OPINION

Sa do na duhet të harrojmë COVID-19?

09:23 - 06.07.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekonomikisht, ndoshta dy vjet. Ndoshta edhe më shumë, në rast se qeveria jonë nuk ndihmon fort sot biznesin prodhues dhe eksportues të vendit. Si kudo në botë, pandemia nga koronavirusi ka shkaktuar goditjen më të rëndë edhe mbi ekonominë tonë në dy dekadat e fundit. Kjo goditje ka sjellë rënien e konsumit, të vëllimit të aktivitetit ekonomik, rritjen e papunësisë dhe rritjen e borxhit privat dhe publik. Me fjalë të tjera, me dhjetëra-mijëra sipërmarrje janë zhytur në borxh, po ashtu është në borxh i zhytur edhe shteti, qeveria. Pandemia ka shkaktuar, krahas frikës, nganjëherë gati terrorit psikologjik, edhe vështirësi financiare në mjaft familje dhe biznese. Megjithatë, Banka e Shqipërisë, banka jonë qendrore që siguroi furnizimin pa kufizim me para letër të të gjitha bankave tregtare dhe filialeve të tyre në çdo cep të vendit, që uli në mars vlerën e parasë në kufi të poshtëm rekord, për të lehtësuar koston e saj, që vulosi shtyrjen e 21 mijë kredive me vlerë totale 2 miliardë euro me gjashtë muaj, deri më 31 gusht 2020, është optimiste. Pret të harrojmë pasojat e COVID-19 brenda dy viteve. Jo të gjitha vendet në botë do ta kenë këtë “fat”. Cunami i koronavirusit do të lerë plagë, që mund të duan edhe një dekadë të shërohen plotësisht në shumë vende të Evropës dhe të botës. Ritmi i “harresës” sonë do të varet shumë nga si do të shkojë turizmi ynë i brendshëm këtë vit. Këto dy muaj, korrik dhe gusht janë vendimtarë. Pastaj, me sjelljen e vendit në kufij normalë të prekjes nga pandemia, për shkak të hapjes së plotë (nuk kemi asnjë hapje skandaloze! Këtë duhet ta fiksojmë mirë. Më shumë raste të reja me koronavirus për 100 mijë banorë ka Serbia se sa ne, megjithatë vijimin e bllokimit për të shkuar në vendet e BE-së e morëm ne, Maqedonia e Veriut dhe Kosova), turistët e huaj, të cilët që tani në rrugët dhe plazhet tona kanë nisur të duken ndrojturazi, do të na rriten. Nuk kam asnjë dyshim për këtë, që italianët (madje këta kanë nisur ta bëjnë pa pritur hapjen reciproke të kufijve), serbët, gjermanët, anglezët, nordikët do të na vijnë në brigjet tona në gjysmën e dytë të korrikut, si dhe gjatë gjithë gushtit dhe shtatorit. Do të kemi një turizëm që do të na risjellë optimizmin e humbur gjatë dy muajve të tmerrshëm mars-prill të mbylljes së plotë. Ndërkohë, varet nga qeveria jonë dhe programet e saj të ndihmës për biznesin, nëse edhe sipërmarrja prodhuese dhe eksportuese e vendit do të ndihmohet konkretisht. Të dyja linjat e kredive me garanci sovrane nuk po rroken plotësisht nga biznesi. Sidomos nga ai prodhues në nivel të eksporteve të tekstileve (veshjeve) dhe lëkurës (këpucëve). Duket sikur vendimmarrësit tanë për ekonominë në nivel qeveritar nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur këtij sektori. Edhe pse ai ka vlerë të shtuar të vogël për produkt, mban peshën kryesore të eksporteve tona. Eksporton në vit si vlerë më shumë se sa nafta dhe mineralet të marra së bashku. Një shoqatë e këtyre prodhuesve kërkoi me shkrim në kulmin e pandemisë, në prill 2020, ndihmesë me transportin për punonjësit e tyre dhe disa kërkesa të tjera të thjeshta. Përgjigjja qeveritare erdhi dy muaj më vonë, më 6 qershor, duke iu përmendur vetëm kreditë me të dyja skemat e garancisë sovrane. Biznesi prodhues i vendit, sidomos ai që kryesisht punon për eksport, duhet të jetë më shumë në vëmendje dhe të ndihmohet më fort nga fondet e Buxhetit të Shtetit. Për sipërmarrjet në vështirësi serioze, qeveria mund të japë para letër aq sa atyre u duhet me urgjencë. Jo falas, jo grant. Mund të futet shteti aksioner i  përkohshëm në këto ndërmarrje në vështirësi. Kështu po veprohet në mbarë Evropën dhe botën për sektorët më të prekur nga pandemia. Madje, edhe në vendet shumë të ngjashme me ne për nga fuqia blerëse dhe niveli i konsumit, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Një paketë prej 30-40 milionë euro investim afatgjatë (15-20 vjet) në aksionet e këtyre ndërmarrjeve prodhuese mund të shpëtojë me dhjetëra-mijëra vende pune në një sektor që është punëdhënësi i katërt në vend, pas bujqësisë, shtetit (me administratën shtetërore) dhe turizmit. Si dhe mund ta riorientojë me sukses këtë industri me vlerë mbi 3 miliardë euro drejt produkteve sanitare dhe të mbrojtjes personale të personelit mjekësor, tani që tregu botëror është aq shumë në nevojë për to. Industria e prodhimit me material porositësi e ka këtë veti. Me një investim në nivele relativisht disa qindra-mijëra euro, një fabrikë që punëson me dhjetëra e qindra punonjës, mund të ndërrojë natyrën e produktit dhe të paraqitet shumë konkurruese në tregjet rajonale dhe më gjerë. Qeveria duhet ta çelë paketën e tretë, që duket se e ka mbyllur përfundimisht në mendjen dhe planet e saj, pikërisht duke ndihmuar ata, që sot janë më në ditë të hallit, tani që turizmi ka rinisur të funksionojë: fasonistët tanë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.