SHËNDET

Bajram Balliu: Si të trajtoni infertilitetin, mënyra efektive parandaluese

14:00 - 06.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Steriliteti është paaftësia biologjike e një burri apo e një gruaje, për të realizuar arritjen e një shtatzënie. Infertiliteti, në fakt është paaftësia e një gruaje për të finalizuar lindjen e një fëmije, pra për të çuar deri në fund një shtatzëni. Një çift konsiderohet steril kur nuk ka arritur të realizojë një shtatzëni edhe pas një viti raportesh seksuale të pa mbrojtura, apo për gratë pas moshës 34 vjeçare. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku obstetër-gjinekolog, Bajram Balliu tregon se martesat në moshë të madhe, përdorimi i duhanit, drogës, alkoolit e sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë ndër shkaqet kryesorë të rritjes së sterilitetit. Mjeku më tej tregon mënyrat e diagnostikimit e trajtimit të sëmundjes si dhe disa forma efektive parandalimi.




Si përkufizohet steriliteti?
Steriliteti, ose infertiliteti, përkufizohet si pamundësi për të lindur pasardhës, tek një çift i moshës reproduktive, pas një periudhe 1-vjeçare të jetës së rregullt seksuale dhe të pambrojtur nga mjetet kontraceptive. Infertiliteti mund të jetë me origjinë nga gruaja, nga burri, ose e përbashkët. Mund të jetë primare (kur çifti nuk ka konceptuar shtatzëni) dhe sekondare (kur në të shkuarën ka konceptuar një barrë, por nuk mundet të konceptojë përsëri).
Mund të na tregoni disa prej shkaqeve të kësaj sëmundjeje? Si paraqiten shifrat në Shqipëri?
Në Europë, 10-15% e çifteve, nuk munden të konceptojnë një shtatzëni. Trendi fatkeqësisht është në rritje, dhe kjo për disa arsye: martesat në moshë të madhe, obeziteti, përdorimi i duhanit, alkoolit, drogës, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ulja e frekuencës së marrëdhënieve seksuale etj. Mosha ideale e femrës për të konceptuar një barrë është 20-29 vjeç me kulmin në moshën 25 vjeç.

Cilët janë disa prej faktorëve që ndikojnë në sterilitet te femrat?
Shkaqet e infertilitetit te gratë: faktorët endokrine(nuk piqet folikuli), në 10-15% të rasteve. Faktorët pelvike ose tubo-peritoneale, aderencat, bllokimi i tubave, endometrioza në 30-40%. Faktorët cervikale, sëmundjet gjinekologjike, mish i huaj, kavitet i çrregullt i mitrës në 10%. Gjithashtu, ndikojnë edhe faktorët idiopatike në 10-20% të rasteve.

Si paraqiten shifrat te meshkujt?
Burrat janë përgjegjës për afërsisht gjysmën e rasteve të infertilitetit. Disa prej shkaqeve janë moszbritja e testikujve në skrotum, parotiti, hernia inguinale, zgjerimi i enëve të gjakut të skrotumit, gonorea dhe SST, pra sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Gjithashtu, edhe impotenca, përdorimi i alkoolit, duhanit, drogës, përdorimi i medikamenteve si nitrofurantoina, tetraciklinat, ketokonazoli, antihipertensivet, imipramina steroidet janë disa nga shkaqet e sterilitetit te meshkujt. Sipas studimeve, përdorimi i sasive të mëdha të kafes, mund të ulë dëshirën seksuale dhe ereksionin.

Mund të na tregoni si kryhet diagnostikimi i sëmundjes?
Një çift steril paraqitet te gjinekologu, i cili fillimisht i rekomandon bashkëshortit një konsultë te andrologu dhe një analizë te spermës. Vetëm pas ekzaminimit të burrit, nëse nuk paraqet asnjë problem, fillohet ekzaminimi i gruas. Në praktikën time të përditshme, kam hasur disa raste, kur burri divorcohej me gratë, sepse nuk lindnin fëmijë. Gratë martoheshin me burra të tjerë dhe lindnin fëmijë më pas. Akoma në vendin tonë, burrat e kanë shumë të vështirë të vizitohen dhe mjekohen, kurse gratë jo.

Cilat janë metodat ekzaminuese që përdoren për femrat?
Ekzaminimi i gruas fillon me anamnezën e hollësishme, me përcaktimin e konstruksionit fizik, vizitë vaginale, eko e organeve pelvike, matje e temperaturës bazale për 3 cikle rresht, përcaktimi nëse veza piqet ose jo, grafi e tubave, ekzaminime hormonale etj. Gjithashtu, edhe laparoskopia, biopsia e endometrit e testi postcoital janë disa prej metodave që përdoren për të zbuluar infertilitetin te femrat. Nuk ka mjekim më të mirë, se një diagnozë e saktë, kjo aksiomë vlen për mjekimin e infertilitetit.

Si bëhet trajtimi i sëmundjes?
Në varësi të shkakut, jepet edhe mjekimi. Nëse te gruaja nuk piqet veza, stimulohet me Clomid, Gonadotropina etj. Nëse shkaku është infeksioni, jepen antibiotikë, nëse konstatohen aderenca, endometrioza, mjekimi është kirurgjikal me laparoskop. Po kështu, te burrat, nëse konstatohet varikocele, moszbritje e testikujve, bllokim i tubave që tejçojnë spermën, mjekimi është kirurgjikal. Nëse konstatohen çrregullime hormonale apo të spermatogjenezës, mund të mjekohen me medikamente. Ka raste kur kërkohen të zbatohen metodat moderne të inseminimeve artificiale, të cilat janë të disallojshme. Kur sperma e burrit nuk është fertile, merret sperma e donorit. Po kështu kur gruaja nuk ka vezë të përshtatshme për shtatzëni, merren vezë të donorëve. Këto metoda janë shumë të kushtueshme, aktualisht kryhen vetëm në spitale private, dhe përqindja më e madhe e suksesit, fatkeqësisht nuk i kalon 50%.

Mund të na thoni disa mënyra që mund të parandalojnë sterilitetin?
Sipas meje, ndryshimi i mënyrës së jetesës, arritja e peshës ideale, shmangia e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, mospërdorimi i alkoolit, duhanit dhe drogës, kontrolle të hershme te mjeku gjinekolog dhe androlog; ndikojnë në uljen e numrit të çifteve sterile.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.