Opinion-Komente

John Bolton si dëshmitari që s’ka frikë të tregojë krimin

09:25 - 06.07.20 Andi Bushati

Edhe pa bërë ndonjë scoop, John Bolton i ka hedhur sërish benzinë zjarrit të atyre që akuzojnë Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiçin, se kanë pasur një plan për marrëveshje me shkëmbim territoresh.



Në intervistën e dhënë së fundi, ish- këshilltari kontrovers për sigurinë kombëtare, nuk ka thënë në fakt ndonjë gjë të re. Duke pranuar se ideja ndryshimit të kufijve s’ishte amerikane, por një propozim që vinte nga presidentët e dy vendeve, ai ka përsëritur pak a shumë të njëjtin koncept me të cilin tronditi botën edhe kur ishte në detyrë.

Në gushtin e 2018, nga Kievi, ai pati deklaruar se SHBA, nuk do të refuzonte një kompromis mbi të cilin shqiptarët dhe serbët binin dakord, përfshirë këtu edhe atë që shumë kush do ta konsideronte si hapjen e kutisë së Pandorës në Ballkan.

Pra, deri këtu, John Bolton është koherent dhe përsërit si qytetar i lirë po të njëjtën gjë që mbronte kur ndodhej në majat e Shtëpisë së Bardhë.

Por thëniet e tij sot, marrin më shumë vlerë sepse që nga koha kur ai foli për herë të parë, ka rrjedhur goxha ujë.

Falë presionit të brendshëm dhe unifikimit të pothuajse të gjithë faktorëve shqiptarë kundër tij, Hashim Thaçi u tërhoq formalisht nga provokimi që bëri në verën e 2018 dhe mohoi që shkëmbimi i territoreve të kishte qenë një opsion.

Homologu i tij i vizatimit të hartave, Vuçiç iu hakërrye kundërshtarëve të vet serbë, se ai ishte ideatori i një plani të mirë, por se ata e kishin vrarë atë.

Edi Rama që fillimisht i kundërvihej edhe Anxhela Merkelit, duke thënë se kjo është një mundësi që të vjen një herë në 100 vjet, nuk e pranoi se kishte qenë pjesë e pazareve për ndryshim kufijsh.

Edhe i dërguari special për dialogun, Riçard Grenell, fillimisht tha se s’kishte dëgjuar kurrë për këto projekte dhe më pas e korrigjoi pak duke i’a veshur politikave personale të Boltonit.

Pra, dy vite më pas, të gjithë po silleshin sikur asgjë nuk kishte ndodhur, duke u përpjekur ta mbanin të gozhduar në arkivol, kufomën imagjinare të Kosovës së copëtuar.

Dhe këtu ultrakonservatori John Bolton ka meritën se është i vetmi pjesëtar në tentativën për krim, që nuk e ka ndryshuar versionin e tij. Ai ka pranuar se projekti i copëtimit të Kosovës ekzistonte, ai ka thënë se këtë gjë ia kishin propozuar Vuçiç dhe Thaçi, ai ka treguar se nëse kjo bëhej fakt i kryer, atëherë askush nuk do kishte fuqi ta kundërshtonte.

Por përpos rolit të dëshmitarit në zbardhjen e historisë, dëshmia e njeriut që gjendej në dhomën ku ndodhte vizatimi i  hartave është e vlefshme edhe për të na treguar rrezikun që nuk është shuar ende.

Sepse përndryshe, pra, nëse të gjithë protagonistët e kësaj negociate okulte nuk do të përkundnin ende në mendje mundësinë e ringjalljes së saj, ata nuk kishin arsye që të gënjenin sot për të. Nëse nuk do të kishin ende një plan të fshehtë ata do të silleshin njësoj si Boltoni që flet pa komplekse për të shkuarën.

Por, fakti që Thaçi gënjen, që Vuçiçi bën sikur u hakërrehet serbëve, që Grenelli shtiret sikur nuk ia kanë treguar vizatimet që i kishin shpënë më parë për miratim tek Boltoni, të bën të dyshosh fort.

Dhe pikërisht se kjo kuti pandore ishte ruajtur si një mundësi për tu rihapur, u desh që nga tryeza e dialogut të shmangej Albin Kurti, duke rrëzuar me puç qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Pikërisht se kjo hipotezë ekzistonte Grenell mbështeti një kabinet qesharak dhe të varur nga votat e listës serbe në Prishtinë.

E ndoshta, po për të njëjtat arsye të gjitha ato forca që ishin kundër këtij lloj “deal-i” përdorën si mundësi të fundit gjykatën speciale për ta ndaluar atë. Sepse nëse marrëveshja ‘historike” shqiptaro- serbe me ndryshim kufijsh shpallej, vështirë se ndokush mund ti kundërvihej asaj. Kjo është në fakt edhe e reja më rrëqethëse që ka thënë së fundmi Bolton: “plani për ta vënë botën përballë faktit të kryer”.

 

©Lapsi.al

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE