KULTURË

Teatri i ri Kombëtar, bashkia hap tender e pret oferta për 11 ditë

12:00 - 04.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Pa u bërë ende dy muaj nga shembja natën e godinës së Teatrit Kombëtar, Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin për “Studim-Projektim- Ndërtim i Teatrit Kombëtar”.  Shpallja e tenderit nxjerr në pah se shembja u bë pa pasur një plan konkret për teatrin e ri, ndërsa tenderi duket se rrëzon projektin e Bjarke Ingels megjithëse emri i tij u përmend sërish ditët e shembjes me shpjegimin se projekti tashmë qe dhuratë nga një kompani private.




Këtë të premte Bashkia e Tiranës, ka shpallur procedurën për projektimin e godinës së re të Teatrit, me fond limit rreth 60 milionë lekë të reja, ndërsa më herët, po bashkia ka folur për kredi në bankë që të arrijë te ndërtojë teatrin. Në tenderin e shpallur dje, thuhet se “Burimi i Financimit: Vënë në dispozicion nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2020, miratuar me VKB nr 61, datë 01.06.2020 për disa ndryshime ne VKB Nr. 157 datë 26.12.2019, “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2020-2022 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2020”. Në dy vite deklaratat për financim kanë kundërshtuar njëra -tjetrën. Në fillim u kërkua PPP, sepse shteti nuk kishte buxhet, kur PPP ia dështoi me pretendimin se kompania nuk plotësoi kërkesat e artistëve në komisionin përzgjedhës, u tha se do ndërtohet me kredi. Por vendimi i fundit flet për rishikim të buxhetit të bashkisë- para të taksapaguesve- me të cilat në vetëm 150 ditë pritet një teatër i ri.

Ofertat nga studiot private pritet të dorëzohen brenda 10 ditëve, e konkretisht në datën 14 korrik 2020. Kjo do të thotë se kompanitë kanë vetë 10 ditë kohë për të menduar, projektuar, studiuar e mandej propozuar një projekt,  çka bëhet praktikisht e pamundur nëse më herët nuk ke qenë i përgatitur për një thirrje të tillë. Kujtojmë se një shpallje e ngjashme u bë vitin e kaluar, por zyrtarisht shpallja e zgjedhja e një fituesi dështoi ndërsa po sipas deklaratave zyrtare, projekti ekzistues  ra ngase kompania e ligjit special nuk merrte përsipër ndërtimin e një skene rotative. Shpallja e djeshme ka shkaktuar kakofoni në vargun dyvjeçar të deklaratave publike e dokumenteve zyrtare, ndërsa më se 10 padi janë në gjykata e SPAK për çështjen e teatrit dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në shembjen e tij.

Referuar të dhënave zyrtare, godina e re e “Teatrit Kombëtar” propozohet ”për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme”. Bashkia e Tiranës, në dokumentet e tenderit, ka prezantuar detaje mbi mënyrën se si kërkohet të jetë projekti për Teatrin e ri Kombëtar, por, në asnjë rresht nuk përmendet nëse ajo do të jetë strukturë më vete apo pjesë e një kompleksi kullash shërbimi. Autoriteti kontraktor ka caktuar mënyrën se si do të kryhet pikëzimi i kompanive pjesëmarrëse në tenderin për studimin dhe projektimin e Teatrit Kombëtar.

Niveli maksimal i pikëve është parashikuar 100, i cili ndahet në disa nën-kategori.

– Përvoja në punë të ngjashme si konsulent do të vlerësohet nga 0-10 pikë;

– Metodologjia e propozuar do të vlerësohet nga 20-30 pikë;

– Kualifikimet e stafit do të vlerësohet nga 20-50 pikë.

Minimumi i pikëve që duhet të marrë një studio projektimi para se të vijojë garën, do të jetë 70.

Për t’u shpallur të suksesshme, studiot e projektimit duhet që të kenë përvojë të suksesshme në kontrata të mëparshme me vlerë sa 40% e fondit limit për këtë tender, çka do të thotëse duhet të jenë shpallur fitues në tenderë projektues me vlerë minimalisht 24 milionë lekë të rinj.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.