DOSSIER

Camaj dhe Koliqi agjentë? Debati ndan studiuesit në pro e kundra

12:55 - 07.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Botimi i një studimi nga Auron Tare, ku figura shkrimtarësh si Ernest Koliqi e Martin Camaj dalin të përfshirë si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të huaja, nga CIA, gjermanët, UDB-ja jugosllave, e deri  te Sigurimi a KGB-ja, ka ngjallur mjaft debat në qarqet intelektuale shqiptare, brenda e jashtë vendit. Disa, gjykojnë se Tare nuk ka fill logjik në ato që thotë e rreket të hedhë baltë mbi dy figurat që kontribuan për kulturën shqiptare në periudhën e errët të komunizmit duke mbajtur gjallë në Romë e Mynih, letërsinë, artet, mërgatën dhe duke ngritur deri një katedër të shqipes në Gjermani.

Të tjerë thonë se duhet ndarë kontributi i tyre si shkrimtarë e njerëz të lamive studimore, me raportet që ata patën me agjenturat e huaja. Ndonëse dokumentet e analiza e Tares gjen ngjashmëri me akuzat e nomenklaturës komuniste për ta, vetë Tarja tha dje se nuk ka pasur qëllim as t’i dëmtojë as të hedhë baltë, por të tregojë edhe një anë tjetër të tyren. Sipas Tares, ai nuk ngre akuza, por ofron informacione. Më anën tjetër, shpesh ‘kontributet’ e mundshme të figurave të ndryshme të intelektualëve në shërbime e agjentura, llogariten, jo për emrin e përfshirë, por se sa e dëmshme ose e dobishme ka qenë kjo për vendin, të cilit i përkasin, ose jetojnë. Vetë ligji mbi të cilin, operon Autoriteti i Dosjeve në vendin tonë, ka këtë parasysh dhe vetë vendimet e autoritetit, nuk shohin firmat e hedhura, por nëse pas firmës, personazhet e përfshirë në dosje, si informatorë kanë dëmtuar të tretë. Fa.ni.

ARDIAN NDRECA

S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.

Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne, por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut.

Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta.

Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit!

Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!

Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë!

Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!

As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56.

Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë.

AURON TARE

Në mbrojtje te Shvejkut

Ky eeshtee Shvejku. Një nga personazhet më të dashura të fëmijërisë. Sot është përgojuar nga një zotëri me emrin Ardian Ndreca. Unë Shvejkun e kam dashur shumë, e kam lexuar shpesh, dhe më ka bërë t’i shikoj personazhet jetësore me humor dhe mos t’i marr shumë seriozisht. Për këtë arsye edhe Ndrecën e marr me shumë humor por po i shkruaj këto radhe në mbrojtje të  Shvejkut. Me vjen keq që një personazh që e quan veten mësimdhënës në një universitet Italian e quan Shvejkun injorant. Duhet të jesh shume i pa lëçitur që të krahasosh Shvejkun me dallkaukët që vëertitën duke treguan diploma pa vlerë. Personazhi ynë Ndreca (aka Marku) e krahason Shvjekun me një injorant si puna ime. Fundi i fundit kush jam unë që ta ulësh kaq shumë figurën e Shvejkut? Askushi, e pra si ka mundësi që një mësimdhënës i një universiteti italian merr mundimin t’i dedikojë një shkrim të tërë si Shvejkut si mua? (aa më falni sapo më thoni se Z. Ndreca qenka zgjedhur si anëtar i akademisë së shkencave)

Mësimdhënësit Ndreca (aka Marku) diçka i ka djegur në botimin tim (Drite hije të Koliqit dhe Camajt) sa që pa gdhire ka mbushur faqet e portaleve shqiptare me reagime tipike për ata që tallte Ushtari i mirë Shvejk. Nuk dëshiroj fare të merrem me replikë me mësimdhënësit Ndreca ( aka Marku) prandaj në këto radhë doja thjesht të mbroja Shvejkun personazhin komik të fëmijërisë.

Sa për Ndrecën, i cili pasi mbërriti në Romë dhe ndryshoi mbiemrin e fëmijërisë mund të flas ndonjë herë tjetër pasi mbështetja dhe shkollimi i tij nga ish anëtarë të Komitetit të Prizrenit meriton një shkrim më vete.

P.S. për Të      gjithë ata që duan të mëesojnë më shumë mbi Komitetin e Prizrenit mund të lexojnë shkrimin te Peizazhet e Fjalëe=s

PRIMO SHLLAKU

Pergjigje mikut tim, akademik Ardian Ndreces, rreth shkrimit te tij per Auron Taren.

I dashun Ardian, Auron Tare ka hapë nji diskutim shum delikat dhe, simbas meje, edhe të thelluem me material faktik. Por ai nuk mund ta zavendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij asht i randësisë dhe i diskrecionit akademik. Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX. Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na jape sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çeshtjes dhe, në vijim, të dale para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues. Çeshtja ka dale në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kuturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.
Me konsideratë,
P.Shllaku

ARDIAN VEHBIU

Shkrimi i Auron Tares, për lidhjet e supozuara të Koliqit dhe të Camajt me agjenturat perëndimore, i botuar në “Peizazhe të fjalës”, ka ngjallur interes të madh. Mes atyre që kanë reaguar, disa kanë vënë në dyshim edhe integritetin e revistës sonë dhe kanë spekuluar për qëllimet e fshehta të këtij botimi. E gjej me vend që ta risjell për lexuesin hyrjen redaksionale, që e përgatitëm për shkrimin, në përpjekje për të sqaruar qëndrimin tonë editorial si revistë dhe për ta kornizuar diskutimin e mundshëm. Më duket e padrejtë, madje e mangët, që të lexohet dhe të interpretohet shkrimi vetë, duke injoruar çfarë thuhet në këtë hyrje – sepse kjo e fundit është po aq pjesë e pandarë e argumentit sa edhe shkrimi vetë. Tek e fundit, politika jonë e botimeve synon të mbajë një ekuilibër midis promovimit të pluralizmit të mendimit dhe lirisë së fjalës nga njëra anë, dhe nevojës për integritet editorial nga ana tjetër….

Camaj si autor është i vështirë – shijohet vetëm nga një numër i vogël lexuesish, që për më tepër sa vjen e tkurret (për faj të shkollës). Me përjashtim të disa pak poezive. Një pjesë (kam frikë, e madhe) e atyre që eksitohen nga këto muhabete as e kanë lexuar, as do ta lexojnë ndonjëherë. Vetëm e përdorin si flamur identiteti. Unë besoj se një autor – sidomos ngaqë kemi kaq pak të atij kalibri – duhet mbrojtur edhe nga ky lloj abuzimi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.