim kah kësaj rilindje shpirtërore të kombit që ai e quante vendimtare për komb-formimin, ata u ndalën edhe në diskutimin midis dy këndvështrimeve të dy momenteve thelbësore që nhihen shkencërisht në këtë proces. Në epokën moderne, kur lind ose rilind një Komb, ka kurdoherë dy çaste që veprojnë: çasti mistik-ideologjik dhe çasti praktik-efektual. Marshi i historisë shqiptare nuk deshi që në radhë të parë të vijë çasti mistik-ideologjik (shpirti kombëtar), dhe pastaj të pasojë çasti i dytë. Ky erdhi i pari: u bëmë Shtet, duke qenë akoma Kombësi (tokë, gjak, gjuhë) dhe jo Komb (histori e bashkët, përpjekje të bashkëta, shpirt i bashkët). Me anën e çastit të dytë do të realizojmë çastin e parë: të krijojmë shpirtin kombëtar. Të bëhemi Komb”.

Kjo pra, ishte dhe mënyra se si do të kryhej ky rrugëtim, madje ishte përcaktuar edhe ajo çka nevojitej si përparësi. “Totalet shoqërore, që të fitojnë entitetin e tyre dhe që të japin një qytetërim, nuk mund të mbështeten vetëm e vetëm mbi veten e tyre. Kanë nevojë edhe për një karakter me tre përbërës kryesorë: Energji. Superioritet ethic. Moralitet.

Këtu qëndronte, sipas doktrinës neoshqiptare misteri i formimit dhe perfeksionimit të jetës sonë kombëtare: Fitimi i një karakteri. Ja, se si e arsyetonte Merxhani arritjen e këtij përfundimi: “ Ne, që themi se vetëm me vlerat idealistike është e mundur të krijohet një jetë kombëtare, domethënë të formohet një typ i ri qytetërimi, nuk besojmë se njerëzit e veprimit (hommes d’action) janë të zotë dhe të tërëfuqishmë për realizimin e një qëllimi kaq të lartë pa bashkëpunimin e njerësvet të mendimit. Po as edhe Intelektualët mund t’a arijnë vetëm për vetëm.Pra duhet një bashkëpunim. Po ky bashkëpunim duhet t’u lëjë këtyre dy Funksionevet të jetës kombëtare një shesh të lirë veprimi dhe zhvillimi, pa që këto të dy Funksione të lidhen në mes të tyre me një mënyrë shumë të ngushtë”.

Domethënë, tendenca idealistike e Neo-Shqiptarismës kërkonte që me punën dhe bashkëveprimin harmonik të së gjitha fuqivet kombëtare të arrihej uniteti i njerëzve të veprimit me njerëzit e mendimit, për të formësuar kështu një unitet jetik e praktik si themel të aktivitetit të reformës shoqërore. Kjo ndoshta edhe e vetmja mënyrë që mund ta shpinte popullin tonë nga sheshi shoqëror anakronistik ku jetonte në një jetë shoqërore të re. Ndërsa për ta konkretizuar më mirë se cila ishte rruga që duhej ndjekur për të realizuar këtë shndërrim, ai parashtron ndjekjen e idesë së sintetrizmit të shpirtit reformonjës të brezit të ri shqiptar, ide kjo që në prirjen e karakterit ideologjik të nbeo-shqiptarizmës, duhej të përmbante një projekt mbi një sistem arësimor, që të kishte për qëllim reformën e jetës së gjithë Kombit. Pra, edhe reforma arsimore ishte në shërbim të jetës së kombit, ashtu siç ishte edhe kombëtarizimi i jetës shoqërore. Ja, cila është formula që jep Merxhani: “ Vija qëndrore e detyrës historike së brezit të sotëm shqiptar është kombëtarizimi i jetës s’onë shoqërore mbi themele të ra e të shëndosha. Kjo frazë përmban gjithë kuptimin dhe gjithë shpirtin e përpjekjes s’onë reformonjëse. Detyra jonë është par excelence një detyrë kombëtare dhe nacionaliste. Po një aktivitet kombëtar vetëm mbi idetë shoqërore mund të mpështetet dhe të ngrehet….”

Madje, kërkon që e gjitha kjo të kthehet në një dogmë. “Roli më i rëndësishëm në jetën e popujvet nuk është i “afkektif”-it, as roli i “rationel”-it, po roli i “mystique”-ut. Një dogmë, nga pikëpamja e kritikës racionale (racion kritique), nuk është përveçse një fenomen budallallëku dhe çmendësie. Me gjithë këtë, misticisma e një dogme – dhe ka dogmëra jo vetëm fetare, po edhe politike e shoqërore – është e mjaftë për përhapjen e saj si nonjë vetëtimë, me qënë se krijon me një herë ndjenjën e vetëmohimit dhe një grup të effeksionuar njerëzish, të cilët mund të sakrifikojnë çdo gjë për besimin e tyre”. Ja, krijimin e një efekti të tillë shoqëror besonte të ringjallte Merxhani me ideologjinë e tij. Ndoshta konkretizimi i një efekti të tillë atëherë mund të ishte utopi apo kundër-botë, kurse sot është një detyrë e shtruar për zgjidhje për Shqipërinë ndryshe që duam të krijojmë.

Shfaqet qartë nga analiza e mësipërme e formulave dhe parimeve kryesore që shtroi neo-shqiptarizma, duke filluar me jetën mendore, me jetën shoqërore, madje dhe fetare, me parimin e kulturës, shtetizmit apo qytetërimit, gjithçka funksionalizohet në shërbim të procesit të komb-formimit. Për këtë arsye, ky kalim nga populli në nacion mund të quhet fare mirë guri i qoshes i faltores neo-shqiptare, një faltore që, nëse vendoset në raport me idenë dhe nocionin që kishte ideologu ynë për kombin, shihet të mos jetë ngritur ende dhe sot. Le ta kujtojmë përherë këtë parim themelor, duke përsëritur fjalët e tij: “Jemi akoma djem. Ndërgjegja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritëshme të Krijonjësit. Sytë t’ona nuk janë mësuar akoma të shohin me sympathi Diellin e Intelektit. Ku janë kujtimet t’ona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën t’onë, farën t’onë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i shvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë? Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Falëtoren e saj…

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.